Dilemat e fermerëve, mes traditës dhe eksperimenteve

15/07/2017 10:06 PM 0 komente
TEMA TE NGJASHME:
Sherebele

Për shkak të kostove të larta, copëzimit të tokës dhe mungesës së financimeve, fermerët shqiptarë po orientohen drejt kulturave bujqësore të panjohura, të cilat rrezikojnë të kthehen në flluskën e radhës.
Kërmilli në fermë dhe sherbela në fushë, që u shndërruan në tendencë disa vite më parë, i kanë zhytur në borxhe kultivuesit, ndërsa specialistët bëjnë thirrje për më shumë kujdes. Moda e fundit me palmat, plepin kanadez, paulonjën kineze dhe dhinë alpine lajmërojnë rrezik të ri.
Ja këshillat e ekspertëve

 

Blerina Hoxha

 

Teksa sezoni bujqësor është në kulmin e mbjelljeve në fushë, fermerët janë vënë në kërkim të kulturave të reja, që sjellin më shumë fitime nga ngastrat e vogla. Vitet e fundit, eksperimentet janë shtuar aq shumë saqë humbjet në shumë raste kanë qenë fatale. Kërmilli në fermë dhe sherbela në fushë, që u shndërruan në tendencë disa vite më parë, i kanë zhytur në borxhe kultivuesit, ndërsa specialistët apelojnë për më shumë kujdes. Moda e fundit me palmat, plepin kanadez, paulonjën kineze dhe dhinë alpine lajmërojnë flluskën e radhës.

Ismail Beka nga Shoqëria Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ), i cili ka asistuar projekte të ndryshme në sektor, këshillon bujqit për më shumë kujdes në kultivimin e kulturave të panjohura. Beka thotë se, fermerët duhet ta trajtojnë si më të rëndësishme mbjelljen e tokës. Produktet bazë të konsumit, si drithërat tradicionale dhe perimet, së paku sigurojnë burimet vetjake të ushqimit për familjet fermere. Duke marrë në konsideratë se shumë nga këto produkte Shqipëria ende i importon, do të thotë se ka ende hapësira në tregun e brendshëm që çojnë fitime për tepricat e familjeve fermere. Më tej, zhvillimi i sektorit në rang industrie kërkon më shumë koordinim dhe strategji që duhet të udhëhiqen nga institucionet shtetërore.

Bujqësia shqiptare, edhe pse kontribuon me rreth 18% në Prodhimin e Brendshëm Bruto, është një sektor në faza primitive të zhvillimit të saj, me mungesë mekanizimi, copëzim të theksuar të tokës dhe në këtë situatë, fermerët janë duke eksperimentuar me disa kultura jotradicionale, që nuk kërkojnë shumë kosto, tokë dhe sjellin shumë fitime. Dy vitet e fundit është mbjellë pasivisht paulonja, një bimë gjenetikisht e modifikuar, që e ka origjinën nga Kina dhe shërben si lëndë e parë për industrinë e anijeve dhe avionëve. Mirëpo duke qenë se cikli i parë i vjeljes është së paku 5 vite, garancia për ecurinë e çmimit rrezikon të ardhurat e planifikuara që në fillim të investimit. Duke qenë se ndryshimet klimatike në Shqipëri janë ekstreme, përmbytjet i kanë dëmtuar fidanët e rinj dhe bima nuk është përshtatur gjithmonë. Kërkesa globale në rritje për dru industrial ka bërë që paulonja, të mbillet masivisht në Europë dhe sidomos në Lindje, Rumani dhe Bullgari. Kultivimi masiv i bimës edhe në kontinente të tjera veç Kinës ka gjasa të çojë në superofertë që do të ulë çmimet, lajmërojnë ekspertët. Përshtatja me tokën dhe klimën dhe efektin që kanë këto bimë të huazuara në florën vendase mbeten të pavlerësuara, por disa pasoja kanë dalë në pah.

