Stoku i automjeteve të vjetëruara pritet të rinovohet gradualisht pas hyrjes në fuqi të vendimit që ndalon hyrjen e makinave me datë prodhimi që i kalon 10 vjet, duke ndikuar pozitivisht ndotjen e mjedisit. Por, distributorët zyrtarë nuk presin që të ketë rendje drejt blerjes së autoveturave të reja.
Gentian Bushati, menaxher i përgjjithshëm i Porsche Albania thotë se përfituesi i madh do të jetë publiku dhe tregu i makinave të përdorura. “Parku i makinave në Shqipëri është shumë i vjetër. Kjo sjell shumë probleme për ndotjen, por edhe për sigurinë në rrugë, që tashmë është bërë një problem i madh, i shkaktuar jo vetëm nga pakujdesia e shoferëve”, pohon ai.
Edhe Sokol Kodra, drejtor i Auto Star Albania Sh.A, distributori ekskluziv i Mercedes-Benz në Shqipëri është i mendimit se përfitimet e konsumatorëve nga vendimi i fundit i qeverisë për ndalimin e makinave të përdorura mbi 10 vjet se do të jenë të shumanshme. “Në planin afatgjatë, kostoja e servisimit dhe totale e një makine të re, apo një makine më të re se 10 vjet, do të jetë më e ulët krahasuar me makinat shumë të vjetra”, pohon ai.
Eno Zeneli, drejtor i Automaster, importuesi zyrtar i Fiat Chrysler Automobiles thotë se vendimi nuk mjafton. “Nëse duam të jemi si Europa, sot atje është në fuqi standardi Euro 6D dhe tek ne, me hyrjen në fuqi të kësaj nisme, jemi 10 vjet mbrapa, por të paktën kemi një kufi, sepse deri sot që flasim nuk ka asnjë kufi për importin e mjeteve të përdorura”.
Reinaldo Krisafi, CEO i Tendence3a, distributor zyrtar Renault Dacia Nissan propozon që shteti duhet të jetë faktor, duke mbështetur financiarisht, siç ndodh kudo në vendet e Bashkimit Europian, demolimin e mjeteve të vjetra në këmbim të blerjes së një mjeti të ri, në bashkëpunim edhe me institucionet financiare, për të mbështetur klientët në opsione të kredimarrjes së butë ose leasing-ut me interes 0 lek.
Ka një debat lidhur me ndikimin që do të ketë ndalimi i mjeteve të vjetra në çmimin e autoveturave ekzistuese. Për Reinaldo Krisafi, frenimi i hyrjes së mjeteve nën Euro 5 do të jetë faktor për rritjen e çmimeve për mjetet që do të jenë në stok në tregun shqiptar. I këtij mendimi është edhe Gentian Bushati.
Por, të paktën në afatin e shkurtër, presion në mosrritjen e çmimeve pritet të ushtrojë stoku i lartë i automjeteve që janë gjendje . “Për kategorinë që duan mjete shumë të lira e me moshë të madhe nuk ka asgjë për t’u shqetësuar, pasi muajt e fundit janë importuar aq shumë mjete sa do të ketë gjendje për të gjithë kërkesën për të paktën edhe një vit”, thotë Eno Zeneli.
Sipas statistikave zyrtare, në fund të shtatorit 2018 kishte rreth 56 mijë autovetura stok në vend, të cilat vlerësohet se janë rritur ndjeshëm në tetor-nëntor, si rrjedhojë e rritjes së importeve përpara hyrjes në fuqi të ligjit (të dhënat për importet e dy muajve të fundit nuk janë ende publike).
Sokol Kodra thotë që vendimi do të ndikojë në rritjen e shitjeve të automjeteve të reja, kryesisht atyre që janë më të lira dhe më të prekshme për klientë me të ardhura pak më të ulëta se mesatarja.
Flet Gentian Bushati, menaxher i përgjjithshëm i Porsche Albania
Ky ndryshim ligjor do t’i shërbejë mjedisit, më shumë sesa tregut të makinave të reja
Si e vlerësoni vendimin e fundit të qeverisë për ndalimin e makinave të përdorura mbi 10 vjet?
