Ekzistojnë tri grupe të mëdha në rrjedhën e rrjedhjes së trurit të Shqipërisë që kanë kontribuar në krijimin dhe zgjerimin e diasporës shkencore shqiptare.
Grupi i parë përfshin, ndër të tjera, inxhinierë, agronomë, mësues, gjeologë, ekonomistë, mjekë dhe artistë, të cilët filluan të emigronin në vitet e para të tranzicionit post-socialist, të nxitur kryesisht nga faktorë ekonomikë të tilla si- papunësia, varfëria, ashpërsia e reformat në tranzicion apo pasiguritë pas rënies së skemave financiare të piramidave të korruptuara në vitin 1997.
Sipas INSTAT-it, midis dy regjistrimeve të 1989 dhe 2001, Shqipëria humbi 2,3% të të diplomuarve të saj universitarë, megjithëse rreth 40,000 studentë të tjerë përfunduan studimet e tyre universitare gjatë kësaj periudhë. Një erozion i tillë i burimeve njerëzore ka pasur pasoja sociale dhe ekonomike për Shqipërinë sidomos në përkeqësimin e shërbimeve.
Ish-inxhinierët, ekonomistët, mësuesit dhe artistët shpesh ishin të punësuar si pastrues, kujdestarë fëmijësh apo të moshuarish, apo punë të tjera të rëndomta, pasi ata emigruan ilegalisht, duke mos u bërë përfitim as për vendet pritëse. Ky fenomen vazhdoi intensivisht gjatë dekadës së dytë të migracionit, ku ikën më së shumti femrat për shkak të bashkimit familjar. Sipas të dhënave të OECD-së, emigrimi i shqiptarëve të arsimuar terciar në vitin 2010 dhe 2011 është rritur me 223% (256% për femrat) krahasuar me vitin 2000 dhe 2001.
Kjo formë e emigrimit të trurit tani është rritur përsëri, me grupe të caktuara të profesionistëve më të moshuar, inxhinierëve, specialistëve të IT-së, mjekëve dhe infermierëve – duke e lënë vendin, kryesisht për Gjermaninë. Pothuajse 30% e studentëve që përfunduan studimet në të njëjtin vit si unë kanë shkuar në Gjermani. Çdo vit diplomohen rreth 180 doktorë dhe në 3-4 vitet e fundit rreth 30% kanë emigruar në Gjermani. Kjo, për fat të keq është, një përqindje shumë e lartë, sepse ka pasur një investim gjashtëvjeçar për këta mjekë”
Grupi i dytë përbëhet nga pedagogë universitarë, hulumtues dhe profesionistë të tjerë, kryesisht rreth 35 vjeç, të arsimuar apo të kualifikuar në vendet e BE-së ose në SHBA, të cilët kanë emigruar ligjërisht, së bashku me familjet e tyre. Ky migrim arriti kulmin dy herë, në 1991-1993 dhe 1997-2000, dhe më pas u fashit. Gjatë periudhës 1990-2008 u gjet se 40.6% e stafit universitar dhe hulumtues kanë emigruar, një shifër shumë më e lartë se vendet e tjera në tranzicion, thotë profesor Gëdeshi, autor i studimit.
Në disa universitete dhe institucione kërkimore, veçanërisht në shkencat natyrore, inxhinieri, fizikë dhe arte, përqindja ishte dukshëm më e lartë. Për Universitetin Politeknik të Tiranës, ikja e trurit vlerësohet në 58.2%, nga Instituti i Fizikës Bërthamore, rreth 76% dhe nga Akademia e Arteve, 60%. Migrimi i kësaj elite solli jo vetëm humbjen e kapital njerëzor, por gjithashtu dobësim të kapacitetit për trajnimin e gjeneratave të mëvonshme.
Grupi i tretë përbëhet nga studentë shqiptarë që studiojnë jashtë vendit, duke përfshirë ata që, pas përfundimit të studimeve të tyre, qëndrojnë në vendin pritës ose migrojnë në një tjetër. Statistikat e UNESCO-s tregojnë se numri i studentëve shqiptarë në vendet e avancuara të OECD-së është rritur. Në vitin 1998, rreth 4,596 studentë shqiptarë ishin aktivizuar në universitetet e këtyre vendeve, ndërsa në vitin 2005 kjo shifër arriti në 15,241 dhe në vitin 2016, 24,372 studentë që përfaqësonin rreth 17% të studentëve të regjistruar në Shqipëri, nga 13% në 1998. Shifra të tilla vendosin Shqipërinë në krye të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.