Audienca: Dhe “telekomanda” vendos…

27/04/2014 8:04 AM 0 komente

Minutë pas minute, me garën e televizioneve për të tërhequr sa më shumë shikues, të cilët sa vijnë e bëhen më të ndjeshëm e më kërkues. “Monitor” publikon të dhënat e paraqitura nga kompania “Telemetrix” për audiencën e televizioneve kryesore në javën 31 mars – 6 prill 2014, matur në bazë të një teknologjie dhe sistemeve më të fundit në këtë fushë

Nga Ornela Liperi

Çdo minutë është sa e shtrenjtë, aq edhe e vlefshme në garën e ethshme të televizioneve. Që nga orët e para të mëngjesit, deri në darkë vonë, kanalet televizive janë në çdo moment në kërkim të audiencës, niveli i së cilës përkthehet më pas në të ardhura më të ulëta apo më të larta për ta. Dhe programet nuk mungojnë, madje vitet e fundit ato janë të niveleve ndërkombëtare me blerjen e patentave ndër më të njohura, si “Big Brother”, “Dancing With the Stars”, “The Voice”, “X Factor” dhe së fundmi “Masterchef”.

Me emisionet e shumta që “përplasen”, sidomos në orarin e mbrëmjes, serialet televizivë, telenovelat dhe lajmet që të “bombardojnë” në çdo moment të ditës, mundësitë e zgjedhjes janë të shumta, aq sa shpesh është e vështirë të vendosësh se ku ta ndalosh telekomandën. Shikuesit sa vijnë e bëhen më kërkues dhe nuk ngurrojnë të kthejnë kanalin, sa herë nuk i tërheq një program, apo kur ka ndërprerje të gjata publicitare.

Nuk e kanë të lehtë as reklamuesit, apo dhe agjencitë e reklamave, që duhet të zgjedhin raportin e përkryer mes kostos që paguajnë dhe audiencës që kapin për çdo sekondë që ata shpenzojnë para[1].

“Monitor” publikon të dhënat e paraqitura nga kompania “Telemetrix” për audiencën e televizioneve kryesore në javën 31 mars – 6 prill 2014, matur në bazë të një teknologjie dhe sistemeve më të fundit në këtë fushë, që mundëson llogaritjen e audiencës në kohë reale (për më shumë hollësi mbi metodologjinë dhe kompaninë shiko nëndarjet; metodologjia; Telemetrix SH.A; TiViMat).

“Rating” kryesor e arrijnë “Top Channel”, “Klan” e “Vizion Plus”

Sipas burimeve të “Telemetrix”, 3 kanalet TV që kanë arritur ‘Rating’[2] më të madh mesatar të javës (31/03-06/04/14) janë “Top Channel” (5.5%), “Klan TV” (5.4%) dhe dhe në pozicion të tretë me një diferencë jo të vogël Vizion + (2.9%).

Dy kanalet e para janë rrotë më rrotë në garën për audiencë televizive, me “Top Channel” që arrin të marrë një ‘Share’[3] prej 17.3% (përqindja e familjeve që e kanë ndjekur këtë televizion përgjatë javës) dhe “Klan” pak më poshtë në 15.45%.

“Asnjëri prej këtyre kanaleve TV nuk dominon gjatë 24 orëve të ditës, por dallohet qartë konkurrenca e tyre midis fashave të ndryshme kohore”, – pohon Ermal Çela, Drejtor Operacional i “Telemetrix”.

TABELA SHQIP

Audienca minutë pas minute, në 24 orë

Monitor_5_TV_me te ndjekura_ne dite e javes

Në mëngjes, vazhdojmë të “zgjohemi” me Bashkim Hoxhën

Prej vitesh, që kur lexonte titujt e gazetave dhe merrte opinionet e qytetarëve te “Teuta TV”, Bashkim Hoxha me emisionin “Koha për t’u zgjuar”, ia ka dalë që të zgjojë qytetarët me zërin e tij. Nuk kanë arritur ta kalojnë emisionet e shumta të mëngjesit, që tashmë i gjen në pothuajse të gjitha kanalet televizive.

Sipas matjeve të “Telemetrix”, nga ora 6:00 deri në 8:00 të mëngjesit, “News 24”, ku transmetohet prej disa vitesh emisioni i Bashkim Hoxhës, mbetet kanali më i ndjekur, duke lënë pas edhe televizionet kryesore si “Klan” apo “Top Channel”.

“Wake Up” renditet i dyti pas “News 24” deri në orën 8:00, kur e ndjekin kryesisht ata që preferojnë të informohen, teksa bëhen gati për të shkuar në punë. “Aldo Morning Show” i “TV Klan” kalon i pari vetëm pas orës 8:00, kur me programin e tij argëtues arrin të marrë të gjithë vëmendjen e shtëpiakeve.

