Ku po shkon sektori që ka sigurur gjysmën e të punësuarve, që zë 18% të PBB-së, por merr vetëm 4% të financimeve. E copëzuar në 350 mijë ferma me jo më shumë se 1.2 ha, tashmë në mbijetesë, bujqësia rrezikon të ngecë në rrjetin e formalizimit. Fermerët: Kostot janë të larta dhe shpesh të ardhurat nga shitjet nuk mbulojnë investimet. Ritmet e rritjes së bujqësisë, në rënie pikiatë. Tronditen investitorët
Nga Blerina Hoxha
Teksa me çdo çmim qeveria po tenton të formalizojë bujqësinë, duke mos lejuar shitjen e produkteve nga fermerët pa NIPT, Leonard Janji, i kthyer nga emigracioni pak vite më parë dhe që ka tentuar të rindërtojë jetën në Verri të Lushnjës me investime në bujqësi, është krejt i zhgënjyer.
Në një komunikim me “Monitor”, ai tregoi se këtë verë ka investuar 1 milion lekë duke mbjellë 1.5 ha domate në serë dhe tani në fund të sezonit ka fituar vetëm gjysmën e investimit, 500 mijë lekë. Në kulmin e prodhimit çmimi ra 20 lekë për kilogram, shumë poshtë kostos. “Tani kur unë investoj 1 mln lekë dhe këtë e faktoj me faturat përkatëse dhe marr vetëm 500 mijë lekë, pra vetëm gjysmën e investimit. Qeveria kërkon të taksojë dhe këtë gjysmën pa na dhënë asnjë lloj shërbimi bazë si ujë për vaditje, karburantin, plehrat, pesticidet. Mendova se e mbylla derën kur erdha nga emigrimi, por jo, këta po thonë që është ende e hapur”.
Kjo nuk është vetëm historia e Leonardit, por e të gjithë fermerëve në zonën e Lushnjës dhe Fierit dhe në të gjithë Shqipërinë. Kapriçiot e motit me dy herë përmbytje brenda vitit dhe verës tejet të thatë, nuk janë asnjë gjë para çorientimit të organizuar në bujqësi, ku zinxhiri nuk funksionon dhe fermerët ndihen tejet të lodhur për t’i bërë ballë së fundmi formalizimit me NIPT-e, fatura bankash, kur serat e tyre janë vetëm pak dynymë.
Ilir Mile, zv.presidenti i shoqatës së fermerëve “Rrupaj” në Krutje të Lushnjës tha se fitimi i këtij viti ishte kokë më kokë me investimin prej çmimeve të ulëta.
Që pas lajmit se prodhimet bujqësore pa fatura do të sekuestrohen dhe se të gjithë fermerët duhen të pajisjen me NIPT, ka ngërç dhe paqartësi në treg. Kompanitë eksportuese pohuan për vështirësi në furnizime duke lajmëruar se kjo do të ndikojë në uljen e eksporteve në të ardhmen. Kastriot Gogo nga “Gogo eksport”, tha se është gjendur në vështirësi për të përmbushur detyrimet kontraktore për të eksportuar domate në Bullgari deri në dhjetor.
Ai tha se fermerët nuk e kanë idenë e NIPT-it dhe se kërkojnë vetëm pagesa cash. Duke operuar në këtë mënyrë, tatimet mund të më sekuestrojnë furnizimet, – tha Gogo, i cili shtoi se, formalizimi, pa një sensibilizim më parë, i ka çorientuar tërësisht fermerët dhe ka krijuar probleme në treg.
Po me të vërtetë ku po shkon sektori që siguron gjysmën e të punësuarve në vend, që zë 18% të PBB-së dhe merr vetëm 4% të totalit të financimeve publike dhe jopublike në raport me PBB.
Pas vitit 2013, ritmet e rritjes së sektorit shihen të jenë përgjysmuar, për të vijuar me rënie në vlera negative në tremujorin e dytë të këtij viti, por Ministria e Bujqësisë është optimiste.
Dhënia e subvencionit vetëm kundrejt faturave bankare dhe pajisja me NIPT është një moment kyç për ministrin e Bujqësisë, Edmond Panariti. Ai ka pohuar se para formalizimit është aplikuar një paketë lehtësuese për bujqësinë dhe është tentuar në kompletimin e zinxhirit, duke nxitur investimet nga prodhimi te qendrat e grumbullimit.
