Pavarësisht diferencës në zhvillim industrial dhe largësisë që rajonet kanë ndërmjet tyre, problemet më akute që afektonin të gjitha rajonet ishin jo vetëm të njëjta, por dhe renditja sipas rëndësisë së tyre në jetën e biznesit ishin të ngjashme. Përmendim këtu sipas rëndësisë: 1. Mungesën e dialogut publik-privat 2. Informalitetin 3. Inspektimin tatimor dhe 4. Sektorializimin e TVSH 5. Korrupsionin.
Nga Esmeralda Ballesha*
Parafjala e ditës në emisionet televizive, por edhe në jetën e përditshme, është politika dhe klima e biznesit. Duket sikur dy aktorët më të rëndësishëm në vend (Qeveria dhe Biznesi) pavarësisht qasjeve herë pas here ‘arbitrare’ dhe herë ‘tolerante’ nuk e kanë gjetur ende çelësin e komunikimit dhe të zhvillimit të një dialogu efektiv, i cili sigurisht jo vetëm do të ulte armët nga të dyja palët, por dhe sinergjia që do të sigurohej nga ndërveprimi ndërmjet tyre më në fund do të përkthehej në shifra më realiste rritjeje ekonomike.
Sigurisht ajo çka të gjitha palët kërkojnë është një klimë biznesi e favorshme jo vetëm për bizneset vendase, por dhe për investimet e shumëkërkuara të huaja, klimë kjo e cila për momentin duket më shumë një fushatë propagandistike televizive sesa realiteti ku biznesi ushtron aktivitetin dhe ku shpeshherë është e pamundur t’i mbijetosh presionit dhe abuzimit që inspektorët i bëjnë pushtetit të dhënë po nga ata, ‘bizneset’.
Por a ekziston problemi vetëm tek njëra palë a te tjetra apo dialogu është diçka më e vështirë të arrihet se thjesht duke organizuar disa tavolina të rrumbullakëta dhe ngritjen e disa institucioneve të cilat ligjërisht duhet të garantojnë që fjala e biznesit, jo vetëm të përçohet, por dhe të përkthehet në zgjidhje të problemeve dhe barrierave ekonomike.
Biznesi, nga ana e tij, është përpjekur të unifikojë kërkesat dhe nevojat duke ngritur një Forum vullnetar, i cili në bazën e vetë ka përfaqësimin e interesave të bizneseve që operojnë në Shqipëri, në dialog me institucionet publike.
Në nëntor të 2013-s u themelua nga 12 organizata biznesi NBF (Forumi Kombëtar i Biznesit) i cili në fokus ka unifikimin e kërkesave të biznesit dhe gjetjen e një gjuhe të përbashkët komunikimi me Administratën Publike, ku politikat dhe rekomandimet e dhëna nga ky Forum të sjellin një përmirësim në klimën e biznesit në tërësi.
Në periudhën korrik-shtator 2016, NBF ka zbritur në disa nga rajonet kryesore në Shqipëri (Shkodër, Krujë, Durrës, Tiranë, Korçë, Fier dhe Vlorë) ku përmes takimeve individuale dhe tavolinave të rrumbullakëta janë takuar mbi 150 organizata biznesi dhe biznese aktive në këto qytete dhe është përpjekur të identifikojë problemet dhe barrierat e të bërit biznes në Shqipëri.
Interesante nga një analizë paraprake që NBF ka bërë, është konstatuar se pavarësisht diferencës në zhvillim industrial dhe largësisë që rajonet kanë ndërmjet tyre, doli se problemet më akute që afektonin të gjitha rajonet ishin jo vetëm të njëjta, por dhe renditja sipas rëndësisë së tyre në jetën e biznesit ishin të ngjashme. Përmendim këtu sipas rëndësisë: 1. Mungesën e dialogut publik-privat 2. Informalitetin 3. Inspektimin tatimor dhe 4. Sektorializimin e TVSH 5. Korrupsionin.
Qasja që NBF ka pasur këto vite në trajtimin e disa prej problemeve të mësipërme ka qenë më shumë e orientuar në dhënien e rekomandimeve, të cilat jo vetëm orientonin Administratën Publike të kishte një qasje sa më të drejtë ndaj zgjidhjeve të problemeve, por dhe duke trajnuar biznesin nëpërmjet publikimeve informuese si ‘Kur të vijnë inspektorët tatimorë’ dhe ‘Pse të formalizohemi’.
Por, me sa duket, dhe trajtimi i problemeve jo thjesht me ngritjen e gishtit kundër por dhe dhënia e rekomandimeve konkrete, nuk ka dhënë rezultatet e shumëpritura, aty ku tanimë jo vetëm dialogu duket një monolog qeveritar, por dhe informaliteti ka arritur majat ndoshta dhe më të larta se para aksionit shtator-dhjetor 2015.
Në shkurt të vitit 2017, NBF do të nxjerrë zyrtarisht rekomandimet për 4 problemet më emergjente të ngritura nga biznesi gjatë këtij viti.
Këmbëngulja dhe koha do ta tregojnë nëse zëri i biznesit do të jetë më në fund një rol aktiv në vendimmarrje, gjithsesi ka ardhur momenti për një refleksion dhe jo vetëm paraelektoral nëse publiku dhe privati do ta shohin njëri-tjetrin si aleat dhe jo më si kundërshtar në arenën e të bërit biznes.
*Njësia Koordinuese e Forumit Kombëtar të Biznesit
Facebook: Forumi Kombëtar i Biznesit
Mesazhi
Këmbëngulja dhe koha do ta tregojnë nëse zëri i biznesit do të jetë më në fund një rol aktiv në vendimmarrje, gjithsesi ka ardhur momenti për një refleksion dhe jo vetëm paraelektoral nëse publiku dhe privati do ta shohin njëri-tjetrin si aleat dhe jo më si kundërshtar në arenën e të bërit biznes.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.