Mendoj se ky ndryshim ligjor do t’i shërbejë mjedisit, më shumë sesa tregut të makinave të reja. Mendoj se si çdo nismë që përmirëson cilësinë e jetës për ne dhe fëmijët tanë, duhet të jetë e mirëpritur nga bashkëqytetarët. Parku i makinave në Shqipëri është shumë i vjetër.
Kjo sjell shumë probleme për ndotjen, por edhe për sigurinë në rrugë, që tashmë është bërë një problem i madh, i shkaktuar jo vetëm nga pakujdesia e shoferëve. Përfituesi i madh do të jetë publiku dhe tregu i makinave të përdorura.
Si pritet të ndikojë vendimi në tregun e automjeteve në vend?
Kjo nismë do të ketë dy të mira për sa i përket tregut të makinave të përdorura, sepse siç e thashë më lart, nuk pritet të ketë efekt pozitiv të menjëhershëm te tregu i makinave të reja. Së pari, do të rrisë dhe do të krijojë mundësi që parku i makinave në Shqipëri të fillojë të “rinohet”. Së dyti, vlera e stokut apo e makinave të përdorura që regjistrohen për herë të dytë do të rritet.
Kjo gjë do të ulë importin e makinave të përdorura për 3-6-mujorin e parë të vitit që vjen. Më pas, tregu do ta rimarrë veten dhe besoj do të jemi në shifrat diku 40,000 makina të përdorura për 2019.
Cilat janë politikat e mëtejshme që ju sugjeroni se duhet të ndërmarrë qeveria shqiptare, për të nxitur tregun e automjeteve të reja në vend?
Referuar qëllimit të këtij ligji për përmirësimin e ndotjes së shkaktuar nga mjetet motorike me djegie të brendshme, mendoj se qeveria duhet të ndryshojë politikat e saj, në mënyrë që të nxisë blerjen e makinave të reja që shkaktojnë shumë më pak ndotje, ose ato që nuk shkaktojnë ndotje fare, siç janë makinat elektrike.
Këto makina kanë sot një çmim relativisht të lartë, për arsye të kostove të larta (bateria apo teknologjia e përparuar në to) ndaj mendoj se duhen lehtësi për të përkrahur këta blerës me ndërgjegje të madhe, do të thosha unë, në forma si ulja ose bërja 0 e TVSH, dhënia e parave si mbështetje për blerësit e këtyre mjeteve elektrike, sepse apo kanë ndikim në mjedis dhe, si rrjedhojë, në komunitet dhe taksat tona është e mira të rishpërndahen
për këta përfitues.
Shteti duhet të jetë i angazhuar të ulë ndotjen e Parkut të Makinave të tij, pasi janë shumë të vjetra. Mendoj se në këtë rast, Bashkia e Tiranës është një shembull i mirë për t’u ndjekur nga Qeveria Qendrore.
Hartimi i strategjisë së karikuesve dhe vendndodhjes së tyre në Unazën e Vogël të paktën, apo detyrimi i pikave të karburantit të kenë karikues të tillë për makinat elektrike
Mundoj se e ardhmja është tani!
Si ka qenë ecuria e kompanisë suaj së fundmi dhe cilat janë sfidat e së ardhmes?
Porsche Albania vëren se tregu këtë vit përsëri do të ketë rritje në krahasim me vitin 2017, por vlen të theksohet se rritja dyshifrore në 2016 apo 2017 nuk do të jetë e mundur. Kjo rritje me rënie, do të thosha unë, e ka burimin te forca blerëse në treg e individëve që ka rënë shumë. Kompanitë janë ai grup i tregut që po rritet, ndërsa përditë e më shumë individët po blejnë më pak se dy vite më parë.
E megjithëkëtë, ne në Porsche Albania jemi pozitivë që rezultati ynë do të jetë një vit tjetër rekord për sa u përket numrave të makinave të dorëzuara në treg, rreth një në tre makina të shitura në Shqipëri ka dalë nga portat e Porsche Albania ne në radhë të parë nga markat lider në treg sot për sa i përket numrave si Volkswagen apo Skoda të ndjekura nga Audi dhe Seat.
