Në kulmin e diskutimeve për ndryshimin me tendencë rritje të disa taksave dhe tatimeve në vitin 2015, ekspertët dhe shoqatat e biznesit mendojnë se, ndryshimet nuk duhet të prekin taksat e drejtpërdrejta si tatimfitimi, sigurimet shoqërore dhe tatimet në paga. Historia e ka treguar se, pavarësisht nivelit të lartë, tatimet e tërthorta si TVSH, akciza, sigurojnë pjesën dërrmuese të të ardhurave në buxhet. Banka Botërore zbardh evazionin fiskal dhe sugjeron hapësirat për politika të reja tatimore
Nga Blerina Hoxha
Që barra fiskale ndaj bizneseve dhe individëve në vendin tonë do të rëndohet edhe më shumë vitin që vjen, tashmë është vendosur. Ministria e Financave nuk ka rrugë tjetër. Më 2015-n, deficiti buxhetor duhet të ulet të paktën me 15 miliardë lekë, të cilat, ose do të gjenden duke rritur të ardhurat ose duke shkurtuar shpenzimet. Shqipëria ka shpenzimet më të ulëta publike në rajon, çka e bën të pamundur reduktimin e mëtejshëm të tyre. Rruga e vetme mbetet, rritja e të ardhurave, e cila do të aplikohet nëpërmjet uljes së evazionit dhe rritjes së taksave. Informaliteti, pavarësisht se është në nivele shumë më të larta se mesatarja rajonale, nuk pritet të reduktohet në atë masë vitin që vjen, që të sjellë të ardhurat që i duhen buxhetit. Ndaj rritja e taksave shihet mundësia pa kthim.
Tani kur duhen edhe tre muaj që ndryshimet të marrin fuqi ligjore, ekspertët në Ministrinë e Financave janë duke shqyrtuar opsionet, se ku do të peshojë rritja. Grupet e interesit dhe ekspertët e fushës, nga ana tjetër, janë përfshirë në debat se, ndryshimi i taksave nuk duhet të frenojë investimet e huaja dhe rritjen ekonomike. Sugjerimet janë për një korrektim ose rritje të taksave indirekte të tilla si akciza, TVSH-ja dhe tarifa të tjera, ndërsa nuk sugjerohen ndërhyrje në tatimet e drejtpërdrejta si, tatimfitimi, tatimi mbi të ardhurat personale dhe taksat mbi punën. Ndryshimet në tatime dhe taksa janë në fazën e propozimeve dhe siç bëhet e ditur nga zyrtarët e Ministrisë së Financave, qëllimi është për të parë se, cilat aspekte të strukturës aktuale tatimore mund të ndryshohen në mënyrë të dobishme dhe në harmoni për të rritur të ardhurat, duke minimizuar ndikimin negativ të taksave në rritjen ekonomike dhe efikasitetit.
Para rritjes, hapësirat antievazion
Dy metodat më reale që masin evazionin fiskal janë produktiviteti i taksave dhe hendeku tatimor. E para tregon tatimin e mbledhur në përqindje të bazës tatimore (PBB dhe konsumit) ndërsa e dyta, hendeku tatimor është përcaktuar si diferencë midis shumës së taksave që qeveria duhet të mbledhë dhe shumës faktike që mbledh. Duke marrë në konsideratë këto dy metoda, Banka Botërore në analizën që u ka bërë e financave publike shqiptare, arrin në përfundimin se produktiviteti i TVSH-së në Shqipëri është 53%, në një kohë kur mesatarja për Europën Lindore është 66%. Kjo do të thotë se, në Shqipëri, për çdo 1% e normës së tatimit të TVSH, administrata tatimore mbledh TVSH në vetëm 53% të konsumit të përgjithshëm, duke lënë 47% të pataksuar. Në këtë 43% të konsumit të pataksuar, janë të përfshira përjashtimet ose korrupsioni dhe evazioni fiskal, që bëjnë të pamundur tatimin e bazës së plotë. Akoma më rëndë paraqitet produktiviteti në Tatimin mbi të Ardhurat Personale në vetëm 6% dhe tatimi mbi fitimin me vetëm 17%. Për të ardhura personale do të thotë se vetëm 6% e bazës (PBB) tatohen në të vërtetë. Produktiviteti i tatimfitimit është pak më i mirë. Analiza tregon se, pothuajse në të gjitha llojet e tatimeve ka shumë vend për përmirësim të administrimit. Analistët e Bankës Botërore sugjerojnë se ende gjenden hapësira të mëdha në luftën ndaj informalitetit në Tatimin mbi Vlerën e Shtuar dhe në Tatimin mbi të Ardhurat Personale. Ndërsa analiza e produktivitet të taksave tregon se, tashmë ka një evazion evident shumë të lartë, metoda e hendekut tatimor sugjeron se, administrata tatimore mund të përmirësojë mbledhjen e TVSH-së në Shqipëri nga 10 deri në 20%. Në nivele edhe më të larta sugjerohet përmirësim që mund të vijnë për Tatimin mbi të Ardhurat Personale dhe tatimfitimin. Sidomos të ardhurat nga TAP të paktën do të dyfishoheshin nëse do të zbatoheshin politikat më të efektshme. Ekspertiza e Bankës Botërore sugjeron se hendeku tatimor në tatimin mbi fitimin është rreth 38%, por në raste të veçanta evazioni në këtë tatim shkon edhe 66%. Kjo situatë vjen nga nënraportimet që bëjnë kompanitë për fitimet dhe shpenzimet e fryra. Ekspertiza e Bankës sugjeron se, ka ende një hapësirë për rritjen e mbledhjes së të hyrave të duhanit, alkoolit dhe të karburantit.
