Dilema e borxhit

01/06/2015 3:04 PM 0 komente

monitor 682.indd

Që të rritet, ekonomia ka nevojë për borxh, por me sa eficiencë do të përdoret ai…

 

FMN dhe sidomos Banka Botërore, po e “furnizojnë” qeverinë shqiptare me një “lumë” kredish dhe projektesh që synojnë të përshpejtojnë rritjen ekonomike, të nxisin konkurrueshmërinë dhe krijimin e vendeve të punës. Por, a rrezikojmë të futemi në një spirale ku shtimi i borxhit nuk do të arrijë të prodhojë rritjen ekonomike të nevojshme për ta ulur atë (borxhin) në afatin e mesëm, duke detyruar financat, që në një përgjigje kundërciklike të zgjerojnë shpenzimet dhe deficitin buxhetor?

 

Nga Ornela Liperi

 

Askush nuk u shqetësua kur borxhi publik i Gjermanisë arriti në rreth 80% të Prodhimit të Brendshëm Bruto në 2012-n. Arsyeja: Gjermania është ndër ekonomitë më konkurruese të botës dhe aftësia e saj për të paguar dhe për më tepër, për të reduktuar madhësinë e borxhit, as që vihet në dyshim. Jo më kot bund-et e saj (letrat me vlerë afatgjatë) janë referencë për borxhin kombëtar për të gjithë Eurozonën. Dhe në fakt, ekonomia më e madhe e Europës, që e përballoi fare mirë krizën për shkak të mbështetjes tek eksportet, e uli borxhin në 74% të PBB-së në 2014-n.

Shqipëria – krahasimi i së cilës me Gjermaninë për rritjen ekonomike u shndërrua në një ironi pak vjet më parë – është në një pozicion krejt ndryshe. Raporti i fundit i konkurrueshmërisë globale 2014-2015, e rendit Shqipërinë në vendin e 97 (në dy vjet është përkeqësuar me 8 shkallë, duke mbetur prapa në nënindeksin e risisë dhe sofistikimit, ku është e 114-a, mjedisi makroekonomik e 122-a dhe zhvillimi i tregjeve financiare, që është e 114-a). Gjermania është e pesta në të njëjtën renditje.

Me bekimin e institucioneve ndërkombëtare, Shqipëria ka rritur borxhin në 2014-2015 (edhe për shkak të njohjes së detyrimeve të prapambetura). Në fillim të vitit 2014 të një programi trevjeçar dhe marrëveshjes për një kredi prej 331 milionë eurosh me Fondin Monetar Ndërkombëtar. Pak ditë më parë, Banka Botërore njoftoi se ka akorduar 1.2 miliardë dollarë për Shqipërinë në kredi e projekte, në kuadër të Partneritetit për Vendin, për periudhën e viteve fiskale 2015-2019.

Borxhi publik, në raport me PBB-në, ka arritur në rreth 72% të PBB-së në 2014-2015, me pritshmëri për uljen e tij në rreth 62% në fund të 2018-s.

monitor 682.indd

Që të rritet ekonomia, ka nevojë për borxh, por problemi shtrohet sa me eficiencë do të përdoret ai, sa do ta bëjë vendin më konkurrues dhe sa do të nxisë krijimin e vendeve të punës, që nga ana e tyre do të përshpejtonin ritmet e rritjes. Që pas 2008-s, ritmet e rritjes së ekonomisë kanë rënë ndjeshëm, si rrjedhojë e krizës globale, e shoqëruar kjo dhe me shtimin e borxhit.

Erion Luci, zëvendësministër i Financave, pohon se një rritje reale mbi 4% është e nevojshme për të siguruar një ulje të qëndrueshme të borxhit publik, si dhe reduktimin e papunësisë. Megjithatë, ai shton se në rast se performanca e ekonomisë do të jetë më e ulët, është rënë dakord dhe me FMN-në që të ketë shpenzime më të larta dhe zgjerim të deficitit.

Jens Reinke, përfaqësues i përhershëm i FMN-së, një institucion që është partizan i njohur i konsolidimit fiskal, ndonëse me ritme më të moderuara pas krizës së 2008-s, pohon se “për sa kohë që borxhi publik rritet më ngadalë se PBB nominale, norma e borxhit ndaj PBB-së do të bjerë. Një rritje më e fortë ekonomike, e nxitur nga reformat e vazhdueshme strukturore, do ta bëjë më të lehtë që të arrihet ky objektiv” (shiko intervistën në vijim).

