Kandidati më i diskutuar i të gjitha kohërave, më i papërmbajtshmi, njeriu që ndryshoi mënyrën e të bërit fushatë elektorale në ShBA, do të jetë Presidenti i 45-të i Amerikës.
Fitorja e projektuar e Donald Trump erdhi pas triumfit të tij në shtetet kyçe, megjithëse prej muajsh sondazhet tregonin për fitoren e Hillary Clinton.
Ashtu si në rastin e referendumit të Brexit, sondazhet gabuan në parashikim. Fushëbetejat e Floridës, Ohajos dhe Karolinës së Veriut i hapën rrugë përmbysjes së rezultatit, ashtu siç ngjau në Britani.
Trump deklaroi në daljen e tij publike se ka marrë një telefonatë nga kandidatja demokrate Hillary Clinton, e cila e uronte për fitoren, edhe pse gjatë fushatave ai është përbetuar se do të çojë në burg Sekretaren e Shtetit në rast se do të shpallej fitues.
Rotacioni pas 8 vitesh
Demokratët humbasin presidencën, pas tetë viteve në pushtet. Hillary Clinton mendohej si pasuesja e Obama-s dhe fitorja e saj do të nënkuptonte vazhdimësinë e politikave të Partisë Demokratike. Megjithëse ishte një nga kandidatet më me përvojë në të gjithë historinë e zgjedhjeve në Amerikë, skandali i email-eve, rihapja e çështjes nga FBI dhe akuzat për korrupsion, ndikuan që Hillary të mos e merrte Presidencën. Pavarësisht se u përdor fort fakti se do të ishte gruaja e parë presidente e Amerikës, kjo nuk mjaftoi që amerikanët ta vendosnin në krye të shtetit dhe njëkohësisht Komandante të Përgjithshme të ushtrisë më të fuqishme në botë.
Vota pro Trump-it, mbase do të kërkojë analizë më të detajuar se vota pro daljes së Britanisë nga BE-ja, por një gjë është e sigurt që kjo votë padyshim shpreh protestën e njerëzve për mënyrën se si po shkojnë gjërat në botë. Shpresojmë që Amerika të bëhet e lavdishme vërtet!
Çfarë do të ndodhë tani:
-shkurtime të mëdha në taksa
-deficiti amerikan do të qëndrojë i lartë, ndoshta dhe do të rritet pak, gjatë katër viteve
-nën udhëheqjen Trump-it, mbështetja e Shteteve të Bashkuara për tregtinë e lirë do të dobësohet
5 mënyrat se si Presidenca e Donald Trump do të ndryshojë botën…
Fitorja e Donald Trump-it në garën për zgjedhjet presidenciale mund të ndryshojë marrëdhëniet e Amerikës me pjesën tjetër të botës në disa mënyra të rëndësishme. Këtu janë 5 prej tyre:
Tregtia e lirë
Nëse Donald Trump ndjek politikat e tij të tregtisë të lirë, do të jetë ndryshimi më i madh në mënyrën se si Amerika bën biznes me pjesën tjetër të botës. Ai ka kërcënuar se do të heqë një numër të marrëveshjeve tregtare ekzistuese, përfshirë dhe Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë të Amerikës së Veriut, NAFTA, të cilën ai e fajëson për humbjen e vendeve të punës. Ai gjithashtu ka propozuar largimin e Amerikës nga Organizata Botërore e Tregtisë. Ai është në favor të taksave të importit, si dhe ka folur për vendosjen e tarifave 45% për Kinën dhe 35% për Meksikën për të mirat e importuara, në një përpjeke për të ndaluar zhvendosjen e vendeve të punës jashtë kufijve.
Ndryshimet klimatike
Zoti Trump thotë se do të anulojë marrëveshjen e Parisit mbi ndryshimet klimatike, nënshkruar nga më shumë se 195 vende në dhjetor të 2015. Gjithashtu do të ndalojë të gjithë pagesat për programet e ngrohjes globale ndaj Kombeve të Bashkuara. Asnjë vend në mënyrë individuale nuk mund ta prishë marrëveshjen, por në rast se Amerika nuk do të jetë pjesë e paktit, apo do të braktisë masat e ndërmarra nga qeveria Obama, do të ishte një goditje e madhe prej paktit.
Kufijtë e mbyllur
Për të gjithë debatet e nxehta mbi emigracionin, Trump ka ndryshuar qëndrimin e tij. Kështu që është e vështirë për të kuptuar nëse ai do t’i shkojë deri në fund propozimeve. Ai e nisi fushatën duke premtuar se do të ndërtojë një mur përgjatë kufirit të ShBA-së me Meksikën dhe se do të dëbonte 11 milionë emigrantë pa dokumente. Më pas ai do ta zbuste gjuhën, duke thënë se emigrantët që do të dëboheshin, do të ishin vetëm ata me të precedentë kriminalë. Megjithatë deklarata bombë ishte se do të ndalonte hyrjen e myslimanëve në Shtetet e Bashkuara, por është mbrojtur duke thënë se ajo deklaratë ka qenë vetëm një propozim dhe jo një politikë. Më vonë, ka shtuar se bëhet fjalë për vendosjen e vetos vetëm për disa vende të caktuara, por pa i cilësuar se për cilat vende bëhet fjalë.
NATO
Trump ka sulmuar NATO-n duke e cilësuar si të vjetruar dhe e karakterizuar nga anëtarë mosmirënjohës që përfitojnë nga bujaria e Amerikës. Ai tha se Amerika nuk mund të ofrojë mbrojtje ndaj vendeve të Europës dhe Azisë, duke lënë të kuptohej se do të tërheqë forcat amerikane prej saj. Trump po thotë me zë të lartë shqetësimet prej shumë kohësh të Amerikës për pjesën më të madhe të anëtarëve, të cilët nuk po arrinin objektivat e tyre në lidhje me shpenzimet 2% të PBB-së në mbrojtje.
Rusia
Presidenti rus përshëndeti fitoren e Vladimir Putin. Trump gjatë fushatës së tij ka thënë se do të ulë tensionet me të. Trump është shprehur se Putin është një lider i fortë, me të cilin ai ka shumë dëshirë që të ketë një marrëdhënie të mirë. Ai është i bindur se do të ketë respektin e Putinit, ndryshe nga Obama dhe Hillary.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.