Gjithashtu në tregun e makinave të përdorura ku ne jemi të pranishëm me Das WeltAuto Albania, ne do të arrijmë një vit tjetër rekord shitjesh.
Flet Eno Zeneli, drejtor i Automaster, importuesi zyrtar i Fiat Chrysler Automobiles
Do formalizohet tregu, të ulet TVSH në 10% për mjetet e reja
Si e vlerësoni vendimin e fundit të qeverisë për ndalimin e makinave të përdorura mbi 10 vjet?
Është një vendim i mirëpritur, por tej mase i vonuar. Dëmi që është shkaktuar që nga viti 2011, me heqjen e së ashtuquajturës “Doganë” për importin e mjeteve të përdorura, është shumë i madh jo vetëm në tregun e automjeteve, por edhe në shëndetin e popullsisë dhe me pasoja që do të vazhdojnë për vite me radhë.
Gjithsesi, edhe pse me shumë vonesë, vendimi është për t’u përshëndetur, por nuk është mjaftueshëm. Nëse duam të jemi si Europa, sot atje është në fuqi standardi Euro 6D dhe tek ne, me hyrjen në fuqi të kësaj nisme, jemi 10 vjet mbrapa, por të paktën kemi një kufi, sepse deri sot që flasim nuk ka asnjë kufi për importin e mjeteve të përdorura.
Si pritet të ndikojë ky vendim në tregun e automjeteve në vend?
Në radhë të parë do të ndikojë pozitivisht në formalizimin e tregut. Nga një treg tërësisht informal, me para që qarkullojnë jashtë bankave, do të kthehet në një treg ku mjetet që kanë hyrë do të marrin vlerën që i takon. Sigurisht do të stimulohet funksionimi i tregut të brendshëm dhe sidomos sektorit Leasing edhe për mjetet e përdorura, duke qenë se importi do të jetë për atë kategori mjetesh që mund të merret leasing. Për kategorinë që duan mjete shumë të lira e me moshë të madhe nuk ka asgjë për t’u shqetësuar, pasi muajt e fundit janë importuar aq shumë mjete sa do të ketë gjendje për të gjithë kërkesën për të paktën edhe një vit.
Cilat janë politikat e mëtejshme që ju sugjeroni që duhet të ndërmerren nga qeveria shqiptare për të nxitur tregun e automjeteve të reja në vend?
Hapi i mëtejshëm është ai që u premtua nga qeveria, ulja e TVSH në 10% për mjetet e reja, për t’i dhënë vendin e merituar në treg këtyre mjeteve, duke arritur në ato vlera ku të paktën të mund të krahasohemi me vendet e rajonit, që kanë një ekonomi të ngjashme më tonën.
Kjo nismë do ta bënte më të lehtë edhe financimin me leasing për këto mjete, duke e bërë më të thjeshtë për qytetarët dhe bizneset që jo vetëm të blejnë e të përdorin një makinë të re, por edhe të kenë mundësi ta rishesin për të blerë një tjetër të re pas 4-5 vjetësh jo vetëm pa humbje, por me përfitim. Ndikimi që do të ketë në mjedis, do të jetë gjithashtu shumë i ndjeshëm duke ulur jo vetëm ndotjen, por edhe sëmundjet që lidhen me to, të cilat kanë arritur nivele tej mase të larta në vendin tonë.
Si ka qenë ecuria e kompanisë suaj së fundmi dhe cilat janë sfidat e së ardhmes?
Ecuria ka qenë e kënaqshme. Tani mund ta themi me bindje që jemi të pozicionuar bindshëm në treg dhe gama e mjeteve që ofrojmë është e plotë, si për individët ashtu edhe për bizneset. Sidomos për markat Premium, Jeep dhe Alfa Romeo, do të kemi disa surpriza të bukura në fillim të vitit të ardhshëm. Me ndikimin pozitiv që pritet të ketë në treg hyrja në fuqi e këtij vendimi presim që edhe sfidat të jenë më të mëdha, për të qenë të gatshëm t’i ofrojmë tregut produktin e duhur në kohën e duhur, me çmimin e duhur dhe sigurisht me cilësinë e lartë të grupit FCA (Fiat Chrysler Automobiles).
