Ndërkohë që në Tiranë përurohej qendra më e re tregtare në vend, TEG, në pjesën veriore, një tjetër “konkurrent” deklaron falimentin. “Praktiker”, zinxhiri gjerman i tregtisë me pakicë, largohet më 24 dhjetor nga Shqipëria. Si po transformohet tregu 2 miliardë euro i retail-it, a rrezikojnë të dështojnë investimet në qendra tregtare dhe si po ndryshon konsumatori shqiptar
Mbi 100 mijë njerëz nxituan drejt pjesës lindore të kryeqytetit për të vizituar dy javë më parë qendrën më të re tregtare dhe njëherësh më të madhe në vend, “Tirana East Gate”, e cila përfshin 165 dyqane, nga të cilat 145 janë hapur. TEG arriti të tërheqë vëmendjen e vizitorëve, numri i të cilëve përllogaritet të ketë arritur në 500 mijë në dhjetë ditët e para të aktivitetit.
Investitori i qendrës, Samir Mane, njëherësh edhe i qendrës së parë në vend, Qendra Tregtare Univers (QTU), megjithëse ndërmori dhe përuroi investimin në një kohë krize dhe kur konsumi rezulton në rënie, ishte i bindur se do të kishte sukses.
“Njerëzit po spostohen drejt qendrave tregtare dhe tregu ka ende hapësirë për marka të mira me çmime të lira”, argumenton Mane.
Vërshimi i vizitorëve drejt qendrave të reja tregtare është tashmë një dukuri e njohur në Shqipëri, fakt i konfirmuar me bllokimin e akseve rrugore në përurimin e çdo qendre të re tregtare që është hapur në vend, si QTU, “Casa Italia” apo “CityPark”. Por, e rëndësishme për ecurinë e tyre është vazhdimësia e vizitorëve dhe natyrisht, niveli i shitjeve, i cili jo për të gjitha qendrat e hapura deri tani ka rezultuar i lartë.
Drejtuesit e TEG kanë evidentuar se shitjet kanë qenë të larta, ku sipas Manes, “për 10 ditët e para, xhiro e qendrës ka arritur në rreth 10 milionë euro, teksa fluksi më i madh ka qenë në ‘Neptun´, ‘Jumbo´ dhe ‘Carrefour´”. Sipas tij, është normale që fluksi do të vijë në rënie, sepse interesi i vizitorëve do të ulet pas vizitës së parë në qendër.
Hapja e “Tirana East Gate” e rrit me 42 mijë m² tregun shqiptar të qendrave tregtare, duke e çuar në mbi 250 mijë m² vetëm hapësira të brendshme tregtimi (përfshirë ambientet e jashtme). Me këto nivele, Shqipëria rezulton të ketë një raport prej 80 m²/1000 banorë të qendrave tregtare në rang vendi, por duke marrë parasysh se qendrat janë ngritur kryesisht në kryeqytet dhe se konsumatorë janë përgjithësisht banorët e Tiranës, Durrësit apo Elbasanit rezulton se raporti real është 208 m²/100 banorë.
Bazuar në të dhënat e “Colliers International” në nivel rajonal, vetëm Beogradi ka një raport më të ulët të stokut të qendrave tregtare për 1,000 banorë (113 m²/1000 banorë) ndërsa Zagrebi dhe Sofja kanë raporte më të larta, respektivisht me 469 dhe 448 m² për 1,000 banorë.
“Megjithatë duhet treguar kujdes në krahasimet e drejtpërdrejta të këtyre indikatorëve, pasi faktorë si fuqia blerëse, trendet e blerjes dhe zhvillimi ekonomik kanë impakt të drejtpërdrejtë në zhvillimin e sektorit të qendrave tregtare në këto vende”, shpjegon menaxherja e “Colliers” në Shqipëri, Stela Dhami.
Risk për mbiprodhim dhe “dështime”?
Përfaqësuesit e qendrave tregtare në vend thonë se kanë pjesën e tyre në treg dhe, me gjithë investimet e reja që hyjnë, risku për dështime është i ulët.
Sipas zv.presidentes së grupit “Balfin”, investitor në QTU dhe TEG, në vitin e parë të operimit të qendrës së re pritet të ketë një ndikim të lehtë në QTU, pasi TEG sjell një qendër tregtare të re në Tiranë.