Palma dekorative, një tendencë që joshi shumë biznese, madje edhe qeverinë që nisi të dekorojë akset kryesore të vendit, u tha tërësisht dimrin e fundit, për shkak të temperaturave nën zero, të cilat pema nuk i përballoi. Kostoja e një palme llogaritet në 350 euro, teksa tharja e saj, “thau” edhe bizneset që merreshin me tregtimin e saj.
Ekspertë të sektorit këshillojnë që bujqit të orientohen nga kërkesa e tregut dhe të mbjellin në varësi të tij. Nuk duhet eksperimentuar në asnjë kulturë të re, nëse më parë nuk është gjetur tregu pohojnë ekspertët e Agroweb, një program i UASID për bujqësinë.

 

AgroturizemBlegtoria apo bujqësia

Duke qenë se bujqësia në vend është kryesisht një sektor informal, i bën të vështira analizat në lidhje me kostot dhe përfitimet për produkte të caktuara. Ekspertët që janë marrë me studime të fizibilitetit në sektor thonë se leverdia më e madhe në kthimin e investimit aktualisht është në blegtori. Altin Furtuna, nga Dhoma Turke e Tregtisë, pohon se shumë investitorë turq janë të interesuar për investime në Shqipëri, sidomos në sera dhe kultivimin e perimeve. Por analizat e tregut tregojnë se, blegtoria ka norma më të mëdha kthimi të investimit se sa bujqësia, pohon ai. Tregu i mishit dhe bulmetit është i garantuar, pasi edhe kërkesa vendase për këto produkte nuk është e plotësuar.
Petrit Ago, i cili zotëron një prej fermave më të mëdha në vend, me mbi 2600 krerë lopë, dhi dhe dele, pohon se ky biznes ka leverdi dhe ai po synon të rrisë vlerën edhe më tej, duke mbyllur ciklin nëpërmjet ndërtimit të një fabrike të përpunimit të qumështit, teksa prej vitesh zotëron një rrjet shpërndarje të pakicës me disa artikuj industrialë importi.

Mirëpo sektori rrezikon një flluskë për shkak se shumë biznese, që më parë operonin në sektorin e ndërtimit, i janë drejtuar fermave të kafshëve. Pa përvojë dhe me mungesa personeli të kualifikuar (veterinerë) zotëruesit e stallave janë gjendur në vështirësi. Në tregjet e Lushnjës dhe Beratit, dhitë alpine i gjen aktualisht me çmimin 12-15 mijë lekë, teksa dy vite më parë, një dhi e kësaj race kushtonte 30 mijë lekë. Dhia alpine kërkon kujdes të veçantë, ka prodhim në keca po qumësht jep për një kohë të shkurtër. Por problemi më i madh i sektorit është me kostot e ushqimit. Ago e importon rreth 70% të bazës ushqimore që nga Spanja, Greqia, Maqedonia etj.

Tregu vendas nuk mund t’i sigurojë atij furnizime të mjaftueshme. Edhe pse ka bërë mjaft takime me fermerë në zona të ndryshme, ata nuk kanë rënë dakord të bashkojnë tokat për të siguruar jonxhën e bagëtive. Për pasojë, furnizimet më të mëdha vijnë që nga Spanja e largët me traget e më pas me kamionë. Kosto e bazës ushqimore, sidomos jonxhës, shkon 30 lekë për kilogram. Dhe më e keqja është se, edhe sikur të mos ishte problemi i copëzimit të tokës, produkti nuk mund të prodhohet në Shqipëri, për shkak të lagështirës së madhe. Jonxha shqiptare krijon myk, që është i dëmshëm dhe për pasojë nuk është në preferencat e fermës së Agos. Më së shumti, në Shqipëri, sigurohet bari dhe gjithashtu përgatitet silazhi, që zë edhe 35% të bazës ushqimore.

