Nuk përbën më lajm tani që Amazon synon të krijojë një flotë me dronë me guidë autonome për dërgesat e saj.
Shoqëria e Jeff Bezos ka siguruar deri më tani patenta të ndryshme në lidhje me sa më sipër dhe ka testuar në Angli disa dërgesa provë. Gjithçka duket se po ecën sipas hartës rrugore të hartuar nga gjiganti botëror i e-commerce.
Në këtë pikë shtohet edhe një element tjetër. Një patentë e fundit (e marrë) nga Amazon në USPTO (Departamenti i Patentave në SHBA) që tregon se si duhet të jetë magazina e furnizimeve të flotës së dronëve me vetëdrejtim, që mendohet se do të zëvendësojë furgonët në të ardhmen.
Duke parë skicat që lidhen me patentën e Amazon, krijohet menjëherë ideja e një strukture futuristike dhe në të njëjtën kohë, të domosdoshme. Sipas projektuesve të gjigantit e-commerce, magazinat e së ardhmes do të jenë kulla të larta, që karakterizohen nga një numër i madh portash për hyrjen dhe daljen e droneve.
Me fjalë të tjera, asgjë më shumë dhe asgjë më pak se koshere moderne, nga të cilat Amazon synon të nisë dërgesa në qytete të mëdha, ku të gjejë hapësira të përshtatshme për të mbajtur të gjithë mallrat që vijnë dhe nisen – struktura komplekse.