Dështon “eksperimenti” me liberalizimin e energjisë; Bizneset e 35 kilovolt do dalin në treg pas dy vitesh

14/02/2018 7:01 AM 0 komente

83 bizneset që furnizohen në tensionin 35 kv, ishin paralajmëruar se deri në fund të muajit shkurt duhet të shkëputeshin nga furnizimi me energji nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) dhe të gjenin një furnizues alternativ në tregun e parregulluar.

Kjo lëvizje erdhi në kuadër të procesit të liberalizimit të energjisë,  i cili parashikonte që bizneset që furnizoheshin në 35 kv do të duhet të dilnin në treg të pavarur fillimisht deri më 30 qershor 2016, por ligji u shty disa herë dhe filloi zbatimin më 1 janar 2018. Deri në fund të vitit 2018 do të duhet të dilnin edhe bizneset e linjës 20 kv, ku janë rreth 1,000 të tillë. Nëse bizneset nuk gjenin asnjë furnizues tjetër, ligji nuk parashikonte asnjë alternativë përveç ndërprerjes së energjisë elektrike për subjektin në fjalë. http://www.monitor.al/liberalizimi-tregut-futet-ne-ngerc-biznesi-rrezikon-furnizimin-energji/

Por, pavarësisht këmbënguljes së Ministrisë së Industrisë dhe Energjisë (MIE) që bizneset të shkëputeshin nga OSHEE dhe nga 1 marsi të blinin vetë energjinë, kjo nuk ka funksionuar dhe MIE është detyruar të tërhiqet.

Burime zyrtare nga Ministria e Industrisë dhe Energjisë konfirmuan për Monitor se është vendosur që të shtyhet faza tranzitore për daljen e biznesit në tregun e parregulluar. Kjo do të thotë që bizneset do të ketë dy vite kohë për të përgatitur daljen e tyre nga momenti, që iu është bërë njoftimi zyrtar nga ana e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike.

Për biznesin e lidhur në tension 35 kilovolt njoftimi është bërë në 1 janar 2018 dhe kishin dy muaj kohë për të siguruar furnizues, çka përkon me 28 shkurtin. Pra në 1 mars 2018 ato duhet të blinin vetë energjinë. Me afatin tranzitor këto biznese të lidhura në 35 kilovolt kanë tashmë kohë deri në 31 dhjetor 2019. Kjo do të thotë që deri në këtë datë do të furnizohen me energji nga OSHEE, me çmime tregu plus një tarifë shtesë prej 10 për qind.  Kushdo prej tyre që ndjehet i gatshëm për të dalë në çdo moment gjatë kësaj periudhe mund ta bëjë pa problem, por ata nuk rrezikojnë më ndërprerjen e energjisë nëse nuk gjejnë furnitor alternativ.

Për bizneset e lidhura në tension 20 kilovolt është duke u përpunuar pjesa e instalimeve teknike dhe investimeve që mundësojnë daljen në tregun e lirë. Këto investime pritet që të përfundojnë në fund të 2018-ës çka bën që në 1 janar 2019 me shumë gjasa ato të marrin njoftimin nga ana e OSHEE për shkëputje dhe për të siguruar vetë energjinë. Për këto biznese OSHEE do të sigurojë furnizim me çmim tregu plus 10 për qind deri në 31 dhjetor 2020. E njëjta situatë do të vlejë edhe për bizneset e lidhura në 10 dhe 6 kilovolt.

“Ne kemi bërë takime me furnizuesit dhe bizneset por problemi kyç është paqartësia që ka grupi i dytë për procesin. Pjesa që ka sjellë këtë konfuzion lidhet më shumë me mënyrën sesi do të sigurohet energjia nga tregu, si do funksionojë blerja dhe çmimi për të mos folur pastaj që vetë bizneset nuk e kanë idenë e profilit të ngarkesës, nuk kanë historik konsumi për të parë edhe nevojat e tyre që janë thelbësore për mënyrën sesi funksionon procesi i blerjes së energjisë në treg të lirë”, thanë burimet nga MIE.