“Pas vitit të parë dhe me diversifikimin e tenant mix1 në QTU gjykojmë që ndikimi nuk do të jetë më i ndjeshëm. Secila qendër tregtare do të fokusohet në një grup të synuar të caktuar, që do të tërheqë normalisht dhe grupin e klientëve të cilëve u drejtohet. Ulja e informalitetit dhe reformat fiskale do ta orientojnë konsumatorin edhe më shumë për të konsumuar në qendrat tregtare. Kjo do të çojë në përqendrimin e të gjitha kërkesave të konsumatorit në qendrat tregtare”, thotë Edlira Muka.
Të njëjtin opinion e mbështesin edhe aktorë të tjerë të tregut. Genti çela, ekspert në sektorin e retail-it (ish-menaxher i qendrës “CityPark”) thotë se nuk ka element që të mendohet se hapja e qendrës së re tregtare TEG do të “egërsojë” konkurrencën mes qendrave tregtare.
“Sigurisht që do të kemi më shumë marketing nga palët, element që deri tani lë për të dëshiruar në tregun e qendrave tregtare, do të kemi më shumë komunikim dhe njohje të fashion në Shqipëri. Konkurrenca e vërtetë nuk do të jetë ajo mes qendrave tregtare, por ajo me tregtinë informale të së njëjtës natyrë. Në opinionin tim, përfaqësues të qendrave tregtare dhe të njësive të tjera të fashion në treg, duhet “të luftojnë” për eliminimin e informalitetit në rrugë, trotuare apo tregje shitjeje të tipit tek Medreseja”, thotë çela.
Nga ana tjetër, operatorët përjashtojnë mundësinë e një mbiprodhimi të qendrave tregtare, sidomos në raport me fuqinë blerëse. Samir Mane shpjegon se me hyrjen e TEG, tregu është për momentin i plotësuar, por situata mund të ndryshojë në një periudhë 3-vjeçare, ku kërkesa për to mund të rritet.
“Fakt është që hapja e qendrave tregtare është një trend mbarëbotëror. Konsumatori po shkon gjithnjë e më shumë drejt tyre, duke iu larguar dyqaneve të rrugës. Fakti që në Tiranë nuk ka një rrugë të mirëfilltë pedonale me dyqane, siç është në të gjitha vendet europiane dhe në rajon, e nxit më shumë tregun e qendrave tregtare”, shpjegon Mane.
Avantazhi i qendrave tregtare është cilësia e shërbimit, ofrimi i një game artikujsh dhe shërbimesh të ndryshme në të njëjtën vendndodhje, argëtimi, janë avantazhet kryesore që orientojnë konsumatorin të shpenzojë drejt qendrave tregtare.
Edhe Genti çela shton se nuk ka ndonjë tregues apo standard lidhur me raportin qendra tregtare/ fuqi blerëse apo qendra tregtare / numër popullsie. Sot ka bum ndërtimesh të qendrave tregtare (veçanërisht në Turqi, nga ku ne kemi ngjashmëri me stilin e konsumit) apo zgjerim të qendrave ekzistuese (rasti i “Donau Center” në Vjenë). Qendrat tregtare ofrojnë facilitete dhe mundësi përzgjedhje, gjë që janë në favor të konsumatorit.
“Sot, qendrat tregtare, për shkak edhe të argëtimit që ofrojnë, po kthehen në destinacione. Ndaj për sa kohë që ato ndërtohen bazuar në plane biznesi reale dhe të suportuara nga bankat, të cilat në vetvete bëjnë analiza për investimin, nuk janë asnjëherë të tepërta në numër”, thotë çela.
Retail, treg prej 2 miliardë eurosh
Sipas operatorëve, tregtia me pakicë në Shqipëri, duke përfshirë këtu një mori biznesesh, që nga ushqimorët, veshjet, elektroshtëpiaket etj., përllogaritet të ketë një vlerë prej 2 miliardë eurosh, ku rreth 1.2 miliardë euro i përkasin vetëm zonës Tiranë-Durrës, ku shtrihet pjesa më e madhe e popullsisë si dhe fuqia blerëse potenciale.
“Fakt është që qendrat tregtare zënë një pjesë të vogël të tregut, me një pjesë prej 150 milionë eurosh në vit, sipas përllogaritjeve tona. Pjesa më e madhe e tregtisë me pakicë i përket ende dyqaneve dhe sidomos tregjeve të rrugës”, thotë administratori i “Balfin”, Samir Mane.