Bujqësia, rritja nis rënien
Tani kur të gjitha fondet e lira në ekonomi po tentojnë të investohen në bujqësi, zhvillimet brenda sektorit nuk po e reflektojnë këtë tendencë me një vlerë të shtuar në ekonomi.
E ndikuar edhe nga përmbytjet masive në fillimvit në Jug të vendit, sektori i bujqësisë shënoi rënie vjetore në Prodhimin e Brendshëm Bruto me minus 0.76% në tremujorin e dytë të vitit. Në vlera neto tkurrja ishte mbi 10 milionë dollarë. Ishte e pritshme që dëmtimi i zonave më pjellore të vendit nga reshjet e shkurtit 2015 do ta kishin efektin negativ në bujqësi në tremujorin e dytë. Tokat në Jug u kthyen në moçalishte për shkak të reshjeve çka vonoi mbjelljen e kulturave të serave e për rrjedhojë e cenoi edhe Prodhimin e Brendshëm Bruto që duhet të vinte nga bujqësia në tremujorin e dytë.
E keqja nuk është e përqendruar vetëm në tremujorin e dytë të këtij viti, por frika është se sektori i bujqësisë pas vitit 2013 ka përgjysmuar ritmet e rritjes në krahasim me para vitit 2010.
Gjatë 2013-2015, sektori është rritur në një mesatare sipas tremujorëve më pak se 3%, ndërkohë që ritmet e rritjes me bazë vjetore të sektorit në periudhën 2010-2012 ishin në një mesatare mbi 6% (shih grafikun).
Ekspertë të sektorit pohojnë se rritja në bujqësi në dekadën e fundit është ndikuar kryesisht nga dy faktorë, subvencionet dhe kushtet klimatike. Këto të fundit kanë një rol permanent nga viti në vit, me motin ose me thatësirë ose me përmbytje, por ajo çfarë ka ndryshuar është mënyra e subvencioneve në bujqësi. Dhënia e subvencioneve kundrejt faturave pas 2013, duket se nuk ka gjetur shumë terren në sektorin ku dominon informaliteti.
Politikat e reja
Qysh me ardhjen në pushtet, të majtët rikonceptuan politikat për bujqësinë, në themel të të cilave është përfshirja e sektorit në sistemin fiskal, duke kushtëzuar edhe subvencionet vetëm kundrejt pagesave me faturë. Kështu politika e subvencionit ndryshoi kryekëput duke kaluar nga mbështetja me fonde e prodhimit në subvencionim e çmimit në momentin e shitjes së prodhimeve në pikat e grumbullimit. Por duke qenë se kjo lloj skeme u manipulua për një vit, Ministria e Financave vendosi të kreditojë TVSH për tregtarët që kryejnë blerje te fermerët nëse këto i kishin kryer blerjet nëpërmjet bankave. Me këtë skemë, tregtarët autofaturojnë çmimin e blerjes plus 20% TVSH, e cila u është paguar fermerëve shtesë mbi çmimin. Këtë vlerë, tregtarët më pas e marrin nga buxheti i shtetit kundrejt paraqitjes së faturave.
Por duket se kjo skemë e komplikuar për fermerët dhe e pakonsultuar paraprakisht nuk ka ngjitur. Pasi sektori punon gjerësisht në cash, bankat nuk kanë degë në zonat rurale dhe për më tepër, kultura financiare e fermerëve shqiptarë nuk është në atë pikë sa të aplikojë pagesën me bankë, bie fjala për 5 arka domate. Ilir Mile, zv.presidenti i shoqatës së fermerëve “Rrupaj”, pohoi se skema e subvencionit nuk po funksionon. Në fillim të këtij viti, një zyrtar i Ministrisë së Bujqësisë kishte kërkuar nga fermerët e Krutjes në Lushnjë që të krijonin mundësinë e mbjelljes së 100 hektarëve me domate, kundrejt subvencionit mbi 50%. Mile tha se, fermerët u organizuan dhe u duke ofruar mbi 80 hektarë, por që nga ajo ditë zyrtarët e Ministrisë jo vetëm që nuk u dukën më, por lanë pas sherre ndërmjet fshatarëve që prishën planet e mëparshme të mbjelljeve.
