Detektivët privatë do të kërkohen njësoj si avokatët; Edhe sipërmarrësit “tradhtojnë” partnerët

27/01/2018 10:04 PM 0 komente

Flet Shkënda Lili, detektive private

 

Shkënda Lili e ka pëlqyer gjithnjë si punë dedektiven private edhe nga fakti që ka formim studimor në fushën e ligjit dhe nga ana tjetër, edhe të avokatisë, gjë për të cilën e aspiroi si profesion.

Ajo pohon se agjencia e saj funksionon si biznes i mirëfilltë dhe parashikon që profesioni i detektivit do të shndërrohet si avokati, pra për shumë çështje do të jetë domosdoshmëri. Ajo thotë se në fokusin e agjencive nuk janë vetëm tradhtitë bashkëshortore, por edhe tradhtitë ndaj partnerëve të biznesit..

 

Si ju lindi ideja për të ushtruar profesionin e detektives private dhe më tej, për të themeluar një agjenci investigative?

Çdo vit diplomohen disa detektivë pranë Shoqatës, mirëpo jo çdokush prej tyre e konsideron si profesion me kohë të plotë. Gjithnjë e kam pëlqyer si punë dhe duke marrë shkas, edhe nga fakti që kam formim studimor në fushën e ligjit dhe nga ana tjetër, edhe të avokatisë, e aspirova si profesion. Pasi kreva shkollën pranë SHDP prej një viti e gjysmë, u licencova dhe kam kryer edhe disa trajnime të tjera në këtë fushë. Jo çdokush mund të bëhet detektiv.

Që të kesh “profesionin e detektivit” përveç studimeve përkatëse dhe specializimeve, duhet ta kesh pasion, të kesh durim, guxim, të jesh vigjilente gjatë gjithë kohës dhe të jesh i padukshëm në punën që bën. Këtu është i gjithë sekreti, të kamuflohesh sa më mirë. Detektivëve në Shqipëri u ka dalë nami që punojnë vetëm me tradhtitë bashkëshortore, por kjo është vetëm një ndër çështjet që ne punojmë. Çështje të tjera shumë të rëndësishme që ne fokusohemi janë për shembull persona të humbur, tradhti në biznes, vrasjet e pazbuluara etj. Unë nuk punoj vetëm, por në bashkëpunim me detektivë të tjerë, si dhe me Dhomën e Detektivëve.

Prej sa vitesh e keni hapur hapur këtë biznes dhe si është ecuria?

Agjencinë Investigative D.I.A e kam hapur prej afro një viti e gjysmë dhe funksionon si biznes i mirëfilltë, ku kam bashkëpunim me disa detektivë të tjerë që punojnë me kohë të pjesshme për agjencinë. Unë kam qenë brezi i parë i diplomuar dhe licencuar nga Shoqata, gjithsej në vit dalin 7 persona nga ajo shkollë, mirëpo jo të gjithë e bëjnë si punë primare këtë profesion. Një pjesë e mirë shkollohen për ta pasur si dokumentim dhe aftësi, si p.sh. juristë apo policë. Ndërsa unë vendosa që ta ushtroj si profesion të mirëfilltë. Ecuria ka qenë e mirë, por ne parashikojmë që do të kemi edhe më tepër kërkesa dhe punë, duke qenë se tani po bëhet më i njohur në publik koncepti i “detektivit privat”. Ne parashikojmë që profesioni i detektivit do të shndërrohet si avokati, pra për shumë çështje do të jetë domosdoshmëri.

Cilat janë kërkesat më të shpeshta që hasni nga klientët tuaj?

Më shumë kemi çështje që lidhen me tradhtinë bashkëshortore, që ndodh në dy raste: Rasti i parë kur njëri partner (kryesisht mashkulli) ka dyshime dhe do të konkretizojë dyshimet e tij. Ndërsa rasti i dytë, janë partnerët që janë të sigurt për tradhtinë, por kanë nevojë për prova në Gjykatë, në momentin që do të kërkojnë divorcin. Në të dyja rastet, çështje të tilla na marrin 1-2 javë kohë. Tradhtitë bashkëshortore ose edhe thjesht mes partnerëve, janë shumë të përhapura në çështjet e detektivëve në Shqipëri. Mua nuk më kishte shkuar mendja që do të ishte kaq e përhapur, njerëz kaq të pasigurt. Nuk ndodh vetëm në kryeqytet, ka përhapje të gjerë edhe në rrethet e Jugut të Shqipërisë kryesisht.