Flet Reinaldo KRISAFI, CEO i Tendence3a, distributor zyrtar Renault Dacia Nissan
Për momentin do ndikohet vetëm tregu i mjeteve të përdorura
Si e vlerësoni vendimin e fundit të qeverisë për ndalimin e makinave të përdorura mbi 10 vjet?
Vendimi i ri i qeverisë është një hap i madh përpara për të mirën e të gjithë qytetarëve që jetojmë në këtë vend, duke nisur që nga një mjedis më ekologjik, më i sigurt, më i pastër dhe duke i dhënë hov tjetër për ta ngritur një shkallë më lart industrinë e mjeteve.
Si pritet të ndikojë vendimi në tregun e automjeteve në vend?
Vendimi pritet që, momentalisht, të evoluojë vetëm tregun e mjeteve të përdorura, duke pasur parasysh që aktualisht, në tregun shqiptar, gjenden në stok rreth 120.000 mjete të përdorura Euro 2, 3, 4, 5 ende të pashitura, të patarguara në trajtë stoku nga tregtarët me apo pa licencë. Për pasojë, frenimi i hyrjes së mjeteve nën Euro 5 do të jetë faktor për rritjen e çmimeve për mjetet që do të jenë në stok në tregun shqiptar. Për këtë arsye, ky proces, mendoj që nuk do të ndikojë në rritjen e shitjeve për mjetet e reja, të paktën deri në vitin 2020.
Cilat janë politikat e mëtejshme që ju sugjeroni se duhet të ndërmarrë qeveria shqiptare, për të nxitur tregun e automjeteve të reja në vend?
Politikat që duhet të ndjekë qeveria janë si më poshtë:
-Formatimi dhe standardizimi në homologim të mjeteve Euro 1, 2, 3, 4 në treg, aktualisht në minimum Euro 5.
-Shteti duhet të jetë faktor, duke mbështetur financiarisht, siç ndodh kudo në vendet e Bashkimit Europian, demolimin e mjeteve të vjetra në këmbim të blerjes së një mjeti të ri, në bashkëpunim edhe me institucionet financiare, për të mbështetur klientët në opsione të kredimarrjes së butë ose leasing-ut me interes 0 lek.
-Një tjetër mundësi duhet të jetë edhe liberalizimi i kontrollit teknik periodik (aktualisht operatori i vetëm SGS) për të gjithë koncesionarët dhe serviset e autorizuara për t’u krijuar një shqetësim më pak qytetarëve.
Si ka qenë ecuria e kompanisë suaj së fundmi dhe cilat janë sfidat e së ardhmes?
Kompania ecën me ritme të larta, referuar tregut shqiptar, duke ofruar produkte dhe shërbime cilësore, në përputhje me standardet europiane. Ndërkohë sfidat janë të mëdha, pasi kudo në Bashkimin Europian kërkohet frenimi i prodhimit të mjeteve diesel, taksimi i lartë i tyre, deri në fund të 2020 shumë brande nuk do të prodhojnë më produkte me diesel.
Mjetet elektrike mbeten e ardhmja e afërt dhe e largët për Shqipërinë. Them e ardhmja, pasi ne kërkojmë të marrim gjithmonë më të mirën nga vendet e zhvilluara, por në këtë vend mungon së pari infrastruktura. Së dyti, problem mbetet edhe servisi i këtyre mjeteve, pasi jemi në hapat e parë, ku njohuritë janë të pakta. Gjithsesi mbetet përparësi një mjet ekologjik me emisione 0, një mjedis gjithmonë dhe më i gjelbër.
Flet Sokol Kodra, drejtor i Auto Star Albania Sh.A, distributori ekskluziv i Mercedes-Benz në Shqipëri.
Përfitimet nga ndalimi i importit do të jenë të shumëllojshme
Si e vlerësoni vendimin e fundit të qeverisë për ndalimin e makinave të përdorura mbi 10 vjet?
Është një nismë që duhet përshëndetur, ndonëse paksa e vonuar. Nëse u referohemi statistikave, Shqipëria aktualisht renditet ndër vendet që ka flotën më të vjetër të automjeteve, krahasuar me vendet e Bashkimit Europian, por dhe ato të vendeve të tjera të rajonit.
