A ndieni se keni ngecur në një punë e cila, jo vetëm nuk ju plotëson, por ju helmon edhe mirëqenien?
Më trishton kur dëgjoj njerëz se kjo ndjesi i gërryen përbrenda, pasi janë të palumtur me situatën e tyre në punë. Shumë prej nesh përballen në punë me situata që janë aspak të këndshme. Asnjë punë nuk është e përkryer. Ju mund të keni një drejtues, një klient, një projekt apo detyrë që ju merr gjithë energjitë dhe mund të ketë edhe momente kur ju doni që të hiqni dorë.
Në disa momente ju mund të ndiheni të mbingarkuar dhe të pavlerësuar. Në çdo punë ka ulje-ngritje, por thelbi është se kjo ndjesi bëhet shkatërruese për mirëqenien tuaj.
Si trajnere leadershipi kam parë disa sinjale që mund të tregojnë se kur është momenti për të ndryshuar pune…
Kushtojini rëndësi këtyre shenjave, ka ardhur koha të ecni përpara
1.Në përvojën time, shenja e parë që tregon se jeni të palumtur në rolin tuaj është se ndiheni të ezauruar të nisni një javë të re dhe të shkoni në punë. Kur jeni në një pozicion, që më pëlqen ta quaj “Sunday night blues”, apo terrori që ju kap vetëm nga mendimi se do të shkoni në punë, mendoj se trupi dhe shpirti juaj po ju thonë se diçka është shuar. Nëse kjo gjë është e vazhdueshme dhe nuk është një ndjesi e përkohshme, kushtojini rëndësi.
2.Ndër të tjera, nëse keni simptoma serioze fizike të stresit, kini parasysh që trupi ynë është i mençur, dhe stresi mund të sjellë pasoja të mëdha në shëndetin tonë. Nëse ju keni dhembje të shpeshta koke, dhembje muskulore, ankth apo çfarëdo shenje tjetër stresi, ndaluni dhe dëgjoni trupin tuaj.
3. Nëse i kaloni ditët tuaj të palumtur dhe ndiheni të pavlerë, ky është sinjali i tretë se ka ardhur koha të merrni në konsideratë që të ndryshoni karrierën tuaj. Shumë njerëz punojnë që të jetojnë. Një aspekt i rëndësishëm në karrierën tuaj është se ju duhet ta bëni prioritet kontributin e talentit dhe pikave të forcës për të arritur objektivat. Në mendimin tim, kjo mund t’ju japë një ndjenjë qëllimi dhe kuptimi. Nëse kjo gjë është inekzistente në punën tuaj, mund të jetë një shenjë se ka ardhur momenti të ndryshoni punë.
Disa hapa për të gjetur një punë që ju bën të lumtur
Nëse këto tre shenja janë të pranishme në situatën tuaj, ndoshta ka ardhur momenti për të pyetur veten se çfarë është me të vërtetë e rëndësishme për ju. Edhe pse siguria financiare është një motor i pakundërshtueshëm në karrierën tuaj, mendoj se ju duhet të bëni disa hapa për të ndryshuar situatën tuaj…
Për të gjetur një punë që ndikon pozitivisht në shëndetin tuaj, lumturinë dhe mirëqenien e përgjithshme, përpiquni të ndiqni këto kapa:
-Krijoni një vizion se si do të ishte puna që do t’ju jepte kënaqësi
-Merrni pjesë në trajnime që do t’ju ndihmonin t’u afroheshit objektivave tuaj – dhe ndiqini ato.
-Shihni për mundësi që të nisni një punë të dytë ose diçka që do t’ju sjellë kënaqësi.
Mendoni për diçka që mund ta bëni ekstra në punën tuaj aktuale që mund t’ju sjellë gëzim.
-Dilni nga rutina juaj dhe një herë në muaj merrni pjesë në konferenca, workshop-e apo aktivitete të tjera që t’u tregojë njerëzve se çfarë lloj pune po kërkoni? Ku i duhet? Mund të jeni personi për të cilin ka nevojë dikush…
-Takoni gjatë javës persona të rrjetit tuaj profesional dhe bëjuni të ditur se po mendoni të ndryshoni punë. Pyetini ata nëse janë në dijeni të mundësive që përkojnë me vizionin tuaj apo nëse mund t’ju vënë në kontakt me njerëzit e duhur.
*Janet Loli
Burimi: Forbes