Politikat tatimore, mundësi të reja
Shqipëria ka ende opsione për të bërë politika fiskale pa ndryshuar përqindjet aktuale të taksave. Këto lidhen me zgjerimin e bazës së TVSH-së dhe taksimit të bujqësisë, turizmit dhe pasurive të paluajtshme. Ligji i TVSH ka vetëm dy norma pozitive 20 dhe 10% për barnat. Normë zero TVSH është aplikuar vetëm për eksportet dhe disa mallra dhe shërbime janë të përjashtuara. Pragu i TVSH për regjistrim është 5 milionë lekë e xhiros vjetore të biznesit. Ministria e Financave është duke shqyrtuar mundësi për përfshirjen e banesave të reja në TVSH, për shkak se edhe në BE, ndërtesat e reja janë subjekt i TVSH-së. Analizat e Bankës Botërore sugjerojnë se, Shqipëria mund të mbledhë 10 miliardë lekë nga ky sektor me normën maksimale e TVSH-së 20%, duke siguruar një rritje të arkëtimeve nga ky tatim me 1.5% të PBB. Nga ana tjetër, përjashtimet që qeveria e shkuar aplikoi mbi importet e mallrave kapitale, jo vetëm i kanë reduktuar të ardhurat, por shihen nga ekspertët e Fondit Monetar Ndërkombëtar në kundërshtim me sistemin e TVSH-së në BE-së. Në prill 2013, ligji i TVSH u ndryshua për të përjashtuar importet e mallrave kapitale. Tre vite më parë, qeveria e kishte përjashtuar importet e pajisjeve për investime që kushtonin më shumë se, 500,000 USD. Pajisjet e importuara për eksplorimin e naftës dhe të zhvillimit janë përjashtuar. Përveç ngushtimit të bazës tatimore, ekspertiza e FMN ka sugjeruar se këto përjashtime kanë krijuar mundësi të mëdha për përdorim të gabuar. Çdo autoritet tatimor do ta kishte të pamundur për të kontrolluar përdorimin fundor të çimentos ose çelikut, nëse po shkojnë për ndërtime HEC-esh apo ndërtime të tjera. Të gjitha këto masa kanë ulur të ardhurat nga TVSH me 0.5%. Qeveria shqiptare ka marrë sugjerimet nga FMN dhe BB që të heqë këto përjashtime. Bujqësia shihet si një sektor tjetër gati tërësisht i patatuar. Por, sipas ekspertëve të Ministrisë së Financave, ndryshimet tatimore në këtë sektor kërkojnë analizë më të thellë fiskal-ekonomike dhe sociale që është përtej qëllimeve afatshkurtra të politikës fiskale.
