Aktorët e tregut presin që dollari të shkojë në 140 lekë, në rast se monedha e gjelbër do të shkojë në raportet 1 me 1 me euron, në tregjet ndërkombëtare, siç janë pritshmëritë…
Dollari ka shënuar një tjetër rritje të fortë gjatë ditës së sotme, sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, duke u këmbyer me 126.99 lekë, ose 0.95 lekë më shumë se një ditë më parë. Ky është një tjetër rekod i ri i12 viteve të fundit (që nga prilli 2003).
Rritja e dollarit në Shqipëri lidhet me sjelljen e tij në bursat ndërkombëtare. Euro arriti një rekord të ri të ulët të 11 viteve kundrejt dollarit ditën e sotme, teksa banka Qendrore Europiane (ECB) po përgatitet për të dhënë detaje të programit të saj stimulus prej 1 trilionë eurosh, që pritet të fillojë së shpejti.
Monedha e përbashkët ra në $1.1026, niveli më i ulët që nga shtatori 2003. Rënia e euros erdhi teksa dollari vazhdoi të ecte mirë, si rrjedhojë e basteve se Rezerva Federale –në kontrast të plotë me ECB — po shkon drejt rritjes së parë të interesave këtë vit, në pothujase një dekadë.
Është euro ajo që ka një sjellje krejt të kundërt nga bursat ndërkombëtare. Në tregun e brendshëm, gjatë ditës së sotme, euro është forcuar me 0.02 lekë, në 140.31 lekë, pavarësisht rënies së saj të fortë në bursa.
Aktorët e tregut pohojnë se kërkesa për euro është e lartë për dy arsye. Së pari, kur ka rritje të dollarit në tregun e brendshëm, tregtarët synojnë që të blejnë euro, duke rritur kërkesën për monedhën e përbashkët.
Së dyti, kërkesa natyrale për euron vijon të jetë e lartë, kreysisht nga bankat, që blejnë për llogari të klientëve të tyre.
Mosrënia e euros në tregun vendas po bën që kërcimi i dollarit të jetë më i lartë në raport me rritjen e tij në bursat ndërkombëtare (me qëllim ruajtjen e kursit të kryqëzuar).
Duke pasur parasysh këtë tendencë, aktorët e tregut presin që dollari të shkojë në 140 lekë, në rast se monedha e gjelbër do të shkojë në raportet 1 me 1 me euron, në tregjet ndërkombëtare, siç janë pritshmëritë…