Flet Elkeda Domi, Drejtoria Teknike, Autoriteti i Mediave Audiovizive
“I gjithë procesi i dixhitalizimit do të sjellë përfitime të drejtpërdrejta e që do të jenë të prekshme nga ana e publikut, ku ndër më kryesoret është rritja e cilësisë së shërbimit. Publiku do të mund të përfitojë figurë dhe zë të pastër dhe sinjal pa ndërprerje. Një tjetër përfitim është se do të ketë më shumë kanale televizive në dispozicion të publikut. Në këtë mënyrë do të rritet gama e programacionit, i cili përveçse gjeneralist do të jetë edhe tematik”, thotë Elkeda Domi, Drejtoria Teknike, Autoriteti i Mediave Audiovizive.
Çfarë do të sjellë për tregun audioviziv dixhitalizimi dhe si do t’i përmirësojë ai shërbimet?
Është e nevojshme të sqarojmë për publikun se procesi do të prekë vetëm transmetimet tokësore. Në tregun shqiptar transmetohet në rrugë tokësore, satelitore dhe nëpërmjet internetit (IPTV, si dhe nëpërmjet transmetimeve kabllore). Dixhitalizimi do të prekë vetëm transmetimet tokësore. Aktualisht në treg kemi transmetime numerike dhe analoge dhe procesi i dizhitalizimit nënkupton që nuk do të kemi më transmetime analoge. Të gjitha programet që aktualisht transmetohen në rrugë analoge do të kalojnë në transmetime dixhitale.
I gjithë procesi do të sjellë përfitime të drejtpërdrejta e që do të jenë të prekshme nga ana e publikut, ku ndër më kryesoret është rritja e cilësisë së shërbimit. Publiku do të mund të përfitojë figurë dhe zë të pastër dhe sinjal pa ndërprerje. Një tjetër përfitim është se do të ketë më shumë kanale televizive në dispozicion të publikut. Pra, nëse në një kanal analog mund të shihej vetëm një program televiziv, tashmë në një kanal frekuensor mund të transmetohen deri në 12 programe. Në këtë mënyrë do të rritet gama e programacionit, i cili përveçse gjeneralist do të jetë edhe tematik.
Kjo nuk vlen vetëm në rastin e televizionit publik, por edhe për operatorët e tjerë. Në kushtet e licencimit janë të përcaktuara edhe kanalet që do të transmetojnë këto televizione. Ato do të jenë të lira të zgjedhin se çfarë do të transmetojnë, por Autoriteti i Mediave Audiovizive do të jetë në dijeni për programacionin. Televizioni publik ka një funksion që është edhe më i rëndësishëm. Ai do të ketë detyrime shtesë si ndaj audiencës shqiptare në lidhje me përmbajtjen, tematikën, etj.
Gjithashtu falë dixhitalizimit do të shtohet edhe gama e aplikacioneve të reja. Nëse aktualisht televizioni është tradicional, falë kësaj teknologjie të jepet mundësia për të lundruar në internet, mund të dëgjohet muzikë, të luhen lojëra etj. Për fëmijët do të mund të sigurohet mbrojtje më e mirë. Kontrolli prindëror do të jetë më i garantuar ndaj ajo çka do të shikojnë fëmijët. Nga ana tjetër do të rritet ndërveprimi me televizorin, mund të shikohet çfarë do dhe kur do falë aplikacioneve (shërbime të tilla si video on demant, chatch up etj., që të ofrojnë shikimin e programeve edhe në një kohë tjetër).
A do të kërkojë ky proces më shumë investime nga ana e operatorëve që janë apo mund të futen në treg?
Po, kjo është e vërtetë. Si çdo teknologji e re, edhe kjo do të kërkojë investime, por gjithashtu do të garantojë më shumë të ardhura, që do të përftohen nga reklamat më të shumta në numër.