Një nga degët më potenciale të tregtisë me pakicë janë elektroshtëpiaket, tregu i të cilave përllogaritet të arrijë në mbi 120 milionë euro/vit. Tashmë, në vend janë fuqizuar disa zinxhirë të tregtimit të elektronikës, si “Neptun”, “Euronics”, “Gotech” etj. Sipas drejtorit operacional në “Neptun”, Alexandros Kosenas, tregu i elektronikës është një sektor në një fazë zhvillimi për sa i përket cilësisë së shërbimit ndaj konsumatorit, rritjes së eksperiencës së klientit dhe vazhdimësisë së zinxhirit të ofertës, si dhe strukturës aktuale të retail-eve.
“Nga ana jonë, ne nuk jemi të fokusuar vetëm në ekspansionin numerik, por edhe në cilësi. Për vitin 2010, planet tona janë për zgjerim rrjeti nga 13 pika në 16 pika, duke mbuluar rajone të Shqipërisë. Në krye të zgjerimit të tregtimit me pakicë, shumë shpejt ne do të prezantojmë një njësi të re biznesi, një e-dyqan në funksionalitet të plotë, ku individët të mund të blejnë përmes internetit, pa qenë nevoja të vijnë fizikisht në njësitë tona”, shpjegon Kosenas.
Me zgjerimin e rrjetit të tregtimit me pakicë, kompania parashikon rritje të pjesës së tregut dhe përforcim të pozicionit lider. “Neptun” (pjesë e grupit “Balfin”) ka regjistruar një xhiro prej 4.4 miliardë lekësh në 2010-n, duke vijuar tendencën e rritjes (13% më shumë), pavarësisht nga frenimi i konsumit (të dhënat nga doganat konfirmojnë se importi i pajisjeve e aksesorëve elektronikë ishte 35.7 miliardë lekë në 2010-n, nga 35.4 miliardë lekë në vitin 2009). Sipas kompanisë, rritja ka ardhur si rrjedhojë e mbajtjes së çmimeve të ulëta, zgjerimit të rrjetit të dyqaneve dhe marrjes së tregut nga dyqanet e vogla. Sipas Kosenas, nuk ekziston asnjë risk për konkurrencë të dyqaneve “Neptun” me njëri-tjetrin nga zgjerimi i rrjetit, por parashikon rritje të transaksioneve dhe rritje të mëtejshme si pasojë e zgjerimit të rrjetit dhe pozicionit lider në sektor.
Kompani të tjera të retail-it kanë ndier në 2010-n tendencën e tkurrjes së konsumit të brendshëm. “Euromax”, zinxhiri më i madh i supermarketeve në vend, ka shënuar rënie të xhiros me 22% në vitin 2010. Pasi u ble nga serbët e “Delta Maxi”, kompania ka kaluar tashmë në pronësinë e belgëve, teksa “Delta Holding” (pronari i “Delta Maxi”) ra dakord në fillim të këtij viti të shiste “Delta Maxi” te “Delhaize Group”.
“Mercator – A shpk”, sipas raportit vjetor të grupit “Mercator” ka realizuar një xhiro vjetore prej rreth 4.5 milionë eurosh për vitin 2010 (rreth 621 milionë lekë). Kompania deklaroi humbje për periudhën.
Një zhvillim në zinxhirët e supermarketeve pritet të japë hyrja në treg e gjigantit francez “Carrefour”, planet e të cilit flasin për zgjerim të rrjetit vitin në vazhdim.
Drejt qendrave…
Menaxherja e “Colliers International” në Shqipëri, Stela Dhami, thotë se tregu i retail-it këtë fundvit pati zhvillim të theksuar me hapjen e qendrës së re, e cila ka sjellë rreth 42,000 m² hapësira tregtare të reja në tregun shqiptar.
Kjo qendër ka sjellë në treg disa firma të reja si gjiganti i shitjes me pakicë “Carrefour” dhe “Jumbo Kids”. Marka të reja të cilat kanë hyrë për herë të parë në tregun shqiptar nëpërmjet kësaj qendre janë firma e njohur spanjolle “Cortefiel”, “Piazza Italia”, “Parfois”, “Carpisa”, “Office Shoes” etj. Marka të tjera të reja që priten të hapin ambientet tregtare në këtë qendër në muajt në vijim janë “Aftershock”, “Little Budha” dhe “World of Accessories”.
