Këtë të diel (22 Prill), njerëzit nga e gjithë bota festojnë Ditën e Tokës. Në këtë ditë të shënuar, njerëzit jo vetëm përhapin vetëdijen e nevojës për ruajtjen, por gjithashtu marrin masa për të mbrojtur mjedisin. Dita e Tokës konsiderohet si ngjarja më e madhe laike në botë.
Sot shënohet 48-vjetori i Ditës së Tokës (22 Prill 1970) dhe që prej atëherë është shndërruar në ngjarje e përvitshme. Njeriu që organizoi këtë ngjarje 48 vjet më parë është senatori amerikan Gaylord Nelson. Duke marrë shkas nga rezistenca e luftës së Vjetnamit dhe pasi dëshmoi pasojat katastrofike të derdhjes së naftës në Santa Barbara, Kaliforni, më 1969, vendosi të veprojë.
Ai pati mbështetjen e miliona amerikanëve, të cilët demontuan në rrugët e qyteteve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Më në fund, çështja e një mjedisi të pastër dhe ruajtja e tokës u përfshi në axhendën kombëtare.
Pas vitesh përkrahje nga ambientalistët nëpër botë, 20 vjet më vonë, Dita e Tokës u bë botërore. Kjo ngjarje mobilizoi më shumë se 200 milionë njerëz në vende të ndryshme dhe çështja e mbrojtjes së mjedisit u bë një çështje ndërkombëtare. Në vitin 2016, vende nga gjithë bota u mblodhën dhe nënshkruan Marrëveshjen e Klimës në Konferencën e Klimës në Paris.
Më shumë se 1 miliard njerëz në 192 vende i bashkohen kësaj nisme në një mënyrë apo tjetër dhe kjo është një mundësi e mirë për të mësuar rreth çështjeve kyçe që ndikojnë në mjedisin tonë sot.
Tema e Ditës së Tokës 2018 është “Fundi i Ndotjes së Plastikës”. “Dita e Tokës 2018 i kushtohet sigurimit të informacionit dhe këshillave për të ndryshuar përfundimisht sjelljen e njerëzve në lidhje me plastikën”, – sipas Earth Day Network. Kjo synon të nxisë njerëzit të ulin sasinë e konsumit të plastikës duke i kushtuar vëmendje më të madhe numrit të objekteve plastike që përdor një person çdo vit dhe të bëjnë përpjekje për të reduktuar sasinë e tyre. Sipas një artikulli të publikuar në revistën shkencore Chemistry & Biology në vitin 2009, plastika nuk dekompozohet dhe mund të qëndrojë në mjedis deri në 2000 vjet.
“Ndotja plastike është sot një sfidë gjithnjë e më e pranishme. Mund të shohin plastikën që lundron në lumenjtë, oqeanet e lagunat tona, duke shkatërruar natyrën tonë, e cila ndikon në shëndetin dhe në të ardhmen e miliarda fëmijëve dhe të rinjve. Për këtë, të gjithë jemi fajtorë” – thotë Valeria Merinoo, zëvendëspresidente e Ditës Botërore të Tokës në Earth Day Network në një deklaratë.
Sipas rezultateve të një studimi të vitit 2015, të drejtuar nga Jenna Jambeck, inxhiniere e mjedisit në Universitetin e Georgia-s, në vitin 2010 janë prodhuar 275 milionë tonë metrikë mbetje plastike në 192 vende bregdetare, me 4,8 – 12,7 milionë tonë që përfundojnë në oqean.