Natyrisht, investimi do të kërkojë kapital nga operatorët, por që për kthimin e tij do të garantojë cilësia. Nga ana tjetër, kjo do të rrisë edhe konkurrencën mes operatorëve në treg që do të zbatojnë teknologjinë dixhitale. Operatorët në garë do të synojnë të ofrojnë programe më të mira.
A ka një kosto totale se sa do të kushtojë zbatimi i kësaj teknologjie?
Po ka një kosto të përafërt të përcaktuar për ndërtimin e rrjeteve, por më e rëndësishmja është se të gjithë operatorët në treg e kanë mirëpritur futjen e kësaj teknologjie.
(Shënim: strategjia përcakton që financimi i ndërtimit të rrjetit numerik ku do të mbështeten programet e operatorit publik, në kushtet aktuale, përbën një sfidë të vështirë. Vlerësohet se ndërtimi i një rrjeti numerik kombëtar do të kushtojë rreth 12-14 milionë euro).
Aktualisht ka tre operatorë të licencuar si kombëtarë (Top Channel, TV Klan, Digitalb), ndërkohë që janë planifikuar të shtohen edhe dy rrjete të tjera kombëtare, pa përfshirë këtu dy rrjetet e operatorit publik shqiptar. Pra, do të kemi 5 operatorë kombëtarë privatë dhe dy rrjete kombëtare do të jenë për operatorin publik.
Fakti që ka kërkesë në rritje për ndërtime rrjeti tregon se janë marrë në konsideratë edhe kostot me të cilat shoqërohet i gjithë procesi.
Sa u përket kostove nga ana e publikut, është ajo e blerjes së një pajisjeje marrëse (dekoder) dhe që llogaritet nga 3,000 – 4,000 lekë. Publiku duhet të informohet që lloji i dekoderit duhet të jetë DVB – T2 (universal) pasi krijon mundësi që të përdoret një marrës për të gjitha platformat numerike. Por, nuk duhet të krijohen keqkuptime, pasi një televizor duhet të pajisjet me një dekoder. Mjafton vetëm që të ndryshohet karta dhe operatori e ka modulin të programuar në mënyrë të tillë që të transmetojë.
Si do të veprohet për zonat që janë të thella dhe ka vështirësi infrastrukturore?
Procesi i dixhitalizimit do të bëjë të mundur që shërbimi të ketë shtrirje më të madhe. AMA do ta mbikëqyrë procesin deri në përfundim të tij. Ai do të zhvillohet në disa faza. Fillimisht do të zhvillohet në Tiranë, Durrës e më pas do të vijojë në Fier, Shkodër etj., dhe do të monitorohet sipas ‘ishujve numerikë’. Term me të cilin njihen këto rrjete. Procesi do të monitorohet në vazhdimësi, në mënyrë që publiku shqiptar të mos humbasë shikimin e kanaleve. Detyra jonë është që të sigurojë vazhdimësinë e shikueshmërisë nga ana e publikut të kanaleve që aktualisht janë të lira. Në momentin që do të ketë zona të lira që nuk do të mund të mbulohen me transmetim tokësor, do të shikohen mundësitë për ofrimin e shërbimit satelitor.
A ka një afat se kur ky proces do të mbyllet?
Aktualisht nëse flasim për operatorin publik shqiptar është në fazën e ndërtimit fizik të rrjetit, që do të thotë se janë ndërtuar pjesa më e madhe e kullave, janë vendosur transmetues. Për Qarkun Tiranë–Durrës është pothuajse në fazën përfundimtare ndërtimi i rrjetit dhe besojmë se do të ecet më shpejt me procesin. Por, nuk mund të flasim për një datë të përcaktuar.
Edhe televizionet kombëtare do të kenë fazat e tyre të zbatimit. AMA ka filluar punën si me operatorin publik, ashtu edhe me ata kombëtarë e lokalë për t’i mbështetur në këtë proces, por edhe për të bërë të mundur që analogu të ‘fiket’ njëkohësisht nga të gjithë operatorët në një zonë të caktuar.
Po për sa i përket ndërlidhjes mes operatorit publik dhe atyre privatë, lokalë?
