Nga fillimi i vitit të ardhshëm Administrata Tatimore dhe Dogana e Kosovës, sipas zyrtarëve qeveritarë, thuhet se do të funksionojnë si një institucion i vetëm, i quajtur Agjencia e të Hyrave e Kosovës.
Bashkimi i dy agjencive, të cilat grumbullojnë paratë për buxhetin e Kosovës, do të përmirësojë shërbimet për tatimpaguesit, njëherësh do të sjellë rezultate në luftën kundër korrupsionit dhe ekonomisë joligjore.
Avdullah Hoti, ministër i Financave, për Radion Evropa e Lirë, bën të ditur se aktualisht është duke u punuar në finalizimin e ligjit, dokument ky që shumë shpejt pritet të kalojë në Qeveri dhe të procedohet në Kuvendin e Kosovës.
Kështu që, në janar të vitit 2017, thotë ai, do të unifikohet sistemi i mbledhjes së të hyrave për buxhetin e Kosovës.
“Bizneset do të kenë një adresë të vetme, jo një zyrtar tatimor dhe një doganor. Dhe, mbi të gjitha, të krijojmë atë zinxhirin e pashkëputur prej momentit të importit të mallit, derisa malli të shitet brenda vendit, si masë për luftimin e ekonomisë joformale”.
“Kemi marrë praktikat më të mira në rajon dhe më gjerë. Shumica e vendeve të Bashkimit Evropian funksionojnë në këtë mënyrë.Tendenca është në atë drejtim të bashkimit në një agjenci të vetme të të hyrave buxhetore”, thotë Hoti.
Përfaqësues të komunitetit të biznesit, thonë se e kanë mbështetur këtë projekt.
Por, Safet Gërxhaliu, kryetar në Odën Ekonomike të Kosovës, konsideron se autoritetet kompetente fillimisht duhet të punojnë në nivelizimin e kapaciteteve profesionale.
Në këtë drejtim, Gërxhaliu thotë se Doganat e Kosovës kanë investuar në ngritjen e kapaciteteve profesionale, por një avancim i tillë, sipas tij, nuk është realizuar në Administratën Tatimore të Kosovës.
“E dyta, çka është më interesante, është fakti se duhet të mendohetedhe konotacioni politik, sepse nëse do të kemi një agjenci të tillë, duhet të pranohet realiteti se duhet të ketë negociata të reja në dialog teknik me Serbinë. Kjo sepse duhet të jetë një numër i ri fiskal, duhet të jetë një rrethanë e re”.
“Definitivisht,nevojitet një periudhë kalimtare derisa të kemi një implementim të tillë. Nuk duhet të flitet me data konkrete, nuk duhet të mendohet që fundi i vitit duhet të jetë fillimi i një funksionaliteti të tillë. Është më e rrugës, të prolongohet një proces, të jemi të përgatitur dhe vërtet të ketë efekte dhe jo ky fuzionim të ndodhë për hir të agjendës politike”, thekson Gërxhaliu.
/Radio Europa e Lirë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.