“Draft-ligji, kufizimi për ndryshimin e çmimit prek parimin e liberalizmit”

10/07/2018 3:38 PM 0 komente

Tregu i sigurimeve u liberalizua në vitin 2011 dhe që prej asaj kohe ka qenë në tranzicion të vazhdueshëm. Kompanitë kanë në dorë të vendosin çmimet sipas riskut që përllogarit secila, duke qëndruar sipër primit që përcakton AMF që është për pagesën e dëmeve. Por luhatjet e çmimeve në tregun e sigurimeve nuk janë diçka e panjohur. Ndaj AMF, në draft-ligjin e saj, ka përcaktuar se kompanitë nuk mund të ndryshojnë më shumë se dy herë në vit primet.

Për Drejtorin e Përgjithshëm të SIGMA, Klaidi Çitozi, nëse bëhet zbatimi i sistemit bonus-malus, nuk ka nevojë për vendosjen e këtij kufizimi nga ana e AMF-së. Përpos kësaj, ajo ecën në të kundërtën e parimit të liberalizimit që ka tregu. Sipas tij, AMF ka gjithë instrumentet për të kontrolluar kompanitë që të mos cenojnë elementet e shëndetit financiar të tregut.

Si paraqitet tregu i sigurimeve sot në vend, cilat janë sfidat dhe problematikat që hasen?

Tregu vazhdon të dominohet nga sigurimi i detyrueshëm, primet e të cilit përbëjnë rreth 65%. Që prej vitit 2013, tregu ka treguar stabilitet, duke shënuar rritje të vazhdueshme vit pas viti me 5 deri në 10%. Luhatja e vazhdueshme e primeve gjatë 2011 – 2013 dhe humbjet e pësuara, duket se shërbyen si “mësim” për të gjitha kompanitë. Që prej asaj periudhe, tregu ka pasur një lloj qëndrueshmërie, por nuk kanë munguar luhatjet e lehta. Gjithsesi, e konsideroj si një sfidë të kapërcyer me sukses liberalizimin e tregut. Si çdo proces, pati problemet e tij në hapat e para, por sot mund të thuhet se është një lëvizje pozitive.

Është e dukshme që tregu po kalon në një fazë maturimi, dhe bashkë me të, edhe Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare si institucion rregullator. Gjithmonë e më shumë, vëmë re që përmbushen kërkesat rregullatore të reja në funksion të përmirësimit të mbikëqyrjes. Po ashtu, vihet re rritje e ndërgjegjësimit të individëve dhe bizneseve për sa i përket nevojës për sigurim.

Pavarësisht kësaj, tregu i sigurimeve vazhdon të jetë në nivele të ulëta. Sipas statistikave, dendësia e sigurimeve aktualisht është në nivelin 35 euro për frymë, kurse në vendet e rajonit, është nga 50 deri në 100 euro. Në vendet e Bashkimit Europian shkon edhe deri në 2 mijë euro për frymë. Arsyeja që ne kemi këtë nivel të ulët lidhet me tre faktorë. E para, është gjendja e përgjithshme ekonomike, e ndjekur kjo nga kultura e sigurimeve që kanë individët dhe bizneset në vendin tonë. Faktori i tretë lidhet me një mungesë besimi tek kompanitë e sigurimit. Në këtë pikë, është detyrë e AMF që të ketë një rol vendimtar në përmirësimin e cilësisë së shërbimit, transparencës dhe mbrojtjes së konsumatorit, duke bërë të mundur rritjen e besimit të konsumatorit në treg.

A ka ndonjë problematikë që draftligji i ri e ka lënë ende të pazgjidhur apo që duhet të shihet më mirë?

Janë dy probleme që ende nuk kanë gjetur zgjidhje. I pari, është vendosja e disa limiteve që ul konkurrueshmërinë në treg, siç është kufizimi i ndryshimit të primit dy herë në vit. Ligji organik i sigurimeve dhe risigurimeve i ka të gjithë mekanizmat e nevojshëm që AMF të marrë masat përkatëse ndaj një kompanie, nëse ato nuk veprojnë në mënyrë korrekte. Nëse kompania e sigurimit e shet policën e sigurimit nën primin e riskut, atëherë kjo kompani nuk ka mundësi reale që të mbledhë fonde të mjaftueshme për të paguar dëmet. Atëherë kompania nuk ka aftësi paguese, nuk ka kapital të mjaftueshëm dhe AMF duhet të marrë vendimet përkatëse.