Strategjia ka përcaktuar që TVSH-ja të ndërtojë dy rrjete, ku njëri prej tyre do të shërbejë pikërisht për mbështetjen e operatorëve lokalë dhe rajonalë. Rrjeti tjetër do të shërbejë për ofrimin e shërbimeve të saj, ku do të ketë dy kanale gjeneraliste dhe 12 kanale tematike. Pra, një rrjet i plotë do të jetë në shërbim të operatorëve lokalë dhe rajonalë.
Marrëveshjet mes operatorit publik dhe atyre rajonalë rregullohen sipas kontratave që lidhin midis tyre, ndërsa në rast mosmarrëveshjesh, ligji 9713 parashikon që të jetë AMA që do të ndërmjetësojë e nëse në këtë rast nuk gjendet një zgjidhje, atëherë palët i drejtohen gjykatës.
AMA në lidhje me procesin e dixhitalizimit ka realizuar një sërë aktivitetesh për të bërë informimin e operatorëve për të identifikuar të gjithë problematikat, tarifat që duhet të paguajnë pranë TVSH-së, etj.
Duhet të theksojmë se në fazën e parë, të gjitha transmetuesit analogë do të vazhdojnë transmetimin.
Po për sa i përket pajisjes me dekoderë?
AMA ka nisur që nga muaji prill fushatën ndërgjegjësuese, pasi kjo është një nga sfidat e procesit. Publiku duhet të pajisjet me një dekoder në rast se pajisja televizive nuk e ka të inkorporuar. Aparatet e viteve të fundit e kanë të përfshirë këtë pajisje dhe në këtë rast nuk do të jetë e nevojshme blerja e tyre. Në të kundërt blerja e pajisjes është domosdoshmëri. Çdo tip televizori, sado i vjetër të jetë me pajisjen e dekoderit DVB-T2, do të mund të shohë transmetimet numerike.
Për kategorinë e popullsisë që përfiton ndihmë ekonomike nga shteti do të bëhet e mundur që ta përfitojnë këtë pajisje në mënyrë të subvencionuar. Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë i ka gati tashmë listat dhe do të shpërndahen në çdo qytet sipas fazave të ndërtimit të rrjeteve.
Si jemi në krahasim me rajonin në lidhje me procesin e dixhitalizimit?
Jemi të vonuar. Momentalisht kemi mbetur vetëm ne, Kosova dhe Bosnja. Procesi duhet të kishte përfunduar në qershor 2015, por për shkak të një sërë vonesave nuk u bë e mundur. Por, tashmë procesi është në fazë zbatimi.
Si do të bëhet e mundur teknikisht marrja e këtyre shërbimeve nga audienca?
Për të marrë shërbimet dixhitale, audiencës i duhet të ketë një dekoder DVB-T2 i tipit universal, i cili vlen për të gjitha platformat. Karakteristikat teknike janë përcaktuar me VKM, në mënyrë që audiencës t’i vihet në ndihmë.
Ndërsa personat që kanë një dekoder dhe do të duan të vazhdojnë të marrin shërbim nga ai operator mund ta bëjnë këtë pa asnjë pengesë. Nëse do të duan të ndryshojnë operatorin do të ishte e udhës që të marrin dekoder DVB-T2. Audienca është e lirë që të ndryshojë operatorin në çdo kohë, në varësi të paketave që do të ofrohen.
Detyrimi për të marrë një dekoder u lind atyre personave që aktualisht e përfitojnë shërbimin televiziv vetëm përmes një antene dhe pas asnjë pajisje tjetër.
———————————-
I nevojshëm përshpejtimi i procesit
Flet Sevada Guço, Drejtoria Juridike dhe e Licencave, AMA
Procesi i dixhitalizimit ka kaluar disa sfida, të cilat kanë çuar në vonesa të konsiderueshme të këtij procesi. Sfidat e radhës me të cilat përballet AMA kanë të bëjnë kryesisht me përshpejtimin e procesit dhe finalizimin e kalimit nga transmetimet analoge në ato dixhitale, thotë Sevada Guço, Drejtoria Juridike dhe e Licencave, në Autoritetin e Mediave Audiovizive (AMA).