Fermerët i tremben NIPT-it
Nëse prodhuesit në bujqësi dhe shitjet nuk sigurojnë më shumë se 5 milionë lekë, atëherë nga pajisja me NIPT nuk lindin detyrime për të paguar taksat. Burimet zyrtare të Ministrisë së Bujqësisë kanë ftuar të gjithë fermerët të pajisen me NIPT dhe kartën e fermerit duke pohuar se marrja e NIPT-it nuk i ngarkon ata me detyrim tatimor. Në të kundërtën, prodhimet e tyre sekuestrohen nga grupet e policisë tatimore në terren. Kjo nismë e fundit ndaj informalitetit ka përfshirë edhe sektorin e bujqësisë. Por në momentin kur faza e vjeljeve është në pikun e saj dhe zyrat e shtetit nuk po tregohen aq të shkathëta sa të përballojnë me NIPT-e edhe ata që e kërkojnë, të vjelat po shkojnë dëm. Pikërisht për situatën e krijuar, fermerët e Devollit protestuan pak ditë më parë para Kuvendit të Shqipërisë duke derdhur arkat me mollë në momentin që deputetët po hynin në seancë plenare.
Pavarësisht se reforma antiinformalitet po rrezikon të vjelat e vjeshtës dhe ecurinë e mëtejshme të sektorit, Ministria e Bujqësisë dhe ajo e Financave kanë pohuar se aksioni do të vijojë pa asnjë tolerancë.
Zv.ministrja e Financave, Irena Beqiraj, duke folur posaçërisht për fermerët tregoi se grumbulluesit janë tregu i parë dhe formal për fermerët, si dhe pajisja me NIPT e fermerëve nuk i jep detyrime fiskale, por kundrejt grumbulluesve, në mënyrë që të verifikohet që është marrë nga fermerët. Ajo tha se reforma në total dha rezultat pasi nga viti 2014 ka rritje të deklarimit të prodhimeve ushqimore për 8-mujorin në 43.5 mln USD. Beqiraj raportoi ulje të importit të produkteve bujqësore me 10% më pak të fruta-perimeve dhe rritje me 44% të eksporteve.
Por Leonard Janji nga Verri i Lushnjës e cilëson absurde politikën e qeverisë për taksimin masiv të bujqësisë. Ai tha se, në varësi të sezonit, kushteve të motit dhe gjetjes së tregut, shitjet jo gjithmonë i justifikojnë shpenzimet. Duke marrë shembullin e tij për këtë verë ku është fituar vetëm gjysma e investimit prej 1 milion lekësh, ai thotë se qeveria përveçse të taksojë, duhet koordinojë zinxhirin nga prodhuesi te tregu dhe të gjejë një politikë të përshtatshme subvencioni. Nëse vendoset të vihet taksë fikse mbi një xhiro të caktuar, pa marrë në konsideratë humbjet, kjo do të ishte një marrëzi thotë Janji, i cili mbart eksperienca krejt të tjera nga emigracioni.
Qeveria nuk “di” kostot në bujqësi
Teksa fermerët lajmërojnë se çmimet e plehrave dhe pesticideve janë rritur dy vitet e fundit me mbi 20% dhe cilësia e tyre ka rënë, në Shqipëri, indeksi i inputeve bujqësore ende nuk matet zyrtarisht ashtu si maten indeksi i çmimeve të prodhimit dhe indeksi i kostove në ndërtim. Edhe Kosova ka një indeks periodik se si po shkojnë kostot në bujqësi. Por Ilir Mile, nga Shoqata e Fermerëve në Krutje thotë se, askush nuk po mban përgjegjësi për çmimet e larta të plehrave kimike dhe cilësinë tejet të ulët të tyre. Ai tha se, fermerët në Itali dhe Greqi i spërkasin të mbjellat e tyre vetëm një herë në fillim të sezonit, por në Shqipëri pa tre herë dhe më shumë, asgjë nuk është e sigurt. “Helmet që tregtohen në tregjet tona vetëm sa trembin për një javë insektet. Duke i spërkatur shumë herë shpenzojmë shumë dhe shpeshherë pa rezultat. Veç kësaj, edhe plehrat manipulohen duke bërë pluhur urenë dhe duke e ngjyrosur me elemente që nuk sjellin as dobi dhe rendimet kundrejt një çmimi të lartë. Jemi ankuar po nuk po gjejmë zgjidhje”, tha ai.
350 mijë ferma me vetëm 20 mijë makineri
Kush ka udhëtuar nëpër Shqipëri ka parë parcelat e ngushta të tokës, një të mbjellë me grurë dhe një me domate, diku 100 metra me perime dhe ngjitur një parcelë djerrë. E gjithë kjo sepse vendi aktualisht ka 350 mijë ferma të vogla, sipërfaqja e të cilave, në një mesatare të përgjithshme, nuk i kalon të 1.2 hektarët. Sipërfaqja e parcelave të mbjella me një kulturë nuk i kalon të 0.2 hektarët. Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, e ka cilësuar fragmentarizimin e tejskajshëm të tokës si pengesën themelore për kultivimin në masë të kulturave bujqësore që bëjnë konkurrues vendin tonë, duke i siguruar Shqipërisë një mundësi të re zhvillimi. Situata është alarmante edhe në sektorin e mekanizimit ku 350 mijë fermave u përgjigjen vetëm 20 mijë e 600 mjete, sipas të dhënave të INSTAT për statistikat e Bujqësisë 2014.