Mosha mesatare e automjeteve në qarkullim është mbi 20 vjet, nga 10 që është mesatarja e vendeve të Bashkimit Europian. Vetëm 5% e makinave janë të reja dhe rreth 80% e tyre janë automjete Euro 0-3.
Ulja e vlerës së doganës në vitin 2011, detyrimisht ka nxitur importimin e mjeteve të përdorura me moshë mbi 13 vjet dhe rritjen e vjetërsisë së tregut të makinave. Pikërisht ky ‘legalizim’ me ligj i importimit të makinave të çfarëdolloj moshe, vitet e fundit ka sjellë dhe vjetërsimin e stokut të makinave në Shqipëri, duke mos marrë në konsideratë asnjë lloj mase apo norme për ndotjen e mjedisit. Pasojat dhe ndikimi besoj se është më se i dukshëm për të gjithë. Dhe nëse u referohemi statistikave që përmenda më sipër, besoj se shkaqet kryesore të ndotjes së mjedisit janë më se të qarta.
Përfitimet e konsumatorëve nga vendimi i fundit i qeverisë për ndalimin e makinave të përdorura mbi 10 vjet mendoj se do të jenë të shumanshme. Në planin afatgjatë, kostoja e servisimit dhe totale e një makine të re, apo një makine më të re se 10 vjet, do të jetë më e ulët krahasuar me makinat shumë të vjetra.
Jetëgjatësia e përdorimit të një mjeti rritet dhe klientët kanë më shumë siguri për atë që ata blejnë dhe sigurisht, më shumë komoditet. Sa më të reja të jenë makinat, aq më shumë ulet dhe konsumi i karburantit, çka detyrimisht përkthehen në reduktim të kostove mujore dhe kostove të përgjithshme të konsumatorit.
Si pritet të ndikojë ky vendim në tregun e automjeteve në vend?
Patjetër që do të ndikojë në rritjen e shitjeve të automjeteve të reja, kryesisht atyre që janë më të lira dhe më të prekshme për klientë me të ardhura pak më të ulëta se mesatarja. Mendoj se është një hap i rëndësishëm për uljen e informalitetit në tregun e automjeteve dhe eliminimin e konkurrencës së pandershme që bëhet jashtë përfaqësive zyrtare. Me ndryshimet e fundit, besoj se jo të gjithë do të mund të vazhdojnë ta shohin këtë sektor si një punë me shumë fitim.
Një tjetër element i rëndësishëm është dhe shmangia e abuzimeve që është bërë me klientët pikërisht nga lloj-lloj shitësi, i pakualifikuar dhe pa asnjë lloj garancie. Rrjedhimisht, përfituesit kryesorë janë qytetarët, të cilët do të jenë më të mbrojtur nga falsifikimi i të dhënave të automjeteve që blejnë dhe shumë problematika të tjera.
Cilat janë politikat e mëtejshme që ju sugjeroni që duhet të ndërmarrë nga qeveria shqiptare për të nxitur tregun e automjeteve të reja në vend?
Mendoj që një politikë e mirë do të ishte vetëm lejimi i mjeteve që janë të destinuar për tregun europian nëpërmjet homologimit të mjeteve. Dhe së dyti, ashtu sikundër të gjitha qeveritë e Europës, edhe qeveria shqiptare duhet të vendosë rregulla strikte dhe nisma të tilla duhet të shoqërohen me një plan shtesë masash nxitëse, të cilat do t’i bënin makinat e reja më të arritshme për shumë kategori.
Shumë vende të Europës, për shembull, kanë ndërmarrë një sërë masash për uljen e nivelit të ndotjes, duke nxitur prodhuesit që të jenë më të kujdesshëm me nivelin e emetimeve, apo duke nxitur përdorimin e makinave elektrike. Sigurisht, për vende si Shqipëria, të cilat përballen me sfida të tjera, nxitja e përdorimit të makinave elektrike duket paksa e largët.
Rimbursimi në një vlerë të caktuar, për shembull, është një masë që aplikohet në shumë vende të Europës, ku shteti rimburson 2000-3000 euro, në rast se heq një makinë të vjetër dhe merr një makinë të re. Gjithashtu, duhet të ketë dhe politika që reduktojnë nivelin e taksave për makinat e reja, siç është për shembull dhe taksa e luksit, e cila aktualisht prek edhe makinat e vogla.