Cili është roli i AMA-s për sa i përket dhënies së licencave të transmetimeve dixhitale dhe si ka ecur ky proces?
Sa i përket procesit të dixhitalizimit, AMA si institucioni përgjegjës për administrimin e spektrit të frekuencave për transmetime audiovizive mban rolin kryesor në procesin e kalimit nga transmetimet analoge në ato numerike. Pavarësisht kësaj, në këtë proces janë të përfshira edhe institucione të tjera shtetërore, ku mund të përmendim TVSH, MIAP.
Në zbatim të kompetencave ligjore, veprimtaria e AMA-s gjatë gjithë kësaj periudhe është përqendruar në hartimin e paketës së akteve nënligjore dhe realizimin e procedurave të licencimit të rrjete numerike tokësore kombëtare.
Konkretisht AMA ka miratuar aktet e nevojshme nënligjore për zhvillimin e këtij procesi, të cilat përfshijnë rregullat për licencimin e operatorëve privatë kombëtarë. Bazuar në këto akte, tashmë AMA ka licencuar tre operatorë për ndërtimin e rrjeteve dixhitale me mbulim kombëtar, të cilët janë në fazën e ndërtimit të rrjeteve numerike, fillimisht në Qarkun e Tiranës e Durrësit.
AMA është duke koordinuar punën me këta operatorë, si dhe operatorët lokalë/rajonalë që aktualisht ofrojnë shërbime televizive analoge në Qarqet e Tiranës e Durrësit, në mënyrë që kalimi në transmetimet numerike të përfundojë sa më shpejt në Qarkun e Tiranës e Durrësit.
Për të përmbushur plotësisht detyrat e tij, AMA është në fazën e hartimit të rregullores së numeracionit. Kjo rregullore lidhet me dhënien e numrit identifikues për ofruesit e shërbimit mediatik audio dhe/ose audioviziv, duke i dhënë përparësi shërbimeve të TVSH-së.
Gjithashtu është në fazën e përgatitjes së paketës së akteve nënligjore për lëshimin e licencave për rrjetet e lira numerike kombëtare, si dhe për licencimin e rrjeteve lokale e rajonale.
Ndërkohë, AMA është duke koordinuar punën me operatorët analogë ekzistues për të siguruar kalimin e tyre në transmetimet numerike, përmes mbështetjes në rrjetin numerik të TVSH-së apo në rrjetet private kombëtare.
Cilat janë disa nga sfidat për përfundimin me sukses të procesit të dixhitalizimit të transmetimeve audiovizive?
Procesi i dixhitalizimit ka kaluar disa sfida, të cilat kanë çuar në vonesa të konsiderueshme të këtij procesi. Sfidat e radhës me të cilat përballet AMA kanë të bëjnë kryesisht me përshpejtimin e procesit dhe finalizimin e kalimit nga transmetimet analoge në ato dixhitale.
Vlen për t’u përmendur fillimisht mirëkoordinimi i punimeve të ndërtimit të rrjeteve numerike të operatorëve kombëtarë dhe mbështetjes së operatorëve lokalë në këto rrjete, në mënyrë që kalimi në transmetime numerike të mund të sigurojë vijimësinë e ofrimit të shërbimeve audiovizive për publikun. Lidhur me këtë, AMA ka planifikuar takime të njëpasnjëshëm në nivel ekspertësh teknikë me operatorët lokalë/rajonalë/kombëtarë.
Po ashtu, shumë i rëndësishëm është informimi i publikut në kohën e duhur, lidhur me kalimin në transmetime numerike në zonat ku ata banojnë, në mënyrë që të bëhet e mundur pajisja me dekoderë e së gjithë popullatës së asaj zone.
