Profesori i Kontabilitetit në Universitetin e Tiranës, pranë Fakultetit të Ekonomisë, Sotiraq Dhamo, thotë se klasifikimi i ri i bizneseve për qëllime raportimi nuk i përgjigjet ekonomisë sonë.
Cilat janë risitë që sjell ligji për “Kontabilitetin dhe pasqyrat financiare”?
Risia më e madhe që sjell ky projektligj i ri, i cili është ende në fazën e diskutimit, ka të bëjë me rritjen e kufijve të klasifikimit të bizneseve si në Bashkimin Europian deri në vitin 2028. Evidente në këtë drejtim është rritja e kufirit të xhiros që klasifikon bizneset si mikrondërmarrje. Me projektligjin e ri, pasqyrat financiare për bizneset e vogla do të jenë më të thjeshta, ndërsa për bizneset e mëdha do të jenë më të plota. Risia tjetër lidhet me detyrimin që ka kontabilisti i autorizuar të firmosë të gjitha pasqyrat financiare. Gjithashtu me ligjin e ri, bizneset e mëdha dhe kompanitë e huaja kanë mundësi të raportojnë në euro bilancet dhe pasqyrat financiare.
Ndryshimet e reja ligjore detyrojnë kompanitë e mëdha të jenë më transparente, pasi përveç raportimeve financiare që do të jenë të njëjta me standardet ndërkombëtare, do të paraqesin edhe raportet e drejtimit. Këto raporte paraqesin strategjitë dhe planet e biznesit të kompanive edhe për vitin fiskal në vijim. Për sektorë të veçantë si minierat dhe nafta, raportohen disa tregues ekstra që kanë të bëjnë me rezervat dhe planet për nxjerrjen e tyre.
A përputhet klasifikimi i ri i bizneseve me stadin e zhvillimit ekonomik të vendit?
Nuk mund të them se përputhet plotësisht. Klasifikimi i ri i bizneseve për qëllime raportimi është shumë i lartë, pasi është zgjeruar shumë fasha e mikrondërmarrjeve. Ky kriter i adoptuar nga vendet e BE nuk i përgjigjet zhvillimeve reale të ekonomisë sonë, pasi bizneset e vogla në vendin tonë kanë xhiro dhe numrin e të punësuarve realisht shumë të vogël se klasifikimi i ri. Me ligjin e ri, mikrondërmarrjet duhet të plotësojnë dy prej këtyre tre kritereve: 1-Aktivi 15 milionë lekë, 2-Të ardhurat nga veprimtaria ekonomike (qarkullimi) 30 milionë lekë,-Numri mesatar i punonjësve gjatë periudhës raportuese është 10, kur struktura e ndërmarrjeve në vendin tonë është në një realitet krejt tjetër.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.