Shoqata Gjermane e Industrisë dhe Tregtisë në Shqipëri – DIHA – propozon në një letër pozicionimi të re, hapa konkrete për zhvillimin ekonomik në Shqipëri. Në pritjen e vitit të ri, që u realizua më 22 janar 2014 në Ambasadën Gjermane në Tiranë, përfaqësuesit e biznesit gjerman në Shqipëri u dorëzuan përfaqësuesve të Qeverisë Shqiptare një letër pozicionimi.
Nën moton „20 Hapa për Ekonominë Shqiptare“, përfaqësuesit e biznesit bëjnë të qartë, se shohin një potencial të madh në Shqipëri – veçanërisht në fushat si logjistika, infrastruktura, shërbimet financiare, energjia, minierat, nafta/gazi, industria e lehtë, bujqësia, ndërtimi, turizmi dhe tregtia. Në të njëjtën kohë, ata shprehin gatishmërinë e tyre për të dhënë kontribut në zhvillimin e mëtejshëm ekonomik të Shqipërisë, si dhe për të ndihmuar në afrimin e saj drejt Bashkimit Europian.
Dy janë faktorët kryesorë, të cilët janë të një rëndësie thelbësore për rekrutimin e investitorëve të rinj:
1. Ekzistenca e një kuadri të përgjithshëm strukturor dhe ligjor të besueshëm, në përputhje me standardet europiane.
2. Përvoja pozitive e kompanive të huaja që operojnë tashmë në Shqipëri
Ambasadori Gjerman në Shqipëri shprehet se është e dëshirueshme që të interesohen më tepër investitorë gjermanë për Shqipërinë: “Për këtë do të duhej që të gjitha autoritetet përgjegjëse të dërgojnë sinjalet e duhura, për rritjen e shkallës së besueshmërisë, ndër kompanitë e huaja që tashmë janë në Shqipëri”.
Propozime konkrete për veprim
“20 Hapa për Ekonominë Shqiptare”, prezanton propozime për veprim në 6 fusha kryesore për zhvillimin ekonomik:
1. Komunikimi dhe marrëdhëniet me publikun
2. Kuadri Ligjor
3. Hyrja në treg
4. Taksimi dhe dogana
5. Marrëdhëniet financiare me kompanitë
6. Arsimi
Në sugjerimet më të rëndësishme përfshihet dhe zgjerimi i kanaleve bilaterale të komunikimit – caktimi i një personi kontakti (qendror) në ministri dhe dikastere të tjera, zvogëlimi i pengesave burokratike për hyrjen në treg të kompanive të huaja, rritja e besueshmërisë në dhënien e licencave dhe koncesioneve, si dhe funksionimi më i mirë dhe bazuar në nevojat e tregut të punës, të sistemit arsimor.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.