Dhoma Amerikane ka hartuar një listë me problematikat e identifikuara në lidhje me sistemin e ri informatik të administratës tatimore, nga migrimi i të dhënave në sistemin e ri, çregjistrimit nga e-tax, komunikimin, reflektimin e detyrimeve tatimore dhe tepricave kreditore, ndërhyrjet në e-tax nga sistemi tatimor etj. Këto problematika janë paraqitur gjatë një takimi që Dhoma ka zhvilluar me drejtoreshën e tatimeve, Vasilika Vjero.
Problemet me sistemin informatik të administratës tatimore janë bërë edhe më të mprehta kohët e fundit pasi inspektorët e mbledhjes së borxhit nuk janë në gjendje të identifikojnë shumat që duhen paguar nga ato që janë gabim dhe detyrimet në total po ekzekutohen nga aktet. Sjellim si shembull faktin se ka problematika me tatimpaguesit që apelojnë detyrime tatimore duke mos bërë pagesën e detyrimit por duke vendosur garanci bankare. Pagesat e këtyre tatimpaguesve të bëra për detyrimet korrente shkojnë nga sistemi për shlyerjen e detyrimeve për të cilat është vendosur garanci bankare. Kjo bën që detyrimet korrente të mbeten të papaguara dhe sistemi gjeneron gjoba dhe interesa fiktive. Sqarimi i statusit të këtyre detyrimeve, për të cilat shpesh fillohen edhe procedurat e mbledhjes me forcë kërkon burime njerëzore nga tatimpaguesi por edhe nga administrata.
I. Çështje të lidhura me migrimin e të dhënave në sistemin e ri informatik
Një numër i madh tatimpaguesish rezultojnë në sistem me detyrime të papaguara (gjoba për pagesë të vonuar) për deklaratat e tatim fitimit para vitit 2008, ndërkohë që në Sistemin Informatik të mëparshëm nuk rezultonin debitorë dhe ajo situatë ishte në përputhje të plotë me ligjin (kuadri ligjor parashikonte vetëm kamatëvonesa dhe jo gjobë për pagesë të vonuar për pagesë jashtë afatit të tatimit mbi fitimin).
Ka tatimpagues, të cilët kanë përfituar nga Ligjet e faljeve nr. 9986 dhe nr. 10418 të vitit 2008 dhe 2011, dhe pas migrimit se të dhënave në e-tax u janë rishfaqur përsëri me këto detyrime të falura.
Po ashtu, në lidhje me faljet e kryera në zbatim të Ligjit nr. 10418 të vitit 2011 me objekt principalin e detyrimeve të subjekteve (paguhej 0%, 30% dhe 50% për principal para vitit 2008, viti 2009 dhe 2010 dhe falej 100%, 70% dhe 50%) Sistemi Informatik i vjetër nuk ka realizuar faljen e plotë duke gjeneruar në vazhdimësi deri në vitin 2015 gjoba e kamatëvonesa mbi një detyrim që sipas ligjit është falur. Këto gjoba dhe kamatëvonesa janë migruar në sistemin e-tax të pakorrigjuara).
Për disa tatimpagues rezulton të mos jenë migruar të gjitha pagesat apo tepricat kreditore nga sistemi i mëparshëm informatik në sistemin e ri e-tax.
II. Çështje të lidhura me procesin e çregjistrimit nga e-tax
Në sistem aktivizohet funksioni “kërkuar çregjistrimi” në momentin e dorëzimit të vendimit të mbylljes së procedurës së likuidimit dhe jo që në momentin e çeljes së procedurës së likuidimit.
Edhe pse ka mbaruar procedura e çregjistrimit në QKR, tatimpaguesve nuk u është ndërruar statusi në sistemin e-tax nga “kërkuar çregjistrimi” në “çregjistruar”. Sistemi i QKR nuk është praktikisht i integruar me atë të tatimeve. për rrjedhoje, deklaratat tatimore dhe këstet e tatimfitimit kanë vijuar të gjenerohen edhe pas kërkesave të tatimpaguesve për çregjistrim të depozituara në Drejtorinë e Shërbimit të Tatimpaguesve (pas çregjistrimit të tyre nga QKR). E njëjta vlen edhe për subjektet që janë në statusin pasiv (në kushtet e pezullimit të aktivitetit).
