Për drejtuesit e Dhomave të huaja të Tregtisë dhe Shoqatave të Biznesit është e domosdoshme që të përmirësohet klima e të bërit biznes në vend, për të tërhequr si investime të huaja, ashtu dhe për të nxitur investimet e brendshme.
Për drejtorin ekzekutiv të Dhomës Amerikane të Tregtisë dhe Industrisë, Lorenc Gjoni, Shqipëria ka disavantazh me vendet e rajonit, si për nivelin e taksave ashtu dhe për mungesën e stimujve. Elementë të tjerë, ku duhet punuar janë funksionimi i sistemit ligjor, mbrojtja e së drejtës së pronës, nevoja për qartësi dhe qëndrueshmëri në sistemin fiskal, si dhe një strategji e qartë dhe e mbështetur në studime konkrete sektoriale për zhvillim dhe thithjen e Investimeve të Huaja Direkte.
Geri Selenica nga Qendra Shqiptare për Studime Strategjike thotë se niveli i ulët i investimeve lidhet me disa faktorë si klima e keqe e biznesit e krijuar nga qeveria shqiptare (arsye subjektive); mungesa e potencialeve për investime serioze në Shqipëri (arsye objektive) dhe kriza ekonomike botërore, që po hyn në vitin e tetë (arsye globale).
Altin Furtuna, sekretar i Dhomës Turke të Tregtisë pohon se investimet e huaja në Shqipëri pengohen nga mungesa e projekteve fizibël mbi produktet konkrete, së dyti transparenca dhe se fundmi e ngathtësia e autoriteteve në vendimmarrje, pasi për korporatat koha është investimi më i madh.
Nikollaq Neranxi nga Shoqata për Mbrojtjen e Tregtarëve thotë se ulja e taksave dhe e tatimeve, komunikimi i vazhdueshëm me biznesin për të kuptuar nevojat tona, investimi në infrastrukturë, ulja e çmimit të energjisë elektrike, ulja e çmimit të karburantit dhe rritja e cilësisë së tij, mund të krijonin pak frymëmarrje për këtë ekonomi të asfiksuar.
Flet drejtori ekzekutiv i Dhomës Amerikane të Tregtisë dhe Industrisë, Lorenc Gjoni
Interesi amerikan për investime të reja në Shqipëri, i vakët
Në Shqipëri ka shumë pak kompani amerikane, por nuk mund të themi se ka një numër të madh kompanish amerikane që po interesohen për të kryer investime të reja në vend. Pak a shumë, kjo është marrëdhënia e Shqipërisë me investitorët amerikanë në këto momente, sipas drejtorit ekzekutiv të Dhomës Amerikane të Tregtisë dhe Industrisë, Lorenc Gjoni. Në një intervistë për “Monitor”, ai pohoi se Shqipëria ka humbur konkurrueshmërinë rajonale me taksat, ndërsa cenimi i sigurisë juridike, të drejtat mbi pronën dhe problemet me korrupsionin janë pengesë për investimet e huaja në Shqipëri.
A janë të interesuara korporatat amerikane për të investuar në Shqipëri. Cilat konkretisht?
Gjatë vitit të fundit, nuk kemi dëgjuar për kompani të reja amerikane që po mendojnë të investojnë në Shqipëri. Një nga kompanitë e pranishme në Shqipëri, NCH Capital, ka shtuar investimin, duke blerë një bankë të cilën e transformoi në një bankë të re, Banka Amerikane e Investimeve, por nuk mund të themi se ka një numër të madh kompanish amerikane që po interesohen për të kryer investime të reja në Shqipëri.
Çfarë ka për të ofruar më shumë dhe çfarë ofron më pak se rajoni Shqipëria për investitorët e huaj?
Shqipëria ka një potencial të mirë për zhvillimin e turizmit dhe bujqësisë, por ka nevojë për më tepër që ta dallojë veten nga vendet e tjera të rajonit. Kostoja e ulët e krahut të punës, nga një forcë punëtore në moshë të re, me arsim të lartë dhe me gjuhë të huaja është një avantazh për gjithë rajonin në krahasim me Europën Qendrore dhe atë Perëndimore. Shfrytëzimi i transportit detar mund të jetë një avantazh tjetër, por integrimi i mirë në rrjetin e transportit rrugor ishte arsyeja që një kompani amerikane zgjodhi Maqedoninë para disa vitesh.