“Të gjitha këto hapje shihen si shenjë pozitive që biznese të ndryshme kanë për tregun e shitjes me pakicë në Shqipëri, pavarësisht krizës ekonomike. Operatorë të huaj po shfrytëzojnë krizën për t´u zhvilluar në tregje të reja dhe një prej tyre është edhe tregu shqiptar. Për t´u theksuar është edhe hapja shumë pozitive e kësaj qendre, e cila observoi një volum të lartë vizitorësh e shitjesh gjatë ditëve të para të hapjes së saj”, thotë Dhami.
Sipas saj, ndikimi i kësaj qendre në tregun e qendrave tregtare është për t´u parë në afat të mesëm dhe afat të gjatë, por një gjë është e sigurt, që konkurrenca midis komplekseve ekzistuese do të rritet.
“Mbetet në dorën e menaxherëve të suksesshëm të këtyre qendrave tregtare për t´i mirëmarketuar ato dhe për të krijuar një plan marketingu, i cili jo vetëm tërheq konsumatorët në qendrat tregtare, por edhe u jep mundësinë dhe i nxit ata për të shpenzuar në to”, thotë menaxherja e “Colliers”.
Tregu i retail-it në Shqipëri është i ri, kjo sepse qendrat e para tregtare nisën të hapeshin pas 2005-s dhe deri në 2010-n ka pasur vazhdimisht hyrje të reja në treg.
Sipas raportit të fundit të “Colliers” mbi ecurinë e tregut të retail-it, shumë projekte shërbimesh që kanë në përmbajtje hapësira moderne për tregti, janë shtyrë që nga fundviti i 2009-s dhe vazhdojnë të jenë inaktive ose kanë shtyrë planet e zhvillimit.
Me gjithë shtyrjen, në gjysmën e dytë të vitit 2010, tregu i retail në Tiranë ka “mirëpritur” degë të reja franchise në disa qendra ekzistuese tregtare si “Collezione”, “VS Collection”, “Visconti”, “7 Camicie”. Sipas “Colliers”, tregu i retail-it në Tiranë ka aktualisht 12 qendra tradicionale tregtare, nga të cilat 67% janë të përqendruara në zonat periferike, 17% brenda në qytet, 12% brenda qendrave të biznesit dhe 4% në qendër të kryeqytetit.
Zonat periferike janë më të preferuarat nga zhvilluesit e rinj të tregut, falë mundësisë për hapësira të mëdha tregtare, por edhe parkimeve të bollshme. Qendrat aktuale janë “CityPark”, QTU, “Casa Italia”, ETC, “Twin Towers”, “Kristal”, “Condor” dhe “Olympia”.
Ndër qendrat e specializuara në retail përfshijnë edhe franchise italian “Coin” dhe “Department Store & Oviesse Industry” dhe njësinë “Bëje vetë ti” – “Megatek” dhe “Praktiker”.
“Rritja më e madhe në segmentin e tregtisë me pakicë ndodhi në gjysmën e dytë të 2009-s, me një ofertë të shtuar prej 71,000 m², një shifër shumë më e lartë se 35,000 m², që ishte hapësira që hyri në treg në vitin 2005”, thonë agjentët e “Colliers”.
Në kontrast me tendencat e mëparshme të shopping-ut, ku rrugët kryesore dhe qendrat tregtare në qendër dominuan tregun, sot shumë konsumatorë shqiptarë blejnë në hapësira tregtare si “CityPark”, QTU, “Casa Italia”, të gjithë të lokalizuara jashtë Tiranës.
Sipas “Colliers”, një rënie e ashpër prej 20-30% është vënë re në fuqinë blerëse nga blerësit potencialë të dyqaneve në rrugët kryesore. Këto qendra kanë marrë “tregun” e dyqaneve në rrugët kryesore, duke ulur fuqinë blerëse në këtë segment.
Rritet konkurrenca
Të gjithë operatorët e kontaktuar nga “Monitor” konfirmojnë se tashmë qendrat tregtare do të duhet të përballen me një konkurrencë shumë më të fortë, ku të gjitha do të nxitojnë të thithin sa më shumë klientë. Një faktor pozitiv për qendrat tregtare është fakti se gjithnjë e më shumë konsumatorët po shkojnë drejt tyre, por gara është në tërheqjen e fuqisë blerëse që shpenzon dhe nuk “bën xhiro” në qendra tregtare.
