Flet/ MSA Av. Denisa DAKA, Anëtare e Këshillit Drejtues të Dhomës Kombëtare të Avokatisë
Denisa Daka, anëtare e Këshillit Drejtues të Dhomës Kombëtare të Avokatisë, pranon se rastet e kërkesave për divorce janë shtuar pranë Gjykatës. Daka pohon se kostot ekonomike janë të larta, dhe shumica e partnerëve pas divorcit e kanë të vështirë të përballojnë jetën të vetëm, të ngarkuar me një barrë angazhimesh dhe pasigurish, me të ardhura apo hapësirë banese të pamjaftueshme, shpesh në kërkim të një pune të paragjykuar nga mjedisi apo punëdhënësi.
Si është tendenca e divorceve në vendin tonë?
Duke iu referuar të dhënave përkatëse, veçanërisht dy vitet e fundit, dhjetëra familje i drejtohen çdo ditë Gjykatave për të zgjidhur martesat e tyre. Për një martesë të konsumuar të pakthyeshme, divorci është zgjidhja më e mirë për të gjitha palët.
Cilat janë shkaktarët kryesorë që kanë ndikuar në rritjen e numrit të shkurorëzimeve?
Faktorët kryesorë që çojnë në divorc janë ekonomikë, shoqërorë e socialë. Krimi në familje, emigracioni, bixhozi, varfëria e tejskajshme sidomos në zonat rurale, tradhtitë bashkëshortore, paaftësia fizike apo mendore e njërit nga partnerët, në disa raste edhe e fëmijëve të tyre, diferencat në prioritet apo pritshmëritë e secilit, varësia ndaj drogave të ndryshme, abuzimi seksual apo psikologjik ndaj grave apo fëmijëve janë arsye që sjellin në dyert e gjykatave çdo ditë qytetarë të të gjithë moshave e shtresave sociale, të cilët gjejnë “shpëtim” me këtë veprim. Kur kufijtë e mirëkuptimit dhe tolerancës, bashkëpunimit dhe harmonisë në çift apo familje “këputen”, divorci është vendimi i duhur.
Sa ndikon divorci në jetën ekonomike dhe sociale të partnerëve? A është e përballueshme “Fatura” e një procesi të tillë?
Për shkak të rrethanave të posaçme social-ekonomike, mes dilemave dhe pasigurive, partnerët, shpesh me pak besim tek organet gjyqësore apo policore, ndihma nga organet shtetërore, shoqëria civile apo mjedisi, shtyjnë disa prej tyre që të tërhiqen dhe të kthehen sërish. Ndodhen përpara situatës që nuk finalizuan këtë akt, të ndaheshin nga “e keqja” e dhunës apo e pasigurisë së ekspozuar nga një mori problemesh, që shpeshherë kanë rezultuar fatale dhe një faktor kryesor për këtë është mospërballimi i procesit të gjatë dhe të faturës së divorcit, ashtu sikurse edhe kostos së jetesës vetëm. Pas divorcit, shumica e partnerëve, e kanë të vështirë të përballojnë jetën të vetëm, të ngarkuar me një barrë angazhimesh dhe pasigurish, me të ardhura apo hapësirë banese të pamjaftueshme, në kërkim shpesh të një pune të paragjykuar nga mjedisi apo punëdhënësi. Ose në kërkim të një lidhje të re shoqërore apo martesore, në veçanti gratë që janë shpesh përgjegjëse edhe të fëmijëve.
Gjithashtu, shpesh partnerët, para dhe pas divorcit, janë të painformuar për procedurat ligjore, zgjidhjen e pasojave të martesës mes tyre, çka ka sjellë konfuzion te secili, ndaj edhe për këtë arsye, mbështetja e një avokati u siguron mbrojtje të efektshme dhe zgjidhjen e pasojave në kohën e duhur.
Cilët janë problemet kryesore që vijnë pas procesit të shkurorëzimit?
Aspektet procedurale përkatëse, mungesa e provave themelore në një mori gjykimesh që nuk arrihen të vlerësohen në formën e duhur nga trupat gjyqësore është një problem. Kjo sjell si pasojë veprime apo vendime të marra në kundërshtim me ligjin, gjë që penalizon padrejtësisht palët në proces.
Minimumi jetik i caktuar për pensionet ushqimore në favor të fëmijëve, pas zgjidhjes së martesës, në rastet kur konstatohet që një nga prindërit nuk punon, është thuajse i pakonsiderueshëm dhe nuk përfaqësojnë kurrsesi nevojat e fëmijës, në asnjë rast. Autoritetet përkatëse duhet të ndërhyjnë në mënyrë imediate për të përcaktuar norma të reja të masës së kontributit ushqimor në çdo rast.
Një mori fëmijësh, në raste të tjera presin vite të tëra të përfitojnë ndihmën ekonomike nga baballarët a nënat që punojnë jashtë vendit, por mungesa e aksesit dhe marrëveshjeve përkatëse me shtete të caktuara për mënyrën e ekzekutimit të këtyre pensioneve në favor të fëmijës, i penalizon të gjithë bashkë. Unë mendoj se media e shkruar dhe ajo vizive do të ishte një ndihmëse e vyer në këtë rast për të evidentuar probleme të tilla.
Një tjetër problem vihet re te fëmijët pas divorcit, shpeshherë ata bëhen pjesë e statistikave të krimit, për shkak të mungesës së bashkëpunimit mes ish-bashkëshortëve, çka lë pasoja në jetën e tyre.
Studime të ndryshme tregojnë se divorcet në shumë vende të botës janë shkak i ngadalësimit ekonomik. A ndodh ky fenomen edhe në Shqipëri?
Standardi i jetesës për secilin nga partnerët pas divorcit është i ulët, shkaqet janë të shumta dhe sigurisht që kjo ndikon edhe në shoqëri. Dy në katër gra nuk sigurojnë nga ish-bashkëshorti pensionin ushqimor në favor të fëmijëve. Disa, për shkak të divorcit humbasin punën, të tjerë edhe banesën, për t’u përballur më tej me qiratë e banesave. Në rastet e dhunës nga ish-bashkëshorti apo pamundësive fizike, u duhet të lënë banesat dhe të strehohen ku të munden. Të gjitha këto ndikojnë në standardin e jetës së tyre, e cila është një kosto shtesë për çdo familje në këto kushte, po ashtu edhe për shoqërinë, duke evidentuar që në të gjitha rastet që secili prej tyre rezulton i papunë, u drejtohen shtetit për ndihma sociale.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.