III. Çështje të lidhura me komunikimin nëpërmjet sistemit e-tax
Njoftimet e akteve administrative në sistem shfaqen në rubrikën “dokumentet e mia” dhe nuk i njoftohen tatimpaguesit me email apo ndonjë forme tjetër. Nuk mund të pretendohet që tatimpaguesit të log-on në sistem dhe të kontrollojnë për akte të reja (pa llogaritur këtu kontabilistët e miratuar, të cilët kanë një numër të madh klientësh)
Njoftim vlerësimet e gjeneruara në sistem dhe që vijnë në formën e njoftimeve/dokumenteve në llogarinë online të tatimpaguesit nuk janë të vulosura, firmosura apo të protokolluara e në disa raste janë edhe pa date. Kjo përbën problem në rastet kur këto akte administrative janë subjekt kundërshtimi apo apelimi nga tatimpaguesit, por edhe në rastet kur tatimpaguesi kërkon të marre versionin zyrtar të njoftim-vlerësimit pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore.
Është vënë re në sistem se kërkesat për rimbursim në rast refuzimi nga administrata tatimore nuk mund të gjenden më në sistem (as tek rubrika të dorëzuara/të refuzuara) duke krijuar paqartësi në lidhje me ecurinë e kërkesës për rimbursim.
Tatimpaguesit nuk marrin përgjigje zyrtare kur shkresat dorëzohen përmes modulit “Çështjet e mia”. Në shumë raste, çështjet edhe nuk mund të dorëzohen elektronikisht (upload në llogarinë e tatimpaguesit) për shkak të gabimeve në sistem.
IV. Çështje të lidhura me reflektimin e detyrimeve tatimore dhe tepricave kreditore në sistemin e-tax
Për të gjithë tatimpaguesit, subjekt të rivlerësimit tatimor për periudhat para nëntorit 2014, ulja e tepricave kreditore rezulton në sistem si detyrim për t’u paguar dhe në të njëjtën kohë dhe për të njëjtën shumë është rritur teprica kreditore në muajin nëntor. Kjo është në kundërshtim me ligjin për TVSh, sipas të cilit TVSH kreditore mbartet në muajt vijues. Për më tepër, nëse administrata tatimore nuk ka miratuar për rimbursim TVSH kreditore, kjo administratë refuzon të bëjë kompensimin e TVSH kreditore me detyrimet e TVSH që dalin për periudhat para nëntor 2014.
Për tatimpaguesit të cilët kanë vënë garanci bankare për detyrimet në proces apelimi dhe subjektet që kanë lidhur Aktmarrëveshje për pagesë me këste, pagesa e detyrimeve mujore shkon për mbulimin e detyrimeve në proces apelimi dhe atyre të aktmarrëveshjes. Kjo bën që subjekteve t’u gjenerohen padrejtësisht gjoba dhe kamatëvonesa për detyrimet korrente të paguara.
Ka tatimpagues, për të cilët situata paraqitet me kredi dhe me detyrime për të njëjtën taksë, ndërkohë që detyrimi është paguar nga shoqëria.
Balancat e hapjes për tatimet të cilat nuk kanë qenë të informatizuara, figurojnë në Urdhër-Pagesat e muajve vijues me shenjën minus, duke lënë të kuptojnë se do të përdoren automatikisht. Në të vërtetë nuk përdoren duke penalizuar padrejtësisht tatimpaguesit për pagese me vonese.
Deklarata e tatimit në burim (kur kemi të bëjmë me raste që pagesat janë kryer për fatura që janë subjekt i shmangies së tatimit në burim sipas Konventave përkatëse) nuk të lejon që të plotësosh vlerën e tatueshme me shifrën përkatëse dhe pjesën e tatimit në burim me zero, siç e parashikon Konventa.
Pagesat e bëra me urdhërpagesa boshe në rastet kur sistemi i administratës tatimore nuk i gjeneronte urdhërpagesat e tatim-fitimit në shumë raste nuk janë kontabilizuar sakte në llogaritë e Drejtorisë Rajonale Tatimore.
