Lionel Messi do të qëndrojë tek Barcelona deri në vitin 2021. Rinovimi i kontratës së “Pleshtit” qetësoi gjithë tifozët blaugrana, duke qenë se kontrata e tij do të përfundonte në fund të sezonit aktual (2017-2018) dhe Messi mund të negocionte me cilindo klub.
Megjithatë, lojtari argjentinas do të qëndrojë tek Barça, me të cilën ka firmosur një kontratë rekord.
Siç bëhet e ditur, Messi nuk donte të largohej, por ka shfrytëzuar më së miri situatën. Ai e vonoi firmosjen e kontratës, për të pritur edhe stabilizimin e situatës politike në Katalunja. Kontrata u firmos më 25 nëntor.
Rinovimi i kontratës, shifrat në detaje
Sipas “Mundo Deportivo”, tre Messi-t – d.m.th. babai Jorge dhe vëllezërit Leo dhe Rodrigo kanë përfituar një bonus prej 100 milionë eurosh nga firma e marrëveshjes – që do të shërbenin për mbulimin (së bashku me interesat) gjobat e mëdha (më shumë se 50 milionë) të paguara nga familja Messi ndaj evazionit fiskal spanjoll, për shkak të parregullsive në deklarimin e të ardhurave. Këto 100 milionë do të ndahen çdo vit deri në përfundimin e kontratës në vitin 2021, pra rreth 25 milionë euro të tjera në sezon për yllin argjentinas.
Për këtë sezon dhe tre sezonet në vijim, argjentinasi do të fitojë nga Barcelona 75 milionë euro bruto. Në Katalunja, norma maksimale e tatimit është 48 për qind, kështu që mund të hamendësohet që paga neto e Leo Messi-t do të jetë 39 milionë euro. Kjo është thuajse dyfishi i asaj që fiton Cristiano Ronaldo, që sipas El Mundo fiton 21 milionë euro në sezon me Realin e Madridit.
Natyrisht këtyre shifrave duhet t’u shtohen edhe fitimet që Messi merr nga të drejtat e imazhit. Zakonisht, në Spanjë, klubet u lënë një pjesë shumë të vogël fitimesh lojtarëve, ndërsa Messi mban 100 për qind të fitimeve nga publiciteti dhe duhet theksuar se bëhet fjalë për shifra të rëndësishme. Për të mos shtuar premiot për fitoret, dhe nuk janë pak duke ditur që Barcelona thuajse çdo vit fiton trofe.