Dita Botërore e Librit dhe e të Drejtave të Autorit lindi nën patronazhin e UNESCO-s në vitin 1996 për të nxitur leximin, botimin e librave dhe të drejtën e autorit. Është zgjedhur 23 Prilli, pasi është dita kur kanë vdekur tre shkrimtarë të cilët janë konsideruar si shtylla të letërsisë universale: 23 prill 1616 – Miguel de Cervantes, William Shakespeare dhe Garciloso de la Vega.
Libri dhe leximi përfaqësojnë një mjet për thellimin dhe njohjen, një instrument informacioni në kulturë, të dyja sot janë të domosdoshme për të kapërcyer paqartësitë dhe pasiguritë që lidhen me frikën ndaj globalizimit, ndryshimit dhe diversitetit.
Leximi na lejon të hyjmë në botë, jetë e kohëra të ndryshme dhe na jep mundësinë të afrohemi me përvoja dhe realitete të largëta nga yni, duke rritur kështu njohjen dhe ndërgjegjësimin për atë që bota rreth nesh është e shumëllojshme.
Doni të dini se çfarë kanë të përbashkët njerëzit e suksesshëm? Ata lexojnë. Shumë.
Në fakt, kur Warren Buffet e pyetën një herë për çelësin e suksesit, drejtoi gishtin nga një raft gjigant me libra dhe u përgjigj: “Lexoni 500 faqe në ditë. Kështu funksionon dija. Të gjithë ju mund ta bëni këtë gjë, por ju siguroj, pak prej jush do ta bëjnë këtë gjë”.
Buffet lexonte mes 600 – 1000 faqe në ditë kur ishte në fillim të karrierës së tij. Ai ende e kalon pjesën më të madhe të ditës duke lexuar.
Dhe ai nuk është i vetmi. Më poshtë janë disa liderë dhe sipërmarrës të cilët e kanë bërë leximin pjesë të rëndësishme të stilit të tyre të jetës:
Bill Gates lexon rreth 50 libra në vit – mesatarisht një libër në javë
Marc Cuuban lexon më shumë se tre orë çdo ditë
Elon Musk është një lexues i pasionuar dhe kur u pyet se si kish mësuar të ndërtonte raketa, ai u përgjigj: “lexoj libra”.
Ophah Winfrey përzgjedh një nga librat e saj të dashur çdo muaj për ta lexuar dhe për të folur për të me anëtarët e Klubit të saj të Librit.
Këto nuk janë shembuj të izoluar. Një studim tek 1,200 njerëz të pasur gjeti se leximi është një mënyrë e kalimit të kohës tek të gjithë ata.
Por njerëzit e suksesshëm nuk lexojnë gjithçka. Ata janë përzgjedhës në atë që lexojnë. Ata besojnë se librat janë një derë drejt të mësuarit dhe njohjes. Në fakt ka një ndryshim të ndjeshëm tek zakonet e njerëzve të pasur nga ata jo të pasur. Sipas Tom Corley, autor i Rich Habits: The Daily Success Habits of Wealthy Individuals, njerëzit e pasur lexojnë më shumë rreth vetëpërmirësimit, edukimit dhe suksesit. Ndërsa njerëzit jo të pasur lexojnë kryesisht për t’u kënaqur.
Ka shumë shembuj të njerëzve të suksesshëm që braktisin shkollën por është e qartë se ata nuk rreshtin kurrë së mësuari. Dhe leximi është pjesë e suksesit të tyre. Studime të ndryshme tregojnë se leximi ndihmon në parandalimin e stresit, depresionit dhe demencias, duke rritur në të njëjtën kohë besimin, ndjeshmërinë, procesin e vendimmarrjes dhe kënaqësisë së jetës në përgjithësi.
Më poshtë tre këshilla të dobishme për lexuesit e pasionuar
1.Vizitoni librarinë tuaj të dashur
Shpesh, në rrugën pranë shtëpisë është një librari, por nuk kemi asnjëherë kohë të ndalemi. Merrni një pauzë. Hyni dhe hidhini një sy librave të rinj apo atyre klasikë të ekspozuar nëpër raftet elibrarisë. Shfletoni faqet e para dhe lexoni biografinë e autorit. Pyesni shitësin e librarisë dhe dëgjoni këshillat e tij. 6 minuta lexim në ditë reduktojnë stresin me 60%. Dhe kjo është një arsye e mirë!
2.Filloni të krijoni listën e librave që do të lexoni gjatë verës
Po afrohet sezoni pranveror e veror. Dhe nuk është kurrë herët për të blerë tituj të rinj për t’i lexuar nën çadër. Hidhini një sy klasifikimit të librave bestseller në faqet online të shtëpive botuese ose kërkoni këshilla nga miqtë tuaj realë apo virtualë, në Goodreads apo nga aplikacione të tjera në dispozicion të pasionuarve të librit.
3.Hidhini një sy bibliotekës suaj
Shpesh blemë libra dhe më pas i lëmë aty, braktisim nëpër rafte. Nuk është asnjëherë momenti i duhur për t’i lexuar, kemi shumë në radhë që i kemi harruar…. Dhe atëherë ata libra bëhen të padukshëm. Gjeni pak kohë për të parë librat në bibliotekën tuaj, me siguri do të gjeni ndonjë libër për ta lexuar në verë.