Pra kufizimi i ndryshimit të çmimit në dy herë në vit, nuk është i nevojshëm. Ky është një kthim pas, si në vitin 2011 kur tarifat vendoseshin nga Ministria e Financave. Drafti parashikon edhe kufizim shpenzimesh, komisionesh që besoj se janë të panevojshme. Këto kufizime duhet të vendosen sipas portofolave, dhe në varësi të problematikave të tij. Nëse një portofol rezulton problematik, atëherë duhet të kërkohet përmirësimi i portofolit në tërësi, dhe nuk duhet të vendosen kufizime të tilla.

Pjesa e dytë e problematikës lidhet me rritjen e limitit të përgjegjësisë, nga 20 milionë ALL që është aktualisht, të bëhet 135 milionë ALL për dëmet shëndetësore (paaftësi ose vdekje) në rastet e aksidenteve automobilistike. Jam krejt i ndërgjegjshëm që, pjesë e saj, janë direktivat e BE-së për përafrimin e legjislacionit dhe absolutisht që një ditë do shkojmë në atë limit, por nuk mund të shkojmë menjëherë. Kjo rritje duhet të vijë në mënyrë graduale. Një ndër kërkesat që i kemi parashtruar AMF, që në hapat e parë, ka qenë që nëse do të rrisim limitin duhet të përcaktojmë shumë qartë nënlimitet e këtyre dëmeve, sepse mund të kemi keqinterpretim nga gjykatat apo abuzime.

Kjo do të rëndonte tek konsumatori duke çuar në rritje të primit, gjë të cilën e konsideroj pak të parakohshme për t’u pranuar nga tregu shqiptar. TPL është një skemë solidariteti, nuk mund të arrihen limite të tilla në afate kaq të ngushta, sepse do të rezultojë në rritje të primit të sigurimit. Këto janë pikat që në opinionin tim duhet të rishihen. Gjithsesi, gjëja më e rëndësishme është që të bëhet një ligj i mirë, i pranueshëm për tregun dhe që parashikon nevojat dhe situatat e rrezikshme në të cilat mund të gjendet i siguruari.

Ideja e rregullimit të kuadrit ligjor të sigurimit të detyrueshëm është të hartojmë një ligj që të mos ketë hapësira për interpretim, por ne ende nuk e kemi një draft përfundimtar. Ai që kemi aktualisht nuk i përmbush të gjitha pritshmëritë tona, pasi lë gjithsesi hapësira për interpretim dhe me një limit kaq të madh, shkalla e keqpërdorimit do të jetë shumë më e madhe.

Një nga pikat më të nxehta të diskutimit lidhur me tregun e sigurimeve është Fondi i Kompensimit. Cilat janë arsyet që kemi këtë situatë sot?

Kjo është një gjendje e mbartur në vite nga 2001 deri në 2013 dhe arsyeja kryesore lidhet me makinat e pasiguruara, të cilat në të kaluarën, kanë qenë jo të pakta në numër. Ne jemi të ndërgjegjshëm që makina të pasiguruara do të ketë gjithmonë, ashtu siç ka makina të paregjistruara apo që nuk paguajnë taksat. Por ne synojmë që kjo pjesë të zvogëlohet sa më shumë. Janë hedhur disa hapa që kanë ndikuar pozitivisht ndër vite siç ishte marrëveshja me DPSHTRR ku kontrolli fizik dhe regjistrimi nuk mund të bëhet pa siguruar makinën, si dhe zbatimi i sistemit online për TPL.