 

Modeli të orientohet nga agroturizmi

Rexhep Uka është një nga profesorët e pakët në vend, i cili e njeh bujqësinë në nivel shkencor, por që edhe drejton një biznes që lidhet me fushën. Sipas tij, zhvillimi i sektorit duhet të anojë nga bujqësia, nga kultivimi i frutave dhe perimeve. Zoti Uka këshillon që bujqësia shqiptare duhet të synojë të ecë në raport me zhvillimet e kërkesës. Kërkesa, sipas tij, gjithnjë e më shumë po orientohet nga turizmi, ndaj prodhimet duhet të ndjekin këtë tendencë. Turistët në Shqipëri parapëlqejnë të hanë një produkt bujqësor që nuk e kanë provuar më parë. Ndaj bujqit shqiptarë, gjithnjë e më shumë duhet të prodhojnë produktet autoktone shqiptare, të cilat për fat ende nuk e kanë humbur origjinalitetin. Duke ofruar prodhime autoktone, turistët do të ndihen më të tërhequr nga Shqipëria e për rrjedhojë, bujqësia do të përfitojnë shumë. Uka e propozon këtë model pas një përvoje vetjake. Ish-ministri i Bujqësisë, pas një përvoje të gjatë në politikat bujqësore dhe në mësimdhënie, tani është administrator i një ferme që furnizon me prodhime një restorant, “Uka Farm” i cili për shkak të ushqimit të freskët direkt nga ferma, u bë shumë shpejt i famshëm. Në vetëm pak vite, biznesi i tij i argotizmit është kthyer në destinacionin e fundjavës për shumë kryeqytetas. Ferma dhe prodhimet e saj kanë qenë arsyeja se pse restoranti tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë.

Agroturizmi vitet e fundit po rezulton një model i suksesshëm që po funksionon më së miri. Njësi të tilla në të gjithë vendin janë shndërruar në një treg të garantuar për fermerët, duke siguruar blerjen e të gjitha prodhimeve bujqësore dhe blegtorale. Kështu profesori i bujqësisë, Rexhep Uka, thotë se fermerët më shumë se orientimi drejt produkteve të panjohura, por që joshin me fitime, duhet të drejtohen nga kërkesa që paraqet sektori i turizmit.

 

Caj maliNga çaji te bimët mjekësore

Shqipëria ka disa kultura autoktone, të cilat rriten ende në gjendje të egër, të pandikuara nga dora e njeriut. Ekspertët e Agroweb pohojnë se çaji i malit, boronica dhe bimët mjekësore në Shqipëri janë në një pjesë të madhe unikale dhe ka gjithmonë një treg të garantuar me vlerë në rritje. Deri më tani, bimët rriten në gjendje të lirë në natyrë, por këto varietete të malit mund të kultivohen në fushë. Çaji i malit që rritet në Shqipëri nuk gjendet në asnjë vend tjetër. Një program i USAID, që është duke dhënë asistencë për Shqipërinë, ka vënë në dukje se bimët unike me vlera ushqyese, kanë kërkesë të jashtëzakonshme në tregjet e huaja. Ekspertët amerikanë janë duke punuar për marketimin e bimës dhe gjithashtu janë duke zhvilluar projekte pilot për kultivimin e saj edhe në fushë. Çaji është një produkt i konsumit masiv dhe i si tillë, është përballë një kërkese të garantuar dhe në rritje. Ekspertët e USAID pohuan për ‘Monitor’ se kultivimi i bimës shumë shpejt do të jetë me leverdi.

Boronica, gjithashtu është unike për vlerat dhe shijen që ka. Bima që prodhon frutën e vogël kurative tani rritet në gjendje të lirë në Alpe, por aktualisht i mungon tërësisht zinxhiri për rritjen e vlerës. Ekspertët e USAID mendojnë se një varietet autokton i boronicës është me shumë të ardhme. Por fillimisht të interesuarit për këtë biznes duhet të krijojnë strukturën e plotë për tregtimin dhe përpunimin e saj. Aktualisht mungon infrastruktura për transportin dhe magazinimin e saj në dhomat frigoriferike. Fruta magjike shitet kundrejt vlerës një euro për kilogram ndaj grumbulluesve nga Mali i Zi dhe nga Kosova. Agropërpunuesit nga këto vende prodhojnë lëngje me boronicën shqiptare, e cila ende nuk po mund të integrohet në zinxhirin e vlerës duke mos i dhënë ekonomisë vendase fitimet që i takojnë.
Bimët e tjera mjekësore janë me interes. Ato aktualisht janë krenaria e eksporteve shqiptare, por përpjekja për të kultivuar në fushë disa prej tyre ka dështuar. Fara e kontaminuar e sherbelës, jo vetëm që solli humbje të mëdha për kultivuesit e saj vitet e fundit, por dëmtoi edhe imazhin e mirë që bima mjekësore kishte krijuar në tregjet ndërkombëtare.

