Për kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhalliu, nuk bëhet fjalë për të diskutuar për probleme të drejtpërdrejta që bizneset e Kosovës kanë në Shqipëri, apo anasjelltas. Problemi është se duhet krijuar me urgjencë besimi reciprok ndërmjet të dyja shteteve. Prej kohësh, marrëdhëniet ekonomike ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës shoqërohen me mungesë mosbesimi në të gjitha nivelet e bashkëpunimit, tha Gërxhalliu, sipas të cilit është koha që ekonomistët dhe ekspertët të hartojnë programe për unifikimin e tregut të përbashkët dhe qeveritë të nisin me urgjencë implementimin e tij.
Zoti Gërxhalliu, si e konsideroni bashkëpunimin ekonomik ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës?
Shqipëria dhe Kosova po vuajnë prej kohësh mungesën e një bashkëpunimi të koordinuar ekonomik. Deri më tani, përpjekjet e dy anëve të të njëjtit komb janë fokusuar tek axhenda politike dhe pak është bërë në realitet. Qeveritë e të dyja shteteve e kanë pasur në vijimësi një angazhim formal që më shumë i ka shërbyer propagandës, duke ofruar më shumë marketing dhe spektakël, se sa një koordinim të vërtetë për ta bërë ekonominë e dy anëve të kufirit konkurruese në rajon.
Jemi i njëjti popull dhe kemi një ekonomi komplementare dhe në këtë mënyrë duhet të jemi më shumë bashkëpunues me njëri-tjetrin se sa konkurrues. Por tani ka ardhur koha që të heqim dorë nga zbukurimet dhe propaganda e bashkëpunimit dhe të nisim një bashkëpunim real.
Jo po tentoni të thoni se pas dëshirës për bashkëpunim ka më shumë probleme?
Nuk bëhet fjalë për të diskutuar për probleme të drejtpërdrejta që bizneset e Kosovës kanë në Shqipëri, apo anasjelltas. Problemi është se duhet krijuar me urgjencë besimi reciprok ndërmjet të dyja shteteve. Prej kohësh, marrëdhëniet ekonomike ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës shoqërohen me mungesë mosbesimi në të gjitha nivelet e bashkëpunimit. Prandaj e shoh me interes që ne ta trajtojmë njëri-tjetrin me besim në shkëmbimet tregtare dhe më gjerë dhe të mos humbim më shumë kohë duke gjetur arsyet që e kanë krijuar deri më tani dëmin në këtë bashkëpunim. Ajo që tashmë Shqipëria dhe Kosova kanë nevojë është rritja e nacionalizimit ekonomik përtej retorikave dhe makijazhit politik. Nëse ky nacionalizëm mungon, ne do të vijojmë të humbim kohë, duke rrezikuar seriozisht përfitimet që me të drejtë duhet t’i kishim.
Si mund të përmirësohet ky bashkëpunim, a keni ju një propozim konkret?
Stafeta duhet të kalojë ekonomistët. Ekspertët më të mirë në Kosovë dhe në Shqipëri duhet të ulen për të hartuar një program të përbashkët ekonomik. Në këtë program duhet të harmonizohet sistemi fiskal. Vendet duhet të kenë të njëjtë barrën fiskale dhe gjithashtu duhet të ndjekin standarde të njëjta në dogana dhe për më tepër, duhet të hartohen programe që përfarojnë edhe kurrikulat mësimore në mënyrë që Kosova dhe Shqipëria të bëhen një treg i përbashkët. Në këtë mënyrë, krijojmë një treg me 5 milionë konsumatorë dhe më tej mund të dalim me një ofertë të përbashkët ndaj investitorëve të huaj. Programi i ekspertëve duhet të bëhet një axhendë e detyruar për politikën dhe institucionet zbatuese. Por në vend që të veprojmë në këtë mënyrë, kam frikë se më shumë e vrasim mendjen se si të shpikim barriera dhe pengesa që janë në dëm të qytetarëve shqiptarë në të dy anët e kufirit.
Por duhet thënë se vitet e fundit ka avancuar bashkëpunimi ndërmjet dhomave të tregtisë. Është ngritur një forum ballkanik i dhomave të tregtisë për të zgjeruar bashkëpunimin në të gjithë rajonin dhe në këtë kontekst, edhe Shqipëria dhe Kosova janë duke bërë hapa para.
Zoti Gërxhalliu, a keni një fokus konkret për klimën e biznesit që ofron Shqipëria ndaj bizneseve të Kosovës?
