Mund të bëjë një diagnozë të kancerit të lëkurës më të saktë se mjekët dhe mund të identifikojë depresionin nga një tekst i shkruar apo një regjistrim audio i pacientit…
Zbulimi i sëmundjeve si kanceri, parashikimi i zgjimit nga koma apo përhapja e epidemive. Inteligjenca Artificiale mund të gjurmojë simptomat, të përpunojë të dhënat dhe të bëjë diagnoza më shpejt se njeriu. Algoritmet mund të jenë një mbështetje për njeriun dhe shëndetin e tij. Le ta shohim më poshtë në shtatë raste.
Identifikimi i kancerit të lëkurës
Në një studim të kryer këtë vit nga një grup kërkuesish gjermanë, amerikanë dhe francezë i është mësuar një sistemi të Inteligjencës Artificiale që të dallojë dëmet e rrezikshme të lëkurës nga ato jo të tilla, duke i treguar më shumë se 100 mijë imazhe. Nga kërkimi, i publikuar në Annual of Oncology, doli se Inteligjenca Artificiale identifikoi 95% të melanomave të rrezikshme, ndërsa mjekët vetëm 87%.
Zgjimi nga koma
Inteligjenca Artificiale parashikoi nëse viktima e një aksidenti do të zgjohej nga koma, duke dhënë një përgjigje të saktë në 90% të rasteve. Sistemi i Inteligjencës Artificiale, i zhvilluar pas tetë vjetësh kërkime nga Akademia Kineze e Shkencave dhe Spitali Pla në Pekin, qe në gjendje të gjurmonte aktivitetin cerebral që nuk u identifikua dot nga mjekët.
Analiza e skanimeve okulare
Deep Mind, kompani e Inteligjencës Artificiale në pronësi të Google, ka zhvilluar një sistem të Inteligjencës Artificiale që mund të identifikojë 50 lloje patologjish të syve me të njëjtën saktësi të një mjeku. Sistemi mund të identifikojë shenjat e para të sëmundjeve si glaukoma dhe degjenerimi makular dhe është zhvilluar në bashkëpunim me Moorfields Eye Hospital të Londrës.
Zhvillimi i ilaçeve
Big Data dhe Machine Learning mund të vlerësojnë dhe testojnë ilaçe të reja, në mënyrë më të shpejtë. Inteligjenca Artificiale mund të ndërlidhë, asimilojë dhe të lidhë të dhënat ekzistuese në mënyrë më të shpejtë se qeniet njerëzore, për të zbuluar modele në sasinë e madhe të të dhënave që derivojnë nga artikujt e publikuar. Ndër të tjera, Inteligjenca Artificiale mund të parashikojë efektet e një ilaçi duke testuar përbërjen molekulare. Një tjetër fushë aplikimi e Inteligjencës Artificiale është në ripropozimin e një ilaçi, tashmë të përdorur për një lloj sëmundje, në një tjetër situatë.
Njoha e depresionit
Duke analizuar bisedën e një personi, Inteligjenca Artificiale mund të kuptojë nëse është në depresion. Kërkuesit e MIT (Massachusetts Institute of Technology) kanë zhvilluar një model rrjeti nervor që, duke përdorur një tekst apo regjistrim audio, mund të kuptojë shenjat e depresionit. Duke pasur përpara një person të ri mund të parashikojë me saktësi nëse individi është në depresion, pa pasur nevojë për informacione të tjera.
Roboti mjek
Tsinghua University i Pekinit ka krijuar një robot me emrin Xiaoyiche, që ka kaluar testin e nevojshëm për t’u bërë mjek në Kinë me një vlerësim më të mirë se 96% e klasës. Përdoret për t’u dhënë këshilla mjekëve.
Identifikimi i fillimit të një epidemie
Në vitin 2014, algoritmi HealthMap konstatoi shpërthimin e virusit të Ebolës nëntë ditë para njoftimit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Burimi: Corriere della Sera