 

Perimet nuk të lënë në baltë

Vitet e fundit, eksportet e perimeve janë rritur rreth 30% në vit, por kjo ecuri nuk ka e qenë e mjaftueshme për të shpërblyer mundin e fermerëve shqiptarë. Mungesa e standardit në varietete dhe kultivimi i tyre nga njësitë fermere në sipërfaqe në më pak si një dynym nuk garanton fitime për kultivuesit. Ilir Mile, nga fshati Verri në Fier, në zemrën prodhuese të vendit, tha se këtë pranverë fitimet për një dynym me domate qenë vetëm 20 mijë lekë. Kostot për një dynym serë domate, tha ai këtë vit, arritën në rreth 80 mijë lekë, teksa të ardhurat nga shitja nuk ishim më shumë se 100 mijë lekë. Mile tha se tregu nuk është garantuar dhe mungojnë kontratat e shitjes, shpesh ndodh që prodhimi të mos justifikojë kostot. Ky dimër i egër që kaluam – shtoi ai – ka sjellë shumë dëme për kultivuesit e serave pasi prodhimet që ishim mbjellë para ngricave u shkatërruan totalisht.

Por pavarësisht kësaj situate, perimet nga serat në Shqipëri mbeten një nga produktet me leverdi. Altin Fortuna nga Dhoma Turke e Tregtisë pohon se investitorët turq janë gati të investojnë në kultivimin e frutave dhe perimeve nga serat. Oferta e tyre – tha Fortuna – siguron vlerën e investimit dhe kontratat e shitjes. Mirëpo që investimet të finalizohen, duhet që të sigurohet një sipërfaqe më e madhe toke sesa përpunojnë fermerët aktualisht. Mirëpo Ismail Beka nga GIZ pohon se, me gjithë këtë problematikë, kultivimi i perimeve është ende me leverdi. Beka thotë se më e pakta, në këtë mënyrë fermerët do të mund të sigurojnë një pjesë të nevojave të veta për ushqime. Ai thotë se zhvillimi i bujqësisë duhet parë në kontekstin në të cilin ndodhet.

 

Fermat rentabël, jo më pak se 20 hektarë

Familjet fermere në Fier llogarisin se nuk ka asnjë fizibilitet në sera në më pak se 5 hektarë. Alban Gjoka, nga fshati Goricaj i Fierit, një burrë në të 40-at, që fëmijë ka ndihmuar prindërit në serën e familjes, e cila fillimisht nisi në pak metra katrorë. Këtu në Goricaj – thotë ai – të gjithë kanë sera, me këtë jetojnë. Vetëm katër-pesë familje rrojnë me bagëti. Kam mbi 20 vjet që merren me këtë punë, por vetëm ushqehem. Duhet të kesh të paktën pesë dynymë që të nxjerrësh një lek mënjanë.