Një nga dallimet e dukshme midis vendeve të rajonit është te niveli i taksave. Nëse krahasojmë barrën totale të taksave (ku përfshihen tatimfitimi, sigurimet shoqërore e shëndetësore, etj.) të shprehur si përqindje të fitimit, me vendet e rajonit, shohim që Shqipëria (≈35%) është në pozitë më të mirë se Serbia (≈40%), por disa vende të tjera (Bosnja, Kosova, dhe Mali i Zi) kanë një barrë më të ulët se 25% dhe Maqedonia e ka më pak se 15%. (Burimi: Banka Botërore, “Të bësh biznes 2016”).
Një element tjetër ku Shqipëria nuk konkurron si duhet ka të bëjë me stimujt që ofron për investimet e reja. Në fillim të vitit u diskutuan paketat që do të shoqëronin investime në “zonat e lira” (më saktë: TEDA, Technical and Economic Development Areas), kur zonat në vende fqinjë janë ndërkaq funksionale dhe kanë tërhequr disa investime të reja.
Cilët janë sektorët që qeveria duhet t’u japë prioritet për investime?
Siç e përmenda më sipër, bujqësia dhe turizmi janë sektorë me mjaft potencial, por i duhet dhënë prioritet jo vetëm një sektori të caktuar por edhe infrastrukturës së nevojshme për zhvillim. Sektori i energjisë dhe ai minerar janë me mjaft interes, megjithëse ky i fundit mund të jetë më i ndjeshëm ndaj luhatjeve të çmimeve në tregjet globale. Përsëri, investimet në infrastrukturë, në paralel me dhënien e prioritetit, mund të jenë të nevojshme për të realizuar potencialin e këtyre sektorëve.
Cilat janë pengesat kryesore për një kompani që do të investojë në Shqipëri?
Gjatë një takimi midis Sekretariatit të Këshillit të Investimeve dhe përfaqësuesve të Dhomës, kemi diskutuar pikërisht këtë temë, sepse do të jetë edhe tema e takimit të radhës të Këshillit në fjalë. Gjatë diskutimit u theksua funksionimi i sistemit ligjor, mbrojtja e së drejtës së pronës, nevoja për qartësi dhe qëndrueshmëri në sistemin fiskal, si dhe një strategji e qartë dhe e mbështetur në studime konkrete sektoriale për zhvillim dhe thithjen e Investimeve të Huaja Direkte. Mungesa ose mosfunksionimi i këtyre elementeve, së bashku me korrupsionin që sjell pengesa të qëllimshme, përbëjnë pengesat kryesore për kompanitë që duan të investojnë në Shqipëri.
A duhen ndërhyrje në përmirësimin e klimës së biznesit dhe ku duhen bërë këto ndërhyrje?
Përmirësimi i klimës së biznesit është i domosdoshëm për zhvillimin me shpejtësinë e duhur të ekonomisë shqiptare, dhe eliminimi i pengesave që përmendëm më sipër duhet të jetë prioritet. Dua të theksoj, në këtë pikë, se nuk mjaftojnë thjesht disa rregullime – sado të mira e të dëshirueshme – por duhen reforma të mirëfillta me synime të qarta afatmesme dhe afatgjata të zhvillimit. “Gur, gur bëhet mur; dhe mur, mur bëhet kala”, por gur, gur bëhet edhe vetëm një pirg me gurë, dhe ndryshimi besoj se është i qartë.
Kemi vënë re se disa kompani amerikane janë të pranishme në rajon sidomos në industrinë e pjesëve të makinave. A ka interes për Shqipërinë në këtë drejtim?
Kam dëgjuar herë pas here për shfaqje interesi fillestar, por nuk di ndonjë rast në të cilin ky interes të ketë kaluar në studime fizibiliteti, due diligence, apo negociata konkrete. Megjithatë, kompanitë nuk kanë dëshirë t’i deklarojnë planet para kohe, ndaj mbetet e rëndësishme që të ruajmë marrëdhënie të shëndetshme me kompanitë që kanë investuar dhe janë të pranishme në vend, sepse veprimtaria e tyre është ndër të parat gjëra që kompanitë e tjera shohin me vëmendje gjatë kohës së studimit dhe asaj të marrjes së vendimit për të investuar.