Sipas Genti çelës, tashmë qendrat tregtare do të duhet të shpenzojnë më shumë jo vetëm në marketing, por edhe në argëtim. “Është e nevojshme që qendrat të jenë komplekse multifunksionale, që të mund të mbajnë klientin. Ky fakt vihet re edhe në projektet e disa qendrave në vend”, thotë ai.
Në planet e zhvillimit të TEG janë përfshijnë edhe facilitete të tjera për konsumatorët si kinema, një qendër relaksi dhe këndi më i madh i lojërave, në një hapësirë prej 2,500 m². Edhe “CityPark” pritet të hapë së shpejti një ambient kinemaje, ndërkohë që projekti flet për hapjen e një grupi të tillë në verën e vitit 2012. Qendra “Kristal” ka tashmë një kinema, e cila garanton prurje të vizitorëve në ambientet e saj.
Sipas Genti çelës, qendrat tregtare po japin ndikim pozitiv në treg, së pari, në formalizimin e industrisë së retail-it, pasi edhe sot shikon të shiten rëndom veshje nëpër trotuaret e lagjeve të Tiranës.
“Mendo pastaj se ç´ndodh nëpër qytete me më pak zhvillim se Tirana. Kjo do të thotë se kjo industri që finalizon shitjen te konsumatori përfundimtar ka nevojë për t´u rregulluar”, thotë ai.
Operatorët e qendrave tregtare thonë se niveli i informalitetit mbetet i lartë, për sa kohë ka mungesë të kontrollit të organizuar dhe sistematik, sikurse dhe vendet e rajonit. Informaliteti është një nga problemet më serioze që hasin qendrat tregtare në tregun e sotëm dhe prandaj ato zënë ende një përqindje të vogël të shitjeve me pakicë. Për shkak të shtrirjes kryesisht në Tiranë, ato zënë një përqindje më të madhe se në rrethe në terma shitjesh, por përsëri në gjithë vendin nuk zënë ndonjë pjesë të konsiderueshme.
Nga ana tjetër, qendrat tregtare nuk janë thjesht biznese që grupojnë subjekte për tregtim, por si një set aktivitetesh biznesi, të cilat rrisin vlerën e produktit dhe përmirësojnë cilësinë e jetës së konsumatorit. Në këtë këndvështrim, qendrat tregtare ofrojnë përmirësim të mënyrës së jetesës, pasi klienti do të njihet me brand-et, modën, trendin, cilësinë etj.
Kontrastet: Konsumatori, drejt “së lirës” dhe cilësores
Për çdo menaxher apo investitor në tregtinë me pakicë, një nga sfidat më të mëdha është njohja e konsumatorit vendas, që është edhe burimi i të ardhurave të tij. Samir Mane, investitor i TEG, tregon se të gjitha dyqanet në qendër kanë çmime të lira dhe të mesme, sepse ky është targeti që i përshtatet edhe tregut shqiptar.
“Kjo është fasha që ne synojmë dhe mendojmë që është potencial. Në TEG do të kemi vetëm një hapësirë të limituar me disa marka të njohura, të përfshira brenda një dyqani të vetëm”, thotë Mane.
Ky fakt u konfirmua edhe nga ditët e para të TEG, ku fluksin më të madh e patën pikërisht dyqanet me çmimet më të lira apo me ofertat më të shumta.
Drejtori operacional i “Neptun” tregon se “në dyqanin më të ri të kompanisë sonë në TEG, gjatë ditës së parë, më shumë se 100 mijë njerëz vizituan njësinë për të provuar këtë model të ri dhe për të përfituar nga ofertat ekskluzive”.
Përllogaritja e “Neptun” flet për një xhiro prej 500 mijë eurosh vetëm në ditët e para.
“Është e vërtetë që konsumi total është duke rënë si pasojë e presioneve të jashtme. Sjellja konsumatore në blerje po ndryshon, sidomos dy vitet e fundit. Këtë vit është rritur blerja me kredi me 50%, tregues që konfirmon se klientët preferojnë këtë lloj mënyre pagimi sesa cash. Ky është një trend i tregut tashmë, meqë kreditimi po bëhet tërheqës dhe gjithnjë e më shumë kompani po e ofrojnë atë. Ne jemi duke u përpjekur që në çdo pikë shitjeje të ofrojmë financime, bazuar në nevojat e klientëve”, thotë Kosenas.
