Ndonëse në bursat ndërkombëtare euro këmbëhet në nivlin më të ulët në 11 vjet, tek ne është afër nivelit më të lartë historik mesatar vjetor, që është 140.3 lekë…
Dollari ka shënuar një rritje të fortë gjatë ditës së sotme, duke kërcyer me 3.78 lekë, sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, për t’u këmbyer me 124.48 lekë, duke arritur në nivlin më të lartë që nga prilli i vitit 2003, sipas arkivës së kursit të këmbimit të mbajtur nga institucioni monetar qendror.
Dy janë arsyet kryesore të kërcimit të dollarit. E para lidhet me mbi[mimine tij në tregun ndërkombëtar ndaj euros, pas vendimit të djeshëm të bankës Qendrore Europiane, e cila zgjeroi programin e saj të blerjes së obligacioneve duke përfshirë obligacione qeveritare, një politikë që tenton të zhvlerësojë monedhën. Euro u dobësua drejt nivelit më të ulët në 11-vjet në 1.1550 dollarë në Londër, pasi ra gati 0.8 për qind në 1.1513 dollarë.
Arsyeja e dytë lidhet me faktorët e tregut të brendshëm, ku euro, ndonëse është dobësuar ndjeshëm muajt e fundit në bursat ndërkombëtare, në Shqipëri vazhdon të qëndrojë në kuotën e 140 lekëve, afër mesatares vjetore më të lartë historike, prej 140.3, të shënuar në vitin 2013 (shih grafikun).Euro u këmbye sot me 139.91 lekë, sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, 0.26 lekë më pak se një ditë më parë.
Aktorët e tregut e shpjegojnë këtë paradoks me kërkesën e lartë që ka për valutë në vend, si dhe oferëtn e ulët, teksa janë kufizuar burimet e valutës në vend. Mosulja e euros ndikon në rritjen e shpejtë të dollarit, me qëllim ruajtjen e raporteve të kryqëzuara me tregjet ndërkombëtare. Aktorët e tregut pohojnë se rritja e sotme e dollarit ka qenë e fortë dhe e papritur në tregun e brendshëm.
Kjo sjellje e kursit reflekton dobësitë e brendshme të ekonomisë shqiptare, që nuk po arrin të gjenerojë burime të reja të hyrjes së valutës, teksa remitancat po bien, investimet e huaja janë ulur me ritme dyshifrore, eksportet janë rritur me vetëm 5%, ndërsa në kahun tjetër kompanitë e huaja kanë rritur ndjeshëm transferimet e fitimeve, dhe importet janë shtuar me 8%.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.