Së fundmi, në bashkëpunim me Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë do të bëhet shpërndarja e dekoderëve falas në kohën e duhur për familjet përfituese të skemës së ndihmës ekonomike. Kostoja e tyre do të mbulohet nga fondet e buxhetit të shtetit. Këta dekoderë do të shpërndahen pranë njësive të qeverisjes vendore ku ata marrin ndihmën ekonomike. Dekoderët do të tërhiqen nga personi që merr ndihmën ekonomike duke paraqitur kartën e identitetit.
————-
Problem ‘fikja’ e analogut
Flet Henri Muça, Drejtor Teknik i TVSH-së
Çfarë parashikohet të sjellë procesi i dixhitalizimit për konsumatorët?
Për publikun dhe shikuesin e televizionit publik, kjo do të nënkuptojë rritje të cilësisë transmetuese dhe një gamë më të gjerë të programeve. Operatori publik ka rreth 59 pika transmetuese, si dhe dy grupe kanalesh që kanë qenë frekuenca analoge dhe janë kthyer në multiplekse. Numrin e kanaleve e përcakton AMA, por mund të llogarisim mbi 15 kanale për frekuenca analoge. TVSH-ja ka dy të tilla që do të mbulojnë të gjithë territorin e Shqipërisë. Aktualisht jemi në fazën kur po mbyllim me allotmente Tiranën dhe Durrësin (11 ishuj numerikë) që do të shërbejnë si platforma për televizionet private rajonale dhe lokale. Nga ana e saj, TVSH do të mbajë një frekuencë kombëtare (konsiderohet si një ishull i madh) ku do të transmetohen kanalet e TVSH-së. Nuk do të ketë më kanalet: 1, 2, satelitorë etj., por do të jetë një platformë e vogël kanalesh pa pagesë, që do t’i vihen në dispozicion publikut shqiptar me zhanre të ndryshme, që do të vendoset nga një bord i specializuar.
Sa i përket cilësisë në transmetim, dy kanale do të jenë Full HD.
TVSH do të ketë tre kanale gjeneraliste që do të renditen në marrës me numrat 1, 2, 3.
Sipas strategjisë që është ndërtuar në vitin 2013, rrjeti që TVSH-ja është duke ngritur do të mund të mbartë edhe kanalet lokale private, që do të paguajnë një shumë të caktuar, e cila përcaktohet nga AMA dhe nga TVSH.
Për zonat e thella, ku është e pamundur të investohet me të tilla teknologji, TVSH-ja do të bëjë të mundur që të ofrojë shërbim satelitor (2 kanale).
Cilat janë vështirësitë që ju po hasni për zbatimin e këtij procesi?
Pjesa më e madhe e vështirësive kanë të bëjnë me terrenin, i cili është malor, e po kështu edhe pronësinë. Janë procese që do të duhet të marrin kohën e tyre për zbatim.
A ka një afat të përcaktuar për TVSH-në?
Ne duhet ta përfundojmë nga muaji nëntor, por si TVSH kemi një problem të rëndësishëm që ka të bëjë me fikjen e analogut.
Nga ana tjetër, tregu në Shqipëri nuk ka marrës dixhitalë DVB-T2. Sipas një studimi që ne kemi bërë, përveç 90,000 marrës që do të shpërndahen nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, vetëm në Tiranë numërohen rreth 500,000 familje, që kanë të paktën një televizor (koeficienti i INSTAT e jep këtë shifër në mbi 1.5) e për të cilët do të duhen rreth 750,000 marrës.
Një tjetër problem është penetrimi i marrësve DVB–T2, që janë shpërndarë në numër të pakët në treg, e ku numërohen në rreth 30,000. Kjo e bën shumë të vështirë fikjen e analogut. Kjo do të thotë se në momentin që ne e fikim, atëherë do të mund të shikohemi vetëm nga 7-8% e popullsisë. Duhet të mbajmë në konsideratë që të gjitha frekuencat janë në varësi të njëra–tjetrës. Ka edhe një periudhë që quhet ‘simulcast’ ku do të lejohet ekzistenca e rrjeteve analoge dhe atyre numerike dhe që është parashikuar të zgjasë rreth një muaj. Por, fikja e menjëhershme e transmetimeve analoge nuk është e mundur, pasi nuk lejon bërjen e provave, nuk iu lë kohë as individëve që të kalojnë nga njëri transmetim në tjetrin. E kjo nuk vlen vetëm për TVSH-në, por edhe për operatorët e tjerë.
