Dogana Shqiptare zhvilloi të hënën një takim informues me biznesin në Tiranë për “Prezantimin e Strategjisë së Implementimit të Procedurave të Thjeshtuara”. Për të prezantuar këtë projekt inovativ të Doganës Shqiptare ishin të pranishëm në Doganën e Tiranës, zv/ministri i Financave, Ervin Mete, zv/ministrja e Ekonomisë, Brunilda Paskali si dhe Drejtoresha e Përgjithshme e Doganave, Elisa Spiropali.
“Procedurat e thjeshtuara janë një serë veprimesh dhe operacionesh doganore të cilat i shmangen modelit klasik”, tha Drejtoresha e Doganave, Elisa Spiropali.
Sipas saj, këto procedura ulin burokracinë dhe korrupsionin, pasi kjo reflektohet si një marrëdhënie e re besimi me biznesin dhe ulje të kostos së kohës në gjithë procedurën e shkëmbimeve tregtare nga operatorët ekonomikë.
Spiropali shpjegoi se çfarë janë procedurat e thjeshtuara dhe çfarë përfitimesh do të ketë biznesi nga aplikimi i tyre. Sipas saj, është një thellim i partneritetit dhe bashkëpunimit ndërtuar mbi baza besimi të kontrolluar, duke rivlerësuar një shkallë më lart parimin kryesor mbi të cilin ngrihet dogana, pra vetëdeklarimin. Procedurat e thjeshtuara, mundësojnë mbërritjen e mallrave direkt në ambientet e Operatorit Ekonomik, pa pasur nevojë të kryejë formalitetet në një doganë të brendshme dhe çlirimin e tyre po në këto ambiente. Kryerjen e gjithë procedurës së eksportit të mallrave po nga ambientet e Operatorit Ekonomik.
“Janë kohë dhe kosto të kursyera nga Operatori Ekonomik, por njëkohësisht edhe nga dogana duke ridimensionuar burimet dhe përmirësuar ndjeshëm shërbimin doganor”, nënvizoi Spiropali.
Përsa i përket kostove që shkurtohen në aplikimin e procedurave të thjeshtuara janë kostot e magazinimit të cilat reduktohen në 0, nënvizoi Spiropali, pasi operatori shfrytëzon logjistikën e tij gjatë procesit.
“Kostot e transportit reduktohen ndjeshëm pasi mallrat nuk ka nevojë të presin në mjetin e transportit për të kryer formalitetet doganore. Kontakti me doganën në pjesën më të madhe të rasteve do të jetë vetëm elektronik përmes shkëmbimit të mesazheve elektronike çfarë rrit thelbësisht transparencën, ul burokracinë duke zvogëluar njëkohësisht mundësinë e shfaqjes së elementeve korruptive”, u shpreh Spiropali.
Sipas saj, nga ky proces përfitojnë të gjithë Operatorët Ekonomikë të cilët kanë një histori transparente me doganën dhe janë në gjendje të paraqesin provat e besimit dhe të pastërtisë së tyre në operacionet doganore. “Operatorët Ekonomikë do të krijojnë kushtet e përshtatshme logjistike për magazinim të përkohshëm doganor pranë ambienteve të tyre nën mbikëqyrjen doganore. Operatorët Ekonomikë do të mundësojnë infrastrukturën IT për të mundësuar deklarimin elektronik. Operatorët Ekonomikë do të mundësojnë garancitë financiare për të garantuar borxhin doganor dhe mbikëqyrjen doganore dhe ato operatorë ekonomikë që do të angazhojnë staf të besuar dhe të kualifikuar për të qenë pjesë e procedurave të thjeshtuara”, deklaroi Spiropali.
Ndërsa zv/ministri i Financave Ervin Mete tha se procedurat e thjeshtuara do të përdoren edhe në sistemin tatimor. Sipas tij, sa më i besueshëm të jetë subjekti, aq më të thjeshtuara do të jenë procedurat që do të aplikohen për të.
Zv/ministri po ashtu informoi se edhe rimbursimi i TVSH-së do të bëhet në bazë të analizës së riskut. Mete u shpreh se thjeshtimi i procedurave do të ndihmojë biznesin e ndershëm dhe do të ulë informalitetin.
Ndërkaq edhe zv/ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Brunilda Paskali, theksoi se kjo procedurë do të ndikojë në klimën e të bërit biznes, pasi ul burokracitë.
Deri në fund të vitit 2014 do të përfundojë pilotimi i Procedurave të Thjeshtuara në operatorët e përzgjedhur për mbylljen e transitit pranë ambienteve të tyre si dhe gjithë procedura e zhdoganimit. Ndërsa shkurti i 2015 do të shënojë fillimin e deklarimit të thjeshtuar dhe në mars 2015 do të mundësohet aplikimi i gjerë i procedurave të thjeshtuara. / Shqiptarja.com
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.