Në përgjithësi, pjesën më të madhe të shitjeve në “Neptun” e zënë artikujt e nevojës së parë dhe sigurisht ka një përgjigje pozitive ndaj artikujve në promocion.
Për sa i përket produkteve të portofolit, ka kategori si notebook-ët, pajisje lëvizëse dhe smartfone-t që pritet të kenë potencial për rritje të madhe në 2010-n.
“Gjithashtu ka një kthim në treg drejt pajisjeve elektroshtëpiake, një trend ku konsumatorët janë duke zëvendësuar elektroshtëpiaket e tyre të lira me pajisje bashkëkohore, fakt që kthehet në një mundësi shumë interesante për ne. Sigurisht, që zhvillimet në teknologjitë e televizorëve dhe veçanërisht zhvillimi i funksionaliteteve të ‘smart TV´ është një incentivë që do të drejtojë këtë kategori të rëndësishme drejt një rritjeje të mëtejshme vitin e ardhshëm. Megjithatë, ka rritje të dukshme në artikujt me çmime të mesme dhe të larta, sidomos ata argëtues”, shton Kosenas.
Blerjet, si po nxiten me financime
Shitjet gjithnjë e më shumë po vështirësohen sepse konsumatori po tregohet nga njëra anë i kujdesshëm dhe nga ana tjetër po rrit në mënyrë konstante kursimet. “Në këtë kah ushtron ndikimin e vet edhe konkurrenca në produkte dhe shërbime e veçanërisht informacioni lehtësisht i aksesueshëm nëpërmjet internetit për çmime në tregjet fqinje”, pohon z.Emin Barçi Drejtor Ekzekutiv i FINAL – Finance Albania, kompanisë së lizingut financiar. Raporti midis vizitorëve dhe blerësve në shitjet me pakicë sa vjen e po thellohet sidomos për dyqanet e vogla. “Në një situatë të tillë FINAL po i vjen në ndihmë tregut si të shitjeve edhe të blerjeve me pakicë, duke ofruar skema financim tejet të favorshme për të gjithë ata që kanë nevojë për pajisje elektroshtëpiake, produkte informatike, mobilie, celularë etj për vlera deri në 100 mijë lekë. Duke parë vështirësitë e individëve dhe të familjeve për të autofinancuar nevoja dhe blerje të “rënda” si dhe pamundësinë e tyre për t´iu përgjigjur me dokumente të sakta dhe korrekte kërkesave të bankave për përfitim kreditimi konsumator, FINAL ka ngritur skema financimi 3D (tre dimensionale). Dimensionet janë: 1 lehtësia, 2 transparenca, 3 shpejtësia”, pohon z.Barçi.
Dimensioni i lehtësisë realizohet duke pranuar dhe procesuar aplikime për financime konsumatore nga individë apo familje vetëm me kartë identiteti, pa asnjë vërtetim, garanci, peng apo garantor. Dimensioni i transparencës është në masën 100%. FINAL tregon “up front” të gjitha kostot eventuale dhe interesat duke i mundësuar klientëve që të kalkulojnë kostot totale te blerjes me financim. Pagesa është me këste fikse mujore dhe të pandryshueshme nga TRIBOR apo parametra të tjera. Gjithashtu nuk ka asnjë fee apo komision të fshehur. Dimensioni i shpejtësisë garantohet sepse çdo aplikant merr produktin e dëshiruar për 2 deri 12 orë.
Shifrat e muajve të fundit po tregojnë se interesi i blerësve po rritet me shpejtësi për kredinë konsumatore. “Në ato struktura të shitjes me pakicë ku bashkëpunimi me FINAL apo bankat është mbi baza profesionale, pesha specifike e shitjeve me financime është dyfishuar krahasuar me të njëjtët muaj të vitit 2010. Shitja me financime në këtë fund viti ka arritur në 15% të totalit të shitjeve dhe parashikohet që për muajin dhjetor të arrijë deri në 20%”, pohon drejtori i Final. Tregu shqiptar retail, veçanërisht ai i produkteve elektroshtëpiake, informatike, mobile dhe materialeve të ndërtimit po provon se një blerje me financim është 3 deri 5 herë më e lartë se një blerje cash me lekë në dorë.
