“Hit Parade i biznesmenëve shqiptarë gjatë vitit të kaluar. Triumfojnë sërish telekomunikacionet. Mbizotërojnë menaxherët e huaj, ndërkohë që Vilma Nushi dhe Artan Mene janë të vetmit që arrijnë të jenë konkurrentë të fortë të tyre. Viti i 13 i kapitalizmit në Shqipëri nuk bëri përjashtim nga paraardhësit. Secili operator në treg, kushdo subjekt privat, çdonjëri menaxher kompanie, synoi të realizojë objektivat me të cilin e filloi vitin 2003. Gara e ashpër e milionave, tendencat për zgjerim hapësirash në treg, manovra të shumta në emër të konkurrencës dhe fitimit, përpjekjet e vazhdueshme për përmirësim treguesish ishin karakteristikat kryesore të një lufte ekonomike, që zhvillohet tashmë midis ushtruesve të iniciativës së lirë. Një luftë kjo që në fund të vitit ka panoramën e saj, me të kënaqur e të pakënaqur, me fitues e të humbur, me përmbushës objektivash e të zhgënjyer. Ne i kemi përzgjedhur dhjetë më të mëdhenjtë e vitit të kaluar mbi treguesin e përmasës së biznesit (xhiros vjetore) që ata kanë administruar. Dhe lista paraqitet interesante, pasi në të zotërojnë menaxherë të vendit fqinj, që drejtojnë shoqëri që kanë mbirë nga kapitalet e ardhura nga Greqia në Shqipëri. Por edhe pse dy shqiptarë, tashmë të mirënjohur, sikurse janë Vilma Nushi dhe Artan Mene vazhdojnë të jetë konkurrentët më të fortë të tyre, duke ecur thuajse rrotë më rrotë me ta, përsa i takon madhësisë së biznesit. Ndaj le të fillojmë hit parade tonë të menaxherëve të vitit 2003, pa humbur kohë, duke sqaruar se në këtë listë nuk bëjnë pjesë drejtues të bankave. Andis Harasani, menaxheri energjik i 300 milion dollarëve Prej dy viteve, Andis Harasani gjendet në krye të Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare. Kur është emëruar në një detyrë të tillë, me siguri duhet t i jetë stimuluar akoma më shumë ndjenja e detyrës, përderisa ndryshe emërimi si drejtues i KESH-it do të thotë vendosje në krye të listës së menaxherëve më të mëdhenj. Prodhimi dhe shpërndarja e energjisë elektrike, gazit, avullit dhe ujit të ngrohtë përbën një shërbim që realizohet nga një operator i vetëm. Pra, përbën një monopol natyror, ndaj dhe nuk është habi e madhe pse përmasat e biznesit të KESH-it janë në shifra të tilla. Përgjatë vitit të kaluar, kjo shoqëri regjistroi një kuotë biznesi prej 31 miliard lekësh, ose afërsisht rreth 300 milion dollarë. Çka do të thotë, se gjatë vitit të kaluar, Andis Harasani përfaqëson menaxherin më të madh të vendit, madje me një diferencë shumë të madhe nga ndjekësit e tij. Të cilët janë¦ Stefan Oktapodas, i dyti, me ritme të konsiderueshme rritjeje Drejtori Ekzekutiv, i Albania Mobile Comunication, Stefan Oktapodas, vazhdon të jetë në katet e sipërme të listës. Ka qenë i tillë edhe gjatë vitit të kaluar, teksa rezultoi kreu i një kompanie me rreth 15 miliard lekë xhiro biznesi. Dhe që z. Oktapodas është një menaxher i sprovuar dhe shumë i rëndësishëm për kompaninë e tij, këtë e tregon edhe dinamika e aktivitetit, ku nën drejtimin e tij, AMC njeh vetëm rritje. Madje rritje të ndjeshme, e cila e krahasuar me vitin 2002 është në nivelin e 50 për qind. T i afrosh njerëzit nëpërmjet telefonisë përbën një shërbim shumë të mirë dhe të domosdoshëm për njerëzit. Kështu që edhe AMC, nën drejtimin e z. Oktapodas e ka përmirësuar këtë shërbim të shumëkërkuar, përderisa edhe është shpërblyer me statistika të tilla domethënëse biznesi. Thoma Papaspiru barazohet me konkurrentin e tij E njëjta gjë, madje superlativa më të mëdha, duhen rezervuar për drejtuesit e kompanisë tjetër celulare, Vodafone Albania, z. Thoma Papaspiru. Megjithëse