Kriza diplomatike e Turqisë po nxit një krizë ekonomike. Sanksionet amerikane mund të jenë kashta që do të ndezë zjarrin
Kur anëtarët e Kongresit Amerikan miratuan Aktin Magnitsky në vitin 2012, për të ndjekur zyrtarët e Kremlinit, përgjegjës për vdekjen e një informatori rus dhe madje, edhe kur ata e zgjeruan atë për të përfshirë edhe të huajt e lidhur me korrupsionin dhe shkeljet e të drejtave të njeriut, pak prej tyre mendonin se ligji do të përdorej edhe kundër qeverisë së një shteti aleat të NATO-s, shkruan The Economist.
Megjithatë, kjo është pikërisht ajo që ndodhi më 1 gusht kur Departamenti i Thesarit i SHBA-së i hoqi imunitetin dy zyrtarëve të lartë turq, ministrit të Drejtësisë dhe ministrit të Brendshëm, mbi rolin që patën në ndalimin e zgjatur të një pastori amerikan. Turqia, nga ana tjetër, iu përgjigj duke vendosur sanksione kundër dy anëtarëve të kabinetit të Presidentit Donald Trump.
Të dyja palët, përfshirë Presidentin e Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, thanë se do të gjenin një rrugëdalje për krizën, por tregjet duket se mendojnë ndryshe. Monedha turke arriti në nivelin më të ulët për gjashtë ditë me radhë kundrejt dollarit, duke shënuar një rekord të ri, ndërkohë që yield-i mbi obligacionet qeveritare arriti një nivel të ri, duke kërcënuar ta çojë ekonominë e vendit në krizë.
Vetëm dy javë më parë, Turqia dhe Amerika ishin në prag të nënshkrimit të një marrëveshje, e cila mund të kishte hapur rrugën edhe për një sërë çështjesh të ndërlikuara. Nëse marrëveshja do të ishte realizuar, Turqia do të lironte pastorin Andrew Brunson, i cili po mbahet në burg që prej vitit 2016 kundrejt akuzës për terrorizëm, ndërsa Amerika do të lejonte që Hakan Atilla, një bankier turk i dënuar për shkelje të embargos kundër Iranit, të përfundonte pjesën tjetër të dënimit në shtëpi.
Por, marrëveshja nuk u realizua sepse ministri i Jashtëm turk ngriti pritshmëritë, duke u kërkuar zyrtarëve amerikanë të ndalnin çdo hetim për Halkbank, banka shtetërore për të cilën kishte punuar z. Atilla. Në vend që të lirohej, z. Brunson u dënua me arrest shtëpie. Duke pasur parasysh egërsimin me qeverinë e Turqisë në Amerikë, edhe vendimi për marrjen e sanksioneve nuk duhet të ishte i befasishëm.
Që prej takimit të parë me z. Erdogan vitin e kaluar, kur Presidenti amerikan e përmendi z. Brunson në tri raste të veçanta, administrata e Trump ka kërkuar vazhdimisht lirimin e pastorit. “Si ekzekutivi, ashtu edhe legjislativi amerikan, e kanë humbur gjithë durimin strategjik”, shprehet Amanda Sloat, një ish-zyrtare e Departamentit të Shtetit, e cila tani punon në Brookings.
Sipas The Economist, mund të jetë herët për të treguar nëse vendimi i Thesarit ishte një paralajmërim, që do të thotë se ende ekziston mundësia për arritjen e një kompromisi ose në rast të kundërt, sanksionet do të jenë të pashmangshme. Një projektligj, i miratuar kohët e fundit nga Senati kërcënon të bllokojë qeverinë e z. Erdogan nga marrja e 100 avionëve luftarakë F-35, vendim në shenjë hakmarrje për blerjen e një sistemi raketor mbrojtës nga Rusia.
Një tjetër projektligj propozon që Amerika të mbështetet në institucionet financiare ndërkombëtare, si Banka Botërore dhe Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për të pezulluar huatë ndaj Turqisë derisa të lirohet z. Brunson dhe tre punonjës të konsullatës amerikane të ndaluar vitin e kaluar. Për një vend që mbështetet në flukset hyrëse të kapitalit, me një barrë prej 220 miliardë dollarësh në borxhin e korporatave dhe tani përballë një krize të rënies së monedhës vendase, sanksionet e reja mund të jenë shkatërruese.
Edhe masat, kryesisht simbolike, të ngritura kundër dy ministrave turq, së bashku me lajmet se Amerika do të shqyrtojë aksesin pa doganë për 1.7 miliardë dollarë importe nga Turqia, ishin të mjaftueshme për të çuar lirën turke në nivelin e saj më të ulët në më shumë se një dekadë. Më 6 gusht, lira turke pësoi humbjen e saj më të madhe neto kundrejt dollarit që nga viti 2001. Që kur z. Erdogan mori detyrën si kryeministër në vitin 2003, ajo ka humbur pothuajse 70% të vlerës së saj.
Në vështirësi prej kohësh
Nëse do ta shikojmë në një këndvështrim më të gjerë, ekonomia turke është në vështirësi prej disa kohësh. Në mes të një rritjeje të kredisë së lirë dhe shpenzimeve fiskale, inflacioni është rritur vazhdimisht, duke arritur në rreth 16% muajin e kaluar, shkalla më e lartë që nga viti 2003.
Si Banka Qendrore, ashtu edhe bankat e tjera duke qenë nën presionin e vazhdueshëm të z. Erdogan i cili mendon se normat e larta të interesit shkaktojnë inflacionin, kanë bërë shumë pak ose thuajse asgjë për të zvogëluar dëmin. Për habinë e pjesës më të madhe të analistëve, banka nuk i ka rritur normat e interesit pas mbledhjes së fundit të zhvilluar më 24 korrik.
Me rritjen e inflacionit, lirës mund t’i duhet të dobësohet edhe më shumë për të mbajtur në nivele konkurruese eksportet turke, thotë William Jackson, analist në Capital Economics. Më e mira që banka mund të shpresojë të arrijë është të menaxhojë rënien e monedhës, shtoi ai.
Besimi i investitorëve po zbehet gjithnjë e më shumë. Fundi i gjendjes së jashtëzakonshme më 18 korrik nuk ka ndikuar aspak në rritjen e besimit, ashtu siç mund të prisnin shumë.
Disa prej ligjeve, edhe pse janë ndryshuar, kanë sërish të njëjtën përmbajtje, duke ia forcuar pozitat z. Erdogan mbi ekzekutivin, duke e lejuar atë të emërojë dhe të shkarkojë zyrtarët e lartë, si dhe të dobësojë mbikëqyrjen parlamentare. Pas një fitoreje të freskët nga zgjedhjet parlamentare, duket se Erdogani i plotfuqishëm do të marrë plotësisht nën kontroll edhe politikën monetare dhe atë fiskale. Z. Erdogan ka shkarkuar ekipin e tij të vjetër në sektorin ekonomik, duke e zëvendësuar me anëtarë të rinj dhe pa përvojë, duke përfshirë këtu edhe dhëndrin e tij, Berat Albajrak, të cilin e emëroi në postin e ministrit të Financave dhe Thesarit. Por asnjë nga këto lëvizje nuk pritet që të përmirësojë besimin e investitorëve.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.