Flet Geri Selenica nga Qendra Shqiptare për Studime Strategjike, njëkohësisht konsulent për investimet kineze në Shqipëri
Investitorët kinezë po i sorrollasin
Exim Bank, banka që përfaqëson qeverinë kineze, e ka vendosur Shqipërinë në listën e zezë dhe për një periudhë katërvjeçare nuk do të vlerësojnë asnjë projekt financimi për Shqipërinë. Geri Selenica nga Qendra Shqiptare për Studime Strategjike, njëkohësisht konsulent për investimet kineze në Shqipëri, tha se ky vendim erdhi sepse pas vlerësimeve të analistëve të Exim Bank rezultoi që projekti i Rrugës së Arbrit ishte një projekt i keq, madje tejet korruptiv. Pikërisht nga dështimi i këtij projekti por edhe nga mosvlerësimi e sorollatja e propozimeve serioze kineze, kjo bankë nuk do të financojë asnjë projekt për Shqipërinë katër vitet e fundit. Selenica tha se ky vendim i është komunikuar para dy javësh disa kompanive kineze që kishin aplikuar për kredi për financimin e projekteve të ndryshme në Shqipëri. Ai tha se, kompani më të mëdha kineze si PowerChina, China State Construction Enginering C, Norinco Group e shumë të tjera janë ofruar të investojnë në Shqipëri miliona euro, por klima e pafavorshme për të bërë biznes në vend ka penguar jetëzimin e projekteve të tyre.
Cilat kompani kineze janë të interesuara për të investuar në Shqipëri aktualisht?
Vitet e fundit, korporata të mëdha kineze kanë pasur interes të investojnë kryesisht në sektorin energjetik, në hidroenergji dhe më pak në nxjerrjen e naftës dhe gazit.
Konkretisht:
1 – PowerChina (http://en.powerchina.cn/) ka ofruar në tetor 2014 financimin, projektimin dhe ndërtimin për llogari të KESH të HEC Skavica 485 metër (e madhe). Investimi kapte vlerën e 1 miliard eurove nga të cilat, 600 milionë për ndërtimin e digës dhe mbi 500 milionë euro për shpronësimet dhe rehabilitimin mjedisor dhe ekonomik të zonës së përmbytur. PowerChina është kompania më e madhe në botë në ndërtimin e HEC-eve (me 53% të tregut botëror) dhe ka avantazhe të mëdha teknologjike në ndërtimin e HEC-eve. Kjo kompani propozoi që HEC Skavicën ta ndërtonte brenda 4 viteve me teknologjinë më të avancuar me digë me dy harqe betoni. Po ashtu kishte në plan rehabilitimin e zonës së përmbytur me standardet më të larta mjedisore e socio-ekonomike. Projekti parashikonte jo zhvendosjen e popullsisë në zona të tjera, por në të njëjtën zonë ofronte ndërtimin e fshatrave të reja me parametrat urbanë të shekullit të 21, duke e kthyer liqenin e Skavicës në një Zvicër të vogël me theks në agroturizëm, akuakulturë dhe bujqësi. 36 inxhinierë kinezë kanë punuar mbi një vit në Skavicë dhe në Tiranë, shumë të tjerë kanë punuar nga Kina.
Mënyra e financimit të Skavicës ishte një kredi e butë për KESH-in mbi 1 miliard euro, e cila do të mund të shlyhej me 15 këste për 15 vjet pas përfundimit të veprës. Ndërkohë sipas llogaritjeve të kinezëve, HEC Skavica 485 m do të shlyente investimin për 12 vjet, pasi do të kishte një kapacitet prodhimi prej 2 milionë GWh në vit, pra me vlerë 100 milionë euro në vit. Ky do të ishte investim shumë strategjik për ekonominë shqiptare.
Qeveria nuk u ktheu kurrë përgjigje kinezëve. Madje, Kryeministri Edi Rama as nuk doli t’i priste në zyrën e tij presidentin dhe drejtuesit e lartë të firmës kineze, të cilët e kishin mirëpritur një muaj më parë në Pekin.
2 – Po për HEC Skavicën 485 m janë ofruar edhe dy kompani të tjera gjigante kineze: Gezhouba (http://www.cggc.ç/) dhe Norinco Group (http://en.norincogroup.com.cn/). Madje kjo e fundit i ka ofruar Kryeministrit Rama një kredi të butë për ndërtimin e HEC-it me afat kthimi 35 vjet, me 2% interes dhe 7 vitet e para falas.
