Ministri për Financat dhe Ekonominë deklaroi se detyrimet e prapambetura llogariten sot në një total prej 14.4 miliardë lekësh, apo rreth 114 milionë euro ku pjesa më e madhe e tyre prej 12 miliardësh i përket pushtetit vendor, ndërsa qeverisja qendrore ka vetëm 2.4 miliardë lekë.
Ahmetaj tha se të paktën për pjesën që i takon qeverisë, këto detyrime do të paguhen brenda vitit 2018, edhe pse kjo do të varet shumë nga projektet e infrastrukturës që janë në zbatim.
Ai nënvizoi se po merren masa për shlyerjen e detyrimeve, edhe nga ana e vendorëve duke theksuar se ka një strategji për pagesat. “Vetëm Bashkia e Tiranës ka pasur 6.5 miliardë lekë detyrime, të cilat janë përgjysmuar”, – tha Ahmetaj.
Kreu i Financave nënvizoi se borxhi pritet që të ulet dhe se nuk është bërë asnjë devijim nga strategjia ndërkohë që do të ecet paralel me Paketën Fiskale dhe uljen e barrës. Ai dha përgjigje edhe për Partneritetet Publike Private ku theksoi se në kontabilizim standard ato janë nën 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Gjatë mbrojtjes së buxhetit të vitit të ardhshëm në Komisionin për Ekonominë dhe Financat, ministri Ahmetaj tha se në vitin 2019 pritet që të ketë një reduktim të borxhit 2%. “Në afatin e mesëm do të ulim borxhin në 61%. Një nga prioritetet kryesore janë investimet publike ndërkohë që targetojmë një reduktim të nivelit të borxhit me 5%” tha Ahmetaj.
Një tjetër çështje e prekur në Komision ishte edhe ajo lidhur me Eurobondin ku kreu i Financave theksoi se Shqipëria mori besimin e tregjeve, duke siguruar një kupon 3.5% dhe ky konsiderohet një operacion i suksesshëm nga i cili kursehen miliona euro nga interesat më të leverdishme të borxhit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.