Problemet në formimin e qeverisë në Itali.Me cilën parti mundet që ata të krijojnë një marrëveshje?
Rezultati i papërfunduar i zgjedhjeve të Italisë më 4 mars të këtij viti, paradoksalisht, i dha rol vendimtar, një prej partive që doli e demoralizuar nga gara, e mundur dhe e ndarë.
Edhe pse ajo arriti një rezultat të ulët në zgjedhje, me më pak se 19% të votave, madje rezultati më i keq i arritur ndonjëherë, Partia Demokratike e qendrës së majtë do të ketë mjaftueshëm vende në Parlamentin e ri për të qenë në gjendje të vendosë nëse do të sjellë në qeveri një parti të krahut të djathtë apo një partinë anti-establishment Lëvizja Pesë Yjet. Por se cila do të jetë ajo parti, është vështirë të parashikohet, shkruan The Economist.
Partia e krahut të djathtë doli fitimtare në Umbria dhe Emilia-Romagna. Partia Lëvizja Pesë Yjet kryesoi në Marche. Përjashtim bëri Toskana, vendi ku ka lindur edhe ish-lideri i PD-së, Matteo Renzi, dorëheqja e të cilit u pranua më 12 mars në një takim të zhvilluar me anëtarë të partisë së tij.
Firence, kryeqyteti rajonal i Toskanës, është më shumë një qytet i klasës punëtore se sa një qytet që vizitohet nga turistët për artin dhe arkitekturën. Një numër i madh industrish prodhuese shtrihen në veriperëndim të qytetit, i cili kufizohet nga rrethina si ajo e Covercianos në periferi, e përbërë nga blloqe apartamentesh që datojnë nga ditët e periudhës së artë ekonomike të Italisë të viteve 1950 dhe ‘60. Muzeu i vetëm në Coverciano është ai që i kushtohet futbollit.
Në qendrën sociale të kësaj rrethine, e cila mban emrin e një komunisti të vrarë nga nazistët, pensionistët që dikur kishin punuar në disa prej fabrikave që operonin aty bisedonin me të rinjtë sportivë, të cilët binin menjëherë në sy për shkak të stilit hipi të veshjes. Të paktë janë ata të cilët thonë se kanë votuar për z. Renzi, i cili u zgjodh për ta qeverisur atë pesë vite më parë. “Në fillim, mbështetja ndaj z. Renzi këtu ishte shumë e madhe”, shprehet Luigi Scarponi, presidenti i qendrës sociale. Por PD-ja duhet të mbante anën e punëtorëve dhe t’i mbështeste ata në qeveri, por ishte pikërisht kjo të cilën Renzi nuk e bëri.
Lista e gabimeve gjatë qeverisjes së z. Renzi gjatë viteve 2014-‘16 përfshinte gjithashtu rritjen e moshës së daljes në pension dhe një reformë që shfuqizoi të drejtën e punëtorëve të shkarkuar padrejtësisht nga puna për t’u rimarrë në punë. Të dyja këto lëvizje u justifikuan me nevojën e domosdoshme të Italisë për të reduktuar borxhin e lartë dhe për t’i krijuar mundësinë edhe të rinjve që të punësoheshin. Asnjëra prej tyre nuk u pëlqye nga forca punëtore aktive.
Z. Scarponi fajësoi qeveritë e njëpasnjëshme, me në krye Partinë Demokratike, në dështimin e ndalimit të fluksit të madh të emigrantëve sidomos gjatë viteve të fundit në Toskanën e mbështetur nga të majtët. PD-ja është rezultati i një bashkëpunimi ndërmjet ish-komunistëve të klasës punëtore dhe ish-kristiandemokratëve progresivë të klasës së mesme. Pikërisht kjo ka udhëhequr secilën nga tre qeveritë e fundit të Italisë.
Reformat e tyre të favorshme për biznesin, mënyrat autokratike të z. Renzi dhe kundërshtimet e shumta që ato janë përballur, e kanë thyer unitetin e partisë. Disa prej anëtarëve më të vjetër të kësaj partie u larguan prej saj dhe formuan vitin e kaluar një lëvizje rivale të njohur me emrin “Të Lirë dhe të Barabartë”.
Tani zgjedhja që do të bëjë PD-ja rrezikon që të shkatërrojë edhe pjesën e mbetur të kësaj partie. Z. Renzi, i cili mendohet se ka ende ndikim në pothuajse gjysmën e ligjvënësve të partisë së tij, do ta humbë fare këtë ndikim. Sipas këndvështrimit të tij, PD-ja duhet të refuzojë negociatat me Lëvizjen Pesë Yjet apo me partinë e krahut të djathtë dhe të kalojë në opozitë.
Maurizio Martina, i cili po e zëvendëson atë derisa të zgjidhet një lider i ri i partisë muajin e ardhshëm, bie dakord me faktin se përgjegjësia për formimin e qeverisë së re është në duart e Luigi Di Maio, liderit të Lëvizjes Pesë Yjet dhe Matteo Salvini, liderit të Legas, e cila doli nga zgjedhjet si forca dominuese e krahut të djathtë, duke e kaluar Forza Italia të Silvio Berlusconi, me të cilën është në aleancë.
Kalimi në forcën opozitare më të rëndësishme në vend duket edhe si një prej opsioneve që ka gjetur mbështetjen më të madhe në radhët e aktivistëve të flaktë demokratë. Sugjerimet për një marrëveshje të mundshme me Lëvizjen Pesë Yje janë përballur me reagime të ashpra të këtyre aktivistëve demokratë në rrjetet sociale, sidomos në Twitter.
Megjithatë, votuesit mund të mendojnë ndryshe.
Sipas një sondazhi të publikuar në gazetën “Il Fatto Quotidiano”, 59% e atyre që votuan për qendrën e majtë në fillim të këtij muaji, favorizonin një koalicion midis Lëvizjes Pesë Yjet dhe Lëvizjes të Lirë dhe Të Barabartë. Qëndrimi është më se logjik, duke qenë se votuesit e Lëvizjes Pesë Yjet kanë pothuajse të njëjtat pikëpamje me ato të anëtarëve të vjetër demokratë sesa me ato të konservatorëve të Italisë.
Alternativat për Italinë përfshijnë një marrëveshje midis PD-së dhe krahut të djathtë (refuzuar deri tani nga z. Salvini), një qeveri e të gjitha forcave partiakë (e refuzuar nga z. Di Maio) dhe një partneritet mes Lëvizjes Pesë Yjet dhe lëvizjes populiste, të krahut të djathtë, Legas. Dhe është pikërisht marrëveshja që mund të nënshkruhet midis Lëvizjes Pesë Yjet dhe Legas, ajo që edhe i frikëson partnerët e BE-së të Italisë, sepse do të sillte në pushtet, dy parti që janë zotuar për të ulur taksat dhe për të rritur shpenzimet, në një vend me borxh publik më shumë se 130% të PBB-së.
Gjatë javës së kaluar, në Parlamentin Europian, z. Salvini përjashtoi daljen nga Eurozona në një afat të shkurtër, por tha se ishte i gatshëm të shpërfillte kufirin e deficitit buxhetor prej 3% të PBB-së. Lëvizja Pesë Yjet, ka të njëjtin qëndrim në këtë drejtim. Deri më tani, z. Salvini duket se e përjashton një marrëveshje të mundshme me Lëvizjen Pesë Yjet, por kjo edhe mund të ndryshojë. Pra, zgjedhja që do të bëjë PD-ja, nuk është vetëm e vështirë, por ajo mund të ketë pasoja fatale edhe përtej Italisë.