Pas mbarimit të efekteve sezonale, leku i dobët edhe ndaj euros, ndonëse monedha e përbashkët ka rënë ndjeshëm në tregjet ndërkombëtare…
Monedha vendase ka humbur pikë gjatë kësaj jave, si ndaj euros ashtu dhe dollarit.
Një euro këmbehej të premten me 139.44 lekë, nga 139.33, që kuotohej në fillim të javës, një tendencë krejt e ndryshme kjo nga sjellja e monedhës së përbashkët në bursat ndërkombëtare.
Por, ai që po rritet me shpejtësi javët e fundit është dollari, që ka arritur të premten në nivelin më të lartë të këtij viti, në 105.84 lekë, nga 101-103 lekë që është luhatur përgjithësisht gjatë këtij viti.
Arsyeja kryesore e forcimit të monedhës amerikane lidhet me mbiçmimin e saj në tregjet botërore ndaj euros. Kjo e fundit ka arritur ditët e fundit në nivelin më të ulet të 11 muajve ndaj dollarit.
Të premten, euro iu drejtua rënies për të shtatën javë radhazi, periudha më e gjatë me tkurrje në më shumë se një dekadë, teksa një raport tregoi se rritja e çmimeve të konsumit në rajon ishte ngadalësuar këtë muaj.
Euro po shënon rënie këtë muaj drejt të gjitha, përveç një prej 16 monedhave kryesore, përpara se zyrtarët e Bankës Qendrore Europiane të mblidhen në 4 shtator. Presidenti i ECB-së, Mario Draghi tha në 4 gusht se pritshmëritë e inflacionit në bllok kishin rënë, duke nxitur spekulimet se politikëbërësit do të shtojnë stimujt monetarë.
Euro ndryshoi pak të premten në $1.3188. Ajo ka rënë 0.4% këtë javë, duke shkuar drejt periudhës më të madhe me rënie që prej dhjetorit 1999. Ajo është dobësuar 1.5 % që nga 31 korriku, duke shënuar rënien e dytë mujore radhazi.
Pavarësisht nënçmimit në tregjet ndërkombëtare, euro po mbetet e fortë në tregun vendas në dy javë e fundit, duke mos rënë ndaj lekut dhe kjo po reflektohet me rritjen e ndjeshme të dollarit (për të ruajtur raportet e kryqëzuara mes euros e dollarit në tregun vendas).
Sipas aktorëve të tregut, kjo situatë shpjegohet me mbarimin e efekteve sezonale (ikjen e emigrantëve) dhe rritjen e kërkesës për valutë, teksa në shtator ka një rigjallërim të tregtisë, pas pushimeve të verës.