Sipas të dhënave nga Ministria e Bujqësisë, të ardhurat nga shitjet e produkteve bujqësore dhe blegtorale në vitin 2012 ishin pak më shumë se 1 miliard lekë. Kjo shumë u shpërnda në më shumë se 350 mijë ferma të vogla, ku secila prej tyre nuk përfitoi më shumë se 310 261 lekë. Me këto vlera të ardhurash që prodhojnë një fitim modest, familjet fermere vetëm sa sigurojnë jetesën e përditshme në pamundësi për të zhvilluar kapacitetet në prodhim dhe cilësi.
Si rrjedhojë, edhe industria e përpunuese në të cilën është investuar shumë këto vitet e fundit është vënë në vështirësi, për shkak të prodhimit të çorganizuar dhe të pamjaftueshëm.
Sipas Censusit të vitit 2011, në zonat rurale të vendit jeton 46% e popullsisë. Toka bujqësore në total është 700 mijë hektarë, 80% e së cilës, sipas statistikave të Ministrisë së Bujqësisë, është ndarë me ligjin 7051 dhe 130 mijë hektarë janë tokë bujqësore në pronësi të shtetit. Por një pjesë e madhe e kësaj toke nuk është bujqësore, pasi është përmbytur nga ndërtimet pa leje.
Ka dy shembuj të qartë ku bashkimi i fermerëve ka sjellë përfitime të larta për to. Në Komunën Kafaraj, 60 familje kanë bashkuar tokat për të kultivuar një varietet të luleshtrydhes, për të cilën kanë garantuar tregun dhe gjithashtu dhjetëra familje në Derviçan kanë krijuar kooperativën për prodhimin e përbashkët të një varieteti të domates.
Pronësia mbi tokën mbetet edhe një nga shkaqet pse bujqësia është një sektor që ka vuajtur mungesën sistematike të kreditimit nga bankat.
Që nga 2007, kur raportohen statistikat sipas sektorëve nga Banka e Shqipërisë, pesha e kredisë për bujqësinë është rritur nga 1.1% e totalit në rreth 2%. Sipas bankierëve, ndër vështirësitë që hasen në sektorin bujqësor nga pikëpamja e bankës, paraqitet informaliteti i lartë në regjistrimin dhe në qarkullimin e parasë. Problemet me pronësinë e tokës mbeten reale dhe një pengesë e madhe në zhvillimin bujqësor të vendit. Sipas ekspertëve, kërkesa për financim nga sektori i bujqësisë ka qenë në rritje, kur vitet e fundit vihen re gjithmonë e më shumë investime, që synojnë të përmirësojnë teknologjinë e përdorur, e cila do të sjellë dhe rritje të produktivitetit dhe cilësisë së prodhimit. Cilësia e portofolit të kredisë në agrobiznes është 4-5 herë më e mirë se sektorët e tjerë të ekonomisë.
Por, me gjithë dëshirën e bankave për të shtuar investimet në këtë biznes, problemet e shumta e kanë mbajtur shumë të limituar kreditimin.
Pajisjet e mekanikës
Pajisjet nr
Traktor me rrota 9,794
Minitraktorë 4,013
Makina mbjellëse 3,188
Motokorrëse 2,440
Autokombajna 692
Traktorë me zinxhirë 261
Freza 261
Burimi: INSTAT
Supermaketet, formalizimi ka funksionuar me kohë
Formalizimi i bujqësisë, që konsiston në shitjen me fatura të prodhimeve vendase që nga fermerët, te grumbulluesit e deri tek pikat e pakicës, duket se nuk ka sjellë ndryshime thelbësore në sasitë e shitjeve në supermarketet e mëdha.