Pikë së pari, bizneset në Kosovë nuk janë të preferuara në Shqipëri. Më shumë interesi është i fokusuar drejt atyre greke dhe italiane. Kjo mungesë preference për bizneset e Kosovës shihet që në pikat kufitare me Shqipërinë. Dozat e kontrollit, verifikimit, licencimit në disa raste tejkalojnë përcaktimet në legjislacion. Por duhet ta them se ndryshe ndodh me bizneset shqiptare në Kosovë, me të cilat ambienti është tejet miqësor. Aktualisht në Kosovë ushtrojnë aktivitet 1400 biznese nga Shqipëria, të cilat janë të fokusuara në tregje me rëndësi të tilla si banka, sigurime, ndërtim, shërbime dhe tregti. Teksa bizneset nga Kosova në Shqipëri janë më së shumti njësi të vogla shërbimesh, furra buke dhe byrektore, që shërbejnë për pushuesit nga Kosova që kalojë pushimet në Shqipëri.
———-
Shkodra: Të unifikojmë sistemin fiskal dhe doganat
Në lidhje me marrëdhëniet Shqipëri – Kosovë, ka një risi për këtë vit. Ka nisur një bashkëpunim me Odën Ekonomike të Kosovës dhe Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës, e cila është forcuar përmes një marrëveshje për krijimin e zyrave të bashkëpunimit ekonomik. Pra, aktualisht në zyrat e DHTI-së është hapur zyra e bashkëpunimit me OEK-në, e njëjta gjë është bërë edhe nga pala e Kosovës. Zyra “antenë” është ngritur me qëllim që të jemi sa më pranë biznesit, që do të thotë pranë bizneseve të Kosovës, që operojnë në territorin shqiptar, thotë Arben Shkodra, nënkryetar i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës, në një bisedë për “Monitor” në lidhje me mundësitë e bashkëpunimit ekonomik Shqipëri-Kosovë.
Në këtë zyrë paraqiten qoftë ankesat, por edhe sugjerimet që mund të vijnë nga biznesi, e më pas ndiqen për të marrë zgjidhje pranë autoriteteve apo edhe pranë dhomës.
Nga ana tjetër ka një nismë mes Klubit të Prodhuesve të Kosovës dhe Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë për të rritur mundësitë e bashkëpunimit mes të dyja palëve. Si fillim do të shihen mundësitë për të studiuar prodhimin shqiptar, si dhe me krijimin e lehtësive doganore për produktet shqiptare brenda trojeve shqiptare.
Shkodra thotë se ka një perceptim të gabuar në lidhje me produktet shqiptare dhe duhet që ta thyejmë këtë mentalitet.
Ka paqartësi në lidhje me procedurat e ndryshme, që vazhdimisht e kanë penguar biznesin për të tregtuar mallra në të dy anët e kufirit. “Tregjet tona në 80% të volumit përfaqësohen nga mallra të shteteve të tjera. Në këto kushte ngrihet pyetja përse ky diferencim, përse vetëm 20% e mallrave shqiptare apo Kosova nuk e gjejnë këtë perceptim te konsumatori. Nuk është se ne jemi të standardizuar në të gjitha produktet tona që të mund të tërheqim konsumatorët, por duhet që të gjejmë rrugët e tregut dhe të depërtojmë në to” shtoi ai.
Shkodra propozon që të nisë puna për hartimin dhe implementimin e sistemit fiskal të unifikuar mes dy vendeve tona dhe përgatitjen e kushteve për heqjen e pikave doganore.
———-
Tushaj: Të ndiqet shembulli i industrisë së muzikës
Përparim Tushaj, administrator në ConsultingALB, thotë se ka pengesa reale dhe pengesa artificiale, burokratike që normalisht e frenojnë rritjen e shkëmbimeve me ritmet e duhura. Fatkeqësisht bizneset nga Kosova nuk kanë rezultuar të suksesshme në Shqipëri, duke këshilluar se Shqipëria si treg më i madh duhet të bëjë shumë më tepër për të ndihmuar dhe për të lehtësuar bizneset nga Kosova. Ai tha se krijimi i tregut të përbashkët duhet të jetë në fokus të politikës. Shembulli më pozitiv është industria e muzikës që funksionon si një e vetme, shembull që duhet nga të gjitha linjat e tjera të tregut – tha Tushaj.
Si e vlerësoni bashkëpunimin real ekonomik ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës në raport me angazhimet teorike?
Shqipëria dhe Kosova kanë kaluar një periudhë shumë të errët bashkëpunimi nga viti 1948 deri në vitin 1999, kur në njëfarë mënyre, kufijtë u hapën në aspektin politik. Në aspektin ekonomik, mundësia e bashkëpunimit praktikisht fillon pas ndërtimit të rrugës Durrës-Prishtinë, pra më pak se 10 vjet. Duke pasur parasysh periudhën e ndarjes, që ka çuar në ndryshime të forta në mentalitet dhe në llojet e produkteve e shërbimeve, mendoj që shkëmbimet në fushën ekonomike kanë ecur me ritme të mira, por shumë larg kapaciteteve të tyre.
