Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave gjatë raportimit pranë Komisionit Kuvendor Për Sigurinë Kombëtare deklaroi se ka bllokuar 18 mln euro nga veprimtari të paligjshme, një rritje me 63 % krahasuar me vitin e kaluar.
Sipas kreut të saj Gazheli, në sajë të mbështetjes së qeverisë, partnerëve ndërkombëtarë dhe bashkëpunimit ndërinstitucional, progresi është përtej pritshmërive.
Z. Gazheli e lidhi këtë rezultat edhe me vendimin e marrë pak ditë më parë në Francë, në takimin vjetor të Guidës Ndërkombëtare e Riskut të Shteteve dhe FATF, (Task Forca për Aksionin Financiar, të dyja organizata botërore, të cilat bëjnë analizën e shteteve në drejtim të parandalimit të pastrimit të parave dhe të luftës kundër financimit të terrorizmit), vendim i cili sanksionoi se vendi ynë nuk është më pjesë e vendeve në monitorim nga FATF.
Më tej, Drejtori i Përgjithshëm i DPPPP-së iu referua rezultateve konkrete të agjencisë që drejton. Ai tha se për vitin 2014, DPPPP ka referuar 462 raste në institucionet ligjzbatuese, ndërsa gjatë vitit 2013 janë referuar 283 raste dhe në vitin 2012 janë referuar 211 raste. “Pra ka një rritje 63% krahasuar me një vit më parë”, – tha z. Gazheli.
“Janë nxjerrë 65 urdhra bllokimi të përkohshëm, që kapin një vlerë totale prej rreth 18 milionë Euro, nga të cilat rreth 15 milionë Euro janë sekuestruar me vendim gjykate/prokurorie, shifra këto që tejkalojnë bindshëm të gjitha bllokimet dhe sekuestrimet e viteve 2009-2013 të mbledhur së bashku”- nënvizoi drejtori i DPPPP.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.