Pushuesit europianë mund të kthehen në destinacione të tilla si Bullgaria dhe Cape Verde, nëse ata duan të shmangin çmime të larta në destinacionet e mbipopulluara spanjolle – tha drejtuesi ekzekutiv i grupit europian të turizmit Tui, të enjten e kaluar.
Turistët janë dyndur në Spanjë në dy vitet e fundit për shkak të shqetësimit të sigurisë në destinacione të tilla verore si Tunizia, Egjipti dhe Turqia. Në gjysmën e parë të vitit 2017, numri i turistëve u rrit me 12 për qind, duke arritur në 36,4 milionë persona.
Sipas disa raporteve javën e kaluar, mbipopullimi i vazhdueshëm në disa nga destinacionet më të vizituara në Europë po nxit një reagim të vendasve kundër vizitorëve.
“Spanja është përplot me turistë – tha Friedrich Joussen, CEO i Tui Group, – i njohur si Thomson në Britaninë e Madhe – pasi bëri të ditur rezultatet e tremujorit të tretë. Vitin e kaluar kemi pasur një nivel të lartë turistësh – edhe këtë vit pritet të jemi në të njëjtat nivele”.
Joussen tha se pjesa më e madhe e njerëzve në Spanjë ishin të kënaqur me turistët pasi ata ndihmonin në sigurimin e vendeve të tyre të punës dhe
mbështetjen e ekonomisë. Por me çmimet në Spanjë që rriten për shkak të kërkesës së lartë, mund të hyjnë në lojë destinacione të tjera më ekonomike.
Çmimet e larta mund të jenë një faktor veçanërisht për turistët britanikë duke qenë se kostot e pushimeve të tyre po rriten për shkak të zhvlerësimit të paundit si pasojë e Brexit.
“Në fillim, kërkesa ishte e dobët, e cila e mori veten shpejt, kështu që njerëzit janë duke u mësuar me çmime të larta”, tha Joussen për turistët britanikë.
Ai tha që Tui Group ndoshta nuk do t’i zvogëlojë kapacitetet e Turqisë vitin tjetër, për shkak se kërkesa po rikthehet në nivelet e mëparshme. Joussen tha më tej se grupi po merr në konsideratë të shtojë Tunizinë në programin e tij, por vendimi nuk është marrë ende.
Grupi konkurrent, Thomas Cook, është duke planifikuar të rinisë pushimet në Tunizi, pasi Zyra e Jashtme ndryshoi këshillat e saj të udhëtimit.
Joussen e dha këtë deklaratë pasi grupi raportoi rritje me 38 për qind, në 221 milionë euro (200 milionë paund), kryesisht sepse Pashkët përkuan në mes të prillit.
Burimi: The Guardian