3 – Power China dhe China State Grid (http://www.sgç.com.cn/) i ofruan qeverisë shqiptare rinovimin total të OSHEE, që nga telat e deri tek matësit inteligjentë. Por qeveria nuk ktheu asnjëherë përgjigje për këtë investim 600 milionë euro. Ndërkohë që nuk pranoi zgjidhjen inxhinierike kineze, preferoi të bëjë një test të kotë me një firmë gjermane për 16,000 matës inteligjentë (të prodhuar po në Kinë), ndërsa tani, pas dështimit me ta, ka hedhur idenë që të rinovojë OSHEE me “PPP”!!!
4 – Po firmat e mësipërme kineze janë ofruar të ndërtojnë HEC-et e kaskadës së Vjosës, por qeveria shqiptare s’iu ktheu kurrë përgjigje e i ka dhënë HEC Poçemin një firme turke.
5 – Ka një interes shumë real nga kompania China State Construction Enginering Co. (http://english.cscec.com/) për të ndërtuar 26 kilometra të Rrugës së Arbrit. Por, siç duket, projekti është bllokuar krejtësisht për faj të qeverisë shqiptare, pasi qeveria i ka orientuar kinezët në investimin e gabuar, duke ofruar një projekt me garanci trafiku në një rrugë ku nuk ka trafik. Ndërkohë që mund t’i orientonte kinezët te Korridori Adriatiko-Jonian. Pa llogaritur praktikën tejet korruptive dhe jo transparente të negocimit të kësaj marrëveshjeje, ku qeveria gënjen kur thotë se Rruga e Arbrit është një propozim i pakërkuar kinez. Projektin e Rrugës së Arbrit e ka bërë qeveria shqiptare që në vitin 2002. Në fakt, për Rrugën e Arbrit, qeveria do të merrte një kredi e fshehtë nga China Exim Bank. Dhe për Rrugën e Arbrit, qeveria duhej të bënte tender, siç është bërë në të gjitha vendet ku ka financuar Exim Bank. Mosbërja e tenderimit është një nga elementet korruptivë të këtij projekti. Kjo ka bërë që kostot e rrugës të disafishohen.
Kryeministri kinez, në dhjetor 2014, i bëri për herë të parë një favor qeverisë shqiptare, ku për financimin e Rrugës së Arbrit nga China Exim Bank nuk kërkoi “garanci sovrane”, por vetëm “garanci trafiku”. Këtë favor, qeveria shqiptare nuk e kuptoi ose nuk e vlerësoi.
Pas vlerësimeve të analistëve të Exim Bank rezultoi që projekti i Rrugës së Arbrit qe një projekt i keq, madje tejet korruptiv. Pikërisht nga dështimi i këtij projekti, por edhe nga mosvlerësimi e sorollatja e propozimeve serioze kineze, kjo bankë që përfaqëson qeverinë kineze, e ka vendosur Shqipërinë në listën e zezë dhe për një periudhë katërvjeçare nuk do të vlerësojnë asnjë projekt financimi për Shqipërinë.
Ky vendim i është komunikuar para dy javësh disa kompanive kineze që kishin aplikuar për kredi për financimin e projekteve të ndryshme në Shqipëri.
6 – Në sektorin e hidrokarbureve kanë shprehur interes China Energy Fund Co. (http://www.cefc.co) dhe China National Petroleum Co (http://www.cnpc.com.cn/en/). Ndërkohë që kompania kineze Geo Jade Petroleum (http:/www.geojade.com/html/en), që nënshkroi me Bankers Petroleum marrëveshjen e interesit për blerjen e aksioneve me dyfishin e vlerës së bursës, është një kompani e vogël private kineze e listuar në bursë.
7 – Në sektorin e ndërtimit të rrugëve ka pasur interes nga disa firma kineze si: Sinohydro, China Pacific Construction dhe CRBC. Për dijeni, Sinohydro po ndërton dy autostrada në Maqedoni, ndërsa CRBC një autostradë në Malin e Zi dhe do të ndërtojë hekurudhën e shpejtë Rijeka-Zagreb-Hungari. Madje CRBC do ta hedhë në gjyq qeverinë tonë për skualifikimin e ofertës së saj në tenderin e Mirëmbajtjes së Rrugës së Kombit.