ka më pak vite operimi në treg, sesa konkurrenti i tij, subjekti që drejton Papapsiru, pra Vodafone Albania, ka arritur të barazohet në shifrat e biznesit me AMC-në. Pra, gjatë vitit 2003 edhe kjo kompani ka arritur një nivel biznesi prej 15 miliard lekësh, duke bërë kështu, që kompanitë ta zhvillojnë konkurrimin e tyre gjatë vitit në vazhdim në pozita tërësisht të barabarta. Telekomunikacionet njihen si biznese të rëndësishme dhe bujare, për vetë natyrën specifike të tyre dhe kjo vërtetohet edhe nga stadi aktual ku kanë arritur dy operatorët e telefonisë celulare. Por në asnjë mënyrë nuk duhen reduktuar edhe meritat e drejtuesve të tyre, të cilët ia kanë dalë mbanë të orientojnë kompanitë që drejtojnë drejt ritmeve të larta të rritjes. Apostol Noti, në krye të një biznesi 79 milion dollarësh Ajo çka thamë më sipër për biznesin e telekomunikacioneve, ilustrohet dhe argumentohet edhe me Albtelekom Albania. Gjatë vitit të kaluar, kompania publike arriti një shifër biznesi prej 7.9 miliard lekësh. Megjithëse Apostol Noti, nuk është më drejtor i kësaj kompanie, kjo nuk ia heq atij statusin e të qenit në vendin e katërt të listës së menaxherëve më të mëdhenj të vitit të kaluar. Pasi nën drejtimin e tij Albtelekom rezultoi në fund të vitit me këtë shifër impresionuese biznesi, çka është edhe shifër e rritur krahasuar me vite më parë. Gjithmonë kjo kompani ka qenë në nivele të larta biznesi, pasi edhe ajo, sikurse KESH-i, ka operuar në kushtet e një monopoli, derisa tregu më në fund u liberalizua. Megjithatë, edhe pse ka dhjetra operatorë të tjerë të telefonisë rurale, prapëseprapë, Albtelekom e ka ruajtur staturën e tij prej gjiganti në ekonominë shqiptare. Por, me gjithë xhiron e lartë, rentabiliteti i Albtelecom mbetet i ulët, për shkak të rritjes së pakët të ardhurave nga viti në vit dhe sidomos borxhit të lartë që ka ndaj dy shoqërive të telefonisë celulare, AMC dhe Vodafone. Marketing Distribution, e pesta Fjalët më të mira duhen thënë për drejtuesen e shoqërisë, Marketing Distribution. Jo vetëm pse në sajë të aftësive menaxhuese, ajo arrin ta mbajë subjektin që drejton në nivele të larta, por edhe pse, ajo është ndoshta kryemenaxherja e vetme femër, që ka dalë e fituar, në konkurrencën me menaxherët meshkuj. Askush nga operatorët privat shqiptarë nuk ka arritur në kuotën e një biznesi prej 4.9 miliard lekësh. Dhe për më tepër, askush nuk i ka ritmet e rritjes si kompania e Vilma Nushit. Të zotërosh 25 % të tregut të cigareve, në një biznes, ku ka shumë konkurrencë, do të thotë se ke më shumë sesa aftësi për të drejtuar. Dinamika e aktivitetit të këtij subjekti ekonomik i konfirmon më së miri aftësitë e drejtueses së saj. Artan Mene, shpërblehet për largpamësinë e tij Të investosh në prodhim mund të rezultojë një iniciative jo shumë joshëse për këdo që ka para. Pasi edhe telashet janë më të mëdha dhe biznesi është më i vështirë. Por kjo nuk mund të thuhet për largpamësin dhe sfiduesin e vërtetë. Artan Mene është padyshim një nga personazhet më të spikatur në këtë drejtim. Por ama edhe një nga biznesmenët më të shpërblyer në guximin e tij, që rrjedh nga logjika dhe arsyeja. Vjet, pra në vitin 2003, ai rezultoi si një drejtues dhe menaxher i mbi 3 miliard lekëve aktivitet, i dalë ky nga dy kompanitë OLIM dhe DEKA. Interesant është edhe fakti tjetër, që megjithë vështirësitë e shumta, më të cilat përballet prodhimi, prapë se prapë, AM Group ka një dinamikë aktiviteti në rritje të vazhdueshme. Ajo çfarë është konstatuar gjatë këtyre viteve në këtë grup ndërmarrjesh, ku statistikat flasin vetëm për