Por për Ministrinë e Bujqësisë, për të filluar një biznes në bujqësi, duhen së paku 20 hektarë. Në një analizë që ka bërë Këshilli i Investimeve për aksesin në financë të agrobiznesit, ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, ka pohuar se një sipërfaqe konsiderohet minimalisht optimale për të filluar një biznes bujqësor, me 20 hektarë, teksa mesatarja e fermave bujqësore aktualisht nuk është më shumë se 1.2 hektarë. Ministri i Bujqësisë ka shpjeguar se, në fakt, ka dy mekanizma që e konsolidojnë tokën e ndarë në parcela të vogla nga Ligji 7501. “Së pari, tregu i tokës, ai që ka certifikata pronësie, hyn në mekanizmin e shitblerjes dhe në këtë mes, arrihet një sipërfaqe që konsiderohet minimalisht optimale për të filluar një biznes bujqësor, minimalisht 20 hektarë për të justifikuar kostot e mekanizmit bujqësor, kontributeve, etj. Tregu i tokës do të duhet kohë të funksionojë dhe çmimet e tokës të kthehen në realitet dhe jo të mbivlerësuar si tani”, është shprehur Panariti gjatë takimit. Mekanizmi i dytë është konsolidimi virtual i tokës, d.m.th. sipërfaqe që krijohen nga bashkime virtuale të fermerëve nëpërmjet agreguesve, si modeli i Xarrës në Jug, ku është krijuar një model kooperative i suksesshëm për eksport, ka sugjeruar ministri. Sfidat e bujqësisë shqiptare dhe institucioneve përkatëse janë të lidhura shumë me standardet e cilësisë dhe gjurmueshmërinë për t’i bërë konkurruese në tregjet europiane.

Ministri i Bujqësisë ka pohuar se modeli rentabël që duhet promovuar për investitorët është agroturizmi, që mund të jetë më konkurrues sesa bujqësia e ekonomisë së shkallës, ku mund të krijohen edhe markat shqiptare dhe origjinale që mund të zgjerohen më tej, si p.sh., te vaji i ullirit.
Vendi aktualisht ka 350 mijë ferma të vogla, sipërfaqja e të cilave, në një mesatare të përgjithshme, nuk i kalon të 1.2 hektarët. Sipërfaqja e parcelave të mbjella me një kulturë nuk i kalon të 0.2 hektarët. Situata është alarmante edhe në sektorin e mekanizimit, ku 350 mijë fermave u përgjigjen vetëm 20 mijë e 600 mjete.

 

Kosto të larta të serave

Të gjithë fermerët në zonën më prodhuese të vendit, në Lushnjë, kanë një kredi për të shlyer, pjesa më e madhe e të cilëve e kanë marrë për shtimin e sipërfaqes me sera. Kreditë janë marrë kryesisht nga institucionet financiare jo banka dhe me interesa më të larta se 20%. Kreditë dhe këstet janë pjesë e bisedave të tyre. Biznesi i fermës nuk akumulon kursime, ndaj kredia mbetet zgjidhja për të shtuar edhe pak metra serë. Një dynym kushton 800 mijë lekë.

Këtu përfshihen shtyllat e betonit, skeleti i hekurit, fashat e plastmasës dhe haku i punës. Pasi ka mbaruar, karabinaja ka shpenzime të tjera për sistemin e ujitjes që shumica e tyre e kanë me pika, siç i kanë parë në Greqi. Disa i kanë me dopio plastmasë, për të siguruar temperatura më të larta. Për ata që nuk e kanë idenë, 800 mijë lekë për një dynym serë janë shumë. Me kaq mund të ndërtohet edhe një shtëpi. Por fermerët i bëjnë hesapet me laps në dorë, në hapësirën prej plastmase në fushë ka detaje që kushtojnë shumë. Mirëpo, përveç interesave të larta, kreditë janë shumë të vogla. Zakonisht bankat dhe institutet e kreditit nuk japin më shumë se 300 mijë lekë, të cilat nuk janë të mjaftueshme për të mbuluar as 30% të kostove që kërkon një dynymë serë, thotë Ilir Mile. Po të ecë mbarë investimi, kthehet për pesë vite, shton Albani.

