Dollari, tjetër rekord, arrin 133 lekë, niveli më i lartë në 13 vjet

11/03/2015 4:15 PM 0 komente
Monedha e gjelbër është rritur sërish gjatë ditës së sotme në tregun e brendshëm, duke arritur në nivelin më të lartë që nga dhjetori i vitit 2002, sipas statistikave historike të publikuara nga Banka e Shqipërisë.
Sot, një dollar u këmbye me 132.79 lekë, 2.33 lekë më shumë se një ditë më parë, kërcimi më i fortë gjatë këtij viti.
Rritja e dollarit ndoqi tendencën në bursat ndërkombëtare, ku euro ra në një të ri të ulët 12-vjeçar kundrejt dollarit të mërkurën, duke zgjeruar rënien pasi Banka Qendrore Evropiane nisi programin e saj prej 1 trilion eurosh për blerjen e obligacioneve këtë javë. Euro ra në 1.0666 dollarë, duke zgjeruar rënien prej 1.4 për qind të së martës drejt nivele të ulëta që nuk janë ndeshur që nga prilli i vitit 2003 dhe duke i hapur rrugën ‘depresionit’ të 2003 prej 1.0501 dollarë. Ky i fundit qëndroi në 1.0671 dollarë, duke rënë rreth 0.2 për qind në ditë.
Në tregun vendas, në tendencë krejt të kundërt me bursat ndërkombëtare, euro vazhdoi rritjen, ndonëse të lehtë, çka u reflektuar në mbiçimin e fortë të dollarit. Një euro u këmbye në tregun vendas me 140.41 lekë, 0.01 lekë më shumë se një ditë më parë.
Aktorët e tregut pohojnë se arsyeja kryesore e kësaj sjelljeje lidhet me kërkesën e lartë për euro, nga tregtarët dhe bankat që blejnë për llogari të klientëve të tyre që transferojnë fitimet, por edhe nga fakti që individët po nxitojnë të blejnë dollar, si rrjedhojë e rritjes së shpejtë të tij.
monitor_usd_

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of