Asnjë firmë nuk ka pasur sukses për rrugët në Shqipëri, pasi nuk ka asnjë projekt serioz rrugësh apo hekurudhash dhe Shqipëria nuk ka mundësi financimi për të tilla projekte. Vënia e Shqipërisë në listën e zezë nga Exim Bank e bllokon automatikisht çdo interes nga firmat kineze për ndërtim rrugësh dhe autostradash në Shqipëri.
8 – Ka pasur interes nga një firmë e vogël kineze “për t’u angazhuar” në zhvillimin e “Zonës industriale të Spitallës”, por qeveria kineze e ka lajmëruar zyrtarisht qeverinë shqiptare për paaftësinë financiare dhe mungesën e kompetencës së firmës së vogël kineze për të zhvilluar Spitallën. Shkurt, qeveria shqiptare ka dalë blof me Spitallën dhe ka marrë një vlerësim mjaft negativ mbi mënyrën e të bërit biznes në Shqipëri.
9 – Në vitin 2013, qeveria mori dy propozime në vlera disa miliardë euro nga Kina për pyllëzimin e 100,000 hektarëve me pemë Paulownia dhe kultivimin e kastravecëve të detit. Qeveria shqiptare qe e paaftë për të vlerësuar propozime të tilla në rrugë institucionale, madje më keq i kanalizoi këto propozime në persona privatë jokompetentë dhe qesharakë, aq sa kinezët nuk u dukën më në Shqipëri.
10 – Po në vitin 2013 Qeveria mori propozim, që vetëm me një kërkesë drejtuar Qeverisë Kineze, mund të përfitonte dhuratë skanera NUCTECH (http://www.nuctech.com/), të ngjashëm me skanerin që po Kina ia ka dhuruar në 2008-ën. Këta janë të teknologjisë më të lartë, që bëjnë skanimin e kontenierëve në 3D dhe arrijnë të shohin edhe përbërjen e materialeve. Pra lenë zero mundësi për kontrabandë. NUCTECH bile propozoi që mund të realizonte një kontroll on-line në distancë të çdo kontenieri dhe kamjoni. Por Qeveria Shqiptare e refuzoi këtë ofertë gratis, për të vazhduar me “koncesionin e skanimeve”.
11 – Mbase kompania kineze China Everbright Ltd (Hong Kong), që po negocion për të blerë Tirana International Airport (TIA), mund të jetë e vetmja që mund të ketë sukses në Shqipëri, pasi TIA është një biznes i sigurt dhe i konsoliduar. Unë mund ta shpjegoj këtë levizje të China Everbright si nevojë për diversifikim portofoli, pasi kjo kompani kuotohet në bursë dhe shumicën e aseteve i ka në energjinë e gjelbër dhe teknologjinë e lartë, që janë fushat më të kërkuara, por dhe më me risk në bursë. Pra blerja e një aeroporti bëhet për të përmirësuar portofolin e aseteve me fusha më stabël, ç’ka do t’i jepte edhe më qëndrueshmëri e besueshmeri aksioneve të saj.
Cilat janë pengesat kryesore për një kompani që do të investojë në Shqipëri?
Shkurt, interesi për investime kineze në Shqipëri ka pësuar një dështim të plotë, në radhë të parë për paaftësi të qeverisë shqiptare dhe korrupsionin. Jam i sigurt që edhe për disa vite nuk do të shohim asnjë investim serioz kinez në Shqipëri, ndërkohë që Kina po investon kudo në Europë. Ministri Ahmetaj që i ftonte kinezët “të fokusoheshin tek Shqipëria, si ura më e mirë drejt Europës”, tani duhet të përqendrohet në vende të tjera.
Arsyet kryesore për mungesën e investimeve të huaja janë
– së pari, klima e keqe e biznesit e krijuar nga qeveria shqiptare (arsye subjektive);
– së dyti, mungesa e potencialeve për investime serioze në Shqipëri (arsye objektive);
– së treti, kriza ekonomike botërore, që po hyn në vitin e tetë (arsye globale).
Le të fokusohemi tek arsyeja kryesore e klimës së keqe të biznesit në Shqipëri. Faktorët kryesorë pengues janë pasiguria juridike, korrupsioni dhe paaftësia në të gjitha nivelet e administratës publike. Politika fiskale e çoroditur e qeverisë, me taksa të larta në raport me rajonin dhe me dhunën fiskale që ushtron, po pengon edhe dëshirat më të vogla për të investuar në Shqipëri. Ndërkohë që vende si Maqedonia janë në krye të klimës së mikpritjes së investimeve të huaja. Madje tani që komunikojmë ndodhem në Greqi me një grup investitorësh kinezë, të cilët kanë incentiva shumë të mëdha për të investuar në Greqi.
