Sipas të dhënave nga Dogana e Kosovës, ky institucion për vitin 2016 ka arritur të mbledh 1 miliard e 51.4 milionë euro, apo 1.1 për qind më shumë të planifikimit për këtë vit.
Kjo vlerë pëfaqëson një rritje prej 10.5 për qind krahasuar me vitin 2015 dhe ka qenë e shtyrë kryesisht nga efekti i ndryshimeve në politikat tatimore, ndryshimet në normën e akcizës së disa produkteve si dhe fillimi i zbatimit të normës së përshkallëzuar të Tatimit të Vlerës së Shtuar (TVSH).
Që nga themelimi i Doganës së Kosovës, në vitin 2016 për herë të parë tejkalohet vlera 1 miliard euro të mbledhura për Buxhetin e Kosovës.
Taksa doganore ka pësuar ndryshime si rezultat direkt i zbatimit të Marrëveshjës së Stabilizim-Asociimit (MSA) pasi që nga prilli i 2016-së kjo taksë është ndikuar direkt nga kjo Marrëveshje, ku një pjesë e produkteve tani zhdoganohen me zero për qind dhe një pjesë tjetër me 8 dhe 9 për qind. Mirëpo, vlerësimet adekuate të mallrave dhe performanca e Doganës kanë arritur ta mbajnë në nivel të lartë këtë taksë.
Akciza ka pasur disa ndryshime gjatë këtij viti, tek veturat, duhani dhe lojërat e fatit kjo taksë ka pasur lëvizje. Arkëtimi i Doganës është ngritur nga 360.6 milionë euro në 403.3 milionë euro, pra një rritje e përgjithshme prej 11.8 për qind në krahasim me vitin e kaluar.
TVSH-ja ka pasur ndryshimet, përderisa përkundër ndryshimeve Dogana ka ruajtur dhe ka rritur arkëtimin, pra kemi mbledhur 541.2 milionë euro apo 12.7 për qind më shumë se në vitin 2015.
Të hyrat e përgjithshme për vitin 2016 në nivel të Drejtorive Rajonale në total janë 1 miliard e 36.2 milionë euro, ndërsa në vitin paraprak, në të njëjtën periudhë ka pasur të hyra në vlerë prej 936.72 milionë euro, pra janë realizuar 99.46 milionë euro, apo 10.61 për qind me shumë.
Nga të dhënat komerciale për periudhën raportuese, eksportet në total kapin shumën prej 367.33 milionë euro, për dallim nga periudha e njëjtë e vitit të kaluar që ishin 389.8 milionë euro, pra këtë vit kemi 22.48 milionë euro, apo -5.76 për qind më pak eksporte.
Ndërsa, lirimet nga taksat doganore për periudhën raportuese në total kapin shumën prej 85,05 milionë euro, ku në të njëjtën periudhë të vitit 2015 ka pasur 65.41milionë euro, përkatësisht 19,64 milionë euro, apo 30.03 për qind më shumë. /Gazeta Ekonomia
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.