I katërti renditet programi i mëngjesit në “Vizion Plus”, për t’ia lënë vendin “Agon Channel”, me “Të parët”, i cili megjithëse i ri, ka arritur të marrë një pjesë të shikuesve në mëngjes.

Mesdita, kalon në shoqërinë e “Top Channel” dhe “Klan”

Në fashën orare të mesditës (10:00-15:59), një periudhë pak e qetë për televizionet, ku audiencën kryesore e përbëjnë femrat shtëpiake, shikueshmërinë më të lartë e arrin “Top Channel”, që tërheq teleshikuesit me ritransmetimin e emisionit “Top Show” dhe telenovelat “Guximi i një gruaje” dhe “100 vitrinat”. Nuk mbetet pas as “Klan”, që ritransmeton telenovelën “Dashuri e ndaluar” dhe emisionin “Opinion” të një dite më parë.

Telekomanda kthehet shpesh te “News 24” përgjatë mesditës, ndërsa vëmendje më të ulët merr “Vizion Plus”. Në këtë fashë orare shfaqet dhe “Big Brother”, që ndiqet në kanalet e dedikuara të “Digitalb”.

Pasditja, sërish me “Top Channel” dhe “Klan”

Teksa pjesa më e madhe e shikuesve janë kthyer nga puna, pasditen preferojnë ta kalojnë në shoqërinë e telenovelave e emisioneve të “Top Channel” e “Klan”.

Matjet e “Telemetrix” tregojnë së audiencën kryesore e arrin “Top Channel”, në fashën orare nga 16:00-18:59, koha që përkon me transmetimin e programit për të rinj “Select”, përmbledhjes së “Big Brother 7” dhe “Pasdite në Top Channel”.

Pak më poshtë, në renditje shfaqet “Klan” me telenovelën “Yll deti”, që e pason emisioni “Takimi i pasdites”.

“Vizion Plus”, me programin e tij të pasdites, vjen i treti, ndërsa në këtë fashë orare shfaqet edhe “Albanian Screen”, me telenovelat “Ëndrra të vjedhura” dhe “Santa Diabla”.

Në mbrëmje, konkurrenca ashpërsohet

Është orari ku konkurrenca ashpërsohet, teksa audienca arrin kulmin dhe çmimet e reklamave po ashtu. Nga ora 19:00 deri në orën 22:00, është “Top Channel” ai që sërish rezulton me audiencë më të lartë përgjatë gjithë javës (nga e hëna në të premte), sipas matjeve të “Telemetrix”, me emisionet e ndryshme të përnatshme. Fare afër është edhe “Klan”, i ndjekur sërish nga “Vizion Plus”, me një distancë relativisht të ndjeshme.

Me një audiencë shumë më të ulët vijojnë TVSh dhe “Albanian Screen”.

Pas darke, audienca bie, por “Top Channel” vijon të ruajë vendin e parë deri sa në ekrane fillojnë emisionet e mëngjesit, në një ditë të re dhe një garë që vazhdon.

Argëtimi i fundjavës

Është fundjava, kur të gjithë mblidhen në shtëpi dhe një pjesë të rëndësishme të kohës së lirë e kalojnë përpara televizorit. Matjet e “Telemetrix” tregojnë se në nivel familjeje, gjatë fundjavës, shihet më tepër televizor se sa gjatë ditëve të zakonshme të javës. “Ky ndryshim është më i theksuar gjatë fashës orare 9:00 – 15:00, dhe është i vazhdueshëm deri natën vonë”, pohon Ermal Çela, Drejtor Operacional i “Telemetrix”.

“Gjatë fundjavës, fasha kohore ‘Prime Time’ pëson një zhvendosje/shtyrje prej afërsisht një orë, në krahasim me ditët e javës; përafërsisht nga ora 19:30 në 20:30”.

Monitor_Hut

Ndërsa deri në mesditë, shikueshmëria është e ulët, në fundjavë, ajo fillon e rritet dukshëm, teksa në ekrane shfaqen programet e së dielës.

Pasdite është “TV Klan” ai që tërheq shikuesit më të shumtë, me emisionin e “Diela Shqiptare”.

Por, në mbrëmje (19:00-21:59) stafeta i takon “Top Channel”, me “Portokallinë” që vijon të jetë programi më i preferuar për të kaluar një mbrëmje argëtuese.

Në këtë fashë orare shfaqet për herë të parë në mbrëmje me audiencë relativisht të lartë edhe “Agon Channel”, me programin “Duartrokitje”.