Rezultatet shterpë të ndryshimit të taksave
Historia ka treguar se, ndryshimet në vlera të taksave, edhe kur kanë pësuar ulje apo rritje, nuk kanë sjellë ndryshime të dukshme në rritjen e të ardhurave. Ky fakt vjen si një leksion i qartë se, administrimi dhe lufta ndaj informalitetit duhet të jenë në fokus më shumë se rritja apo ulja e disa tatimeve apo taksave. Në vitin 2008, e shtyrë nga një garë në rajon dhe më gjerë, Shqipëria reduktoi tatimin mbi fitimin nga 20% në 10%, siç bëri Bullgaria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, IRJ të Maqedonisë, Mali i Zi dhe Serbia. Logjika ishte se, kjo politikë do ta bënte Shqipërinë një destinacion të favorizuar për investimet e huaja dhe uljen e informalitetit dhe korrupsionit. Por gjatë zbatimit të kësaj politike, realiteti ka treguar se, evazioni nuk është reduktuar në mënyrë të konsiderueshme. Ndërsa për investimet e huaja mësohet se faktorë të tjerë që kanë të bëjnë me infrastrukturën, shtetin ligjor, krahun e lirë të punës, etj., kanë pasur ndikim më të madh se taksat e ulëta. E njëjta gjë ndodhi edhe me uljen e TAP në nivelin 10%, i cili në vitin e parë të aplikimit, solli ndryshim që në vitet e mëvonshme u zbeh. Por e njëjta situatë duket të jetë e vlefshme edhe për taksat që u rritën. Në fillim të këtij viti, qeveria e re, në sugjerimet e FMN, ndryshoi politikën fiskale, duke kthyer taksën e sheshtë në progresive, çka solli rritje të tatimfitimit te bizneset nga 10% në 15% dhe tatimin mbi pagat deri në 23% nga 10% që ishte më 2013. Gjithashtu u aplikua një rritje e akcizës te cigaret dhe një rritje e taksës së qarkullimit që vilet te nafta. Rritjet në këto taksa pritej të sillnin në buxhet një shumë të shtuar prej 19 miliardë lekësh. Por të dhënat e fundit sjellin një situatë krejt ndryshme. Taksat dhe tatimet e rritura janë 4 miliardë lekë më pak se planifikimet e 8-mujorit. Këtë vit, të ardhurat kanë ardhur nga grumbullimi i TVSH-së me më shumë se 4 miliardë lekë nga plani, shifër kjo që i dedikohet më së shumti rritjes së importeve. Duke marrë në konsideratë këto reagime të ekonomisë sonë ndaj rritjes së taksave, një vlerë më e lartë e tyre në vitin që vjen pritet të kthehet në bumerang për vetë arkën e shtetit dhe një pengesë serioze për rritjen ekonomike.
Regjistrat demode të tatimeve
Një faktor i rëndësishëm në çdo reformë tatimore është kapaciteti i administratës tatimore dhe kontekstin e përgjithshëm institucional brenda të cilit vepron. Dobësitë në administratën tatimore për të zbuluar dhe për të luftuar evazionin fiskal mund të rezultojnë në boshllëqe të mëdha në mbledhjen e taksave. Raportet e fundit të FMN-së dhe Bankës Botërore kanë vënë në dukje, se modernizimi dhe përmirësimi i administrimit të taksave mbetet një sfidë e rëndësishme në Shqipëri. Vendet që kanë një sektor të madh joformal, në mënyrë tipike kanë një boshllëk tatimor të lartë dhe një administratë tatimore të dobët. Sipas një studimi të kohëve të fundit të Bankës Botërore mbi madhësinë e ekonomisë gri, ekonomia hije në Shqipëri është vlerësuar në 35.1% të PBB-së. Një pjesë e madhe e ekonomisë gri, korrupsionit dhe mosfunksionimit të institucioneve janë të lidhura me nivelet e larta të evazionit të taksave dhe administrimit të dobët të tyre. Rast tipik është regjistri i tatimpaguesve, kur një përqindje e madhe e tyre janë joefektive. Nga një verifikim që ju bë regjistrit tatimor dy vite më parë rezultoi se, rreth 18% e paguesve të TVSH, 41% e paguesve të tatimit mbi fitimin, 23% e paguesve TAP dhe 30% e kontribuuesve të sigurimeve nuk ishin më aktivë. Pastrimi i regjistrit nga bizneset joefektive shihet si një masë e parë antievazion. Pas kësaj, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve duhet të krijojë një regjistër me bizneset që realisht janë tatimpagues. Më pas, institucionet financiare ndërkombëtare rekomandojnë që ky regjistër të administrohet në mënyrë rigoroze, duke i përjashtuar bizneset që nuk paguajnë për dy apo tre periudha tatimore rresht. Bizneset mund të futen sërish në regjistër vetëm pasi të kenë shlyer detyrimet. Por, ndërkohë, askush nuk mund të verifikojë listën e pastër të bizneseve. Ndërsa lista tjetër e bizneseve jokorrekt mund të verifikohet fare lehtë nëse spekulon me faturat e TVSH dhe kjo duhet t’i bëhet e ditur menjëherë publikut. Pjesa tjetër e bizneseve që janë në listën e “pastër” e marrin automatikisht rimbursimin e TVSH-së. Ndërkohë programi për kthimin e TVSH duhet për të kontrolluar, nëse furnizuesi nuk është në listë dhe do të paralajmërojnë tatimpaguesin se furnizuesi i tij nuk është i autorizuar të lëshojë fatura të TVSH-së. Ndërkohë dogana nuk duhet të përpunojë importet ose eksportet për tregtarët që nuk janë në regjistrin e pastër.