Rozarta Kore nga Eco Market pohon se edhe para se formalizimi i ekonomisë të niste si një aksion edhe në sektorin bujqësisë, furnizimet janë bërë me fatura. “Edhe më parë ne kemi marrë prodhime bujqësore të vendit nga furnizues të licencuar dhe me fatura”. Dhe të gjitha supermarketet pothuajse operojnë në këtë mënyrë, furnizuesit e fruta-perimeve kanë lëshuar autofatura për supermarketet. Por zonja Kora shpjegon se, produktet bujqësore, frutat dhe perimet nuk janë pika më fortë e supermarketeve pasi blerjet e mëdha të këtyre produkteve bëhen jashtë.
Nuk mund të taksohen shitjet, pa ditur kostot
Flet Leonard Janji, Fermer
Sivjet kisha dëshirë ta nisja me 2 dynymë sera për ta shtuar vit pas viti, por këtu prodhon me shumë peripeci dhe mundim dhe ndodh që e gjithë djersa të shkojë dëm, sepse malli nuk shitet apo shitet nën kosto. Tani mendoj të punoj edhe vitin tjetër dhe jo të shtoj sera po të emigroj në SHBA, sepse këtu nuk ka të ardhme.
Po formalizohemi, sepse kështu funksionon kudo, por gjëja kryesore që ju duhet të bëni për ne është vendosja e një çmimi dysheme. p.sh domatja të mos jetë nën 20 lekë për kg që ne të mos dalim nën kosto. Problemi tjetër është se, kush kalon 500 mijë do taksohet, unë investova 1 mln lekë në 1.5 ha domate dhe pjepër në fushë, dorën e parë të prodhimit e shita midis 50 dhe 200 lekë arkën 25 kg ,dorën e dytë kur çmimi ishte 25-30 lekë për kg, ngelem pa pikën e ujit pra përsëri humbëm.
Tani nuk të lënë të hysh në treg pa kartë fermeri (NIPT) i bie të paguash nja 7-80 mijë lekë taksa plus faturat e shoqërimit të mallit të vulosura në bashki dhe nga kryeplaku dhe asnjë subvencionim nga shteti apo garanci për ulje apo shitje malli, lëre pastaj nafta plehrat, helmet, çmimet në maksimum. Mendova se e mbylla derën kur erdha nga emigrimi para 10 vjetësh, por jo këta po thonë që është akoma hapur.
Kryesore në radhë të parë është që duhet të funksionojë Enti Rregullator që duhet të orientojë fermerët se cilat kultura duhet të mbjellin sipas zonave dhe sipas tregut, duke llogaritur eksportet dhe konsumin e brendshëm. p.sh., ne në fshatin Verri kemi 10 vjet që prodhojmë domate dhe pjepër në fushë dhe thuajse 100% të prodhimit tonë e konsumon vetëm Korça. Por nuk kemi siguri në ujë për vaditje dhe tregtim sepse sivjet kemi hedhur me tonelata domate në kanal, pasi çmimi është shumë i ulët.
Formalizimi me aksion po vë në vështirësi eksportin
Formalizimi i bujqësisë dhe shitja vetëm me NIPT e prodhimeve bujqësore ka krijuar probleme në eksportin e këtyre prodhimeve. Administratori i “Gogo eksport”, K. Gogo, pohon se ka një ngërç të fermerëve për të shitur prodhimet së fundmi. Kultura e ulët financiare i mban ata larg njohurive për legjislacionin fiskal, thotë Gogo, i cili ka vënë re që, edhe pse regjistrimi është falas dhe pagesat janë të ulëta, nga ana tjetër fermerët refuzojnë në masë të pajisen me NIPT. Ky është një koncept i paperceptueshëm për ta, ndaj vijojnë të shesin prodhimin vetëm ndaj pagesave cash. Mirëpo kjo situatë na pengon ne si eksportues, pasi jemi në fokusin e administratës fiskale dhe gjobitemi nëse verifikohemi se nuk kemi kaluar nga bankat pagesat e produkteve. Të gjendur në situatën ‘hip se të vrava dhe zbrit se të vrava’, Gogo pohon se formalizimi në këtë mënyrë po e vë në vështirësi eksportin. Ky aksion duhet të ishte shoqëruar më parë me një fushatë informuese ndaj fermerëve për t’i sensibilizuar ata për kostot dhe fitimet që ka pajisja me NIPT. “Ne tani ndodhemi në situatë paradoksale për furnizimet që shërbejnë për eksport dhe kjo mund të përkeqësojë aktivitetin e kompanisë në ditët në vijim”, vijon Gogo.
Ai tha se Shqipëria është konkurruese në rajon për shkak të klimës së ngrohtë që mundëson një sezon të gjatë prodhimi, por ka probleme të mëdha në orientimin e prodhimit drejt tregut.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.