Cruise Critic ka publikuar dhjetë destinacionet më të kërkuara të këtij viti për udhëtim me kroçierë. Disa prej tyre, përfshirë edhe vendin e parë, mund t’ju habisin.
Konsumatorët renditën finalistët nga 18 rajone për kroçierë në të gjithë botën.
Këto janë dhjetë destinacionet më të përzgjedhura:
10. Villefranche, Francë
Nuk është çudi nëse nuk keni dëgjuar për Villefranche-sur-Mer, sepse ky fshat i vogël buzë lumit ndodhet i fshehur midis dy fqinjëve më të famshëm, Nisë dhe Monako. Duke qenë se është lënë mënjanë nga vizitorët, ky fshat peshkimi e ka ruajtur ende hijeshinë, sidomos pjesa e Qytetit të Vjetër, me ndërtesat e shekullit XIII. Megjithëse është më joshëse të qëndrosh në portin plot kafene dhe plazhin me rërë, ata që janë të gatshëm të ngjisin kodrat e pjerrëta, do të zbulojnë dyqanet e Qytetit të Vjetër dhe ushqimin e lirë dhe tipik të qytezës.
9. Dubrovnik, Kroaci
Pavarësisht rrënjëve të qytetit të cilat datojnë që në shekullin e shtatë, vizitorët e sotëm janë të prirë të kërkojnë sheshet e xhirimit të filmave “Game of Thrones” dhe “Star Wars” po aq sa muret e lashta të fortifikuara të qytetit.
Gjithsesi, Qyteti i Vjetër pa makina është qendra e lëvizjes. Arkitektura e tij mesjetare është ruajtur dhe restauruar pas një tërmeti në shekullin XVII dhe Luftës Kroate të Pavarësisë në vitet ’90. Ju mund të çmoni këtë pasuri të UNESCO-s, duke u endur nëpër rrugët me kalldrëm, plot me restorante dhe dyqane, ose duke udhëtuar me teleferik në majë të Malit Srd për të shijuar nga lart një pamje të paharrueshme të Qytetit të Vjetër.
8. Shën Petërburg, Rusi
Dimri, Çajkovski dhe Hermitazhi janë fjalët e para që të vijnë në mendje kur përshkruan Shën Petërburgun, ish kryeqytetin rus të ndodhur në Detin Baltik. Mbase më pak i njohur është fakti se Pjetri i Madh i dha qytetit një nuancë europiane, siç duket nga kanalet, bulevardet dhe arkitektura e tij. Një tjetër fakt mbresëlënës është se midis majit dhe korrikut, në qytet mbizotëron dita për 24 orë, një periudhë e njohur si “Netët e Bardha” kur mbahen mjaft koncerte, festivale dhe festa të ndryshme.
Por asnjë vizitë nuk do të ishte e plotë pa parë një shfaqje opera ose baleti në Teatrin Mikhailovsky ose Teatrin Mariinsky apo po vizituar koleksionin e Muzeut Shtetëror Hermitazh, brenda Pallatit të Dimrit të veshur me të gjelbër dhe zbukuruar me art barok.
7. Avignon, Francë
Harrojeni Vatikanin: Avignon në Provence të Francës ka mbretëruar botën katolike romane nga viti 1309 në 1377. Deri në ditët e sotme, aty qëndron i paprekur Pallati i Papëve i cili është pasuri e mbrojtur nga UNESCO. Trashëgimia papnore e qytetit mund të ndihet edhe kur ecën në rrugët e tij mesjetare.
6. Dürnstein, Austri
Është e pamundur të mos kundrosh nga lart çatitë e pjerrëta të kuqe të Dürnstein – të shtrira përgjatë brigjeve të lumit të Danubit dhe të rrethuara nga kodrat e gjelbra – dhe të mos të vijnë vetvetiu në mendje tingujt e ëmbël të Valsit Danubi Blu.
Rajoni Wachau, një tokë vërtet përrallore, u njoh si trashëgimi kulturore e UNESCO-s në vitin 2000, për të ruajtur stilin tradicional të jetesës që ka mbetur i pandryshuar përgjatë shekujve.
