Hit Parade i biznesmenëve shqiptarë gjatë vitit të kaluar. Triumfojnë sërish administratorët e telekomunikacioneve. Mbizotërojnë drejtuesit e huaj, ndërkohë që lista pasurohet edhe me shqiptarë të tjerë, krahas të përhershmëve.Viti i 14-të i kapitalizmit në Shqipëri nuk bëri përjashtim nga paraardhësit. Secili operator në treg, kushdo subjekt privat, çdonjëri administrator shoqërie, synoi të realizojë objektivat, me të cilat e filloi vitin 2004. Gara e ashpër e milionave, tendencat për zgjerim hapësirash në treg, manovrat e shumta në emër të konkurencës dhe fitimit, përpjekjet e vazhdueshme për përmirësim treguesish ishin karakteristikat kryesore të një lufte ekonomike, që zhvillohet tashmë midis ushtruesve të inisiaticës së lirë. Një luftë kjo, që ka në fund të vitit panoramën e saj. Me të kënaqur e të pakënaqur, me fitues e të humbur, me përmbushës objektivash e të zhgënjyer. Ne i kemi përzgjedhur dhjetë më të mëdhenjtë e vitit të kaluar mbi treguesin e përmasës së biznesit, që ata kanë administruar. Dhe lista paraqitet interesante, pasi në të zotërojnë administratorë të vendit fqinj, që drejtojnë shoqëri që kanë mbirë nga kapitalet e ardhura nga Greqia në Shqipëri. Por, lista tashmë është përmirësuar në strukturë, pasi me cilësinë e konkurentëve të fortë e të administratorëve të zotë janë klasifikuar në katet e larta të renditjes edhe disa drejtues shqiptarë. Të cilët kanë ecur thuajse rrotë më rrotë me ta, përsa i takon madhësisë së biznesit. Ndaj le të fillojmë hit parade tonë të administratorëve të të vitit 2004, pa humbur kohë, duke sqaruar se në këtë listë nuk bëjnë pjesë drejtues të bankave.Stefan Oktapodas, me ritme të konsiderueshme rritjeje Drejtori Ekzekutiv, i Albania Mobile Comunication (AMC), Stefan Oktapodas, vazhdon të jetë i pari në rang-listën e administratorëve më të mëdhenj në Shqipëri. Ka qenë i tillë edhe gjatë vitit të kaluar, teksa rezultoi kreu i një shoqërie me rreth 17 miliard lekë xhiro biznesi, ndërkohë që një vit më parë, pra në vitin 2003, AMC-ja e drejtuar prej tij kishte një xhiro prej 15 miliard lekësh. Rritja pra është diçka më shumë se 15%. Një fakt ky, që i bashkangjitur me dinamikën e AMC-së, përgjatë gjithë këtyre viteve tregon që z. Oktapodas është një administrator i sprovuar dhe shumë i rëndësishëm për firmën e tij. T i afrosh njerëzit nëpërmjet telefonisë përbën një shërbim shumë të mirë dhe të domosdoshëm për njerëzit. Kështu që edhe AMC, nën drejtimin e z.Oktapodas e ka përmirësuar këtë shërbim të shumëkërkuar, përderisa edhe është shpërblyer me statistika të tilla domethënëse biznesi. Thoma Papaspiru, në të njëjtin hap me konkurrentin e tij E njëjta gjë, mund të thuhet edhe për drejtuesin e shoqërisë tjetër celulare, Vodafone Albania, z. Thoma Papaspiru. Megjithëse ka një vit më pak aktivitet në tregun shqiptar, subjekti që drejton Papaspiru, pra Vodafone Albania, ka arritur të barazohet në shifrat e biznesit me AMC-në. Dhe kjo është një dukuri, që përsëritet në dy vitet e fundit. Për herë të parë gjatë vitit 2003, kjo shoqëri arriti një nivel biznesi prej 15 miliard lekësh, duke bërë kështu, që shoqëritë ta zhvillojnë konkurrimin e tyre gjatë vitit në vazhdim në pozita tërësisht të barabarta. E njëta panoramë është edhe gjatë vitit 2004, kur Vodafone Albania, ashtu sikundër AMC regjistroi një shifër biznesi prej 17 miliard lekësh. Telekomunikacionet njihen si biznese të rëndësishme dhe bujare, për vetë natyrën specifike të tyre dhe kjo vërtetohet edhe nga faza aktuale, ku kanë arritur dy operatorët e telefonisë celulare. Por, në asnjë mënyrë nuk duhen reduktuar edhe meritat