Në 1 janar 2018 u njoftuan rreth 80 biznese për të dalë në tregun e lirë. Në këtë periudhë rreth 2 mujore pra janar shkurt janë të paktën 10 biznese që janë të gatshëm për të dalë dhe po plotësojnë pjesën e kontratave. Pavarësisht kësaj sot nuk ka asnjë biznes në 35 kilovolt që të furnizohet vetë, të gjithë furnizohen nga OSHEE.

Burimet nga MIE thanë se Sekretariati i Komunitetit të Energjisë edhe pse ka vënë theks të vazhdueshëm tek liberalizmi është treguar i kuptueshëm dhe përfaqësuesi Janez Kompac në vizitën e fundit në Shqipëri tha se ky është një proces që në shumë vende ka kërkuar më shumë kohë dhe në këtë kontekst edhe tek ne mund të ishte e nevojshme ky afat tranzitor.

 

Pse nuk funksionoi liberalizimi

Të gjithë aktorët e tregut, bizneset, furnizuesit alternativë dhe furnizuesi universal OSHEE pohuan se bizneset nuk ishin gati të dilnin në treg të lirë, ku ngërçi më i madh ishte fakti që ligji nuk parashikonte alternativën e furnizuesit të mundësisë së fundit. Nëse asnjë furnizues alternativ nuk pranon që t’u bëjë ofertë dhe të furnizojë me energji një biznes të tensionit 35 kv, ligji nuk jepte alternativë tjetër furnizimi, teksa OSHEE do të ishte e detyruar të ndërpriste energjinë. Zgjidhja e vetme për bizneset ishte që të adresoheshin direkt te furnizuesit alternativë (tregtuesit e energjisë).

Problemi tjetër ishte se furnizuesit e mëdhenj, që përfaqësojnë shoqëri europiane, nuk janë të interesuar të merren me subjektet e këtij tensioni, për shkak të konsumit të ulët të tyre. Kësaj i shtohej dhe mentaliteti i bizneseve shqiptare që nuk janë korrekte në zbatimin e kontratave afatgjatë dhe të kryejnë pagesat e rregullta, fakti që disa prej tyre ishin debitorë në OSHEE. Në tërësi biznesi nuk ishte i përgatitur që tregu të liberalizohej tregu kaq shpejt, por ata kërkuan të paktën edhe një vit kohë.

Ndërsa e pranojnë që procesi i liberalizimit të tregut të energjisë është i vonuar, operatorët alternativë janë të mendimit se ky proces duhet të ishte natyral dhe të kishte dhënë mundësi zgjedhjeje. Sipas tyre, OSHEE ka pasur 4 vjet kohë që të prezantonte në treg OSHEE Trading, që do të furnizonte me çmim tregu klientët, që nuk përfitonin nga shërbimi universal. Kjo ka ndodhur në vendet e rajonit, ndërsa në Shqipëri, konsumatorëve nuk iu dha mundësia të furnizohen nga OSHEE me çmime tregu, por u nxorën fare nga ky treg.

Një proces liberalizimi natyral efektiv i tregut do të mundësonte bizneset që të vendosnin vetë nëse do të merrnin shërbimin nga furnizuesi universal me çmime të parregulluara, apo do të arrinin ta siguronin nga operatorët privatë me çmim më të lirë. Koncepti i liberalizmit nuk është që bizneset të nxirren nga tregu, por që të mos furnizohen me tarifa të subvencionuara, pohojnë tregtuesit e energjisë.

Megjithatë, bizneset e tensionit 35 kv fituan edhe dy vjet kohë për të dalë në tregun e parregulluar. Megjithatë, gjatë kësaj periudhe ata do ta blejnë energjinë nga OSHEE me çmime tregu, të llogaritur sipas metodologjisë së Entit Rregullator të Energjisë, sipas formulës: çmimi i blerjes në tregun e rregulluar + kosto direkte e furnizimit me pakicë (10%) +tarifa e përdorimit të rrjetit të transmetimit +tarifa e përdorimit të shpërndarjes = çmimi i energjisë aktive.

Kjo do të thotë që ata do të jenë të pambrojtur nga luhatjet e çmimeve. Psh në janar ata e blenë energjinë 22% më shtrenjtë se në dhjetor (kur ishin tarifa fikse) dhe në shkurt 7% më lirë. Në verë, në rast thatësire ata do të detyrohen ta blejnë energjinë më shtrenjtë.

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of
avatar
wpDiscuz