zmadhim aktiviteti, nuk ka se si të të mos bëjë optimist se një dukuri e tillë do të ndodhë edhe përgjatë këtij viti e më tej. Duke na lënë kështu me shpresë se AM Group dhe presidenti i tij, Artan Mene do të vazhdojnë të jenë në gjirin e Top Ten menaxherëve shqiptarë. Mamidoil Albania i shtati Për Mamidoil Albania, si dhe drejtuesin e saj gjatë vitit të kaluar, Garinis, viti 2003 ishte viti i surprizës së madhe. Pasi aktiviteti i kësaj kompanie pësoi një kapërcim të tillë cilësor, saqë tashmë me të drejtë ata renditen në vendin e shtatë të listës së menaxherëve më të mëdhenj të vitit të kaluar. Dhe këtë të drejtë, këtë status atyre ia japin statistikat, që flasin për një biznes në kuotën e 3.5 miliard lekëve. E specializuar për tregtimin e karburanteve, kjo kompani nuk ka qenë në nivele kaq të larta vitet e shkuara, prandaj dhe e paraqitëm situatën gjatë vitit 2003 si surprizë. Por megjithatë, kjo nuk do të thotë se gjatë viteve të kaluara nuk është punuar për të përgatitur rezultate të tilla, ndërkohë që viti 2003 ishte pra ai i vjeljes së fryteve. Mamidoil Albania arrin të futet kështu jo vetëm në gjirin e operatorëve më të mëdhenj në Shqipëri, por nga ana tjetër edhe Pavlos Garinis përfaqëson një ndër menaxherët që duhen vlerësuar e marrë në konsideratë. Mamidoil zë kështu edhe vendin e parë në tregun shqiptar të karburanteve. Eduard Belegu, 23 milion dollarë nga nëntoka Darfo Albania përfaqëson një subjekt ekonomik, që ka për natyrë biznesi nxjerrjen e mineraleve të ndryshme nga nëntoka, kryesisht krom. Me një aktivitet të përqendruar kryesisht në minierat e kromit të Bulqizës, ky subjekt, edhe pse nuk ka shumë kohë që ushtron aktivitetin, përsëri është shpërblyer për idene e biznesit, që konsiston në gjallërimin e disa minierave. Faktet flasin vetë. Është një aktivitet në nivelin e 23 milion dollarëve gjatë vitit të kaluar, çka e rendit administratorin e saj në vitin 2003, Eduard Belegun ndër dhjetë menaxherët më të mëdhenj të Shqipërisë. Coca Cola, Grupi Buzi zgjeron aktivitetin Edhe investimet e grupit Buzzi në Shqipëri kanë njohur statistika impresionuese. Stabilimenti prodhues i Coca-Cola-s, së bashku me investimin tjetër Uji i Ftohtë Tepelena kanë rezultuar sipas një realiteti të tillë, që e rendit menaxherin kryesor të tyre të 9-in në listë. Pasi të dy këto kompani, të të njëjtit investitor dhe pronar kanë regjistruar gjatë vitit të kaluar një kuotë biznesi afro 23 milion dollarë. Statistikat janë të mira dhe që argumentojnë prirjen e shqiptarëve për të konsumuar gjithnjë e më shumë produkte të prodhuara nga këto stabilimente, megjithëse Coca-Cola vazhdon të rezultojë me norma të ulëta fitimi. I dhjeti, Papaxopulos, i Diekat Ndërtim Megjithëse ka vetëm pak kohë që e ka përfunduar detyrën e tij, në krye të Diekat Ndërtim, Papaxopulos ka si meritë se arriti ta mbajë kompaninë që drejtoi për më shumë se një vit, në listën e më të mëdhenjëve në tregun shqiptar. I tillë ishte Diekat Ndërtim në vitin 2002, por i tillë rezultoi edhe gjatë vitit 2003. Dhe pavarësisht se drejtuesit e saj ndërrohen në mënyrë sistematike, përsëri kompania arrin t i ruajë pozitat e saj, përsa i përket madhësisë së biznesit. Kështu ka nodhur gjatë disa viteve, me këtë kompani, të specializuar për konkretizimin e investimeve greke në Shqipëri, dhe kështu duket se do të ndodhë edhe në të ardhmen, përderisa investimet e huaja, nga vendi fqinj kanë prirje për t u shtuar. Për rrjedhojë edhe aktiviteti i Diekatit, si realizuesi kryesor i punimeve, për mbirjen e këtyre investimeve.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.