Në garë me vetveten

Monitor_5 programet me te ndjekura gjate javes

“Top Channel”, kryesojnë “Portokalli” dhe “Big Brother”

“Portokalli” është programi më i ndjekur jo vetëm i “Top Channel”, por më i shikuari nga të gjitha televizionet, me një rating mesatare prej 30.32 dhe me kapje[4] maksimale prej 83.25%, çka nënkupton se 83.2% e familjeve e kanë kthyer të paktën një herë telekomandën në javën në fjalë, për të ndjekur batutat e “Portokallisë”.

I dyti renditet “Big Brother 7”, shfaqja nga realiteti i së premtes, me një rating mesatar prej 27.26 dhe kapje prej 81.3%, duke u renditur në programin e dytë më të ndjekur të të gjithë televizioneve.

Audiencë relativisht të lartë ka shënuar edhe programi i ri “Masterchef”, që është ndjekur nga rreth gjysma e familjeve shqiptare gjatë javës në fjalë.

Te “Klan”, më i ndjekuri “E Diela Shqiptare”

Nuk është vetëm programi më i ndjekur i pasdites së të dielës, por edhe më i shikuari nga emisionet e televizionit “Klan”. Sipas “Telemetrix”, ky “talk show” arrin një rating prej 21.22 dhe kapje prej rreth 77%.

I dyti më i ndjekur renditet telenovela “Dashuri e ndaluar”. Gjatë javës në fjalë, shikueshmëri të lartë ka shënuar dhe ndeshja e futbollit Real Madrid-Borusia Dortmund.

“Vizion Plus”, me “Al Pazar” dhe telenovela

“Al Pazar” është programi më i ndjekur i “Vizion Plus”, me rating 21.62 dhe kapje 66.3, sipas të dhënave të “Telemetrix”. Më pas dominojnë telenovelat “Karadayi”, “Lugina e ujqërve” dhe “Stuhia”.

Java në “Prime Time”

E hënë, pas “Dashuri e ndaluar”, vëmendja te “Shqip”; pas orës 22.30 tek “Opinion”

Deri në orën 9:00 të mbrëmjes, audienca ndahet mes telenovelave turke të “Klan” e “Vizion Plus” dhe emisionit investigativ “Fiks Fare” të “Top Channel”. Nga të dhënat e “Telemetrix” rezulton se është telenovela e transmetuar nga “Klan”, “Dashuri e ndaluar” ajo që merr pjesën më të madhe të audiencës, ndërsa i dyti renditet “Fiks Fare”.

“Lugina e ujqërve”, telenovela e transmetuar nga “Vizion Plus”, renditet e treta. Në përgjithësi, kjo tendencë është e qëndrueshme gjatë gjithë ditëve të javës (e hënë e premte) deri në orën 9:00 të mbrëmjes.

Pas kësaj ore, të hënën, vëmendja e teleshikuesve kalon te “Top Channel”, me emisionin “Shqip”.

“Klan” del sërish i pari rreth orës 10:30 të mbrëmjes, kur fillon transmetimi i “Opinion”. Edhe kjo tendencë është e qëndrueshme nga e hëna në të mërkurë, kur ky emision transmetohet në këtë orar.

“Opinion” rezulton një nga emisionet më të qëndrushme, për audiencën që arrin të marrë gjatë gjithë ditëve që është në transmetim.

kuadri 2

E marta, me telenovelën e Vizion Plus

Telenovela turke, që transmetohet në Vizion Plus “Karadayi” ka arritur të tërheqë më shumë teleshikues në mbrëmjen e të martës.

Të tjerët e kanë kthyer telekomandën te programi argëtues “100 milionë” i “Top Channel” dhe audienca e mbetur është ndarë mes “Klan” e “Agon Channel”.

kuadri 2

E mërkurë, futbolli në plan të parë

Vëmendja e sportdashësve arrin maksimumin në javët kur ka ndeshje, ku në javën në fjalë, ““Klan” rezulton më i ndjekuri në “prime time” të të mërkurën, duke ia kaluar dhe telenovelës së Vizion Plus, “Karadayi” që del në vend të dytë.

Televizionet e tjera, “Albanian Screen” dhe “Agon Channel” rezultojnë me një audiencë më të ulët në këto ditë të javës.

televizioni 7 ndryshuar

E enjtja, shikuesit të ndjeshëm ndaj të ftuarit në emisionet politike

Me politikën që mbizotëron në programet e të enjtes mbrëma, shikuesit rezultojnë se janë të ndjeshëm më shumë për personazhin që është protagonist i ftuar i emisionit televiziv, madje shpesh edhe më shumë sesa për kanalin televiziv në të cilin shfaqet një emision i caktuar. Në javën në fjalë, zgjedhja ka qenë tek “Opinion”, ku i ftuar ishte kryeministri i vendit Edi Rama. Këtu ka ndaluar dhe telekomanda për një shumicë të shikuesve të asaj mbrëmjeje, ndërsa, pas një interesi relativisht të lartë fillestar,(shiko grafikun në orarin e fillimit të emisionit) vëmendja nuk ka vazhduar tek “Top Story”, ku i ftuar ishte shahisti i njohur Kasparov.

televizioni 8 ndryshuar

Të premten, me “Big Brother” dhe “Sulejmanin e Madhërishëm”

Ndonëse në vitin e shtatë të tij, reality show “Big Brother” duket se nuk e ka arritur akoma maturitetin. Ai arrin të tërheqë vëmendjen absolute të teleshikuesve të premten në mbrëmje, sipas matjeve të “Telemetrix”.

