Deputeti britanik: Shqiptarët nuk dinë të marketojnë dhe shesin produktet e tyre

12/02/2018 4:47 PM 0 komente

Dhoma Shqiptaro – Britanike ka mbajtur sot një takim me anëtarët e Dhomës, drejtues dhe përfaqësues të disa bashkive në vend, përfaqësues të Parlamentit Britanikë si dhe të investitorëve që vijnë në emër të kompanive britanike dhe ndërkombëtare, sipas një njoftimi zyrtar të Dhomës Shqiptaro-britanike.

Të pranishmit në këtë aktivitet ndoqën me vëmendjen fjalën e deputetit britanik Jon Grogan i cili në fjalën e tij theksoi se: – “Shqipëria ka pasur një zhvillim mbreslënës në këto 10 vitet e fundit që nga vizita e tij e parë në vitin 2007 me Parlamentarët Britanik.  Zoti Jon Grogan konfirmoi se Shqipëria shihet nga investitorët e huaj si e rëndësishme për energjinë e rinovueshme për shkak të kushteve atmosferike që ka, por edhe për mineraret. Ndërkohë që fusha e turizmit dhe bujqësia janë të paeksploruara nga britanikët dhe ata kanë interes që të vijnë në Shqipëri.

Në fjalën e tij z.Grogan theksoi se produktet shqiptare do të ishin shumë konkurruese në tregun ndërkombëtar nëse kompanitë shqiptare do të kishin më shumë besim të vetja e tyre,  të realizonin një plan të mirë marketimi, ose të bashkëpunojnë me një partner të mirë në perëndim.

Si shembull i mosshfrytëzimit të potencialeve shqiptare deputeti Grogan solli përdorimin e verave të huaja në tavolinat shqiptare si dhe pritjet zyrtare, ndërkohë që britanikët e kanë shijuar dhe pëlqyer shumë verën vendase.

Përfaqësuesi i investitorëve britanikë Partner i Shakespeare@Martineau Neil Budd i ftoi të pranishmit në këtë takim për të shfrytëzuar momentin e mirë të Brexit dhe legjislacionit shqiptar për energjinë e rinovueshme që tërheqin investitorët britanikë për të ardhur në Shqipëri përmes plan-biznesve në këto fusha.

Zoti Budd shtoi se: – “Shqipëria është një treg në rritje, me mbi 3% vitin e kaluar, e listuar në vend të 50 për klimën e të bërit biznes dhe duhet ta shfrytëzojë momentin e mirë që ka për të thithur investitorë britanikë dhe ndërkombëtarë”.

“Zhvillimi i teknologjisë me makinat elektrike etj,  ka nxjerr në pah rëndësinë e përdorimit të baterive dhe kjo e përkthyer në një kërkesë më të lartë për Nikel dhe Kobaltë ku Shqipëria është mjaft e pasur me këto minerare. Investitorët kanë shprehur interes edhe në këtë fushë”-theksoi z.Bodd.

Presidenti i Dhomës Shqiptaro-Britanike z.Zenel Hoxha falenderoi miqtë nga Britania e Madhe për praninë në takim, si dhe evidentoi punën kolosale që biznesi shqiptar bën për të promovuar dhe kombin tonë. Zoti Hoxha theksoi se biznesi është ambasadori më i mirë i promovimit të Shqipërisë si dhe promotori që ndikon në rritjen ekonomike të një vendi.

“Në kushtet e Shqipërisë sipas z.Hoxha është shumë e rëndësishmë të bësh biznes. Dhoma Britanike punon dhe beson në zhvillimin e Shqipërisë në çdo cep të saj dhe për këtë ka inicuar edhe projektin me bashkitë, ndaj me këtë rast i bëj thirrje qeverisë që të lëshojë territor dhe t’i jap pavarësi të plotë pushtetit vendor” – theksoi në fjalën e tij Presidenti i Dhomës Shqiptaro-Britanike z.Zenel Hoxha.

Gjatë këtij takimi, Dhomës Britanike iu shtuan dhe 6 anëtarë të rinjë të cilët shprehën gatishmërinë për të bashkëpunuar dhe marrë përgjegjësitë që iu takojnë si anëtarë.

Në takim foli dhe kryetarja e bashkisë së Përrenjasit znj.Miranda Rira, nënkryetari i bashkisë Shkodër z.Dritan Meta të cilët folën dhe në emër të bashkive Pogradecit, Kuçovës, etj.

 

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of
avatar
wpDiscuz