Zgjidhja e këtij ngërçi do të varet nga tregu, i cili do të duhet të mbushë këtë ‘boshllëk’, sepse kjo është çështje kërkesë – oferte.
—————-
Televizionet lokale: Konkurrencë e fortë, investime të larta
Televizionet kombëtare i kanë paraprirë më herët këtij procesi dhe në pjesën më të madhe, transmetimet e tyre janë kthyer në platformën dixhitale. Procesi do të jetë më i vështirë dhe me kosto për televizionet që kanë licencë lokale.
Sipas AMA-s, gjatë procesit të dixhitalizimit është parashikuar edhe rritja e numrit të licencave kombëtare. Janë planifikuar të shtohen edhe dy rrjete të tjera kombëtare, pa përfshirë këtu dy rrjetet e operatorit publik shqiptar. Pra, do të kemi 5 operatorë kombëtarë privatë dhe 2 rrjete kombëtare do të jenë për operatorin publik.
Gjergji Memo, drejtor i Programacionit në Vizion Plus, thotë se ky
është një proces që e kanë kaluar të gjithë vendet e Europës. “Pikënisja ka qenë lirimi i një brezi frekuencash që do të përdoren për qëllime të tjera, që nuk lidhen me transmetimet televizive. Megjithëse numri i frekuencave është zvogëluar, teknologjia e re e përdorur bën të mundur mbartjen e operatorëve analogë ekzistues nëpër platformat dixhitale. Gjithsesi, ky proces e gjen teleshikuesin shqiptar të papërgatitur, sepse në ndryshim nga transmetimet analoge ku çdo gjë ishte pa pagesë, tashmë ai do të ketë një kosto shtesë që lidhet me blerjen e dekoderave. Në Europë, kjo gjë është sponsorizuar nga shteti, ndërkohë që shteti shqiptar nuk ka një strategji të përcaktuar qartë”, thotë z.Memo.
Ndërsa drejtuesja e Scan Tv, Elvana Hana, thotë se dixhitalizimi është një proces shumë avangardë, si për tregun mediatik, ashtu edhe për konsumatorët, të cilët janë praktikisht qytetarët. Sipas saj, procesi ka njohur njëfarë ngecjeje.
Në anën tjetër, procesi do të shoqërohet me kosto dhe televizionet pranojnë se janë investime në shuma të mëdha.
“Kostoja është disi e lartë, por është detyrim ligjor për të gjithë operatorët e tregut”, thotë znj.Hana.
Ndërsa drejtuesi i programacionit në Vizion Plus, z.Memo, thotë se kostoja mund të përballohet vetëm nga rrjetet që ofrojnë programe PPV.
Falë këtyre investimeve, drejtuesit e televizioneve lokale thonë se do të rritet ndjeshëm edhe cilësia: “Sigurisht që cilësia e transmetimit përmirësohet, mjaft të përmendim që shumë operatorë kanë filluar transmetimin në formatin HD”, thotë z.Memo.
Ndërsa, drejtuesja e Scan Tv thotë se televizioni mbetet i fokusuar më tepër te korrektësia e informacioneve, pasi ato janë dhe shumë specifike. “Një teknologji më e lartë dhe bashkëkohore e përcjell më mirë informacionin”, thotë znj.Hana.
Ajo beson se dixhitalizimi do të ndikojë për mirë, për të gjithë operatorët televizivë.
Ndërsa drejtuesi i programacionit në Vizion Plus thotë se për televizionet analoge lokale, kjo konkurrencë do të jetë më efortë për shkak se ato do të transmetojnë në të njëjtën platformë, së bashku me televizionet e mëdhenj dhe të konsoliduar.