 

Aftësia për të ulur borxhin dhe për t’u rritur në një rreth vicioz

Aftësia e qeverisë për të reduktuar borxhin varet nga një sërë faktorësh, në veçanti madhësia e borxhit në raport me PBB-në, normat e interesit të paguara për atë borxh në krahasim me ritmet e rritjes ekonomike dhe madhësia e balancës primare të buxhetit (suficiti ose deficiti përpara kostove të interesit). Në rast se norma e interesit e paguar për borxhin publik është më e lartë se norma e rritjes së ekonomisë, atëherë stoku i borxhit qeveritar do të rritet si peshë ndaj PBB-së, përveçse në rast se qeveria do të arrijë të ketë një suficit buxhetor parësor. Sa më i madh që të jetë stoku i borxhit, aq më i madh duhet të jetë ky suficit. Si rrjedhojë vendet me deficite të mëdha parësore, stoqe të mëdha të borxhit dhe një diferencë të madhe midis normave të interesit dhe ritmeve të rritjes ka të ngjarë të jenë më të brishtë. Shqipëria planifikon të dalë me suficit parësor vitin e ardhshëm.

 monitor 682.indd

Këto implikime sugjerojnë se Shqipëria mund të futet në një rreth vicioz në të ardhmen afatmesme. Nga njëra anë, ritmet e rritjes ekonomike pritet të jenë të ulëta, të paktën për këtë vit (pritshmëria prej 3% është vënë tashmë në dyshim, e pohuar kjo dhe nga FMN); reduktimi i pashmangshëm i shpenzimeve buxhetore do të ushtrojë më shumë presion për këtë, në një kohë që të ardhurat në pjesën e parë të këtij viti nuk kanë shënuar rritje reale dhe qeveria pritet të rishikojë buxhetin e 2015-s, duke reduktuar si parashikimet për të ardhurat, ashtu dhe shpenzimet. Dhe si gjithnjë, reduktimi i shpenzimeve prek investimet kapitale, duke ulur ndikimin e këtyre investimeve në rritjen ekonomike.

Financimi privat i ekonomisë, një tjetër element që konsiderohet i rëndësishëm për të nxitur rritjen, është pothuaj inekzistent, me bankat që janë përqendruar në menaxhimin e kredive me probleme, që kanë ngecur në nivelin e 22.7% në fund të marsit 2015. Në raport me dhjetorin e 2014-s, huaja për ekonominë në fund të marsit ra me 0.5%, sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë.

Konsumi dhe investimet private mbeten të dobëta, ndërsa shpresa më e madhe e rritjes janë projektet e mëdha si gazsjellësi TAP dhe hidrocentralet.

Ndërsa Ministria e Financave, në kuadrin e saj afatmesëm 2016-2018 ka parashikuar se nga viti i ardhshëm, ekonomia do ta kapë ritmin e 4%, të nevojshme për të ulur borxhin, Banka e Shqipërisë e ka vlerësuar se, potencialet për rritjen ekonomike të vendit deri në vitin fund të vitit 2017 nuk do të jenë më shumë se 3%. Në të njëjtën linjë është dhe Banka Botërore, që pohon se ekonomia nuk do të rritet më shumë se 3-3.5% gjatë pesë viteve të ardhshme. Por, ndryshe nga financat, përfaqësuesja e Bankës Botërore zj. Tahseen Sayed pohon se kjo rritje është e mjaftueshme për të ulur borxhin (shiko intervistën në vijim).

Dhe nëse ekonomia (PBB nominale) nuk arrin të rritet më shpejt se borxhi, kjo do t’i detyronte financat, që në një përgjigje kundërciklike të zgjerojnë shpenzimet dhe deficitin buxhetor, apo dhe të rrisin taksat për të siguruar më shumë të ardhura. Kjo do zgjaste ciklin e uljes së borxhit, duke e çuar atë drejt kufijve të paqëndrueshmërisë dhe duke vonuar konsolidimin fiskal. Reinke i FMN-së pohon se konsolidimi fiskal mbetet një objektiv i rëndësishëm i politikës makroekonomike të Shqipërisë. “Ne gjithashtu e këshillojmë qeverinë shqiptare të përmirësojë qëndrueshmërinë e borxhit përmes rritjes së nivelit të të ardhurave, përmirësimin e menaxhimit të borxhit dhe përshtatjen e politikave që do të forcojnë tregjet e brendshme financiare”, thotë ai, duke e vënë theksin te zgjerimi i bazës së taksapaguesve dhe luftimin e evazionit, një këshillë e fortë kjo dhe e Bankës Botërore.

Gjithsesi, në një zhvillim pozitiv, borxhi po ristrukturohet drejt maturitetit afatgjatë dhe po ulet varësia nga tregu i brendshëm, çka e bën atë më elastik ndaj goditjeve të brendshme.

Pasi qeveria hyri në tregjet ndërkombëtare për të marrë borxh, është lehtësuar presioni në tregun e brendshëm, me yield-in e bonove të thesarit që po bie për të dytin muaj radhazi. Deri në muajin shkurt të këtij viti, financat u hasën në presionin e bankave, që janë blerësit kryesorë të letrave me vlerë, të cilat u tërhoqën nga financimi i borxhit të qeverisë, në vijim të strategjisë së tyre për uljen e ekspozimit në bonot qeveritare. Si rrjedhojë, financat dolën në tregun e huaj, duke marrë 250 milionë euro në fillim të prillit (kredi e mbështetur nga Banka Botërore) me synim zëvendësimin e borxhit të brendshëm me atë të jashtëm.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of