Vlerësimi i Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm (ZAP) për menaxhimin financiar dhe kontrollin gjatë auditimit në Doganën e Kosovës ka nxjerr në pah se në fushën e tё hyrave si aktivitet bazё ekzistojnë mangësi. Kjo sipas ZAP-it, kërkon vëmendjen e menjëhershme tё menaxhmentit, ngase Dogana nuk ka përfshirë 4.5 milionë euro nga llogaritë e arkëtueshme të bartura nga vitet paraprake.
Po ashtu ZAP-i ka evidentuar se kontrollet nё fushёn e menaxhimit tё pagave dhe mëditjeve dhe menaxhimit tё pasurisё duhet tё avancohen mё tutje.
“Në pasqyrat vjetore financiare janë prezantuar llogaritë e arkëtueshme vetëm të vitit 2013 në vlerë 13,613,898€, edhe përkundër faktit se Dogana ka evidenca për llogaritë e arkëtueshme edhe të viteve paraprake. Vlera e llogarive të arkëtueshme të bartura nga vitet paraprake që nuk ёshtё prezantuar në pasqyra financiare është 4,565,400 euro”, konstaton auditori.
Megjithatë sipas ZAP-it, drejtori i përgjithshëm i Doganës duhet të siguroj se PVF-të e përgatitura të përfshijnë edhe llogaritë e arkëtueshme të bartura nga vitet paraprake për tё siguruar informata të plota dhe të sakta për përdoruesit e PVF-ve, raporton Kosova Live.
Si rekomandime kryesore të Auditorit të Përgjithshëm pёr drejtorin e pёrgjithshёm tё Doganёs sё Kosovёs janё që tё siguroj qё: Arsyet për theksimin e çështjes në vitin 2013 janё analizuar dhe të identifikojë veprimet që nevojiten për të adresuar këto dobësi të kontrollit në mënyrë që të mundësojë një prezantim të drejtë dhe të vërtetë të llogarive tё arkёtueshme në vitin 2014; plani i veprimit, i rishikuar, të përcaktojë saktë afatet kohore për adresimin e rekomandimit pёr raportimin me kohё tё stoqeve nga depot doganore; kontrollet nё fushёn e tё hyrave janё përforcuar për të siguruar qё produktet evidentohen në kode përkatëse tarifore, taksat kalkulohen drejtë dhe saktë dhe që Kodi Doganor respektohet plotësisht; dhe të gjitha Agjencionet e përfaqësimit pajisen me licencë ose në të kundërtën t’u ndalohet aktiviteti i përfaqësimit të këtyre agjencioneve.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.