Por keqmenaxhimi i policës së sigurimit shmanget vetëm përmes dematerializimit, që në draftin e propozuar nga AMF është përfshirë si opsion. Po të heqim policën fizike dhe gjithçka të jetë në sistem, zgjidhja bëhet më e thjeshtë, por kjo do bashkëpunim ndërinstitucional mes AMF, DPSHTRR dhe Policisë Rrugore. Nëse realizohet kjo, është e pamundur që të devijohet sigurimi.

Për t’ju kthyer problemit të Fondit, dëmi mesatar në Byronë Shqiptare të Sigurimit është shumë më i lartë se dëmi mesatar në kompani, që do të thotë që këtu ka një keqmenaxhim në vite. Në kompanitë e sigurimit dëmi menaxhohet më mirë. Dëmet që vijnë nga Byroja janë kryesisht dëme shëndetësore. Përfaqësimi i institucionit në proceset gjyqësore nuk ka qenë i mjaftueshëm, ose mbrojtja e çështjes nuk është bërë në mënyrën e duhur. Kjo ka rezultuar në rritje të ndjeshme të shumës së dëmshpërblimit.

Një anë tjetër e situatës me Fondin ka ardhur edhe si rezultat i vendimit unifikues i Kolegjit të Gjykatave i vitit 2007. Duke qenë se nuk kishte një ligj për sigurimin e detyrueshëm, i cili u miratua vetëm në vitin 2009, Kolegji nxori një vendim unifikues mbi mënyrën e trajtimit të dëmeve. Bazë e këtij vendimi unifikues ishte modeli italian, i cili kishte problematikat e veta në përshtatje me tregun tonë, dhe kjo bëri që dëmet në kompani, por edhe në Byronë Shqiptare të rriteshin shumë. Në finale kemi një numër shumë të madh dosjesh dhe ky është dhe qëllimi i krijimit të një Enti. Në çdo vend të BE-së ka shumë pak mjete të pasiguruara, rreth 2% e mjeteve, ndërsa në Shqipëri flitet për nivele 25-30% në periudha të caktuara, edhe pse tani kjo shifër ka rënë.

Zgjidhja e problematikës së Fondit duket se është në një rreth vicioz mes AMF, kompanive dhe Byrosë? Si mund të zgjidhet kjo situatë?

Zgjidhja e parë ka ardhur në shkurt të 2014-s. Në atë kohë fondi ishte 1.3 miliardë lekë dhe filloi të paguhej për 3 vjet. Ky plan u aplikua, pra u paguan ato para në favor të të dëmtuarve. Por duhet të kemi parasysh që gjithmonë flasim për dëme që janë njohur si të tillë, me vendim të formës së prerë nga Gjykata. Këto lloj dëmesh kanë një specifikë që, nga momenti i ndodhjes së ngjarjes dhe deri në momentin që vijnë në kompani, mund të kalojë një periudhë prej 1-3 vjet.

Në momentin që një shoqëri sigurimi ka informacion që ka ndodhur një aksident, ajo mban rezerva pavarësisht datës se kur vjen dëmi në shoqëri. Byroja Shqiptare nuk ka rezerva, është fond dhe paguhet çdo vit nga kompanitë. Që prej vitit 2014 dhe deri në fund të 2017-s janë paguar rreth 2 miliardë ALL dhe këtë duhet ta pranojmë, janë shumë para. Vijmë te problematika aktuale. Duhet të kuptojmë që Fondi i Kompensimit kurrë nuk bëhet zero.

Po përpiqemi maksimalisht që, pas vitit 2014, të mos krijohen më borxhe dhe në momentin që do të bëhet vlerësimi i dosjes, kërkohet nga klienti pranimi i shumës së vlerësuar. Në disa raste, personat e siguruar apo përfituesit, parapëlqejnë të drejtohen edhe në shkallë të tjera për rivlerësimin e dëmit. Kjo rrit ndjeshëm koston e dëmit, duke pasur parasysh këtu interesat, pagesat e ekspertëve dhe vlerësuesve të pavarur, si dhe shpenzimet për strukturat e tjera që përfshihen në proces. Gjithsesi, synimi i projektligjit është që kompanitë e sigurimit të jenë sa më pranë klientit me procedura të thjeshtuara dhe trajtim dëmesh të shpejtë.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of