e drejtuesve të tyre, të cilët ia kanë dalë mbanë të orientojnë bizneset, që drejtojnë drejt ritmeve të larta të rritjes.Ferhat Llukacaj, i treti, në krye të një biznesi 120 milion euro Ajo çka thamë më sipër për biznesin e telekomunikacioneve, ilustrohet dhe argumentohet edhe me AlbTelecom-in. Së fundi, kjo shoqëri u privatizua kundrejt vleftës prej 120 milion euro, ndërkohë që si për koecidencë, biznesi i shoqërisë së drejtuar nga Ferhat Llukacaj rezultoi gjatë vitit 2004, pothuajse në këto nivele. Pas një rënie të lartë në periudhën 2001-2002, treguesit e Albtelecom janë përmirësuar ndjeshëm në vitet 2003 dhe sidomos në 2004.Gjithmonë kjo shoqëri ka qenë në nivele të larta biznesi, pasi edhe ajo, sikurse KESH-i ka vepruar në kushtet e një monopoli, derisa tregu më në fund u liberalizua. Megjithatë, edhe pse ka dhjetëra operatorë të tjerë të telefonisë rurale, prapëseprapë, AlbTelecom e ka ruajtur staturën e tij prej gjiganti në ekonominë shqiptare. Marketing Distribution, me rritje mbi 100% të aktivitetit Fjalët më të mira duhen thënë për drejtuesen e shoqërisë, Marketing Distribution. Jo vetëm pse në sajë të aftësive administruese, ajo arrin ta mbajë subjektin që drejton në nivele të larta, por edhe pse, ajo është ndoshta kryedrejtuesja e vetme femër, që ka dalë e fituar, në konkurencën me administratorët meshkuj. Askush nga operatorët privatë shqiptarë nuk ka arritur në kuotën e një biznesi prej 11 miliard lekësh. Dhe për më tepër, askush nuk i ka ritmet e rritjes si biznesi i Vilma Nushit. E krahasuar me një vit më parë, rritja është më tepër se sa 100%. Çka vërteton se viti 2004, ka qenë viti i zgjerimit të Marketing Distribution-it. Të sundosh në tregun e cigareve, në një biznes, ku ka shumë konkurencë, do të thotë se ke më shumë se sa aftësi për të drejtuar. Dinamika e aktivitetit të këtij subjekti ekonomik i konfirmon më së miri aftësitë e drejtueses së saj.Pierr Seamen, 30 milion dollarë me çimento Libanezi Pierr Seamen, si Administrator i Përgjithëm i shoqërisë Seament renditet i pesti në listën e administratorëve më të mëdhenj përgjatë vitit 2004. Shoqëria e drejtuar prej tij ka si destinacion kryesor importin dhe prodhimin e çimentos. Duke qenë se biznesi i ndërtimit është shumë i zhvilluar, atëhere është e natyrshme që një fizionomi të tillë të kenë edhe lëndët bazë për të. Jashtë kësaj prirjeje nuk ka se si të mbetet çimento, importi dhe prodhimi i së cilës, ka bërë që Seament Albania të regjistrojë një kuotë biznesi prej 3 miliard lekësh, ose diçka më shumë se sa 30 milion dollarë. Në nivele të larta ka qenë aktiviteti i kësaj shoqërie edhe një vit më parë, megjithatë rritja e aktivitetit paraqitet me një ritëm të moderuar. Çka mund të vijë nga rritja e aftësive konkuruese në treg dhe nga rritja e kërkesës për lëndën e parë të domosdoshme, sikurse është çimento.Taci Oil Biznesi i karburanteve ndahet midis 6 deri 7 shoqërive kryesore. Mirëpo gjatë vitit 2004 pati zhvillime të tilla, të cilat nxorrën si personazhin kryesor në këtë treg, përsa i takon madhësisë së biznesit Taci Oil-in. Kjo shoqëri regjistroi një kuotë biznesi prej 3 miliard lekësh. Një tregues ky, që i krahasuar me atë të disa shoqërive të tjera, dikur dominuese në treg, tregon se situata në biznesin e karburanteve ka ndryshuar dhe Taci Oil ishte subjekti më aktiv gjatë vitit 2004.Artan Mene shpërblehetpër largpamësinë e tij A është mëkat të investosh në prodhim? A vjen një ditë që mund të bëhesh pishman për rrugën e ndjekur, duke destinuar kapitale të konsiderueshme në biznesin prodhues? Nuk ka përgjigje të prerë për të tilla pyetje, por