Çfarë pengesash evidentohen në këtë bashkëpunim dhe çfarë duhet të përmirësohet?
Ka pengesa reale dhe pengesa artificiale, burokratike, që normalisht e frenojnë rritjen e shkëmbimeve me ritmet e duhura. Sa u takon pengesave reale, mendoj që duhet të krijohet një grup pune i përbashkët që të analizojnë ekonomitë e të dy vendeve, mundësitë, kapacitetet, kompaktibilitetin dhe të dalin me një propozim konkret për të dy qeveritë për drejtimet strategjike për vitet e ardhshme.
Kurse tek faktorët artificialë, bizneset në anketa, takime apo biseda të përditshme përmendin më shpesh: burokracitë e administratës doganore (sidomos e Shqipërisë), mosnjohjen e produkteve respektive, ndërgjegjësimin e bizneseve për mundësitë që kanë për të investuar, mbështetja shumë e vogël nga qeveritë respektive, burokracitë për leje pune, qëndrimi etj.
Bizneset janë gjithnjë shumë para qeverive në zhvillimin e tyre. Prandaj ata i kanë gati edhe rekomandimet për të ecur para. Disa nga rekomandimet janë: Lehtësimi i taksave, tatimeve dhe burokracive të tjera administrative, ndërhyrjet në legjislacionet përkatëse për të lehtësuar marrëdhëniet/investimet dypalëshe me një përshtatje si ato të BE-së, orientimi i investimeve në projekte me interes të përbashkët me qëllim që investimet të bëhen për një treg 5-6 milionë, të përgatiten strategji të qarta e të dakorduara me komunitetet e biznesit, qarkullimi i lirë i fuqisë punëtore në vendet respektive sipas shembullit të BE-së, etj.
Sa të lehtë e ka bashkëpunimin me Shqipërinë një biznes në Kosovë në raport me vendet e tjera të rajonit?
Fatkeqësisht, bizneset nga Kosova nuk kanë rezultuar të suksesshëm në Shqipëri. Për këtë, pjesa më e madhe e tyre kanë ndryshuar formën e organizimit, duke krijuar bashkëpunim me kompani të Shqipërisë për të shitur produktet e tyre. Një shembull pozitiv mund të përmendim hyrjen në tregun e Shqipërisë të birrës “Peja”. E kjo vlen edhe për mundësitë e investimeve nga bashkatdhetarët nga Kosova, që nuk janë gjithnjë të mirëpritura e aq më pak të inkurajuara.
Çfarë të metash ka Kosova dhe çfarë Shqipëria, në drejtim të këtij bashkëpunimi?
Mendoj që deri diku të metat janë të dyanshme, por gjithsesi Shqipëria si treg më i madh, duhet të bëjë shumë më tepër për të ndihmuar dhe për të lehtësuar bizneset nga Kosova. Mendoj që synimi final duhet të jetë që një biznes i regjistruar në Tiranë (Shqipëri) të njihet dhe në Prishtinë (Kosovë) siç e përmenda më lart sipas modelit të BE-së.
A duhet të unifikohen politikat për një treg të përbashkët dhe në këtë kuadër a duhet të përputhen politikat e taksave, arsimit dhe zhvillimit etj.?
Ekonomia, bizneset kanë në themel të tyre eficencën. Aktualisht kemi dy tregje me afërsisht 3 milionë, njëri, dhe 2 milionë tjetri, që nuk janë mjaftueshëm atraktivë për investime. Ama një treg prej 5 milionsh ka tjetër mundësi për investitorët. Kuptohet që në kushtet aktuale nuk ka mundësi bashkimi në një shtet, por ama gjithnjë janë mundësitë për krijimin e një njësie ekonomike. Shembulli më pozitiv është industria e muzikës që funksionon si një e vetme. Absolutisht, formimi i brezave të rinj, zhvillimi i tyre duhet të unifikohen, kjo krijon bazë të fuqishme për afrimin gjithnjë e më shumë të bizneseve në vitet në vazhdim.
Një treg 5 milionë shumëfishon interesin e investitorëve të huaj e për më tepër do të rriste shumë interesin edhe të investitorëve nga të dy vendet.
Si përfundim, unë jam pjesë e njerëzve optimistë, mendoj që me pak përkushtim nga të gjithë neve e sidomos nga vendimmarrësit në të dy anët e kufirit, bashkëpunimi do të vazhdojë të rritet.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.