Një Librari dixhitale, me gjithë politikat publike që prej vitit 1991 deri sot, si një aset i munguar dhe platformë interaktive e politikave publike, u prezantua sot në një seminar, organizuar nga Instituti për Bashkëpunim dhe Zhvillim, (CDI) në Tiranë. Me objektiv ndërtimin e një arkivi online institucional publik të politikave publike, librarisë dixhitale i shtohet një numër i madh dokumentesh të institucioneve shtetërore, që gjenden online në portalin www.ShtetiWeb.org.
Pjesëmarrës në seminar ishin Holger Tausch, shef i Bashkëpunimit në Ambasadën e Zvicrës, Yngve Engstrom, Shef i Operacioneve të Delegacionit të BE-së në Shqipëri, Oriada Arapi, drejtore e Njësisë së planifikimit strategjik të programeve të ndihmës së huaj në Këshillin e Ministrave, Prof. Adrian Civici, President i UET etj.
Deri sot në Shqipëri mungon një database e vetme e politikave publike dhe dokumenteve të ngjashme, ndërsa ndryshimet e shpeshta politike kanë sjellë ndryshimin e arkivave, bazave të të dhënave të institucioneve qeveritare dhe faqeve te internetit, ku këto ishin të ruajtura.
“Një situatë e tillë e bën shumë të vështirë për qytetarët, hulumtuesit, shoqërinë civile, biznesit privat, donatorët, nëpunësit civilë dhe madje edhe vetë politikanët, që të mund të konsultohen, krahasojnë dhe të mësojnë nga politikat e kaluara, ose edhe thjesht, që të dokumentojnë kronologjinë e veprimtarisë publike në Shqipëri”, shpjegoi rëndësinë e nismës për krijimin e librarisë dixhitale Ardian Hackaj, drejtor i portalit “ShtetiWeb” në CDI.
Instituti për Bashkëpunim dhe Zhvillim, (CDI) u mbështet nga Zyra e Bashkëpunimit Zviceran në Tiranë me këtë ide, deri në krijimin e një Librarie dixhitale, ku politikat publike të vendit mund të ruhen, klasifikohen, ndërlidhen dhe janë të hapura për qytetarët, studiuesit, biznesi, shoqëria civile, nëpunësit civilë dhe politikanët. “Ky është dhe qëllimi kryesor i nismës për të krijuar, ruajtur, pasuruar dhe promovuar Platformën Interaktive të Politikave Publike, me objektiv, ndertimin e një arkivi institucional publik te Politikave Publike”, tha Hackaj. Sipas tij, “faqja online “Shtetiweb” është e bazuar dhe ndërtuar sipas udhëzimeve të Bashkimit Europian në strategjinë e zhvillimit 2014-2020.
Për zgjedhjen e metodologjisë së ndjekur, Hackaj vlerësoi bashkëpunimin me Kryeministrinë si dhe hapat që po hedh qeveria “Rama” në hartimin e udhëzimit për shoqërinë civile, pjesë e rëndësishme e monitorimit të politikbërjes sipas modelit europian.
Holger Tausch, shef i Bashkëpunimit në Ambasadën e Zvicrës, duke vlerësuar rëndësinë që ka libraria dixhitale në shërbim të publikut, medias, aktorëve të politikëbërjës, si rruga që rrit transparencën qeverisëse, tha mes tjerave, se “politikat e mira janë objektiv për çdo qeveri për zhvillimin ekonomik dhe demokracinë e një shteti, ku shoqëria civile ka vendin e saj”.
Prof. Adrian Civici, që në vitet 2000-2005 drejtoi hartimin e Departamentin e Ndihmës së Huaj në Ministrinë e Financave vlerësoi rëndësinë e Librarisë dixhitale tek “Shtetiweb”, duke e quajtur “memorja institucionale e politikave të zhvillimit” dhe “një portal, ku studiues, akademikë, studentë i referohen për tema të ndryshme”.
