U zhvillua dje në Bruksel takimi mes Drejtores së Përgjithshme të Doganave Znj. Spiropali dhe Z. Heinz Zourek Drejtorit të Përgjithshëm të Taksave dhe Unionit Doganor të Bashkimit Evropian (DG TAXUD).
Znj. Spiropali e njohu Z. Zourek me projektet më të reja të ndërmarra nga Administrata Doganore Shqiptare. Së pari Kodi i Ri Doganor, për të cilin ekspertët e doganës punuan intensivisht katër muajt e fundit, ka të përfshirë në përmbajtjen e tij dy risi shumë të rëndësishme, operatorin ekonomik të autorizuar dhe procedurat e thjeshtuara. Ky Kod vendos një gur të rëndë themeli për një rrugë krejt të re marrëdhëniesh Evropiane mes biznesit dhe doganës dhe përfaqëson praktikën e re e të unifikuar të Doganës Shqiptare me Sistemin Doganor Evropian. Projekti i dytë i rëndësishëm, Single Ëindoë (Dritarja e vetme), një projekt i iniciuar nga Doganat, por që përfshin 15 institucione të ndryshmë shtetërore. Single Ëindoë do të kthehet në një partner të besueshëm për komunitetin e biznesit. Disa prej përfitimeve që do të ketë biznesi përfshijnë shkurtimin e kohës për praktikat administrative, uljen e kostos së aplikimit dhe rritjen e nivelit të transparencës.
Të dy këto projekte u konsideruan nga Znj. Spiropali si mjaft ambiciozë por njëkohësisht shumë të rëndësishëm për modernizimin e Administratës Doganore Shqiptare. Drejtorja e Përgjithshme kërkoi gjithashtu mbështetjen e DG TAXUD për anëtarësimin me të drejta të plota në Konventën për Tranzitin e Përbashkët, një hap tjetër ky drejt afrimit me sistemet doganore evropiane.
Z. Zourek vlerësoi arritjet e deritanishme të Administratës së re, duke u shprehur i kënaqur me prezantimin e këtyre projekteve ambicioze që sjellin Shqipërinë më afër integrimit të saj në Bashkimit Evropian. Ai premtoi mbështetjen e plotë të DG TAXUD në realizimin e projekteve të propozuara. Z. Zourek u dakordësua me faktin që të tillë projekte janë një sfidë, por ai vlerësoi ato si rrugën e vetme për të lehtësuar dhe promovuar tregtinë e lirë në vend, duke rritur kështu besimin e komunitetit të biznesit ndaj administratës doganore, shkëmbimet tregtare dhe të ardhurat në vend.
Znj. Spiropali dhe Z. Zourek theksuan faktin që integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian është një nga sfidat më të rëndësishme të qeverisë së re dhe modernizimi i institucioneve si Administrata Doganore është mënyra më e sigurtë dhe e shpejtë për të fituar këtë sfidë.
Pjesë e axhendës së Drejtores së Përgjithshme ishte dhe takimi me Z. Kristian Vangrieken, Shefi i Njësisë për marrëdhëniet me jashtë në DG TAXUD.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.