Nuk besoj se ka nevojë për të vrarë mendjen shumë për të shpikur një politikë apo strategji të veçantë për tregun e automjeteve në Shqipëri. Kemi fatin e keq dhe të mirë njëkohësisht, që ashtu sikundër në shumë sektorë të tjerë, jemi ende mbrapa në përmbushjen e shumë standardeve. Mendoj se duhet të përfitojmë nga përvoja e vendeve që kanë kaluar nëpër të njëjtin proces dhe të shmangim të gjitha gabimet e tyre.
Në planin afatgjatë, sigurisht standardet që ne duam të përqafojmë janë ato të vendeve të zhvilluara të Bashkimit Europian, por që për shumë arsye, për ne janë të paarritshme për momentin. Megjithatë, mendoj se duhet të bëjmë një përshtatje të praktikave dhe legjislacionit të vendeve që përpara nesh, të paktën të jemi në të njëjtin hap me vendet e rajonit si Serbia, pse jo dhe Kroacia. Kjo vlen për të gjitha llojet e mjeteve, jo vetëm për autoveturat, por dhe për furgonët dhe kamionët.
Pa diskutim duhen vendosur norma strikte për standardet dhe normat e ndotjes, si dhe duhen respektuar me rigorozitet për të gjithë. Nëse arrijmë që në një të ardhme të afërt të realizojmë dhe zbatojmë këto dy pika, jam i bindur se shumëçka do të ndryshojë për mirë.
Si ka qenë ecuria e kompanisë suaj së fundmi dhe cilat janë sfidat e së ardhmes?
Ecuria e kompanisë vitet e fundit, dhe gjatë 9-mujorit të këtij viti, ka qenë shumë pozitive. Shumë produkte dhe shërbime të Auto Star Albania, pas kalimit në pronësi të Kastrati Group, janë kombinuar me aktivitetet e grupit dhe kjo automatikisht ka sjellë dhe një paketë të plotë benefitesh për klientët tanë besnikë dhe klientët potencialë.
Pjesë e këtyre paketave janë dhe ofertat shumë të mira për leasing për të gjithë llojet e automjeteve, përfshirë dhe automjetet komerciale, furgonët dhe kamionët, si dhe ofertat e pakonkurrueshme të paketave të siguracioneve. Kjo ka sjellë më shumë lehtësi për shumë prej klientëve tanë, të cilët kanë rritur ndjeshëm nivelin e bashkëpunimit dhe kanë zgjeruar portofolin e produkteve dhe shërbimeve. Gjithashtu, kemi zgjeruar gamën e shërbimeve dhe produkteve, përfshirë dhe paketat e mirëmbajtjes.
Kemi krijuar më shumë mundësi për klientët ekzistues, opsionet për vlerësimin e makinave të tyre, me kusht që të mos jenë më shumë se 10 vjet dhe të mos kenë kilometrat e përdorura. Pra, me kusht që të jetë makinë e mirëmbajtur.
Ndërkohë, është zgjeruar ndjeshëm dhe portofoli i automjeteve komerciale. Modelet e reja Mercedes-Ben Sprinter, Mercedes-Benz Arocs dhe Mercedes-Benz Actros, mundësojnë më shumë variante në dispozicion për kompanitë, të cilët krijojnë më shumë avantazhe për kompanitë.
Megjithatë, pjesa më e madhe e shitjeve tona është me kredi. Një problem që ne vazhdojmë të kemi është fakti që kompanive nuk u njihet TVSH-ja e automjeteve që blejnë. Duhet të kemi parasysh që një makinë Benz e blejnë kryesisht sipërmarrjet që e duan për status dhe prezantim, ndërkohë që Europa dhe rajoni e njeh si TVSH të zbritshme. Duhet të kemi parasysh që për një makinë, që kushton rreth 150 mijë euro, TVSH është gati 30 mijë euro (25-26 mijë euro) dhe rimbursimi do të ishte lehtësi e madhe për atë që e blen.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.