Nisur nga përvoja e punës, Civici shtroi nevojën e hartimit të strategjive afatgjata, pasi ndërrimi i qeverisjeve cenon zbatimin e strategjive të shumta të prodhuara në vend nga 1991, një pjesë e madhe e të cilave, nuk janë zbatuar, duke ndikuar në impaktet e zhvillimit ekonomik të vendit.
“Nga një studim para 4 vitesh, rezultoi se ishin hartuar 120 strategji të ndryshme, numër shumë i madh për vendin, prej të cilave nuk kishte matje të efekteve të tyre”, tha ai, ndërsa kërkoi se ka ardhur koha që qeveria të reagojë ndaj të huajve lidhur me hartimin e strategjive. “Sot ka një tendencë pozitive për hartimin e një strategjie zhvillimi dhe integrimi”, vleresoi Prof. Civici.
Yngve Engstrom, Shef i Operacioneve të Delegacionit të BE-së në Shqipëri prezantoi strategjinë 2014-2020 të Bashkimit Europian, ku rol të madh ka shoqëria civile si pjesë e një drejtimit të mirë demokratik. “Edhe në Shqipëri është shumë e rëndësishme mbështetja e shoqërisë civile për zhvillimin e vendit nga qeveria, pasi nxit dhe monitoron politikëbërjen”, tha Yngve Engstrom.
Oriada Arapi, drejtore e Njësisë së planifikimit strategjik të programeve të ndihmës së huaj në Kryeministri vlerësoi portalin e Librarisë dixhitale realizuar në “Shtetiweb” nga CDI duke pohuar rëndësinë, që ka bashkëpunimi dhe ndërlidhja e politikave me buxhetet përmes koordinimit.
“Mbledhja e dokumenteve 20-vjeçare është e rëndësishme për t’u konsultuar me qëllim, për të mos përsëritur gabimet e mëparshme”, vlerësoi Arapi, duke konsideruar një ndihmë këtë librari, që i shtohet faqes së dokumentimit që ka shteti. Duke bërë të ditur se qeveria po punon për strategjinë kombëtare të zhvillimit 2014-2020, ajo vlerësoi se kjo librari mund të jetë një ndihmë e mirë për konsultime dhe sugjeroi pasurimin e saj me studime, monitorime, dokumente të institucioneve të huaja, etj.
Prej më se një vit, faqja online “Shtetiweb” e CDI-së ka mbledhur 1956 dokumente, të cilat janë vizituar nga mbi 460 mijë shikues, ndërsa me shtimin dhe të Librarisë dixhitale, pritet që të kthehet në një faqe të kërkuar nga cdo i interesuar, ku gjen dokumentet që nga krijimi i shtetit shqiptar në 1912.
Në një periudhë afatshkurtër, në librarinë dixhitale do të mblidhen dhe ruhen në një vend: strategjitë kombëtare, dokumente të ngjashme të prodhuara pas vitit 1991, gjithë legjislacioni, strategjitë sektoriale, studimet, vlerësimet, reformat territoriale dhe administrative në Shqipëri që nga viti 1912. Gjetja, dixhitalizimi, klasifikimi dhe ndërlidhja tematike do të kontribuojë në ruajtjen e kujtesës institucionale të shtetit Shqiptar.
Vlerë e shtuar e kësaj librarie për hartuesit e saj të CDI-së do të jetë kontributi, që studiuesit, akademikët dhe studentët do të japin duke i analizuar dokumentat dhe duke sjellë konkluzione, të cilat kontribuojnë për të përmirësuar dhe bërë më efektive hartimin, zbatimin dhe vlerësimin e politikave nga politikëbërësit e sotshëm.
Në një periudhë afat-gjatë, do të mundësohet mirëmbajtja dhe përditësimi i rregullt i Platformës të Politikave Publike në Shqipëri, që do të realizohet me tre faza. Dokumentat shtetërore nga viti 1991, një Librari dixhitale tek “ShtetiWeb”.