BOX
Drejtuesit e kompanisë konfirmojnë mbylljen e “megastore” në kryeqytet: Ja arsyet
“Praktiker” “dështon” në Shqipëri
Një nga rrjetet më të mëdha në DIY (Do It Yourself – bëjë vetë ti) “Praktiker”, ka vendosur të mbyllë njësinë e tij në kryeqytet. Lajmi konfirmohet për “Monitor” nga menaxheri i kësaj njësie në Shqipëri, Maklen Lakuriqi.
“Ne jemi tashmë duke u përgatitur për të lëshuar ambientet dhe data e mbylljes është përcaktuar të jetë 24 dhjetori”, thotë z. Lakuriqi.
Sipas tij, faktorët që ndikuan në dështimin e zinxhirit gjerman në Tiranë janë të shumtë dhe sipas tij, biznes i “Do It Yourself” filloi të sjellë një ndryshim radikal në sjelljen konsumatore të shqiptarëve, që është ende larg konceptit të vendeve “shoqëri konsumi”.
“Kriza aktuale, ku rënia e fuqisë blerëse e cila mban peshën kryesore dhe më të madhe në vendimin për mbyllje. Pa ‘Praktiker´ mund të jetosh fare mirë, sepse nuk tregtojmë artikuj të shportës”, thotë ai.
Negativisht ka ndikuar edhe pozicioni i pafavorshëm gjeografik i marketit, i vendosur në një zonë që nuk gjeneron trafik (larg zonave të nxehta të konsumit) dhe i rrethuar me popullsi rurale shumë të varfër. Dyqanet e vogla që shesin materiale ndërtimi me cilësi shumë të ulët dhe që bëjnë evazion fiskal, nuk përdorin kasë fiskale dhe faturë.
Një tjetër minus për kompaninë gjykohet të jetë edhe madhësia e hipermarketit, format shumë i madh prej rreth 8,000 m² për një qytet me 650,000 mijë banorë. Një format 2,0003,500 m² është i mjaftueshëm për një treg si Tirana .
“Një investim i tillë kërkon mbi 3-4 vjet që të maturohet. Por edhe menaxhimi nga investitori ka pjesën e vet në dështim, si çmimet, produkti, marketingu”, thotë menaxheri i “Praktiker”.
“Praktiker” i hapi dyert e tij më 30 tetor të 2009-s, në një sipërfaqe mbi 8,000 metra katrorë.
Hapja e gjermanes “Praktiker” shënoi risi për tregun shqiptar të retail-it. Ky lloj biznesi bën pjesë në një sektor ende të paeksploruar në vend “Bëje betë ti”, por që sipas ekspertëve të retail-it pritej të kishte zhvillim të madh në vitet në vazhdim.
Sipas ekspertit Michel Brule, ky është një sektor me të ardhme, kjo sepse interesi i klientëve do të jetë i lartë.
“Sot në Shqipëri është e vështirë dhe thuajse e pamundur që të kesh një hapësirë tregtare që të ofron gjithçka të nevojitet për shtëpi. Këto njësi, që janë mjaft të organizuara këtu, do ta kenë suksesin. Klienti e di se duhet të drejtohet pikërisht aty për të gjetur gjithçka i duhet për ambientin e banimit apo punës”, shpjegon Brule.
Dalja nga tregu e “Praktiker” e çon në dy numrin e konkurrentëve në këtë sektor, në dy prej qendrave tregtare në kryeqytet funksionon “Bricolage”, por që shtrihet në një hapësirë shumë më të limituar dhe ofron më pak produkte.
Konkurrenti tjetër “Megatek” ofron një format të ngjashëm me “Praktiker”.
Fakt është se ardhja e kompanisë gjermane, “Praktiker” në Shqipëri nuk ka qenë një vendim i marrë në një kohë të shkurtër nga drejtuesit e saj. Por kjo nuk e “ndihmoi” kompaninë që të dështonte në investimin e kryer këtu.
Afro tre vite më parë kompania deklaroi synimin për të hapur një degë në Shqipëri, por vetëm në tetor të 2009-s dega e saj u hap për klientët shqiptarë. Pasi studiuan tregun dhe ecurinë e ekonomisë në Shqipëri, kompania mori vendimin pozitiv për zgjerimin në këtë vend.