5. Wurzburg, Gjermani
Wurzburg është epiqendra e asaj që konsiderohet si “Rruga Romantike” e Gjermanisë, rreth 300 milje e gjatë, e rrethuar plot me kështjella përrallore. Ndryshe nga pjesa më e madhe e vendit, vera është pija kryesore dhe këtu do të gjeni disa nga punishtet dhe lokalet e verës më të mira në rajonin e Frankonisë.
Rezidenca Wurzburg apo Pallati Rezidencial, konsiderohet si një nga shembujt më tipikë të kështjellave të stilit barok.
Por historia e Wurzburg është shumë më e vjetër. Besohet se keltët e themeluan qytetin në vitin 1000 p.e.s. dhe aspekte të Fortesës Marienberg (e përmirësuar përgjatë shekujve) mund të gjurmohen në atë epokë.
4. Budapest, Hungari
Budapesti, një qytet mjaft i pëlqyer për shëtitje me kroçierë në lumë dhe jo vetëm, është i famshëm për arkitekturën e bukur, vendet historike, kafenetë popullore, banjat termale dhe kulturën e pasur. Lumi i Danubit e ndan qytetin në dy pjesë: Buda më kodrinor dhe i banueshëm dhe Pesti më i rrafshët dhe urban.
Në Pest ndodhet Opera Shtetërore Hungareze me shfaqjet e saj të klasit botëror. Gjithashtu do të gjeni Ndërtesën e Parlamentit Hungarez me strukturën e saj tejet të bukur neo-Gotike, një lagje të gjallëruar çifute, ushqim të mrekullueshëm dhe jetë nate të ndezur. Kaloni më pas në anën e Budas dhe vizitoni Distriktin e Kështjellave të mbrojtur nga UNESCO, ku më kryesoret janë Kështjella e Budas dhe Muzeu i Historisë së Budapestit.
3. Qyteti i Kebekut, Kanada
Ndonjëherë, Kebekun e quajnë Parisi i Amerikës së Veriut, por është shumë më tepër se aq. Aspekte të kulturës franceze dhe asaj kanadeze ndërthuren së bashku në Kebekun e Vjetër, pasuri e UNESCO-s, një pjesë e qytetit e shtruar me kalldrëm, e cila daton që në shekullin e XVII dhe ndahet në Upper Town dhe Lower Town.
Ndërtesa më e famshme e qytetit është historikja Château Frontenac që lartësohet mbi Upper Town.
Në afërsi, ndodhet Notre-Dame de Québec Basilica-Cathedral, e cila njihet si kisha që përmban Portën e vetme të Shenjtë (një traditë e rrallë katolike) në dy kontinentet e Amerikës.
2. Arles, Francë
Ky qytet të jep ndjesinë sikur po shëtit brenda një pikture franceze të shekullit të XIX. Kjo për arsye se Vinsent Van Gogu u zhvendos në Arles në vitin 1888. Aty kaloi 18 muaj mjaft pjellorë deri në ngjarjen fatkeqe kur preu veshin dhe u detyrua të kthehej në Paris për trajtim psikiatrik.
Studioja e tij e famshme e verdhë u shkatërrua gjatë Luftës së Dytë Botërore por muzeu Fondation Vincent van Gogh Arles e ruan ende trashëgiminë e tij.
1. Gjiri Glacier, Alaskë
Ironikisht, vendi i parë për këtë vit, është i vetmi ku vizitorët me kroçierë nuk mund të dalin nga anija për ta vizituar.
Kroçierat lundrojnë për dhjetë orë të tëra, duke kaluar përgjatë Maleve Fairweather të mbuluar me dëborë, luanëve të detit, arinjve të murrmë, dhive të malit dhe sigurisht, akullnajave.
Gjatë kohës kur kroçierat ankorojnë për rreth një orë përballë Akullnajës Margerie, vizitorët kanë mundësinë të “përgjojnë” fokat e portit dhe të shohin shkëmbinjtë e akullit teksa shkëputen nga akullnajat dhe zhyten në ujë.
Burimi: CNN