Formularët e Deklarimit dhe të Pagesës së TVSH apo edhe Tatimit të Mbajtur në Burim nuk pranojnë vlera negative të vlerave të tatueshme. Në rastet e konstatimit të periudhave të pambyllura nga ana e tatimpaguesit të cilat kalojnë afatin e parashkrimit për të cilat tatimpaguesi nuk ka qenë i regjistruar, administrata tatimore kërkon deklarimin e periudhave të mëparshme. Pas deklarimit të këtyre periudhave gjenerohen gjoba për mosdorëzim deklarate. Për këto gjoba të cilat kalojnë afatin e parashkrimit administrata ushtron masat shtrënguese për mbledhjen me forcë të detyrimit. Pra duhet zgjidhur në praktikë çështja e ndarjes se kufirit kohor deri në të cilin administrata mund të kërkojë bërjen e deklarimeve të prapambetura në kohë (e aplikueshme edhe për përfaqësuesit tatimorë që kanë marre akses në SIT vetëm në fillim të vitit 2014).
V. Çështje të lidhura me Deklaratën Individuale Vjetore të të Ardhurave (DIVA)
Në rastet e individëve të cilët gjenerojnë të ardhura nga punësimi jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, deklarata aktuale të ofron vetëm një kutizë për evidentimin e të ardhurave të gjeneruara jashtë territorit të Shqipërisë dhe automatikisht tatimi i përllogaritur rezulton 15%.
Ndërkohë, në bazë të legjislacionit dhe praktikës së ndjekur nga DPT, të ardhurat nga marrëdhëniet e punësimit jashtë Republikës së Shqipërisë do të tatohen në Shqipëri sipas normave të legjislacionit vendas (0-13%-23%). Pra, individët që deklarojnë të ardhura të realizuara jashtë Republikës së Shqipërisë ndodhen në situatën ku:
Nëse vlera vendoset në kutizën (13) detyrimi për tatimin që do të përllogaritet nga sistemi do të jetë 15% dhe jo sipas normave lokale (pra, 0-13%-23%).
Në kutizën (33) individi nuk mund të vendosë vlerën e sakte të tatimit të paguar jashtë, për sa kohë ky tatim tejkalon 15%.
Për jo-rezidentet e regjistruar që në 2015, me ndryshimet e kryera në sistem nuk bëhet e mundur ruajtja e informacionit për rezidencën e tatimpaguesve jorezident. Problemi është raportuar që në fillim të muajit Mars 2016 dhe ende mbetet i pazgjidhur. Ky problem ka shkaktuar vonesa në dorëzimin e deklaratës dhe nuk ka lejuar individët deklarues të bëjnë pagesën e detyrimit (në rastet kur ka pasur). Ky problem është zgjidhur në prill 2016 por tatimpaguesit nuk janë njoftuar që të mundësojnë ndryshimin e rubrikës.
Të ardhurat personale (jo subjekt i mbajtjes në burim) nuk mund të paguhen sipas kërkesave ligjore në datën 20 të muajit pasardhës.
VI. Çështje të lidhura me ndërhyrjen në sistemin e-tax nga inspektoret tatimor
Në rastet e vendimeve të Drejtorisë së Apelimit Tatimor të cilat janë pranuar nga Drejtoria Rajonale Tatimore (pra, nuk janë ankimuar më tej), kjo e fundit është e detyruar që të bëjë ose rimbursimin ose kthimin e kompensimit të detyrimeve dhe interesave të paguara/kompensuara nga sistemi. Megjithatë, inspektorët nuk e kanë të qartë procedurën që duhet të ndjekin për anulimin e akteve tatimore të hedhura në sistem. Për rrjedhojë, gjobat e falura figurojnë ende në sistem si detyrime të papaguara.
Sistemi i ri i administratës tatimore nuk ofron detaje mbi ndërhyrjet e bëra në sistem nga ana e inspektoreve (ndërhyrjet asnjëherë nuk i bëjnë reference një akti tatimor për ta pasur të lehtë identifikimin).
Me vendosjen e sistemit të ri shumë tatimpagues u regjistruan nga autoritetet tatimore dhe për tatime të cilat ata nuk kishin përgjegjësi tatimore (p.sh. Përfaqësuesit tatimorë u regjistruan dhe për tatim në burim). Sistemi llogariti gjoba për mosdorëzim të deklaratave deri në periudhën që u konstatua problemi dhe tatimpaguesi u çaktivizua për tatimet që nuk kishte detyrim për tu regjistruar. Nga ana e inspektorëve janë kryer heqjet e gjobave të gjeneruara, por në disa raste gjobat janë hequr 2 herë dhe për rrjedhim subjekti del në pozicion kreditor. Subjekti ka kryer të gjithë procedurat për çregjistrim përfshi dhe kontrollin, por për shkak të pozicionit kreditor në sistemin tatimor, subjekti nuk merr dot certifikatën e çregjistrimit.