Drejtori i “Praktiker” për Shqipërinë, Yiannis Selalmazidis, tregonte në një revistë për “Monitor” (tetor 2009) se kompania priste një ecuri të mirë në vazhdimësi.
“Kemi bërë edhe studime për vlerësimin e fuqisë blerëse në vend dhe ajo që kemi vënë re është fakti që këtu ka shumë nevojë për artikuj për riparimin dhe zbukurimin e shtëpisë. Nga ana tjetër, shqiptarët janë mjaft të lidhur me shtëpinë dhe shumë prej tyre u ‘zënë duart´ punë dhe kjo na ka dhënë pritshmëri pozitive. Është pikërisht ecuria pozitive që ofron ky vend në drejtim të zhvillimit ekonomik. Ndërkohë, si pikë tonën të fortë në treg, ne vlerësojmë futjen e të gjitha produkteve nën një çati, si dhe ofrimin e tri kategorive të ndryshme të produkteve: cilësi e lartë, e mesme dhe pranueshme, me kusht që gjithë klientët të gjejnë veten te ne”, tha Selalmazidis
Sipas drejtuesve të kompanisë gjermane “Praktiker”, hapja e dyqanit të parë në Tiranë përfaqësonte një pikë të rëndësishme në strategjinë ndërkombëtare të “Praktiker Group”. Hipermarketi “tiranas” ishte i 104-ti i “Praktiker” jashtë Gjermanisë dhe i pari në Shqipëri.
“Praktiker” Shqipëri është pjesë e PRAKTIKER AG, një nga rrjetet e shitjes me pakicë lider në Europë. “Praktiker Group” operon në rreth 440 qendra të “Bëje vetë” (Do It Yourself) dhe të përmirësimit të shtëpisë në nëntë vende, duke e bërë atë një nga furnizuesit lider në këtë sektor. Në Gjermani, kompania ka rreth 340 hipermarkete, duke e bërë atë një nga operatorët më të mëdhenj në treg. Në Europë, “Praktiker Group” renditet i katërti, ndërkohë që në Luksemburg, Rumani dhe në Greqi kompania renditet e para.
TABELA
Qendra tregtare Sipërfaqja (m²)
2005 ETC 9,000
2005 Twin Towers 5,000
2005 QTU 21,000
2007 Casa Italia 17,400
2008 Kristal 10,200
2008 Condor 10,000
2009 Olympia 6,800
2009 Coin & Oviesse 8,900
2009 CityPark 40,000
2009 Praktiker 11,000
2009 Megatek 20,000
2011 Tirana East Gate 42,000
Rrethet 40,000
TOTALI 241,300
Burimi: Colliers International Research
çmimet e qirave
Rrugët kryesore 50 euro/m²-muaj
Qendra tregtare 33 33 euro/m²-muaj
Stoku i qendrave tregtare 240,0000 m²
Burimi: Colliers International Research
RAPORTI
Kryeqyteti Qendër Tregtare(m²)/ 100 banorë
Tiranë 210
Beograd 113
Zagreb 469
Sofje 448
Burimi: Colliers International
Vlera e retail
Tregtia me pakicë në Shqipëri, duke përfshirë këtu një mori biznesesh, që nga ushqimorët, veshjet, elektroshtëpiaket etj., përllogaritet të ketë një vlerë prej 2 miliardë eurosh, ku rreth 1.2 miliardë euro i përkasin vetëm zonës Tiranë-Durrës
(Burimi: Operatorët e qendrave tregtare)
Pesha e qendrave tregtare
Qendrat tregtare zënë një pjesë të vogël të tregut, me një pjesë prej 150 milionë eurosh në vit. Pjesa më e madhe e tregtisë me pakicë i përket dyqaneve dhe sidomos tregjeve të rrugës (Burimi: Samir Mane, administrator i “Balfin”)
Rriten blerjet me kredi
Sjellja konsumatore në blerje po ndryshon, sidomos gjatë dy viteve të fundit. Këtë vit është rritur blerja me kredi me 50%, tregues që konfirmon se klientët preferojnë këtë lloj mënyre pagimi sesa cash (Alexandros Kosenas, drejtor operacional, “Neptun”).
Nga Laura çela
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.