në rastin e Artan Menes, mund të thuhet me siguri, që ai jo vetëm që nuk ndjehet i zhgënjyer, i demoralizuar, i dekurajuar nga vështirësitë dhe problemet e shumta që has prodhimi, por përkundrazi vazhdon pa ndërprerje investimet. Gjithmonë në biznesin prodhues dhe gjithmonë me të njëjtën bindje që kishte edhe kur projektoi në kokën e tij kompleksin industrial, anës autostradës Tiranë Durrës. Dhe pavarësisht prej konjukturave të pafavorshme të imponuara nga MTL-të apo nga konkurenca e pandershme, aktiviteti i shoqërive të drejtuara prej tij njeh rritje nga njëri vit në tjetrin. Gjatë 04 Olim figuroi me një kuotë biznesi prej 18 milion dollarësh, kurse Deka me afro 10 milion dollarë. Çka përbën një total prej 28 milion dollarësh. Janë tregues që e lënë Menen në gjirin e dhjetë administratorëve më të mëdhenj në Shqipëri dhe një nga përfaqësuesit e pakët të biznesit shqiptar në këto nivele. Luiggi Verardo, Administratori i Coca Cola-s, i teti Investimet e grupit Buzzi në Shqipëri kanë njohur statistika domethënëse, përsa i përket xhiros së biznesit. Stabilimenti prodhues i Coca-Cola-s, së bashku me investimin tjetër Uji i Ftohtë Tepelena kanë rezultuar sipas një realiteti të tillë, që e rendit administratorin kryesor të tyre, Luiggi Verardo të 8-in në listë. Pasi të dy këto shoqëri, të të njëjtit investitor dhe pronar kanë rregjistruar gjatë vitit të kaluar një kuotë biznesi afro 27 milion dollarë. Prej të cilëve, 23 me Coca Cola dhe 4 milion dollarë nga Uji i Ftohtë Tepelenë. Statistikat janë të mira dhe argumentojnë prirjen e shqiptarëve për të konsumuar gjithnjë e më shumë produkte të prodhuara nga këto stabilimente. Aq më tepër domethenëse është edhe rritja e krahasuar nga njëri vit në tjetrin. Pasi të dyja këto biznese gjatë vitit 2003 ishin në nivelin e 23 milion dollarëve. Aleksandër Kalivopulli, i hekurt në biznesin e hekurit AFA është subjekti tregtar, natyra e biznesit të së cilës është tregtia e hekurit. Ka edhe disa operatorë në këtë treg, mirëpo shoqëria e administruar prej Aleksandër Kalivopullit mbetet numri 1 në këtë lloj biznesi. Madje, realiteti i vitit 2004, i krahasuar me atë të një viti më parë dëshmon për një rritje gjigante të biznesit, thuajse deri në dyfishimin e tij. Përgjatë vitit 2004, AFA arriti të sigurojë një nivel biznesi prej 27 milion dollarësh, një fakt ky që e rendit edhe administratorin e saj, në vendin e 9, të listës prej dhjetë drejtuesve më të mëdhenj që ne kemi identifikuar gjatë vitit të kaluar.I dhjeti, administratori i Diekat Ndërtim Prej disa vitesh funksionon në Shqipëri një firmë punimesh publike dhe ndërtimi që quhet Diekat Ndërtim. E konceptuar si firmë mbështetëse e investimeve me origjinë nga Greqia, por që mbijnë në vendin tonë, Diekat duket se ka patur vazhdimisht punë dhe llogaritë i kanë dalë mirë. Për çdo vit aktiviteti i saj ka qenë në nivele të kënaqshme dhe pavarësisht faktit se administratorët janë ndërruar në mënyrë të shpeshtë, prapë se prapë, secili prej tyre ka arritur të klasifikohet në dhjetëshen e drejtuesve më të mëdhenj. Pasi të tilla kanë qenë rezultatet ekonomiko-financiare të Diekat. Konkretisht, gjatë vitit 2004, nga kjo shoqëri u regjistrua një aktivitet në nivelin e 23 milion dollarëve. Kështu ka ndodhur gjatë disa viteve, me këtë biznes, të specializuar për konkretizimin e investimeve greke në Shqipëri, dhe kështu duket se do të ndodhë edhe në ardhmen, përderisa investimet e huaja, nga vendi fqinj kanë prirje për t u shtuar. Për rrjedhojë edhe aktiviteti i Diekatit, si realizuesi kryesor i punimeve.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.