Duke komentuar në Indeksin e Biznesit të Dhomës Amerikane 2016-2017. Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Donald Lu, është shprehur:
“E vërteta ndonjëherë është e vështirë të dëgjohet. Dhoma Amerikane e Tregtisë ka thënë të vërtetën e pazbukuruar në lidhje me klimën e investimeve në këto pesë vite. Jam i kënaqur të shikoj në këtë vit një rritje në besimin e investitorëve me rritjen e shënuar në Indeksin e Biznesit të AmCham-it (ABI).
Do të doja të përgëzoja Dhomën Amerikane të Tregtisë në Shqipëri për publikimin e indeksit. ABI siguron një informacion të rëndësishëm për shtetin për sa i përket gjendjes së klimës së investimeve, të mundësive dhe të sfidave të të bërit biznes në Shqipëri. Përmirësimi i klimës së biznesit është themelor për krijimin e vendeve të punës, rritjes ekonomike dhe mundësive.
Jam i lumtur të shikoj një rritje të indeksit të biznesit këtë vit në 43.78, nga 37.94 që ishte vitin e kaluar dhe jam i inkurajuar teksa dëgjoj që anëtarët e Dhomës Amerikane të Tregtisë presin që mjedisi i biznesit në Shqipëri të përmirësohet më tej në vitin e ardhshëm.
Unë besoj se Reforma në Drejtësi, sapo të zbatohet, do të shtojë besimin tek konsumatorët se interesat e tyre tregtare do të mbrohen, duke sjellë kështu rritjen e Indeksit të Biznesit në vitet që do të vijnë.
ABI mund të shërbejë si një udhëzues për qeverinë në punën për përmirësimin e klimës së investimeve dhe adresimin e shqetësimeve të Shteteve të Bashkuara dhe të investitorëve shqiptarë. Ndërkohë, ne kemi besim tek ju se do të mbani standardet e larta në komunitetin e biznesit në Shqipëri.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka kënaqësinë që të mbështesë Indeksin e Biznesit dhe do të vazhdojë të bashkëpunojë me Dhomën Amerikane të Tregtisë për të përkrahur interesat e komunitetit të biznesit në Shqipëri”, përfundon Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Donald Lu, në fjalën përshëndetëse të këtij viti.
Komentet e z. Lu ishin më pozitive se në raportin e një viti më parë, ku ai nuk e shprehu zhgënjimin për përkeqësimin e ndjeshëm të indeksit. “Unë mbeta i zhgënjyer kur vura re rënien e ndjeshme të ABI në 2015-n, nga 42.77 në 37.94”. Ai vijoi më tej, duke inkurajuar qeverinë dhe gjithashtu edhe liderët e tjerë të biznesit që ta përdorin këtë raport, si një mjet të fuqishëm për t’u përqendruar dhe për t’u dhënë prioritet reformave për klimën e biznesit në Shqipëri.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.