Europa është destinacioni më i kushtueshëm për pushime sipas TripAdvisor. Shpenzimet mund të llogariten nga 40 në 377 euro nëse dëshirohet të kalohet një ditë në Londër. E, në fakt, kryeqyteti britanik kryeson listën e qyteteve më të shtrenjta të hartuar nga TripAdvisor (TripIndex Cities).
Ky indeks krahason çmimet për një natë në 48 qytetet kryesore në botë, për dy persona dhe në të përfshihen: një koktej, një natë në hotel me pesë yje, një darkë, një transit me taksi, por edhe një qëndrim për një natë në hotel me katër yje në periudhën korrik – gusht.
Duke hyrë më në detaje shihet se shtatë nga dhjetë destinacionet janë europiane, vetëm dy gjenden në Europë dhe një në Oqeani.
Pas Londrës, në klasifikim gjendet rivali i përjetshëm Parisi, që ka fituar dy pozicione më tepër në krahasim me klasifikimin e TripIndex Cities të vitit 2013.
Në Paris, shpenzohet shumë për dy kokteje, pasi kushtojnë 37.50 euro. Në total, për një pushim në kryeqytetin francez, ju duhet të paguani 370,13 euro.
Në vendin e tretë gjendet SHBA, ku për një natë qëndrimi në Nju Jork mund të shpenzohen deri në 363,84 euro. Në koston finale ndikim të madh ka çmimi i qëndrimit në hotel që llogaritet në 264,07 euro, më i larti në botë.
Në vendin e katërt dhe të pestë gjenden dy kryeqytete skandinave. Në të katërtin është Stokholmi me 347,22 euro shpenzime në total.
Oslo, gjendet në vendin e pestë, pasi shpenzimet në një ditë llogariten në 330,82 euro.
Në qytetet suedeze është shumë e kushtueshme që të darkohet jashtë: për një darkë për dy veta që shoqërohet me verë mund të paguhet deri në 124,15 euro (dyfishi i shifrës që paguhet në Nju Jork). Në kryeqytetin norvegjez, kosto të larta ka lëvizja: dy udhëtime me taksi për një distancë prej 3 kilometrash duhet të paguhet 40,87 euro (në Nju Jork ky shpenzim llogaritet në 13,29 euro).
Sërish Europa. Në vend të gjashtë gjendet Cyrihu me 329,25 euro.
Pastaj vjen veriu i Europës me Kopenhagën që gjendet në vendin e shtatë, ndërsa Helsinki në të tetin. Në Danimarkë për një natë për dy persona shpenzohen 306,10 euro, ndërsa në Finlandë 275,66 euro.
Kanadaja me Toronton gjendet në vendin e parafundit, pasi shpenzimet llogariten në 273,08 euro. Kjo qendër ka humbur shtatë pozicione në krahasim me renditjen e vitit të kaluar.
Klasifikimin e mbyll Australia me Sidnein, ku për një natë, dy persona, duhet të shpenzojnë 272,12 euro. Në Sidnej është më i leverdishëm qëndrimi në hotel. Në këtë vend qëndrimi për një natë në një hotel me katër yje kushton 142,30 euro, shifra më e ulët.