Tatimet, humb konkurrenca rajonale
Nëse qeveria do të merrte në konsideratë të ndryshonte politikat fiskale nisur nga ambienti rajonal, do të kishte shumë pak për të bërë. Pas ndryshimeve në paketën fiskale të këtij viti, jemi me nivel më të lartë taksash në pjesën dërrmuese të tyre. Tatimin mbi fitimin e bizneseve e kemi 15%, ku shumica e vendeve e ka këtë nivel 10%. Kemi nivel të lartë të TVSH, ndërsa fqinjët tanë kanë norma më të ulëta të këtij tatimi dhe gjithashtu aplikojnë përqindje diferencuese për mallrat e shportës dhe disa shërbime. Shqipëria me rikthimin e taksës progresive këtë vit renditet si vendi me nivelin më të lartë në rajon i tatimit mbi të ardhurat personale që arrin deri në 23% për pagat e larta, ndërkohë që shumica e vendeve të rajonit vazhdojnë të kenë një nivel 10%. Aktualisht, vendi ynë aplikon sigurimet shoqërore dhe shëndetësore në nivelet më të ulëta në rajon. Norma e sigurimeve që paguan punëmarrësi dhe punëdhënësi për pensione dhe për shërbimin shëndetësor është 27.9%, ndërkohë që mesatarja rajonale është mbi 30%. Shqipëria e ka pasur edhe para vitit 2009 mbi 40% normën e kontributit për sigurime, por informaliteti me të dyja nivelet e tatimit ka qenë pothuajse njësoj. Në krahasim me fqinjët, Shqipëria ka ende akcizë më të ulët për cigaret dhe nivel më të lartë të taksimit të naftës. Pavarësisht se kemi barrën fiskale ndër më të lartat, mbledhja e taksave në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto është rreth 15% më e ulët se mesatarja rajonale. Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jaka, tha se barra e rëndë fiskale dëmton biznesin, dëmton konkurrencën e ndershme, rrit mundësinë për evazion dhe nuk kontribuon në rritjen e të ardhurave nga taksat në proporcion me rritjen e tyre. Shembull tipik është Portugalia, ku Banka Botërore dhe FMN-ja, në mbikëqyrje të qeverisë vendase për kalimin nga kriza, sugjeruan të veprohej duke reduktuar shpenzimet publike dhe duke rritur taksat. Këto politika rezultuan të gabuara, pasi çuan në ulje të konsumit dhe të investimeve në vend, duke mos bërë rritje të PBB-së, por thjesht duke rritur presionin fiskal, i cili nuk të çon në rritje ekonomike. Kryetari i Dhomës së Tregtisë sugjeron se qeveria duhet të kuptojë se, është e nevojshme asistenca e FMN-së, por teoria e rritjes së taksave në kohë krize nuk jep produkt. Politikat, sipas tij, duhet të drejtohen dhe të nxisin kreditimin, konsumin dhe investimet e huaja. Pas këtyre vjen edhe ulja në përqindje e papunësisë. Të gjitha këto, sipas Jakës, janë rruga e vetme që çojnë në rritje ekonomike.
Plani i qeveri-FMN për rritjen e taksave
Rekomandimet që Fondi Monetar Ndërkombëtar ka dhënë ndaj qeverisë shqiptare konsistojnë në faktin se rritja e taksave do të vijojë edhe për 2015-2016. FMN, bashkë me qeverinë shqiptare, ka përcaktuar taksat që kanë hapësirë për rritje të mëtejshme në vitet në vijim. Rritja me 50% e taksës për makinat e vjetra, vënia e një tarife në autostradën Durrës-Kukës, një taksë fikse për ata që udhëtojnë jashtë vendit, vënia e TVSH-së për telefonatat që vijnë nga jashtë dhe vënia e TVSH-së për shitjen e banesave të reja janë disa nga taksat që pritet të rriten. Por FMN ka qartësuar pozicionin e tij se, se është në zgjedhjen e qeverisë se cilat taksa do të rrisë dhe në çfarë mase do t’i rrisë ato. Porse, sipas tij, është e nevojshme që rritja e tyre të bëhet në dy vitet e ardhshme. Ndërkohë, burimet në Ministrinë e Financave e kanë pohuar këtë fakt, duke sqaruar se puna për paketën fiskale të 2015-s tashmë ka nisur. Të gjitha propozimet e përcaktuara në marrëveshje me FMN-në janë duke u shqyrtuar, por ngarkesa fiskale në paketën e vitit 2015 do të jetë më e vogël se ajo e këtij viti. Barra e rritjes do të jetë edhe më e lehtë, nëse qeveria siguron stabilitet fiskal, çka do të thotë, të mbledhë të ardhura sipas programit dhe të racionalizojë shpenzimet.