Kërkesa të shumta kemi nga prindërit, për të vëzhguar fëmijët e tyre, në rast se kanë marrë një rrugë të gabuar, shoqërohen me persona që nuk duhet, i kanë hyrë veseve si droga (fenomeni “hashashi” në shkolla është përhapur shumë); gënjejnë për vendndodhjen, për frekuentimin e shkollës etj. Këto raste më kanë bërë shumë përshtypje, duke qenë se prindërit po përpiqen që të jenë më të fokusuar dhe të kujdesen për fëmijët e tyre, kryesisht adoleshentë.

Pastaj, raste të tjera të rëndësishme janë tradhtitë në biznes. Klienti është një pronar i një biznesi të madh të rëndësishëm, i cili dyshon që bashkëpronari, ortaku apo aksioneri e tradhton. Këto çështje marrin kohë më të gjatë, duke qenë se shpeshherë, na duhet të shndërrohemi në të infiltruar të mirëfilltë në kompanitë në fjalë. Kërkesa të shumta kemi edhe për verifikim përgjimi apo jo. Na ka ndodhur më së shumti në institucione publike apo private, ata thuajse janë të bindur për ekzistencën e përgjuesve, mirëpo thjesht duan ta konfirmojnë (por jo ta heqin). Kemi pasur edhe raste spiunazhe tregtare etj., për të cilat asnjë informacion nuk mund të jepet më tej, duke qenë se ne e respektojmë privatësinë, sipas ligjit dhe etikën.

Si punoni në terren dhe si arrini të respektoni ligjin e mbrojtjes së të dhënave personale?

Ne punojmë gjithmonë brenda ligjit. Them “ne”, pasi investigimet nuk bëhen asnjëherë vetëm. Duhet të jemi patjetër dy ose më shumë persona që të menaxhojmë çështje të caktuara. Në fakt, të shumtë kanë qenë ata që më kanë “kritikuar” se pse dal me zë dhe figurë si detektive, është e rrezikshme, më mirë të qëndroja në fshehtësi të plotë. Mirëpo, e kam bërë diçka të tillë sepse shqiptarët e kishin të nevojshme që të njiheshin që ekzistonte një profesion i tillë, i licencuar dhe konform ligjit, që të dinë ku të adresohen n.q.s nuk gjejnë zgjidhje për çështje të caktuara. Ne, përpiqemi që të punojmë dhe mbledhim të dhëna vetëm në ambiente publike, sipas ligjit dhe të mos cenojmë asnjëherë lirinë dhe shkelim të dhënat personale. Përpiqemi që të jemi të kujdesshëm: ndryshojmë makinat, ndryshojmë veshjet. Punojmë dy persona paradite, dy pasdite. Kemi vënë re që në përgjithësi, meshkujt janë shumë më të kujdesshëm se sa femrat, që të mos zbulohen.

A keni pasur ndonjëherë konflikte?

Deri tani jo, por janë gjëra që edhe mund të ndodhin duke qenë se është natyra e punës delikate. Po të punosh me shumë kujdes dhe brenda ligjit, nuk ka probleme dhe kjo të bën profesionistë.

Cilët janë vështirësitë e këtij profesioni?

Puna e detektivit është shumë e lodhshme, ka shumë vështirësi, si dhe nga ana tjetër, ka kosto. Në rastet e investigimit për çështje të mëdha si në bizneset e mëdha apo edhe çështje delikate si njerëz të humbur, zbulim i vrasjeje etj., vështirësitë dhe sfidat janë të panumërta. Koha që do të duhet të investosh është ndër vështirësitë kryesore, si dhe kujdesi që të mos zbulohesh, që të jesh brenda ligjit, si dhe që të kesh rezultate në investigim. Edhe të funksionuarit si biznes, me krijimin e agjencisë, kostot e punonjësve, taksat etj., janë pjesa tjetër e medaljes që na ndikon edhe në çmimet që kemi. Pastaj, çështje si tradhtia, verifikime informacionesh etj., mund të konsiderohen edhe si “shërbim luksi” jo të gjithë mund t’i kërkojnë.

 

 

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of
avatar
wpDiscuz