Për pronarin e televizionit Amantia në Vlorë, Eduard Leli, për ato subjekte që janë të rregullt në përmbushjen e detyrimeve dhe janë të rregullt me pagesa ndaj shtetit ky proces do të ndikojë në rregullimin e tregut. Televizioni që ai drejton së fundmi ka rinovuar licencën e transmetimit për 7 vitet e ardhshme, ndërsa thotë se kanë marrë njoftimin se vitin e parë do të mund të transmetojnë në analog, por më pas duhet të kalojnë në dixhital.
Për drejtuesen e marketingut të Star Tv në Shkodër, Albana Kraja procesi i dixhitalizimit do të ndikojë te konkurrenca, duke nxitur përmirësimin e programacionit, si dhe një cilësi më të mirë të figurës dhe zërit. Kjo do të ketë ndikim të drejtëpërdrejtë dhe pozitiv te audienca e cila do të marrë shërbim më cilësor.
—————-
Tregu i reklamave, nuk priten ndryshime për TV lokale
Nuk ka një shifër të saktë sesa do të duhet të jetë i gjithë investimi për të kaluar nga transmetimet analoge në ato dixhitale, por sipas drejtuesve të AMA-s, si çdo teknologji e re, edhe kjo do të kërkojë investime.
Realizimi i këtyre investimeve, sipas tyre, do të garantojë më shumë të ardhura, që do të përftohen nga reklamat që mund të jenë më të shumta në numër.
Por, drejtuesit e televizioneve lokale duket se nuk janë shumë entuziastë në lidhje me ndryshimet që do të sjellë kalimi në transmetimet dixhitale.
Gjergji Memo i Vizion Plus, nuk mendon se tregu i reklamave do të ketë ndonjë ndikim të ndjeshëm. “Kjo varet shumë edhe nga strategjia e marketingut që ndjekin kompanitë.
Megjithëse zona e mbulimit do të rritet, për televizionet lokale ekzistuese nuk do të thotë që do të shoqërohet me rritjen e të ardhurave nga tregu reklamave”, thotë z.Memo.
Ndërsa drejtuesja e Scan Tv, Elvana Hana, shkon edhe më tej dhe thotë se tregu i reklamave nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë me dixhitalizimin. “Ky treg lidhet më shumë me performancat e biznesit në Shqipëri dhe me pritshmëritë ekonomike për të ardhmen. Ndoshta tarifat më të lira mund të sjellin një rritje të tregut të reklamave, por kjo mund të ndikojë te cilësia, si dhe në mbushjen e tregut me informacione të panevojshme”, thotë znj.Hana.
Për pronarin e televizionit Amantia në Vlorë, Eduard Leli transmetimet dixhitale nuk pritet të sjellin ndonjë ndryshim në tregun e reklamave, që sipas tij po kalon vështirësi të mëdha. “Sot, po ofrohen reklama me çmime që nuk mbulojnë dot kostot, 10,000 lekë. Më këto shifra nuk mund të sigurosh investime, të paguash pagat apo kontributet shoqërore. Ndaj dhe nuk mund të flitet për një treg”, thotë ai.
Edhe drejtuesja e marketingut të Star Tv në Shkodër, Albana Kraja tregu i reklamave nuk pritet të pësojë ndryshime, sipas saj vitet e fundit kriza ka ndikuar ndjeshëm te të ardhurat që grumbullohen. Gjithnjë e më shumë, thotë ajo, biznesi zgjedh që tëreklampjë me kosto të ulët siç janë mediat sociale që sigurojnë një ndikim më të shpejtë te konsumatori.
—————-
Çfarë do të ndodhë me “të vegjlit”
Sipas të dhënave të Institutit të Medias, Shqipëria ka një treg dinamik të medias vizive me dy televizione kombëtare, 64 televizione lokale analoge dhe 115 televizione lokale kabllorë, si dhe 3 platforma dixhitale: Digitalb, Tring dhe Supersport, natyrisht edhe një transmetues publik, siç është Radio Televizioni Shqiptar.
