Braçe: Pas tre radhëve mungesë, nuk mund të kemi një radhë të katërt. Prandaj do t’i drejtohem kryetari të kuvendit që propozuesi të bëjë tërheqjen e projektligjit, ose të vijë të bëjë prezantimin e tij…
Sot ishte parashikuar të kishte një seancë dëgjimore në Komisionin e Ekonomisë për projektligjin “Për organizimin dhe funksionimin e profesionit të rregulluar të ekspertit fiskal dhe institutin e ekspertëve fiskalë”, projekt që ka ngjallur shumë debate dhe kundërshti mes bizneseve dhe grupeve të interesit.
Por, seanca ka dështuar, pasi deputeti nismëtar i ligjit, Gjovalin Kadeli, nuk është paraqitur. Kryetari i Komisionit të Ekonomisë Erion Braçe ka pohuar se pa ardhur nismëtarët e ligjit nuk mund të diskutohet, megjithatë ai shtoi se në gjithë botën ekziston rregullimi fiskal.
“Nuk është përfaqësimi i duhur nga qeveria, në momentin kur nuk janë propozuesit në sallë nuk mund ta diskutojmë projektligjin. Pas tre radhëve mungesë, nuk mund të kemi një radhë të katërt. Prandaj do t’i drejtohem kryetari të kuvendit që propozuesi të bëjë tërheqjen e projektligjit, ose të vijë të bëjë prezantimin e tij. Do të dëgjohen vetëm shoqatat që kanë lidhje me fushën. Komisioni i Ekonomisë ka punuar me propozuesin dhe me grupet e interesit, me qëllim që të dilte një draft serioz”.
Propozuesi ose të vijë ose të tërheqë projekt/ligjin shtoi kryetari i komisionit. Nuk kemi kuorum për të votuar.
Në seancë, si grupe interesi ishin katër organizma profesionalë, Instituti i Ekspertëve Kontabël të Autorizuar (IEKA), Instituti i Kontabilistëve të Miratuar (IKM), Shoqata e Kontabilistëve dhe Financierëve të Shqipërisë (SHKFSH), Shoqata Kontabël i Miratuar (SHKM), të cilët dhe më herët e kanë kundërshtuar draftin. http://www.monitor.al/ekspertet-dhe-kontabilistet-per-monopolin-fiskal-po-sherbehet-grupeve-te-fuqishme-te-biznesit/
Grupimi i ekspertëve por edhe Dhoma Amerikane kanë hedhur akuza të rënda, se përmes këtij drafti po fuqizohen biznese të caktuara dhe po u shërbehet atyre. http://www.monitor.al/edhe-dhoma-amerikane-kunder-monopolizimit-te-sherbimeve-fiskale-po-favorizohen-super-pushtet-persona-te-caktuar/
Drafti dhe kundërshtimet
Deputeti Gjovalin Kadeli, ka dorëzuar në Kuvend në dhjetor projektligjin “Për organizimin dhe funksionimin e Profesionit të rregulluar të Ekspertit Fiskal dhe Institutit të Ekspertëve Fiskalë”. Drafti parashikon krijimin e Institutit të Ekspertëve Fiskalë” (IEF) një organizëm, që grupon të gjithë ekspertët fiskalë persona fizikë dhe të gjitha shoqëritë e ekspertëve fiskalë të regjistruara në Regjistrin e Institutit të Ekspertëve Fiskalë të Shqipërisë. Sipas relacionit të draftit të ri, “Eksperti fiskal do të operojë në fushën e dhënies së shërbimeve, përgatitjes dhe/ose paraqitjes së deklaratave tatimore të tatimpaguesve dhe pasqyrave mbështetëse fiskale, dhënien e këshillimit mbi planifikimin tatimor, përfaqësimin dhe mbrojtjen e tatimpaguesve para organeve administrative dhe gjykatave dhe dhënien e këshillimeve fiskale të tjera dhe shërbimeve të lidhura”.
Pika që ka ngjallur më shumë debate është ajo e krijimit të një monopoli fiskal. Neni 3 i projektligjit sanksionon se “Ushtrimi i profesionit to ekspertit fiskal dhe te shoqërive te eksperteve fiskale bëhet vetëm pas datës së regjistrimit të tyre në Regjistrin e “Institutit të Eksperteve Fiskale” (shkurt Instituti ose IEF). Ky i fundit është organizmi profesional, që grupon të gjithë ekspertët fiskale persona fizike dhe të gjitha shoqëritë e ekspertëve fiskalë të regjistruara në Regjistrin e Institutit të Ekspertëve Fiskalë të Shqipërisë që është i regjistruar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, në bazë të legjislacionit përkatës”.
Drafti krijon dhe mbivendosje me institucionet ekzistuese, ku fati i Ekspertëve Kontabël të Regjistruar, që sot japin 4 teste në 6 disiplina përfshirë legjislacionin fiskal, do të vendoset nga Instituti i ri qe pritet të krijohet, ai i Institutit të Ekspertëve Fiskalë (IEF).
Drafti është kundërshtuar hapur nga institucionet e biznesit dhe organizmat profesionalë të kontabilitetit.
Dhoma Amerikane e Tregtisë, në një shkresë zyrtare drejtuar Ministrave të Financave e Drejtësisë dhe Komisionit të Ekonomisë, thotë se drafti nuk paraqet asnjë analizë, studim apo dhe thjesht problematikat që mund të jenë shfaqur që të ketë krijuar nevojën për rregullimin e këtij profesioni në Shqipëri.
Edhe Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë thotë se ky shërbim, që kërkohet të monopolizohet përmes këtij drafti, sot jepet nga të punësuar në shoqëri (financierë dhe administratorë me kualifikimin përkatës), Kontabilistë të Miratuar si profesion i rregulluar, Ekspertë Kontabël të Regjistruar, Avokatë dhe Juristë të së drejtës tregtare dhe më gjerë, të tjerë të diplomuar, të lejuar sipas kurrikulave përkatëse universitare. http://www.monitor.al/edhe-profesioni-ekonomistit-jepet-koncesion/
Edhe katër organizma profesionalë, Instituti i Ekspertëve Kontabël të Autorizuar (IEKA), Instituti i Kontabilistëve të Miratuar (IKM), Shoqata e Kontabilistëve dhe Financierëve të Shqipërisë (SHKFSH), Shoqata Kontabël i Miratuar (SHKM), janë deklaruar zyrtarisht kundër projektligjit në një takim të përbashkët që kanë zhvilluar në fillim të muajit mars. Ata kanë shprehur shqetësimin për ndikimin e drejtpërdrejtë negativ që mund të ketë miratimi i këtij projektligji, në të gjithë procesin e raportimit financiar në Republikën e Shqipërisë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.