I dyti del për herë të parë përgjatë javës në prime time, televizioni “Albanian Screen”, me telenovelën e ndjekur “Sulejmani i Madhërishëm”.

televizioni 9 ndryshuar

Humori, i preferuar të shtunën dhe të dielën

Pas një jave të gjatë e të lodhshme pune, shikuesit duket se preferojnë argëtimin në fundjavë. Sipas matjeve të “Telemetrix”, të shtunën, është humori i “Al Pazar” në “Vizion Plus”, ai që mbërthen më shumë shikues para ekranit.

Ndonëse ka vetëm pak javë që transmetohet, “Masterchef” në “Top Channel” ia ka dalë që të jetë i dyti në audiencë.

Pas humorit, preferenca tjetër është muzika, në programin e TV Klan “Kënga ime”.

televizioni 10 ndryshuar

E diela në mbrëmje mbetet te humori, ku mes dy mundësive në të njëjtën kohë, shikuesit vijojnë t’i qëndrojnë besnikë “Portokallisë” së “Top Channel” dhe e “braktisin” atë për “Aparlamenti 2XL” në “Vizion Plus”, në momentet kur ka ndërprerje publicitare.

Ndërsa i dyti në renditje, në të dielën e marrë në konsideratë nga “Telemetrix” është “Klan”, me shfaqjen e dy serive të telenovelës turke “Dashuri e ndaluar”.

televizioni 11 ndryshuar

Lajmi kalon nga … “News 24”

“Lajmi kalon më parë nga ne”, “Lajmi jemi ne” e me radhë, slogane pa fund ftojnë shikuesit që të informohen minutë pas minute. Me televizionet e dedikuara vetëm për lajme, që janë shtuar ndjeshëm vitet e fundit, tërheqja e shikuesve nuk është e lehtë.

Por “News 24” duket se ka arritur të ruajë avantazhin e të parit, jo vetëm si televizioni që prezantoi i pari një format të tillë, por edhe që ka arritur të tërheqë audiencën kryesore në zhanrin e vet.

Sipas burimeve nga “Telemetrix”, paraqitja grafike përfaqëson “Share” mesatar të çdo minute gjatë javës 31/03 – 06/04/2014 për disa nga kanalet informative (News Channels). Kryesisht kjo tipologji kanalesh ka një trend shikueshmërie të pandryshuar në kohë; pra nuk pëson luhatje të papritura gjatë një jave specifike.

“Kanali televiziv ‘News 24’ është më i ndjekuri mes kësaj tipologjie kanalesh. Krahasuar me kanalet e tjera të së njëjtës natyrë, ky televizion dominon në shikueshmëri gjatë pothuajse gjithë ditës”, pohon Ermal Çela, Drejtor Operacional i “Telemetrix”.

“Fasha kohore 07:00 – 08:30, në të cilën shfaqet emisioni ‘Koha për t’u zgjuar”, arrin Rating dhe Share më të lartë për kanalin ‘News 24’”, shton Çela.

televizioni 12 e ndryshuar

Lajmet kryesore të mbrëmjes… tek Top Channel

Që në fillimet e tij, Top Channel arriti të sillte një format të ri lajmesh, që u bënë shpejt të preferua nga shikuesit. Dhe në vite, ky kanal duket se ia ka arritur që ta ruajë avantazhin.

Sipas matjeve të Telemetrix nga ora 19.30 deri në 20.10, ‘rating’ mesatar për Top Channel rritet, duke rezultuar televizioni ku lajmet e mbrëmjes ndiqen më shumë.i dyti në të njëjtën fashë orare është Tv Klan.

Lajmet, që Vizion Plus ka zgjedhur t’i transmetojë në orën 7 të mbrëmjes, ndonëse në orar të ndryshëm, kanë një rating më të ulët se Top Channel dhe Klan, sipas matjeve të Telemetrix.

televizioni 12 e ndryshuar

Metodologjia

“Telemetrix” ka krijuar një panel prej 350 familjesh të përzgjedhura rigorozisht sipas kritereve të paracaktuara, të vendosura në 6 qytete kryesore të Shqipërisë; Tirana, Durrësi, Elbasani, Shkodra, Fieri dhe Berati. “Brenda vitit 2014, ‘Telemetrix’ do të zgjerojë panelin e tij me 250 familje të tjera, për të arritur një panel përfaqësues Urban për territorin e Shqipërisë. Në këtë drejtim, në muajin Prill, fillon një proces rekrutimi të familjeve, në qytetin e Korçës.”, – thotë Ermal Çela, Drejtor Operacional i “Telemetrix”.