 

GeshtenjeArrorët dhe gështenjat

Arrat, lajthitë dhe sidomos gështenjat, janë një burim i mirë fitimi për bujqit në Veri të vendit që kanë pak tokë në administrim, shumë kosto për transport dhe dimër të gjatë. Arroret dhe gështenjat janë ideale për këto terrene. Rriten në toka të varfra, nuk kërkojnë shumë ujë dhe frutat e tyre janë të kushtueshme. Nisma për mbjelljen e arroreve dhe lajthive nuk është se u praktikua në zonat e Veriut, por së fundmi pyjet me gështenja, që janë rritur në gjendje të egër si të gjithë drunjtë e tjerë në mal, kanë nisur të japin fitime të majme për banorët e zonave në të cilat ato gjenden. Pema rritet në pyll, nuk kërkon kujdes gjatë vitit dhe për më tepër, ka çmimin më të lartë se çdo frutë tjetër, që kultivohet në zonë. Nuk prishet shpejt dhe tregun e ka të sigurt. Në vitin 2010, një kilogram gështenjë ka kushtuar vetëm 20 lekë. Me këtë shumë, fshatarët duhet të përballonin edhe shpenzimet e shtrenjta të transportit deri në tregun e qytetit. Shpesh, sasitë nuk shiteshin dhe fitimet finale nuk arrinin as 10 lekë për kilogram. Por sot, katër vite më pas, situata ka ndryshuar kryekëput. Një kilogram gështenjë e cilësisë së tretë kushton nga 100-120 lekë, ose 6-fish më shumë. Për transportin nuk ka asnjë shpenzim. Kompanitë e eksportit kanë nisur të grumbullojnë frutën brenda plantacioneve në fund të ditës së vjeljes, duke siguruar fitim të shpejtë, të lartë dhe pa firo për fshatarët.

Vlera e gështenjës është shumëfishuar vitet e fundit, për shkak të kërkesës për varietetet shqiptare nga kompanitë italiane. Një kilogram gështenja në periudhën e pikut shitet nga banorët e Tropojës që e vjelin atë me 130-150 lekë për kilogram. 15 lekë të tjera për kilogram i marrin transportuesit e të vjelave nga pemët në magazina. Në muajin tetor, në zonën e Tropojës, kryefjala është gështenja. Edhe të larguarit që e kanë konsoliduar jetesën prej vitesh larg Tiranës, çdo tetor kthehen në Tropojë, duke grumbulluar frutat në pronat e tyre sipas ndasive të vjetra. Ekonomia shqiptare që të rrisë më shumë fitimet nga gështenjta, duhet që shoqëritë që merren me grumbullimin dhe eksportin të investojnë në dhomat frigoriferike. Pasi vetëm nga mosruajtja në kushte të tilla, firot shkojnë deri në 20% nga vjelja deri në eksport.

Hapi tjetër është zhvillimi i industrisë së përpunimit. E njëjta leverdi, madje edhe më shumë, është me arroret, por kultivimi i tyre u ndal në vitet e fundit për shkak të mungesës së mbështetjes nga qeveria me subvencione. Duke qenë se fidanët e tyre kushtojnë, lajthitë dhe arrat mbeten ende projekt, edhe pse frutat e tyre po kushtojnë gjithnjë e më shumë për shkak të ndërgjegjësimit për jetë të shëndetshme nga konsumatorët.

 

PaulonjaEksperimenti nga shafrani, stevia, plepi kanadez dhe paulonja

Disa kultura të panjohura nga shqiptarët të ardhura nga Kina, Afrika kanë hyrë në bujqësinë shqiptare si mënyra për të gjeneruar fitime të shpejta. Por risku mbetet i lartë për faktin se, duke qenë se shqiptarët nuk janë të familjarizuar me këto kultura rrezikojnë të dështojnë dhe të humbasin investimet. Ndërkohë duke u marrë me rritjen e tyre, familjet fermere do të shmangin edhe prodhimet tradicionale për vetëkonsum. Shafrani i hedhur në treg së fundi nga politika si një bimë që ka fitim të lartë, duket se pas çmimit joshës në dukje ka shumë sakrifica. Për një kilogram pluhur që kushton deri në 10 mijë euro duhen 15,000 lule dhe mbi 600 orë punë, pa llogaritur shpenzimet për farën dhe kostot e tjera për rritjen. Pas çmimit joshës të bimës ka kosto marramendëse, por ekspertët e Agroweb, pasi kanë bërë kërkime në kultivimin e kësaj kulture, kanë gjetur se kërkesa për këtë produkt përmbushet nga Greqia, Kosova, Spanja etj.

