Monedha amerikane ka arritur një tjetër rekord të 11 viteve të fundit, në raportet e këmbimit me lekun, duke u këmbyer me 114.7 lekë të premten, niveli më i lartë që nga nëntori i vitit 2003.
Dollari ka shënuar rritje përgjatë të gjithë ditëve të javës ndaj monedhës vendase, duke shënuar periudhën më të gjatë javore me fitime të këtij viti. Të premten e kaluar dollari vendosi rekordin e 11 viteve, kur u këmbye me 113.7 lekë dhe në ditët në vijim, monedha e gjelbër njohu sërish vetëm rritje, sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë.
Në të kundërt, euro nuk i ka rezistuar tendencës sezonale të zhvlerësimit në ditët e fundit të vitit, duke zbritur nën 140 lekë, për herë të parë në një muaj.
Të premten, një euro u këmbye me 139.87 lekë, nga 140.15 lekë, në fillim të javës. Sezonalisht festat e fundvitit shoqërohen me rritje të prurjeve të emigrantëve, që kthehen në atdhe, çka ndikon në forcimin e lekut.
Euro rezistoi muajt e fundit në tregun vendas, ndonëse ajo është zhvlerësuar në tregjet ndëërkombëtare si rrjedhojë e kërkesës së lartë për monedhën e përbashkët, megjithatë fundi i vitit uli rezistencën e saj ndaj lekut.
Në bursat ndërkombëtare, dollari tregtohet afër nivelit më të lartë në dy vjet kundrejt euros, teksa të dhënat treguan se pretendimet e papunësisë ishin afër nivelit të ulët të tetorit, duke i dhënë Rezervave Federale më shumë arsye për të rritur interesat.
Monedha e gjelbër ka përparuar 4% këtë vit kundrejt gjithë monedhave kryesore dhe i zgjeroi fitimet dje, pasi një raport tregtoi se ekonomia më e madhe e botës u rrit me ritmet më të shpejta të një dekade.
Dollari ndryshoi pak në $1.2176 për euro në Londër, pasi ishte vlerësuar në $1.2165 të mërkurën, niveli më i lartë që nga gushti 2012.