Një pikë “rating” përfaqëson 2 830 familje (households); kjo e llogaritur nga universi total i familjeve (282 832) që aktualisht mbulohen nga paneli i “Telemetrix”, sipas burimeve zyrtare nga kompania. Universi i shikuesve që mbulohet nga paneli i “Telemetrix” është 1 074 723 shikues.

Baza e të dhënave të gjeneruara nga “Telemetrix” është “në nivel minute; “Rating per Minute” në nivel familjeje (household).

Për të krijuar një panel përfaqësues familjesh, “Telemetrix” në bashkëpunim me “IDRA Research & Consulting” kanë zhvilluar një studim përfaqësues kombëtar (N=3000 households); “The Establishment Survey”. Analiza e këtij studimi masiv ka nxjerrë në pah indikatorët e nevojshëm për rekrutimin e panelit me qëllim arritjen e përfaqësueshmërisë së tregut.

“Për të arritur saktësi dhe besueshmëri të plotë të të dhënave të shikueshmërisë televizive, paneli është ndërtuar duke marrë parasysh strukturën e familjes (anëtarët përbërës; Karakteristikat ekonomike të saj; Platformat TV në përdorim ose jo dhe vendndodhjes gjeografike. Të gjithë këta faktorë, sipas burimeve nga kompania, kanë një ndikim të lartë në mënyrën dhe trendet e shikueshmërisë televizive në Shqipëri”, – thotë Çela.

Lidhur me përfaqësimin, në shkallë vendi, duke u bazuar në të dhënat e nxjerra nga “Establishment Survey”, modelet e shikueshmërisë televizive janë pothuajse të njëjta midis zonave urban dhe rurale. Pra krijimi i një kampioni të plotë urban do të përfaqësonte më se mirë të gjithë territorin Shqiptar. Duke u bazuar në këta faktorë, paneli aktual i Telemetrix, i përbërë prej 350 familjeve në 6 bashki kryesore të vendit (Tiranë, Durrës, Shkodër, Elbasan, Fier dhe Berat), përfaqëson më se mirë 65 % të familjeve të Shqipërisë në aspektin demografik, (duke përfshirë ketu edhe zona rurale të po këtyre 6 bashkive). Ndërsa në aspektin e fuqisë konsumatore, paneli mbulon mbi 80% të familjeve, duke u bazuar në faktin që përqendrimi i tyre është më i lartë në po këto zona të mbuluara nga paneli i Telemetrix.

Një pjesë e shikueshmërisë televizive e pamatshme aktualisht nga Telemetrix, vjen nga ekspozimi ndaj kanalave TV nëpër bare, lokale apo edhe ambiente të tjera publike. Kjo lloj mungese në të dhëna të shikueshmerisë prek kryesisht kanalet televizive informative (News 24, Ora news, Top News, ABC News etj), kanalet muzikore (Club TV, BBF, STV etj) si dhe kanalet sportive (paketa Supersport apo edhe kanalet sportive në platformen Tring).

Vështirësia më e madhe në këtë rast është krijimi i një paneli përfaqësues të kategorive të ndryshme të ambjenteve publike.

Për realizimin e këtyre lloj matjeve, Telemetrix është duke hulumtuar mbi krijimin e disa indekseve specifike rekrutimi që do të shërbejnë për krijimin e një paneli “Out-of-Home” për matjen e shikueshmerisë TV dhe më gjerë.

Telemetrix SH.A.

Telemetrix SH.A., që operon zyrtarisht që prej muajit shtator 2012 me instalimin e matësve të parë, ofron matjen e shikueshmërisë televizive në Shqipëri, realizimi i së cilës bëhet nëpërmjet teknologjisë dhe sistemeve më të fundit të përdorura në këtë fushë, si dhe një paneli të përzgjedhur rigorozisht për të arritur përfaqësueshmërinë e tregut, sipas burimeve zyrtare nga kompania.

“Kompania ka investuar gjerësisht në krijimin dhe prodhimin e një matësi elektronik – TiViMat (koncepti i ‘peoplemeter”) si dhe në programimin e një ‘software’ të fuqishëm për realizimin e matjes së shikueshmërisë televizive. Skuadra e ‘Telemetrix’ ka projektuar dhe zhvilluar të gjitha platformat e monitorimit dhe raportimit të të dhënave të shikueshmërisë për përdorim të klientëve të saj”, – pohon Çela.