Ndërsa, tek diskutohet për shafranin, një bimë e re po dominon kultivimin në Europë dhe që po shitet shumë. Stevia është në lloj i kallamit të sheqerit, një bimë ëmbëltues por që po përdoret nga industria e pijeve, pasi ka zero sheqer. Kompanitë e mëdha të pijeve të tilla si Coca-Cola kanë nisur të porosisin në masë kultivimin e saj për t’iu përgjigjur kërkesave në rritje për ëmbëltuesin me zero sheqer. Bima është përdorur më herët si sheqer për diabetikët, por tani kërkesat janë shtuar shumë. Një kilogram nga bima kushton 30 deri në 60 dollarë. Stevia ka nisur të kultivohet shumë vitet e fundit në Europë dhe sidomos në Turqi.

Plepi kanadez dhe paulonja kineze kanë joshur shumë fermerë. Dy vitet e fundit, dhjetëra hektarë tokë në të gjithë vendin janë mbjellë me paulonja. Mirëpo investimi më i vjetër në këtë fushë nuk i ka kaluar tre vjetët dhe nuk e kemi ende një precedent se sa fitohet me këtë kulturë. Paulonja, druri i së cilës është mjaft i kërkuar në industrinë e mobilierisë, sidomos për avionë dhe anije, duket se ka krijuar shumë dashamirës në Shqipëri. Një fidan kushton vetëm tre euro dhe sipas kompanive që e shesin atë, pema mund të kultivohet në të gjitha zonat e vendit dhe jep prodhimin e parë brenda pesë viteve. Për fitime më të larta, ajo mund të pritet edhe pas 10 ose 15 vitesh. Pasi druri të pritet, ai rigjenerohet rreth tre herë në të njëjtin trend. Por më pas kostot janë shumë të larta për heqjen e saj, pasi pema ka rrënjë të thella dhe shkulja është një proces i vështirë dhe me kosto. Por kompanitë që shesin fidanët e paulonjës aktualisht ofrojnë kontrata blerje me rreth 200 euro/m3 për fermerët.
Një pemë e ngjashme që ka nisur të mbillet është edhe plepi kanadez. Pema po mbillet në disa zona të Shqipërisë së Mesme në toka që nuk janë shumë produktive dhe përdoret për prodhimin e drurit industrial. Mirëpo duke qenë se koha nga investimi deri në kthimin e fitimeve është shumë gjatë, nuk ka siguri për ecurinë e çmimit në tregjet ndërkombëtare, ndaj ekspertët e sektorit nuk rekomandojnë kultivimin e tyre.

 

Zhgënjimi nga palmat

Ekonomia e vendit ka çuar miliona euro dëm në blerjen palmave, një pemë që nuk ka qenë në traditën e vendit. Palmomania, vitet e fundit kishte përfshirë të gjithë shqiptarët që kishin zbukuruar bizneset dhe madje edhe oborret e shtëpive. Sindroma përfshiu edhe qeverinë, që harxhoi miliona euro për të pyllëzuar dy anët e autostradës Tiranë – Rinas me palma. Por ngricat e pazakonta gjatë dimrit të kaluar i kanë tharë pemët e palmave në të gjithë vendin. Sipas të dhënave zyrtare, një palmë kushton 350 euro. Nisur nga vlera e lartë, investimet në këtë pemë dekorative kanë shkuar kot, teksa ekspertët lajmërojnë se, tharja e palmave duhet të shërbejë si mësim për të ardhmen. Selvia, bliri dhe pisha janë bimët dekorative shqiptare që duhen të merren në konsideratë, si një mënyrë e sigurt për të parandaluar humbjet nga kulturat e panjohura dhe që nuk mund të përshtaten me klimën në Shqipëri.