VII.Çështje të lidhura me deklarimin e tatimfitimit
Deklaratat e tatimfitimit nuk të lejon të plotësosh kutizën për humbjet e mbartura nga periudhat e kaluara nëse viti aktual (2015 p.sh.) është me humbje.
Deklarata e tatimfitimit nuk ofron një kuti për kreditimin e tatimit të huaj (ne rastet e të ardhurave të gjeneruara jashtë Republikës së Shqipërisë, të tatuara në vendin e burimit).
Sistemi nuk lejon ndryshimin e kësteve të tatim fitimit edhe në rastet kur tatimpaguesi ka bërë kërkesë dhe administrata e ka pranuar uljen e këstit. Ndryshimi aplikohet vetëm në periudhat pasardhëse, dhe ndryshimi i kërkuar nuk i korrespondon fare periudhës për të cilën është kërkuar ulja e këstit (mund të bëhet dhe periudhën e ardhshme tatimore).
VIII. Çështje të lidhura me deklarimin e listëpagesës
Llogaritja automatike e detyrimeve për sigurime shoqërore dhe shëndetësore dhe tatimin mbi të ardhurat nga punësimi nuk mundëson të gjitha rastet që mund të hasen në praktikë. Do të duhet patjetër të lihet një opsion i veçante (kategori) ku tatimpaguesi të llogarisë dhe të vendosë vetë detyrimet tatimore (për shembull rastet e pensionisteve të regjistruar si të vetëpunësuar).
Nuk ka një kodifikim të veçantë për punonjësit që kanë një kontratë me shoqërinë por për një periudhë të caktuar nuk punojnë. Kodifikimi (p.sh., kodi 0) do të mundësonte që këta punonjës të konsideroheshin ende pjesë e shoqërisë. Procedura e propozuar nga administrata tatimore është ajo e regjistrimit dhe çregjistrimit sa herë që ka lëvizje, qoftë edhe lëvizje të brendshme në ndërmarrje, por kjo krijon probleme ligjore.
IX. Çështje të lidhura me rivlerësimin tatimor
Gjobat dhe kamatëvonesat për periudhat pas nëntorit 2014 që lindin nga rivlerësime tatimore shlyhen automatikisht nga gjendjet kreditore pa marrë parasysh afatin 30 ditor të apelimit/të pagesës së detyrimit të rivlerësuar.
Në raste të rivlerësime tatimore që konsistojnë uljen e tepricave kreditore, sistemi nuk e reflekton automatikisht uljen e tepricës e për rrjedhojë, në jo pak raste, autoritetet tatimore kanë kërkuar pagesën e uljes së tepricës kreditore për të marre në konsideratë apelimin e tyre.
X. të tjera
Të rritet kapaciteti për ngarkimin e dokumenteve që dorëzohen bashke me deklaratën vjetore të tatimfitimit. Aktualisht kapaciteti i lejuar është rreth 9 MB.
Sistemi i ri informatik nuk mundëson përllogaritjen e interesave në favor të tatimpaguesit, në rastet e kërkesave për rimbursim për të cilat Drejtoria Rajonale Tatimore nuk kthen përgjigje brenda afateve ligjore. Këtë nen e kemi parë vetëm të shkruar e asnjëherë të zbatuar.
Sistemi i ri i administratës tatimore nuk parashikon rastet e transferimit të një tatimpaguesi nga njëra drejtori tek tjetra (për shembull nga Drejtoria Rajonale Tatimore Tiranë te Drejtoria e Tatimpaguesve të Mëdhenj, ose anasjelltas) duke mos i mbartur saktë detyrimet dhe tepricat nga njëra drejtori tek tjetra. në shumë raste, tatimpaguesit e transferuar rezultojnë me detyrime të papaguara në drejtorinë e re ku janë transferuar, pavarësisht se janë paguar sipas të dhënave të drejtorisë së mëparshme.
Ka pasur shumë raste në të cilat sistemi nuk shpërndan pagesat sipas periudhës së formularit të pagesave, por pagesa shkon për shlyerje të detyrimit më të vjetër.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
MUND TE KETE PROBLEME POR TATIMET JANE 1000 HERE ME MIRE SE KANE QENE.GJITHMON DO TE KETE NEVOJE PER PERMIRSIM.