Sipas Strategjisë Kombëtare për Kalimin në Transmetime Numerike,
operatorët vendorë ekzistues, me pak përjashtime, nuk i disponojnë mjetet financiare dhe aftësitë teknike të nevojshme për të ndërtuar dhe për të mirëmbajtur rrjetet e transmetimeve numerike tokësore. Ata nuk janë të prirë të mbyllin me dëshirën e tyre
transmetimet analoge, pasi kërkojnë të nxjerrin përfitimin maksimal nga investimet për ndërtimin e rrjetit.
Nga ana tjetër, po bëhet kujdes që kalimi në transmetimet numerike të realizohet pa prishur strukturën ekzistuese të tregut mediatik që aktualisht funksionon si treg i programeve të transmetuara hapur (pa pagesë) dhe që financohet nga reklamat. Ruajtja e strukturës së tregut do të thotë që programetekzistuese analoge, që do të mbështeten në platforma numerike, do të vazhdojnë të transmetohen hapur (pa pagesë) dhe do të vazhdojnë të financohen nga tregu i reklamave.
Duke u bazuar në Strategjinë për Kalimin në Transmetime Numerike, ka tre variante për operatorët lokalë:
- Brenda variantit të parë, transmetuesit lokalë do të përdorin platformën e ngritur nga transmetuesi publik RTSH;
- Variant tjetër është që operatorët lokalë të bashkohen dhe të aplikojnë për të ndërtuar një platformë të tyren, por 70% e operatorëve lokalë duhet të bien dakord me qëllim që të aplikojnë;
- Nëse asnjë nga dy variantet e para nuk funksionon, rregullatori hap garën për ngritjen e një rrjeti që operatorët lokalë ta përdorin.
Strategjia përcakton këto tre opsione, por thekson se variante të tjera nuk përjashtohen.
Një variant tjetër për transmetuesit lokalë mund të jetë përdorimi i rrjeteve të ndërtuar nga operatorë të tjerë komercialë, që do të thotë ato ekzistuese dhe dytelevizionet kombëtare komerciale që kanë aplikuar për tëmarrë një licencë kombëtare për të ndërtuar një platformë.
Në këtë aspekt, një faktor kryesor do të jetë tarifa e
aplikuar për të përdorur rrjetin që transmetuesi publik po
ndërton. Sipas Strategjisë, tarifa e llogaritur në 2012 është
vlerësuar të jetë 2,885 euro në muaj për secilin operator
që do të përdorë rrjetin e transmetuesit publik. RTSH i qëndron kësaj tarife.
—————-
Investimet në aparate
Kalimi i plotë në transmetime numerike, krahas ndërtimit të
Rrjeteve, parashikon edhe pajisjen e audiencës me marrës numerikë ose dekoder që bëjnë të mundur përdorimin e marrësve ekzistues analogë edhe për marrjen e sinjaleve numerikë.
Natyrisht, televizionet e prodhuara në vitet e fundit e kanë të trupëzuar këtë pajisje dhe nuk do të jetë e nevojshme blerja e një dekoderi.
Dekoderët që duhen planifikuar janë të sistemit MPEG 4, ndërkohë, në përdorim janë hedhur dekoderë MPEG 2 për marrjen e sinjaleve numerikë të operatorëve privatë ekzistues.
Vlerësohet që përqindja e familjeve në nevojë, që do të duhet të pajiset me një dekoder, është 7%. Çmimi i një dekoderi është supozuar në 30 euro. Dekoderat që do të subvencionohen do të jenë universalë dhe do të kenë karakteristikat bazë përtë siguruar marrjen e sinjaleve standardë TV.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
A ban vaki te humbasin disa kanale sa te fidhojne qe te shtohen disa stacione te reja atehere kur ta fus ne kerkim automatik te dekodri dvb t2?