Portofoli i klientëve të “Telemetrix” përbëhet nga kompani të spikatura të tregut kombëtar dhe ndërkombëtar si: “McCann Erickson Tirana”, “AGNA Group”, “ProMedia”, “Ogilvy & Mathers”, “NewMoment”, “Analitika Macedonia” etj.

“TiViMat”

“TiViMat” është pajisja elektronike e projektuar dhe zhvilluar nga “Telemetrix”, e cila qëndron në thelb të sistemeve të “Telemetrix” të matjes së shikueshmërisë televizive, sipas burimeve zyrtare nga kompania. Funksionet kryesore të “TiViMat” janë dy:

-Identifikim të kanalit që është duke u shfaqur në televizor

-Identifikim të pjesëtarëve të familjes që janë të ekspozuar ndaj tij

“TiViMat” përdor algoritme të sofistikuar për identifikimin e kanalit nëpërmjet teknikave “audio fingerprint matching”. Në mënyrë të vazhdueshme, “TiViMat” sinkronizohet me serverët e “Telemetrix”, duke bërë të mundur procesimin në kohë reale të të dhënave.

——————

INTERVISTAT

Promovojmë vlerat edukuese

Flet Jerina LALAJ, drejtore marketing, Media Vizion sh.a.

Sa ka ndikuar kriza ekonomike vitet e fundit në shpenzimet e kompanive për reklama dhe si e ka prekur kjo televizionin tuaj në drejtim të investimeve për programe të reja?

Kriza ekonomike ka ndikuar ndjeshëm në shpenzimet e kompanive, por dihet që në kohë krize, kompanitë që rrisin buxhetet dhe prezencën në marketing janë ato që mbizotërojnë dhe dominojnë tregun kundrejt konkurrentëve. Ne “Vizion Plus” jemi në rritje të buxheteve të klientëve, pasi tashmë kemi kuptuar se investimi në një televizion me target-grup familjar siç jemi ne, është partneri strategjik në biznes.

Sa problem përbën për ju mungesa e matjes së audiencës për programet?

Ka qenë më parë, por tani jo më. Ne ndoshta jemi televizioni i vetëm që kemi mbështetur kompanitë e matjes së audiencës, pasi vlerësojmë rëndësinë e tyre dhe më në fund ka filluar të “vendoset pak rregull” në treg. Ne si televizion kanalizojmë investimet në programet e reja që kanë potencial të qartë dhe tërhiqemi nga ato produkte që audienca nuk i vlerëson. Jemi në rrugën e duhur të vlerësimit pasi audienca vendos, gjithmonë kur kjo nuk cenon boshtin kryesor dhe strategjinë e televizionit, pasi jo çdo hapësirë televizive është në shitje. Televizioni ka një mision të qartë dhe promovimi i vlerave edukuese mbizotëron në përzgjedhjet tona.

Mbi çfarë elementesh kryesore bazoheni në caktimin e çmimeve të reklamave?

Si në çdo biznes tjetër, edhe në televizion, çmimin e cakton kostoja, është i njëjti koncept pikënisjeje. Në televizion fashat orare në varësi të target-grupit që i drejtohen kanë dhe një diferencim çmimesh. Çdo prodhim, qoftë produkt i përfunduar apo produksion i shtëpisë “Vizion Plus” ka një kosto dhe kjo na ndihmon të caktojmë çmimin përfundimtar, edhe pse tregu, si rregullatori më i mirë i ka rregullat e vendosura tashmë dhe jemi të detyruar të jemi konkurrues edhe në çmim.

Cilat janë planet tuaja në drejtim të investimeve në programe të reja në të ardhmen?

“Vizion Plus” po sjell produksione të reja në çdo sezon dhe në fakt, viti 2014 na ka gjetur me një ekip fitues. Në këtë shtëpi gjithmonë i është lënë hapësirë talentit, por do të vazhdojmë t’i japim vëmendjen e duhur edhe produkteve më të suksesshme botërore apo patentave ndërkombëtare të realizuara “Made in Vizion Plus”.

—————

Kompanitë e mëdha kanë ulur tri herë buxhetet e reklamave

Flet Elton KADISI, Drejtor Marketingu, RTSH

Sa ka ndikuar kriza ekonomike vitet e fundit në shpenzimet e kompanive për reklama dhe si e ka prekur kjo televizionin tuaj në drejtim të investimeve për programe të reja?

Kriza ekonomike, sidomos dy vitet e fundit, ka pasur ndikim të thellë në buxhetet e reklamave nga kompanitë kryesore që operojnë në këtë treg. Këto buxhete, të paktën për TV që unë përfaqësoj, janë ulur deri në tri herë nga kompanitë e mëdha, ndërsa disa kompani të vogla janë tërhequr nga reklamat për këtë periudhë kohore.