Cilët janë sektorët që qeveria duhet t’u japë prioritet për investime?
Qeveria shqiptare, edhe pas tre vitesh, nuk ka bërë analizën se në cilët sektorë duhet investuar dhe nuk ka një strategji afatgjatë të zhvillimit ekonomik të vendit. Sektorët që mund të sjellin zhvillim të qëndrueshëm janë energjetika, bujqësia, turizmi, përpunimi vertikal i mineraleve, teknologjia e informacionit dhe kryesorja është kthimi i Shqipërisë në një nyje tregtie e transporti rajonal.
Flet Altin Furtuna, sekretar i Dhomës Turke të Tregtisë
Dhoma Turke e Tregtisë: Investimet e huaja, Shqipëria të prodhojë projekte fizibël
Për disa sektorë, Shqipëria ka avantazhe dhe kapacitete të padiskutueshme, në disa të tjerë, vende të ndryshme të rajonit kanë një avantazh të rëndësishëm. Altin Furtuna, sekretar i Dhomës Turke të Tregtisë, pohon se investimet e huaja në Shqipëri pengohen nga mungesa e projekteve fizibël mbi produktet konkrete, së dyti transparenca dhe se fundmi e ngathtësia e autoriteteve në vendimmarrje, pasi për korporatat koha është investimi më i madh. Fortuna sugjeron se përmirësimet në klimën e biznesit duhet të orientohen jo vetëm në nivel treguesish makro siç janë politikat fiskale, taksimi, ulja e korrupsionit apo legjislacioni dhe zbatueshmëria e ligjit, por sipas nevojave të sektorëve dhe produkteve e të mos mbeten thjesht përgjithësuese, sepse nevojat janë specifike.
A janë të interesuara korporatat e mëdha turke për të investuar në Shqipëri. Cilat konkretisht?
Korporatat e mëdha turke kanë treguar gjithmonë dhe vazhdojnë të tregojnë interes për të investuar në Shqipëri. Disa prej tyre aktualisht janë aktorë në treg dhe të tjera përpiqen vazhdimisht të jenë të përditësuara mbi zhvillimet ekonomike dhe mundësitë e investimeve në Shqipëri, në mënyrë që të kenë mundësinë e përfshirjes, në përputhje me strategjitë respektive të këtyre korporatave për shtrirje dhe diversifikim të portofolit të investimeve.
Çfarë ka për të ofruar më shumë se rajoni Shqipëria për investitorët?
Krahasimet empirike të një ose më shumë faktorëve të ofertave që ndikojnë investitorët shpesh nuk janë të mjaftueshme për të bërë një analizë që do të çonte në një vendimmarrje pozitive për të realizuar një investim. Vendimmarrja e korporatave bazohet në sektorë dhe produkte specifike të secilit sektor ku korporata ka aktivitetin e saj. Për disa sektorë, Shqipëria ka avantazhe dhe kapacitete të padiskutueshme, në sektorë të tjerë, vende të ndryshme të rajonit kanë një avantazh të rëndësishëm. Duhet të kuptohet qartë që korporatat marrin vendime për investime të orientuara nga produkti, balanca e kërkesë-ofertës dhe raporteve furnitor-klient, sipas këtyre analizave mundësia për një investim do të rritej eksponencialisht n.q.s oferta do të orientohej te produkti.
Cilët janë sektorët që qeveria duhet të prioritizojë për investime?
Qeveria ka bërë një punë të mirë në lidhje me prioritetin që u ka dhënë disa sektorëve për investime. Të gjithë sektorët që qeveria ka shpallur si prioritarë deri më sot janë nga ata sektorë në të cilat Shqipëria ka avantazhe në raport me rajonin. Problemi qëndron në faktin se prioriteti për një sektor është i pamjaftueshëm, po nuk ishte i orientuar nga produkti. Produkti është specifik, është i prekshëm për investitorin, është i analizueshëm.
Cilat janë pengesat kryesore për një kompani që do të investojë në Shqipëri?