 

XarreXarra, modeli i suksesit

Xarra, një bashkim fermerësh në formën e një kooperative, e krijuar qysh në vitin 2008 në afërsi të Sarandës, është ndër të paktët modele suksesi në biznesin bujqësor. Banorët e zonës, pas një përvoje të gjatë në Greqi, kthyen modelin e bashkëpunimit. Ata bashkuan tokat dhe kultivuan një lloj varieteti të mandarinës, sot mbi 75 mijë rrënjë. Në këtë mënyrë, ata shkurtuan kostot e punës dhe nisën të operonin me kontrata për eksport. Llukan Kote, një pjesëtar i kooperativës së Xarrës, shprehet se organizimi u ka bërë mirë fermerëve.

“Modeli ynë i organizimit ka shërbyer për fitime më të larta se kur secili punonte tokën e tij. Shpenzimet janë ulur dhe fitimet janë rritur. Gjithashtu kooperativa jonë është si pikë referencë për të gjithë vendin dhe një model që subvencionohet. Fjala jonë peshon te pushtetarët”, – përgjigjet zoti Kote.

Fermerët e Xarrës, me këtë model, janë bërë burim punësimi edhe për shumë të tjerë jashtë zonës së tyre. Vitet e fundit, agroturizmi ka nisur të zhvillohet, duke bërë tashmë traditë një panair që i dedikohet mandarinës në kulmin e sezonit të vjeljes së saj. Modeli Xarra do të kishte funksionuar në të gjitha kulturat bujqësore dhe në të gjithë vendin. Por tentativat kanë dështuar, për shkak se në disa raste, fermerët kanë hezituar t’i bashkojnë tokat dhe në disa të tjera nuk kanë mundur të gjejnë financime për të zhvilluar biznesin e përbashkët.

Financimet, një pikë ujë në det

Teksa bujqësia kontribuon me 2 miliardë euro në Prodhimin e Brendshëm Bruto të vendit, duke zënë rreth 18% të tij, nuk merr trajtimin që i takon nga qeveria. Gjatë këtij viti, buxheti i dedikuar sektorit të bujqësisë, edhe pse me rritje në krahasim me këtë vit, është vetëm 12 miliardë lekë ose vetëm 0.8% të PBB. Sektori që do të udhëheqë edhe ritmet e rritjes ekonomike në të ardhmen është i nënfinancuar, ndërsa kërkesa nga ana e njësive fermere është e lartë. Shpërndarja e tyre është hallakatur në më shumë se 20 skema që targetojnë grupe të ndryshme përfituesish dhe kritere pa fund. Skemat nuk kanë të mbaruar, procedurat gjithashtu. Nëse nuk ke NIPT, nëse nuk ke paguar faturat e OSHEE-së, nëse nuk ke llogari në bankë, nëse merr e jep pa faturë nuk përfiton.

Por kultura e mangët financiare dhe mundësitë e kufizuara për shkak të sipërfaqes të fermave jo më shumë se 1.2 hektarë i kanë lënë pjesën më të madhe të fermerëve, ata me më shumë nevojë për mbështetje financiare, pa subvencione. Adresimi i fondeve të mbështetjes financiare bëhet ende më i vështirë nga numri i madh i njësive bujqësore. Vendi aktualisht ka 350 mijë ferma të vogla, edhe më keq sipërfaqja e parcelave të mbjella me një kulturë nuk i kalon të 0.2 hektarët. Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, e ka cilësuar fragmentarizmin e tejskajshëm të tokës si pengesën themelore për kultivimin në masë të kulturave bujqësore që bëjnë konkurrues vendin tonë, duke i siguruar Shqipërisë një mundësi të re zhvillimi. Situata është alarmante edhe në sektorin e mekanizimit, ku 350 mijë e fermave i përgjigjen vetëm 20 mijë e 600 mjete, sipas të dhënave të INSTAT për statistikat e bujqësisë 2014.

 

 

 

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of

wpDiscuz