Është e qartë që kreativiteti është burim i inovacionit; ky i fundit, nga ana e tij, është burimi i suksesit të biznesit.
Nuk është çudi që shumë kompani përpiqen t’i bëjnë më kreativë punonjësit e tyre, zakonisht nëpërmjet shkëmbimit të ideve, bashkëpunimit dhe ambienteve të mëdha të hapura të punës, që nxisin ndërveprimin social. Për fat të keq, këto të gjitha i bëjnë njerëzit më pak kreativë.
Merrni për shembull shkëmbimin e ideve. Sipas një studimi të publikuar së fundmi në Applied Cognitive Psychology, njerëzit që punojnë vetëm kanë më shumë gjasa që t’u lindë ndonjë ide brilante se sa ata që punojnë në grup.
E njëjta gjë vlen edhe për bashkëpunimin. Një artikull i fundit i Harvard Business Review ka cituar një studim të 300 organizatave që zbuloi se në shumë raste, thuajse një e treta e bashkëpunimeve me vlerë të shtuar, vjen vetëm nga 3 – 5 për qind e punonjësve. Në mënyrë të ngjashme, një studim i The University of Iowa tregoi se grupet e punës më efektive kanë në mesin e tyre një person i cili bën pjesën më të madhe të punës.
Sa u përket ambienteve të mëdha të hapura janë kaq shumë të ndotura akustikisht dhe vizualisht saqë të krijosh bëhet thuajse e pamundur me kaq shumë ndërprerje.
Sipas një kërkimi të University of York dhe University of California Santa Barbara, njerëzve mund t’u lindë një ide e re kur e lënë ‘mendjen e tyre të fluturojë’ (shembulli klasik – të shkrep një ide kur je në dush).
Për të qenë kreativë vazhdimisht ju duhet të keni njohuri të gjera, thotë Emma Seppälä, drejtore shkencash në “Center for Compassion and Altruism Research and Education” në Stanford University.
“Qëllimi është që të balancohet të menduarit linear me të menduarin kreativ. Kalimi mes dy mënyrave të të menduarit duket se është rruga e duhur për të bërë një punë të mirë krijuese”.
Në librin e saj “The Happiness Track”, Seppälä citon Nikola Tesla (i njohur si babai i rrymës elektrike – zbuloi teknologjinë kyçe të rrymës elektrike ndërsa po bënte një shëtitje në natyrë); Friedrich Augut Kukule (i cili zbuloi strukturën e benzenit kur ishte duke ëndërruar me sy hapur) dhe Albert Einstein (në luftë me ekuacione komplekse matematike dëgjonte Mozartin).
Fatkeqësisht, sot, punonjësit nuk kanë kaq shumë kohë të lirë që ta lënë mendjen e tyre të fluturojë.
Megjithatë, ju mund ta lini mendjen tuaj të lirë thjesht duke bërë një lojë në kompjuter ose duke bërë një shëtitje në ajër të pastër pa ndonjë qëllim.
Nëse drejtuesit dhe menaxherët duan vërtet që punonjësit e tyre të jenë më shumë kreativë, ata duhet të mësojnë të tolerojnë, madje t’i nxisin, punonjësit të kalojnë më shumë kohë të ditës së tyre thjesht duke mos bërë asgjë.
*Geoffrey James
Burimi: INC