Sigurisht që ka një seri analizash të nevojshme për një korporatë që të llogarisë pengesat ose më saktë anët pozitive apo negative të një mundësie investimi në Shqipëri. Gjithsesi, duke pasur parasysh modelet e vendimmarrjes të korporatave, janë tre pengesat kryesore për këto mundësi investimi. Së pari, mungesa e projekteve fizibël mbi produkte konkrete, së dyti transparenca dhe së fundmi shpejtësia në vendimmarrje, për korporatat koha është investimi më i madh.
A duhen ndërhyrje në përmirësimin e klimës së biznesit dhe ku duhen bërë këto ndërhyrje?
Ndërhyrjet për përmirësimin e klimës së biznesit janë pjesë e programeve të qeverive edhe të vendeve të zhvilluara dhe sigurisht që ka nevojë dhe vend për ndërhyrje. E rëndësishme është që këto ndërhyrje të bëhen jo vetëm në nivel treguesish makro siç janë politikat fiskale, taksimi, ulja e korrupsionit apo legjislacioni dhe zbatueshmëria e ligjit, por sipas nevojave të sektorëve dhe produkteve, e të mos mbetën thjesht përgjithësuese, sepse nevojat janë specifike. Gjithsesi Shqipëria ka qenë dhe është një vend që edhe duke marrë parasysh të gjitha problematikat ka mundësinë të ofrojë produkte me kosto të ulët dhe shumë konkurruese.
Flet Nikollaq Neranxi nga Shoqata për Mbrojtjen e Tregtarëve
Neranxi: Duhet pak frymëmarrje për ekonominë
Sido që t’i bësh llogaritë, sado fort të punosh, nuk ia del me këtë sistem takash. Nikollaq Neranxi nga Shoqata për Mbrojtjen e Tregtarëve, pohon se pas betejës ligjore për taksat e larta në gjykatat shqiptare, çështjet do të ankimohen deri në Strasburg. Ai pohoi se klima e biznesit është rënduar së tepërmi dhe se qeverisë i ka dalë situata nga kontrolli.
Shoqata për Mbrojtjen e Tregtarëve ka nisur një betejë ligjore me qeverinë. Aktualisht çfarë ligjesh keni çuar për shfuqizim në Gjykatën Kushtetuese?
Gjykata Kushtetuese shfuqizoi ligjin e supergjobave në shumicën e neneve të saj. Aty ishin parashikuar gjoba nga 10 milionë lekë për gabime shumë të vogla. Ishte një ligj i bërë me urrejtje të madhe për biznesin. Gjithsesi beteja jonë ishte e drejtë dhe e fituam. Kemi në Kushtetuese edhe një ligj tjetër. Parlamenti ka ndërhyrë në Kodin Penal ku parashikon burg për biznesmenët. Ai është në proces nga Gjykata. Ndërkohë kemi çuar në Apelin Administrativ paketën e taksave vendore që është e gjitha skandaloze, duke filluar nga individi i thjeshtë, i cili duhet të paguajë nja 4 taksa e deri te bizneset. Nuk dua as ta imagjinoj se çfarë mund të ndodhë me biznesin nëse do t’i paguajnë ato taksa. Është një dënim me vdekje të sigurt i sipërmarrjes së lirë në kryeqytet. Sido që t’i bësh llogaritë, sado fort të punosh, nuk ia del me ato taksa. Ne si shoqatë jemi të vendosur, nëse nuk arrijmë ta rrëzojmë këtu, do ta çojmë në Strasburg, sepse jemi të bindur që ajo është një paketë e padrejtë, antikushtetuese dhe shumë fyese në shumicën e taksave të vendosura.
Cila është kërkesa juaj drejtuar qeverisë apo pushtetit vendor për të tërhequr sa më shumë investitorë apo për t’ju dhënë mundësi bizneseve si të zgjerohen më tej?
Ky është momenti më i papërshtatshëm për t’u futur në treg investitorët e rinj, e kam fjalën këtu për investitorë shqiptarë, por edhe të huaj.
Ulja e taksave dhe e tatimeve, komunikimi i vazhdueshëm me biznesin për të kuptuar nevojat tona, investimi në infrastrukturë, ulja e çmimit të energjisë elektrike, ulja e çmimit të karburantit dhe rritja e cilësisë së tij, mund të krijonin pak frymëmarrje për këtë ekonomi të asfiksuar.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.