Kjo tkurrje e tregut ka ndikimin e saj në investimet që bëhen në lidhje me programet e reja për një periudhë afatshkurtër. Duke pasur parasysh se 90% e të ardhurave nga reklamat investohet në blerje programesh dhe emisionesh të reja, atëherë kjo ulje e konsiderueshme do të reflektohet në blerjen e programeve për një periudhë të paktën trevjeçare.

Sa problem përbën për ju mungesa e matjes së audiencës për programet?

Një nga problemet kryesore të tregut të reklamës në Shqipëri është matja e audiencës. Janë bërë shumë përpjekje nga individë ose kompani të caktuara për të mundësuar një matje sa më efikase të Audiencës, por deri më sot, asnjë nga këto studime nuk paraqet realisht ndarjen e audiencës, e cila, si rrjedhojë, pasqyron edhe ndarjen e të ardhurave nga reklamat. Nga matje të ndryshme dalin rezultate të ndryshme, të cilat në masën më të madhe janë kontradiktore me njëra-tjetrën duke sjellë një çorientim të kompanive të cilat kërkojnë të bazohen te këto të dhëna për ndarjen e buxheteve, siç ndodh në të gjitha vendet perëndimore.

Mbi çfarë elementesh kryesore bazoheni në caktimin e çmimeve të reklamave?

Elementet kryesore në përcaktimin e çmimeve të reklamave janë disa, duke nisur nga lloji i programit që do të transmetohet, target-grupi të cilit i drejtohet ky program, orari i transmetimit të këtij programi, si dhe kostoja e realizimit ose blerjes të këtij programi. Një nga elementet e rëndësishme për përcaktimin e çmimit është dhe audienca, të cilën ne mundohemi ta përcaktojmë në bazë të burimeve të ndryshme të informacionit që janë në treg. Pas kombinimit të këtyre elementeve, ne përcaktojmë çmimet për reklamat.

Cilat janë planet tuaja në drejtim të investimeve në programe të reja në të ardhmen?

Në lidhje me projektet për investimet në programe për të ardhmen, ne operojmë me plan pesëvjeçar për blerjen ose prodhimin e programeve me rëndësi strategjike për ne dhe me plan deri në trevjeçar për programet e strukturës.

Për programet strategjike, mund t’ju konfirmoj që RTSH ka blerë aktualisht të drejtat për Kampionatet Botërore të Futbollit të vitit 2018 dhe 2022, si dhe të drejtat e Kombëtares Shqiptare të Futbollit për sezonet 2014 – 2016 dhe 2016 – 2018, si dhe shumë programe të tjera si Lojërat Olimpike, Kampionatin Botëror dhe Europian të Basketbollit dhe Volejbollit etj.

Gjithashtu investime shumë të rëndësishme janë bërë në blerjen e formateve ndërkombëtare të Show – Quiz Milioner dhe një sasie të konsiderueshme të filmave premierë. Një degë tjetër shumë e rëndësishme e investimeve në programe është edhe bashkëpunimi me institucionet e kulturës në vend si Teatri Kombëtar, Teatri i Operës dhe Baleti dhe Akademia e Arteve. RTSH i mbështet këto institucione në promovimin dhe transmetimin e artit shqiptar brenda vendit dhe jashtë tij.

Me këto programe ekskluzive dhe programet e tjera të strukturës së RTSH-së, ne plotësojmë kërkesat e të gjithë grupeve të interesit, që është edhe qëllimi final i ekzistencës të RTSH.

——————-

Në vitin 2014 po rikuperohet tregu

Flet Jonila Çoni, drejtore marketingu Digitalb

Sa ka ndikuar kriza ekonomike vitet e fundit në shpenzimet e kompanive për reklama dhe si e ka prekur kjo televizionin tuaj në drejtim të investimeve për programe të reja?

Kriza ekonomike ka sjellë reduktime të reklamuesve me buxhete të mëdha, por jo tek ata me buxhete relativisht të vogla, krahasimisht me të parat.

Duke qenë se “Digitalb” është PayTV, reduktimi i buxheteve të reklamuesve të mëdhenj nuk ka ndikim të drejtpërdrejtë në prodhimin e programeve, pasi këto fondin e gjenerojnë nga abonimet.

Gjithsesi, shihet një tendencë në rikuperim përgjatë tremujorit të parë të 2014-s nga lojtarët e mëdhenj në tregun e reklamës për sa u përket reduktimeve që u bënë gjatë 2013-s.

Ajo që vërehet dhe që përbën një lloj kontradikte në pritshmëritë tona është fakti që “Digitalb” po merret në konsideratë gjithnjë e më shumë nga reklamuesit e huaj, pra biznese që tregtojnë mallra dhe shërbime importi, në vend të atyre vendas.