Rritja, taksim direkt apo indirekt
Në terma të strukturës së taksimit, përgjatë viteve ka pasur një zhvendosje të taksimit nga taksat mbi tregtinë drejt TVSH dhe akcizave. Aktualisht, shumë pak të ardhura vijnë nga tarifat doganore që i aplikohen importeve. Sipas një analize që ka bërë Ministria e Financave për ecurinë e grumbullimit të të ardhurave nga vitet 1993-2012 vihet re se taksimi indirekt (mbi konsumin) është dominant në mbledhjen e të ardhurave kundrejt taksimit të të ardhurave (individë dhe kompani) dhe pasurisë. Përgjatë 20 viteve vihet re një dominim i tatimeve që rëndojnë konsumin, siç janë: TVSH, akcizë dhe taksë doganore, kundrejt tatimeve që rëndojnë direkt të ardhurat e përftuara nga individë dhe biznese dhe pasurinë e tyre. Në ritmin e rritjes, të ardhurat nga taksimi indirekt pësojnë rritje më të theksuar se tatimet direkte, veçanërisht në periudhën 1998 deri në 2008, vit nga i cili ndihen pasojat e rënies së konsumit dhe si rrjedhojë të prodhimit të brendshëm dhe importit. Kjo ka ndodhur se tatimet indirekte janë më të thjeshta për t’u mbledhur, veçanërisht ajo pjesë që mblidhet në momentin e importit, ndërsa tatimet direkte (sidomos mbi të ardhurat individuale) për kohë të gjatë vijojnë të jenë objekt i niveleve të larta të shmangies dhe evazionit tatimor. Përveç kësaj, politika e ndjekur ka qenë ajo e uljes së vazhdueshme të normave të taksimit direkt, me fokus të veçantë tatimfitimin; ndërkaq, lidhur me taksimin indirekt, norma e TVSH është mbajtur e pandryshuar që në vitin 1996 (kur hyri në fuqi Tatimi mbi Vlerën e Shtuar) dhe akciza ka pësuar rritje të vazhdueshme për mallrat kryesore si karburante dhe cigare. Në terma shumë të përgjithshëm, totali i të ardhurave në buxhet, ka kaluar nga 33.5 miliardë lekë në vitin 1993 në 329.8 miliardë lekë në vitin 2012, me një rritje 10 herë. Po të bëjmë një ndarje në tre grupe: ndihmat, të ardhurat tatimore dhe jotatimore, rezultojnë në 2012 në të njëjtin nivel me 1993, por me ulje të ndjeshme kundrejt viteve 1998-2001. Të ardhurat tatimore kanë rritje 13 herë dhe të ardhurat jotatimore rritje 5 herë ndaj 1993. Në raport me PBB, në vitin 1996, Shqipëria mblidhte 15.1 lekë për çdo 100 lekë produkt të brendshëm, ndërsa në vitin 2013 ky indikator ishte në nivelin 24.5%.
Taksat dhe tatimet në diskutim për rritje:
-Vendosja e një takse 2% për të ardhurat e kompanisë koncesionare të autostradës Durrës-Kukës.
-Rritja e pagesës vjetore për makinat e përdorura me 50%.
-Vendosja e TVSH-së mbi ndërtesat e reja, përfshirë vlerën e tokës për ndërtimet me përqindje.
-Zbatimi i TVSH-së për telefonatat që vijnë nga jashtë vendit.
-Një taksë e sheshtë mbi të gjithë banorët që udhëtojnë jashtë vendit.
-Rritje të taksave mbi të ardhurat nga interesat, aksionet, dividendët, qiratë nga 10-12%.
-Rritje të taksave mbi të ardhurat nga pagesat për pronësinë intelektuale nga 10-12%.
– Rritja e çmimit të energjisë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.