Kjo mund të shpjegohet edhe me arsyen që këta kanë njohje më të hershme të platformave PayTV dhe e dinë mjaft mirë eficencën e konceptit që kush paguar për të parë, sheh.

Sa problem përbën për ju mungesa e matjes së audiencës për programet?

Sigurisht që mungesa e të dhënave të audiencës përbën një mangësi që reflektohet drejtpërsëdrejti në eficencën e punës për shitje të hapësirave të reklamës, por jo vetëm në këtë aspekt. Mungesa e të dhënave ndikon edhe në vështirësinë e vendimmarrjes lidhur me prodhimet e emisioneve. Duke mos pasur një të dhënë të saktë të interesit të shikuesve, çdo vendim merret bazuar mbi sondazhe që janë të diskutueshme për rezultatet që japin.

Për sa i përket reklamës: Duke pasur të dhëna sa më afër së vërtetës edhe ndarja e buxheteve nga reklamuesit do të bëhej më eficiente dhe më drejt dhe kështu shmanget edhe evaziviteti i vendimmarrjes dhe sigurisht edhe mediat do të ishin më të motivuara për të investuar në programe më interesante. Pra do të sillte rritje të konkurrencës mes mediave për të pasur larmi në përmbajtje. Në këtë mënyrë, do të bëhet edhe vlerësim më i saktë bazuar mbi meritë i buxheteve që çdo media duhet të përfitonte.

Mbi çfarë elementesh kryesore bazoheni në caktimin e çmimeve të reklamave?

Referuar “Digitalb”, baza fillestare ka qenë vlerësimi në raport me shikuesit që ne kemi me atë që pretendojnë se kanë Televizione FTA. Dhe mbi këtë është ndjekur edhe raporti i çmimeve mes PayTV dhe FTA.

Po ashtu kemi përdorur referenca të Televizioneve të Tjera PayTV në Europë, duke respektuar raportin e çmimeve mes tyre dhe atyre FTA po në Europë.

Gjithsesi, çmimin final e vendos vetë tregu, duke gjetur pikën e përbashkët mes ofertës sonë dhe kërkesës së reklamuesve për shërbimet dhe produktet reklamë që ne ofrojmë.

Çmimet e “Digitalb” kanë pësuar rritje vetëm bazuar mbi numrin e abonentëve, të cilët janë shtuar çdo vit dhe shtrenjtimi ka qenë gjithmonë në raport me këtë numër.

Cilat janë planet tuaja në drejtim të investimeve në programe të reja në të ardhmen?

“Digitalb” ka bërë dhe po bën investime serioze dhe gjigante për sa i përket përmbajtjes programore, ku vëmendja ka qenë në përplotësimin e tyre me figura të të gjitha trevave shqipfolëse. Pra “Digitalb” ka gjetur formulën e bashkimit të të gjithë kulturave dhe talenteve që na rrethojnë, aty ku shqiptarët jetojnë prej shekujsh. Kjo është edhe merita e veçante e kësaj platforme.

“Digitalb”, vetëm gjatë tre muajve të parë të 2014-s, ka prodhuar katër emisione të reja, prej të cilave një serial dhe tre emisione ciklike.

Po ashtu “Digitalb” mbështet edhe prodhues të pavarur me mjete teknike, staf dhe fonde. Kushdo që ka pasur një ide të mirë është mbështetur pa hezitim.

Një sërë dokumentarësh janë bërë pjesë e videotekës së “Digitalb” dhe shumë të tjera do të bëhen përgjatë 2014, pa folur për emisionet sportive.

“Digitalb” ka po ashtu të vetmin kanal sportiv me lajme ekskluzivisht të sportit në vend.

 


[1] Që të arrijnë në vlerat edhe raportet optimale të “reach” (targeted reach), effective frequency dhe më tej t’i japin kostos kuptimin “kosto” e kalkuluar sipas të dhënave sasiore të variablave të mediaplanning

[2] Rating – tregon shikueshmërinë gjatë një fashe kohore apo programi televiziv, e shprehur kjo si përqindje e totalit potencial të audiencës; pra duke përfshirë edhe familjet që nuk janë duke parë televizor; Burimi: Telemetrix

[3]SHARE – përfaqëson shikueshmërinë gjatë një fashe kohore, apo një programi televiziv, e shprehur kjo si përqindje e familjeve që janë duke parë televizor (HUT)/ HUT (Households using TV) – përfaqëson, në përqindje, familjet të cilat janë duke parë televizor

[4]REACH – Përfaqëson numrin unik ose të paduplikuar (të shprehur në përqindje) të familjeve të ekspozuara ndaj një programi televiziv, fushate publicitare apo reklame të paktën një herë, gjatë një periudhe të caktuar kohore.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of